Kreu Opinion Akad. Shaban Sinani: Sovraniteti i një shkrimtari jashtë rendi

Akad. Shaban Sinani: Sovraniteti i një shkrimtari jashtë rendi

Zija Cela

Zija Çela festoi këtë të mërkurë ditëlindjen jubilare. Kryelartë e dinjitar, ai shkruan prej më shumë se një gjysmë shekulli, ndan botën e tij me tonën përmes letërsisë, jo aq i shqetësuar se kur do ta marrë secili të vetën. Për lexuesin posaçërisht, një herë të vetme, gjatë një panairi libri, provoi të ndërtonte një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, afrimi po aq sa dhe qortimi, duke zgjedhur të lexojë vetë një fragment të shkurtër nga romani i tij i fundmë. Sa për kritikën dhe studimet, më duket se as që ia ka dashur të dijë ndonjëherë. Kjo vetësiguri e shkrimtarit, larg së qëni krekosje, që shoqëron rregullisht thuajse çdo akt krijues, nga vetë natyra e tyre egocentriste, mund të ketë lidhje edhe me vënien e nderit të tij krijues kundruall një pjese të letërsisë së sotme “me promovim të shpejtuar” dhe përgjithësisht artit sinbiotik me paranë.

Në kapërcyellin prej letërsisë së disiplinësmrekullinë e lirisë Zija Çela nuk u gjend si në një pyll pa busull. Sepse, në fakt, pjesërisht ai e kishte vetëzbrazur nga brenda që më parë kanunin e vjetër estetik dhe ishte i gatshëm të kërkonte ndryshimin e shijes së letërsisë. Asnjë shenjë traume nuk gjendet në këtë kapërcyell. Koha le të ndryshojë, në letërsi kohën mund ta bëj vetë. Pak a shumë imagjinoj se kështu mund ta ketë projektuar në atë kohë e më pas Zija Çela sovranitetin e vet estetik

Letërsia e Zija Çelës mund të quhet si prozë e ndërlikuar, që cilësohet nga një autonomi e vetëdijshme estetike; shfaqur në një tekst me lexueshmëri aspak të lehtë, që nuk epet shkujdesshëm.

Dikur, para se të ndodhte shthurja e realizmit socialist; kur sapo kishte nisur braktisja thuajse masive e letërisë prej “të mëpërparshmëve”, kam menduar se romanet, novelat e tregimet e tij mund t’i brendashkruhen “realizmit të ashpër”. Kushtimisht mund të ketë qenë një pohim i saktë. Romani Mali i tejdukshëm më shumë mund të përafrohej me Germinal-in e Émil Zolait se me estetikat e rrjedhave perspektiviste-revolucionare: ishte vërtet një roman i zymtë, në prag të dëshpërimit, krahasuar me gjithë letërsinë e asaj kohe, të heronjve të patëmêtë. Pas më shumë se tri dekadash, druaj se ky përcaktim vetëm pjesërisht mund të provohet. Në kuadër të prozës së vetë Zija Çelës në tërësinë e saj më shumë do të pranohej si letërsi e realizmit të brendshëm, plot me njerëz të thyer, nën peshën e ankthit dhe të paqëllimësisë, që priret, por pa e kërkuar, drejt një realiteti brutal; brenda të cilit ndihet shpesh edhe vetë, por me një respekt të admirueshëm për dhimbjen që ndërlikohet në fatet njerëzore, duke mos e ftuar lexuesin të bashkëvuajë me to. Kjo mund të ngjajë së jashtmi si indiferencë, por në thelb është trashëgimi e hershme e njeriut shqiptar në familje e farefis, heroik dhe kryeneç, madje në prag të xhelozisë, për të mos e kthyer traumën në shfaqje dhe për të mos ia dorëzuar publikut dhimbjen përtej asaj që i takon. Kjo mund të njihet si ngulmim i shkrimtarit për të dalë nga çdo formë normimi; në një kuptim edhe si një manifestim i qartë mosdëshire për të ecur paralel me trendet e kohërave për qendërzimin e vëmendjes publike me çdo kusht. Kjo e bën Zija Çelën një shkrimtar jashtë rendi, ashtu ka qenë e do të jetë.

Katër vjet më parë Akademia e Shkencave i dha Zija Çelës diplomën e Nderit të Akademisë, me motivacionin: Prozator i shquar, me veprimtari krijuese sfidante prej një gjysmë shekulli, autor romanesh, novelash e tregimesh, që kanë provuar bindshëm marrëdhëniet ndërvepruese me karakter pasurues midis shqipes së njësuar dhe trashëgimisë dialektore, duke dëshmuar rolin e pazëvendësueshëm të shkrimtarit për zhvillimin dhe shfaqjen e shprehimësisë së shqipes letrare si zhvillim kulturor e identitar. Më shumë se shpallje merite, ky vendim ishte njohje detyrimi. Dhe ky detyrim ndaj Zija Çelës mbetet gjithnjë e rritet ndër vite; pakkush mbetet jashtë tij: lexuesi, shtypi, publiku, studimet, universiteti. Fatmirësi që, fisnik siç ka qenë dhe është, Zija Çela nuk ia kujton askujt, mbase as vetvetes, këtë përgjegjësi të pakryer; s’ia mban askujt kokën mënjanë pse i mungon. Ndoshta sepse e di që është një shkrimtar i pashmangshëm. Prandaj jeto gjatë, Zija Çela!  

Exit mobile version