Nga Lisa Allardice, The Guardian
“Çfarë do të thotë ‘s’do mend’”, pyet përkthyesin Michael Hofmann romancierja Jenny Erpenbeck. Është mëngjesi pasi të dy bashkë kanë marrë Çmimin International Booker, dhe Hofmann sapo e ka përdorur shprehjen për të përshkruar vendimin e jurisë për dhënien e çmimit të këtij viti romanit të fundit të Erpenbeck-ut, Kairos, të cilin e përktheu Hofmann.
Por romani s’donte aq mend në atdhe, ku, pavarësisht se Erpenbeck është një prej romancierëve më të vlerësuar të Gjermanisë, Kairos, nuk u shfaq si finalist në asnjë prej çmimeve letrare prestigjioze të shtetit. Tani Erpenbeck është autorja e parë gjermane që ka fituar International Booker që kur u themelua thuajse një dekadë më parë, gjë që e ka konfuzuar botën e botimeve në gjermani. “I ka zënë paniku”, qesh ajo.
57-vjeçarja ka shkruar vetëm katër romane, duke filluar me debutin e mirëvlerësuar Visitation në 2010 (të gjithë janë përkthyer në anglisht). Sidoqoftë emri i saj del vazhdimisht në kohën e Nobelit, dhe New York Times së fundmi e ka përshkruar si “një prej romancierëve më të sofistikuar dhe me të fuqishëm që kemi”. Romani i saj i dytë, The End of Days, për një grua hebreje të lindur në Galicia në 1900, fitoi çmimin Independent për fiksion të huaj në 2015. Libri i saj i tretë Go, Went, Gone, i cili tregon historitë e një grupi refugjatësh afrikanë në Berlin, ishte në listën e gjatë për International Booker në 2017. Vepra e saj përfshin edhe tregime të shkurtra, drama, dhe jo-fiksion.
Hofmann është një prej figuara letrare më me influencë në Gjermani: poet dhe kritik (famëkeq për kasaphanat në shkrimet e tij), si dhe përkthyes i jashtëzakonshëm. Por kjo është hera e parë që ka punuar me Erpenbeck-un. “Kryesisht kam qenë përkthyes për klasikët gjermanë të shekullit XX”, thotë. Pasi lexoi Kairos u duk “një libër tërësisht i mahnitshëm, i parezistueshëm. I parezistueshëm, dhe gjithashtu i paparishikueshëm”.
Kairos rrëfen një lidhje të rrëmbyeshme (që sot do të quhej toksike) mes një gruaje 19-vjeçare, Katherina, dhe një shkrimtari të martuar dhe prezantues në radio, Hans, i cili është 34 vjet më i madh. Shumica e romanit të hollë është i vendosur në Berlinin Lindor mes 1988 dhe 1992, megjithëse historia hapet e mbyllet me skena bashkëkohore që shpërthejnë çdo gjë në mes. “Nga njëra anë është një histori dashurie, nga ana tjetër është një histori politike”, shpjegon Erpenbeck. “U përpoqa t’i lë të flasin me njëri-tjetrin, të mpleksin ngjarjet historike me një histori dashurie personale problematike”.
“Nëse doni një version shumë të shkurtër”, ndërhyn Hofmann. “Është një libër për kufizimet”.
Vendosur në ditët e shuarjes së ëndrrës gjermane komuniste, lidhja që fillon kaq e zjarrshme bëhet abuzive, shkon në dhunë, mizori, dhe survejim ndërsa Hansi bëhet gjithnjë e më shumë xheloz e kontrollues. Nuk është për t’u habitur që romani gjerësisht është marrë si një alegori e rënies së Gjermanisë Lindore. “Mendoj se fjala alegori është katastrofë për librin pasi mendon se një parti do të jetë një gjë e tjetra diçka tjetër”, thotë Hofmann. “Një mënyrë më e saktë përshkrimi do të ishtë ndërdepërtimi i personales dhe politikes.
Erpenbeck filloi ta shkruante romanin pasi kishte mbaruar zhurma e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit në 1989. “Ajo që përpiqesh të bësh si shkrimar është të largohesh nga të tjerët, të kesh shkrimin tënd paqësor”, thotë ajo. “Të shkruarit ka të bëjë shumë me emocionet, dhe gjithashtu historitë personale. Reflektimi është një proces, nuk bëhet shpejt. Nëse shkruan për diçka, i sheh gjërat në mënyrë tjetër nga ajo që po përjetoje”.
Projekti i Erpenbeck-ut, mbi një karrierë të shtrirë në 25 vjet, ka qenë që t’i hedhë një dritë të re historisë gjermane të shekullit të kaluar. Te Kairos, ajo ka dashur t’i japë zë njerëzve të Gjermanisë Lindore të cilët humbën shtetin e tyre. “Në botën anglofone, njerëzit janë shumë të interesuar të kenë një njohuri më të thellë në rrëfimet; një nevojë për të kuptuar më mirë çfarë ndodhi”, thotë ajo.
“Edhe në Gjermani, rrëfimet e Gjermanisë Lindore janë të nën-përfaqësuara”, pohon Hofmann. “Ka një ndjesi se kemi mbaruar punë me lindjen. Lindja nuk është interesante. Unë vet jam nga Gjermania Lindore dhe jo më duket e pakuptimtë. Kairos është një libër jashtë kohës së tij. Do kohë t’i përvetësosh gjërat, t’i kuptosh, të jesh gati të flasësh për to”.
Fillimisht Erpenbeck nisi të shkruante për një epokë që nuk e përfshinte Stasi-n – megjithëse futet në mënyrë të pashmangshme. “Mendova se të vetmet gjëra që njerëzit dinë për Gjermaninë Lindore është se ishte Stasi dhe se kishte një mur. Dhe kaq. Sepse kanë parë The Lives of Others dhe pakashumë kaq dinë. Doja t’i shtoja diçka pamjes”.
Gjithashtu i duhej të kapërcente qëndresën për të shkruar një histori dashurie. “Është një lloj sfide. Por mendoj se jam e madhe mjaftueshëm tani për të shkruar një histori dashurie pasi nuk jam më në rrezik”, qesh ajo.
Hans ishte djalë gjatë luftës së dytë botërore, në moshë për të qenë pjesë e Rinisë së Hitlerit, ndërkohë që Katherina ishte një të njëzetat e saj kur bie Muri. Si autorja, e cila u lind në 1967, Katherina u rrit në një kullë aq larg prej Murit sa mund të hidhje një gur, dhe ndan dhe detaje të tjera biografike me Erpenbeck. Megjithëse ka pasur spekulime në Gjermani se personazhi i Hans-it bazohet në një njeri të vërtetë, Erpenbeck thekson se është një përzierje e burrave mbi të cilët ka lexuar gjatë kërkimit të saj. “Ka kaq shumë dosje të Stasi-t të shfaqura pas rënies së Murit, sa mund të marrësh cilindo”, kaq thotë tani.
“Ideja ishte të shkruaja për përjetimet e mia në atë kohë”, thotë autorja. “Kishte ardhur koha të tregoja historitë e mia e të miqve të mi shumë miq të mijtë ishin disi të çliruar, patën ndjesin se u panë në këtë libër”. Donte të kapte se dukeshin dhe ndiheshin gjërat, detaje se si rrugët e Berlinit Lindor “menjëherë filluan të mbanin erë Chanel No 5”. Rrëfimet e saj mund të jenë thellësisht personale por personazhet e saj nuk i arratisen dot historisë së tyre.
Pasi ra Muri, “fëmijëria e saj u bë një muze”, ka shkruar Erpenbeck. “I dashuroj muzetë, i dashuroj ekspozitat, i dashuroj gjërat që vihen bashkë dhe të komentojnë njëra-tjetrën”, thotë tnai. Ka mbledhur efemere nga GDR për shumë vite, dhe një mur në apartamentin e saj në Berlin është i mbuluar me mbështjellëse të vjetra, lista pazari dhe kartonë ushqimesh. E quan romanin “një muze në formë libri”.
Bashkimi, shtypja, pavarësia dhe liria – paralelet mes historisë romantike dhe sfondit historik u shfaqën ndërkohë që Erpenbeck po i shkruante. Por, si gjymtyrët në roman, ishte e vështirë t’i shkoklavisje. “Dua vetëm të shkruaj një histori që është e gjallë”, thotë autorja. Ka padyshim një puls të shpejt. Çdokush që e përpiu Lehtësia e padureshme e qenies të Milan Kunderës kur ishte adoleshent do t’i kujtohet ky klasik i Pranverës së Pragës. Hans është karizmatik dhe duket seksi me cigare (janë vitet ’80). Katherina është e re dhe e bukur. Që në fillim, ka mjaftueshëm flamuj të kuq që ta alarmojnë lexuesin modern, dhe kjo përpara se ai të nxjerrë kamzhikët. Por siç vë në dukje Erpenbeck, balanca e fuqisë ndryshon përgjatë romanit.
Hans-i përfaqëson historinë, ndërkohë që Katherina është e ardhmja. “Ajo sa ka dalë në jetë në pikën që ata takohen. Bien në dashuri dhe po ndajnë një moment”, thotë ajo. “Por pastaj del që ajo po sheh përpara dhe ai po sheh pas. Në fund, problemi është që ajo po vazhdon të rritet. Ajo është lëvizje. Dhe ai po përpiqet t’i rregullojë gjërat dhe ta mbaj atë siç ishte në fillim. Por sigurisht që nuk mund ta mbajë në të njëjtën gjendje që ishte kur u takuan”.
Intensiteti i marrëdhënies së dashnorëve kapet në prozën shumë të ngarkuar të Erpenbeck-ut, historia tregohet në një kohë të tashme urgjente e gjithëpërfshirëse nga secila prej perspektivave të tyre, mendimet e tyre shkojnë bashkë, shpesh me asnjë rresht që thyhet mes tyre. Ashtu si romancieri Paul Lynch, i cili fitoi çmimin Booker vitin e kaluar me Prophet Song, Erpenbeck ka një qëndrim laissez-faire ndaj shenjave të dialogut – një qasje që iu përshtat ndjeshmërive të Hofmann si përkthyes. “Lexuesi duhet të sjellë shenjat e veta të pikësimit. Lexuesi duhet të vijë me një tufë thonjëzash”, thotë ai. “E di se çfarë po mendon dikush e nuk po e thotë, apo po thotë e nuk po e mendon. Të mban në majë të gishtave. Ka diçka foshnjore në nevojën e këtyre shenjave”.
Kairos kap traumën dhe ambivalencën e ribashkimit. “Libri vazhdon pasi merr fund partia”, siç thotë Hofmann-i. Një avantazh interesant që ka ajo si dikush prej Gjermanisë Lindore “është se i njohim të dyja botët, një socialiste e një kapitaliste”, thotë ajo. “Një aspekt i librit është ta kesh këtë krahasim mes dy anëve”. Në faqet e fundit Katherina neveritet nga konsumerizmi i papërmbajtur i perëndimit: “liria e zgjedhjes kaq e lavdëruar është një kanaçe e re krimbash”. Erpenbeck-ut iu duk e rëndësishme, thotë ajo, “ta bëja të qartë se sa e çuditshme ishte kjo botë për ne. Nuk shihnim kurrë lypsa rrugëve, nuk kishim prostitucion, nuk kishim dyqane seksi, ishte e gjitha tërësisht e re për ne”.
“Përpiqem t’i vë në dijeni njerëzit se thuajse asgjë nuk është e bardhë apo e zezë. Gjërat kanë nevojë për një vështrim më të kujdesshëm, një pamje më komplekse për t’u kuptuar”, thotë ajo. “Përpiqem t’u mundësoj njerëzve të marrin një kënd vështrimi që nuk e kanë marrë më parë, që të trupëzohen me dikë të cilin nuk e njohin, të kuptojnë më mirë se si mund të jenë ndierë gjërat”.
Vetë Erpenbeck e ka kaluar mbrëmjen e 9 Nëntorit 1989 duke pirë verë e duke ndenjur me shoqet e saj. “Dhe kaq ishte”. As nuk u shkoi mendja të ndiznin televizorin. Ura e famshme Borholmer, e cila u jepte akses drejt perëndimit, ishte mu aty. “Nëse do të dilnim, ndoshta do të kishim parë gjithë milionat e njerëzve që erdhën. Por nuk dolën dhe ishim në katin e katërt të një godine, kështu nuk kishte asnjë ide se po ndodhte një ngjarje historike”.
Përktheu Enxhi Hudhri