Bisedoi Andreas Dushi
E dashur Rita, erdhi koha e bisedës sonë të radhës. E kam humbur numërimin e sata është, por jo shijen e jashtëzakonshme që secila më ka lënë. Po mbyllet viti 2025, me disa pika kulmore të jetës sate: 25-vjetori i “Albas”, libër i ri dhe para pak ditësh u shpalle Poete Laureate për dy vitet në vazhdim. Si do ta përshkruaje këtë vit me pak fjalë?
Ky vit ishte viti i kujtesës për mua. Kujtime që lidheshin me fillimet e shtëpisë sonë botuese, kujtime që lidheshin e përkonin dhe me fillimet e dashurisë sonë me Latifin, kur vendosëm të fshinim kufijtë mes shqiptarëve përmes librit shqip. Dhe mungonte një kurorë për t’i përmbyllur të gjitha këto, kurora e Poetes Laureate.
Me pak fjalë do ta përshkruaja si një vit të mbushur me përgjegjësi e suksese. Si duket përgjegjësia dhe suksesi shkuakan paralel me njëri-tjetrin. Dhe akoma më me pak fjalë:kam mbet pa frymë.
Sapo është botuar Poema e mungesës. Si ndihesh? Kohë më parë më pate thënë: “Akoma s’e kam shkruar poemën e mungesës”. Çfarë ka ndryshuar te ty, në përjetimin tënd, në mënyrën si e sheh të shkuarën dhe zotësinë për të shpresuar, tani që e ke shkruar?
Ti Andreas je i pari që më ke pyetur pesë vite më parë, nëse do ta derdhja ndonjëherë në vargje dhimbjen për dashurinë e munguar dhe, gjatë intervistës, më lindi në kokë titulli i librit “Poema e mungesës”. Që atëherë e kam mbajtur në kokë dhe nuk e ndryshova titullin, por e mbusha me vargje dhimbjeje dhe dashurie. Meqë më pyet për ndryshimet që kanë ndodhur tek unë, do të thosha se vajtimi është shndërruar në dhimbje të pranuar, mungesa në mall të shtuar, vetmia në reflektim. Dhe ishin kushte të mjaftueshme për t’u mbyllur poema këtë vit.
Në momentin kur na ndodh vdekja e njeriut të dashur, dhimbjen e ndien në kockë, ndjeshmëria është në shkallën më të lartë. Por unë nuk shkruaj kur emocionet, si ato negative apo pozitive, janë në ekstrem. Emocioni i tepërt e prish poezinë, se i jep thjesht karakter personal. Ndaj i thashë vetes prit. Dhe vërtet pritja në qetësi u shndërrua në reflektim tëthellë. Pesë vjet ishin mjaftueshëm për t’u përballur me vetminë time dhe me sfidën për ta shndërruar nga sfidëpersonale në atë universale.
Në këto 25 vjet të “Albasit”, cilat çaste do të kujtoje si më të bukurat? Po më domethënëset? Po më të vështirat?
Hëm, po e filloj me fillimin, që ish shumë i vështirë. Mungesa e parave, e përvojës në biznesin privat, mosdija se mund të ta punonin nëse shfaqje aftësi dhe konkurroje peshqit e mëdhenj, gjykimi nga rrethi i ngushtë se puna e shtetit ish e sigurt dhe s’kish arsye të largohesha prej saj. Por ish një POR shumë i madh… guximi që unë them në vargjet e mia e kisha veshur drejt e në trup si një jelek antiplumb. Ky guxim dhe zanati që kisha fituar në 15 vjetët që kisha punuar në shtëpinë botuese shtetërore të librit shkollor ishin çelësi i suksesit. Kur vendosëm të hapim shtëpinë botuese, Latifi më tha: “Tani duhet ta harrosh emrin tënd si poete, duhet të bëjmë të njohur emrin e shtëpisë sonë botuese Albas”. I dhashë fjalën me shumë dhimbje. Por ne duheshim aq fort dhe unë bëja gjithçka për dashurinë, siç bëri dhe ai, kur hoqi dorë nga profesioni i tij. (Ndonëse “e tradhtova” ca kohë poezinë, ajo s’më braktisi mua, por më ndoqi pas.) Ishin vite revolucionare. E nisa me një biçikletë pa frena, do të thosha. Rrezik i madh. Më rrëzoheshin librat nga mbajtësja mbrapa, rrëzohesha dhe vetë. Por sa herë bija, ngrihesha duke qeshur. Hanim një herë në ditë, punonim nga mëngjesi e na kapte edhe ora 11 e natës. Kur ktheheshim në një apartament që e kishim me qira, ndalonim të piceria që e kishim rrugës. Ishin kohët më të bukura, punë e dashuri bashkë. Shihnim çdo ditë se si realizoheshin ëndrrat tona, të cilat nuk mund t’i prishte, siç them unë në vargjet e mia, joshja nga paraja apo pushteti, që na ftonin të na ngjitnin në majë me një teleferik të shpejtë. Ne i besuam kohës që suksesin ta sjell ngadalë, u besuam shpatullave tona. Kjo ndodhi kur u hoqën përfundimisht tenderët e librit shkollor dhe filloi konkurrenca për herë të parë në Shqipëri, teksti alternativ. Ndiheshim të fortë profesionalisht, disa hapa para të tjerëve. Dhe kështu hap pas hapi po ngriheshin muret e kompanisë sonë, që në themel tëtyre futëm një shishe me një letër, ku shkruam emrat tanë: Rita dhe Lato.
Dëgjo Andreas, është një biznes i ngritur nga një dashuri e pamasë për njëri-tjetrin, por edhe nga patriotizmi, falë Latifit, ndaj në vitin 2000, në fillimin e shekullit të ri e regjistruam Albasin njëkohësisht në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, më vonë në Preshevë, në Mal të Zi, dhe gjithashtu, punojmë dhe me diasporën.

Kjo ndërkallje mes librit shkollor dhe atij artistik, mes letërsisë për të rritur dhe asaj për fëmijë, mes fiksionit dhe esesë, çfarë hapësirash të reja i ka çelur “Albasit” dhe vetë editorisë shqipe?
Ne e nisëm fillimisht me librin shkollor, ai ishte boshti, bazamenti që na krijoi dhe një bazë të fuqishme materiale, që të mund të zhvilloheshim si shtëpi botuese dhe në fusha të tjera botimesh. Por asnjëherë nuk kemi punuar pa politika botimi. Mund ta them me mburrje se me kolanat për klasikët për të rritur dhe klasikët për fëmijë përkthyer nga origjinali, me kolanat për trashëgiminë tonë kulturore, seria “Mëquajnë…” me figura të shquara që vijnë për herë të parë dhe të ilustruara për fëmijë, si Eqrem Çabej, Musine Kokalari, Gegë Marubi, Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha etj. Kolana e autorit klasik për fëmijë Bedri Dedja dhe të Petro Markos, që i kanë munguar si botime të sistemuara bibliotekës së librit shqip. Po kështu, kujdes i kemi kushtuar autorëve të sotëm shqiptarë e botërore. Kemi bordin tonë që miratojmë projektet e çdo viti. Nuk nisemi asnjëherë se një autor vjen të botojë me shpenzimet e veta. Jemi munduar ta mbajmë stekën lart dhe kemi krijuar këtë imazh te lexuesit dhe njerëzit e kulturës, bashkëpunëtorë e dashamirës tanët. Unë jam e lumtur që, pas këtyre viteve, qëndrojmë denjësisht krah atyre shtëpive botuese dinjitoze që e kanë filluar edhe më parë se ne.
Sa vend ka mungesa te Rita? Sa hapësirë mendore e shpirtërore i zë ideja e mungesës?
Është një pyetje brenda poemës sime: Mungesa është boshllëk apo tepri e krijuar nga një vend bosh?! Ku shkon trupi që kish zënë vend më parë si materie në hapësirë?! Po ja që ka mbetur fryma, e cila dhe ajo si ajri na mbush plot përbrenda dhe kthehet në frymëzim poetik, por dhe jetësor.
Si mendon, a është përherë mungesa shkaku apo nxitësja e poezisë?
Vetmia do të thosha. Poema e mungesës përfshin dhe brenda më vete kapitullin për Poemën e vetmisë, që unë e shoh si paqe, liri, refleks, urti, të mjaftueshme të gjitha këto si nxitëse të poezisë. Reflektimi filozofik më ka ndihmuar të shkruaj për marrëdhënien mes shpirtit dhe trupit, që kur njeriu është në jetë, ata janë një, e ndahen kur njeriu ikën nga kjo jetë. Unë jam me konceptin kristian se trupi duhet të varroset e të ushqejë rrënjët e pemëve, natyrën përreth, për të kaluar te ideja e rilindjes. Po nga ana tjetër, është shumë e dhimbshme kur shpirti qëndron te trupi që është tretur bashkë me leckat, dikur kostum luksoz. Ama, kockat bëjnë ende dritë, dhe atje thotë shpirti, herë pas herë dua të rri/kur më merr malli për trupin tim.
Ndërsa reflektimi shoqëror më ka nxitur të shkruaj Poemën për vetminë e popullit të vogël para pushtetit të madh. Është revoltë ndaj një pushteti absolut që kërkon nga ne të këndojmë të gjithë në kor e të shtypë zërat e solistëve dhe, gjithashtu, një konstatim që nuk e mësojmë në leksionet e shkollës. Është politika ajo që vendos sot para zotit se cili popull do të jetojë dhe cili do të hajë kokën e vet. Dhe a ka vërtet kuptim paqja e vendosur, pasi toka mbushet me varre të hapura.
Duke e shkruar poemën e mungesës, kam ndier shumë dhimbje që shkon përtej personales. U bënë afro dy muaj nga botimi i saj dhe më shkruajnë aq shumë lexues të moshave të ndryshme. T’i prekësh lexuesit në dobësinë e tyre, që mundohen ta fshehin dhe papritmas nga vargjet e tua pranojnë të hapen e të mendojnë pa autocensurë, për mua nuk ka lumturi më të madhe. Dhe ta ndiesh këtë efekt edhe te lexuesit e rinj, do të thotë se ke prekur vetë qëllimin e letërsisë.
Kam përshtypjen se, duke qenë edhe botuese, edhe poete, misionin e Poetit Laureat do të kryesh shumë mirë, pasi do t’ia dalësh t’i zbërthesh problematikat e poezisë në Shqipëri nga të gjitha dimensionet. Ke një plan konkret lidhur me punën që do të bësh?
Ky çmim më ka gëzuar shumë. Por sigurisht e di mirë që është përgjegjësi, është mision. Këtë e thashë dhe në fjalën që mbajta në ceremoninë e dhënies së çmimit.
E di Andreas, është një shprehje: “Jepi punë atij që është më i ngarkuar me punë.”
Dhe tek unë kjo vlen, se nuk i trembem sfidës së punës. Nga ana tjetër, të gjithë më njohin se sa tolerante jam ndaj mendimeve ndryshe, por dhe shumë objektive, aq më tepër kur merr një lloj posti të zyrtarizuar, që shkon përtej shijeve personale, poetike. Dhe nuk më mungon as entuziazmi, as dëshira për të promovuar apo bashkëpunuar me të rinjtë.
Kam filluar të mendoj patjetër një plan konkret që do e kem gati në janar besoj. Ideja fillestare që më lindi është se kemi nevojë të fokusohemi te poezia e viteve ’90, veçanërisht e atyre poetëve të rinj që u rebeluan të parët gjatë këtyre viteve dhe krijuan një art larg skemave të socrealizmit. Po kështu ia vlen të vihet në fokus poezia e shkruar për një çerekshekulli pas rënies së komunizmit, poezia e shkruar nga poetët shqiptarë në Kosovë e të gjitha trevat shqiptare, si dhe në diasporë. Promovimi i kësaj poezie në hapësirat publike, biblioteka, shkolla, e kur të vijnë stinët e ngrohta dhe në natyrë; e imagjinoj sa bukur do jetë. Kemi nevojë që, siç edukojmë një vesh muzikor, duhet ta edukojmë dhe me fjalën e bukur poetike shqipe. Njerëzit duhet të mësojnë të dëgjojnë e të shijojnë në heshtje. Gjithashtu, dhe nxitja e debatit për brezat e ndryshëm të poetëve, për shijet e ndryshme poetike, për nxitjen e mendimit ndryshe, përfshihet në projektin tim. Është e vështirë, por jo e pamundur. Kam shumë entuziazëm për ta bërë si duhet këtë mision.
Dhe këtë pyetje po e mbyll me tri vargjet që hapin Poemën e mungesës:
“Lindim me shpresën se do të rregullojmë botën,
Ikim me brengën se po e lëmë më keq,
Ndonëse diçka e rregulluam vërtet…”
Dhe për ta mbyllur fare, kush të njeh, e di se je natyrë shumë festive. Çfarë kuptimi kanë Krishtlindja dhe Viti i Ri për ty?
Për mua Krishti është simboli më i përkryer i një Biri që kryqëzohet nga dashuria për të tjerët, duke marrë përsipër dhe mëkatet e tyre. A nuk është ky dhe misioni i poetit? Bashkë kemi pasur dhe një intervistë për ciklin që ia kam kushtuar figurës së Krishtit botuar në Exlibris.
Krishtlindjen e kemi festuar menjëherë pas rënies sëkomunizmit, a thua sikur prindërit e mi mezi e kishin pritur këtë. Është festë e bukur familjare, ku me kalimin e viteve ti e ndien se fillojnë të të mungojnë njerëzit e dashur, por nga ana tjetër në tryezë shtohen njerëz të rinj. Dhe Krishti është gjithashtu simboli i ringjalljes. E besojmë apo jo këtë, e rëndësishme është që kjo festë na ngjall përherë shpresën.
Po kështu edhe për festën e Vitit të Ri do të thosha se hyj tek ata njerëz që më gëzojnë si fëmijë dritat, zbukurimet gjatë përgatitjes. Nuk ka si festat, të bëjnë më të hapur, më tolerantë, ta mbushin shpirtin plot me entuziazëm. Dhe do të festoj deri ditën time të fundit. Pa diskutim.