Përktheu: Roland Gjoza
FLUTURIMI I ZOGUT QË
KALON DHE HUMBET
Fluturimi i zogut që kalon dhe humbet nuk le gjurmë në ajër
Kalimi i kafshës le gjurmë në tokë
Zogu kalon dhe harrohet dhe kështu duhet të jetë.
Ajo që nuk është më nuk i shërben asnjë qëllimi
Kafsha dëshmon se ka qenë, po edhe kjo nuk i shërben asnjë qëllimi
Shenja që lenë pas është një tradhti ndaj natyrës
Sepse natyra që ishte nuk është më natyrë
Çfarë ka qenë është asgjë, çfarë iku nuk mund të shihet
Fluturo, zog, fluturo pranë meje dhe më mëso si të shkoj pa lenë gjurmë.
JAM I LODHUR
Jam i lodhur, kjo duket
Në një moshë të caktuar njeriu ndjehet i lodhur
Shkakun pse jam i lodhur nuk e di
E ç’duhet?
Përderisa lodhja mbetet po ajo.
Plaga dhemb siç dhemb një plagë
Pa pyetur se cili është shkaku
Jam i lodhur
Dhe e vetmja që s’humbet
Një e qeshur e lehtë
Trupi kërkon gjumin
Shpirti dëshirën për të mos menduar
Dhe për t’i përmbyllur të gjitha, një tejdukshmëri e ndritshme
E një retrospektive që më sjell kujtime
Dhe luksi i vetëm për të mos patur më shpresa!
Unë jam inteligjent; kjo është e gjitha
Kam parë shumë dhe kam kuptuar shumë nga ato që kam parë
Dhe në lodhje kjo është kënaqësia, që lodhje sjell përsëri
Koka në fund të fundit shërben ende
Për diçka
HOQA MASKËN DHE PASHË
Hoqa maskën dhe pashë veten në pasqyrë
Atje m’u shfaq një fëmijë që e kisha njohur vite më parë
Asgjë nuk kishte ndryshuar
Kjo ështe me e mira qe mund te besh, te heqësh masken
Fëmija është po ai gjithmonë
E kaluara është
Fëmija.
E hoqa maskën dhe e vura përsëri.
Kështu është më mirë.
Tani unë jam maska
Dhe i kthehem personalitetit tim
Stacionit në fund të udhëtimit.
SOT DIKUSH MË LEXONTE SHËN FRANCESKUN E ASIZIT
Sot dikush më lexonte Shën Franceskun e Asizit
E dëgjoja po nuk iu besoja veshëve
Si është e mundur që gjërat që ai pëlqente më tepër
Nuk i kish parë dhe nuk i kish kuptuar asnjëherë?
Pse ta quaj ujin motër në qoftë se ai nuk është motra ime?
Që ta ndiej më mirë?
Po une e ndiej më mirë kur e pi sesa kur i vë një emër tjetër;
Motër, nënë, apo bijë.
Uji është i bukur sepse është ujë.
Në qoftë se do ta quaj motra ime
Unë e shoh se nuk është motra ime
Dhe se është më mirë ta quaj ujë, pasi është ajo që është
Ose më saktë, të mos e quaj asgjë
Por ta pi, ta ndiej në të gjitha kyçet e mia dhe ta shoh
Pa asnjë emër
DORËHEQJE
Më merr në duart e tua, o natë e përjetshme
Dhe më thirr bir. Unë jam mbreti
Që braktisi me neveri
Fronin e mërzitshëm dhe ëndrrat.
Hoqa shpatën që rëndonte në krahët e mi të lodhur
Dorëzova dhe krahët e lehtësuar e të fuqishëm
Braktisa kurorën dhe skeptrin theva
E bëra copë e grimë në paradhomë.
Letrat e postës s’kanë më vlerë
Ato ngutjet e mia kur merresha me to, tani më duken të kota
Atje mbetën, atje, te shkallët e ftohta.
U shkëputa përfundimisht nga mbretëria, trupi dhe shpirti
Dhe u ktheva në natën e lashtë e të qetë
Si një peizazh në dritën që vdes
KURORË ME TRËNDAFILA
Më vënë kurorë me trëndafila
Kurorë me trëndafila
Të vërtetë.
Trëndafila që digjen
Në një ballë të djegur
Që shpejt s’janë më!
Më vënë kurorë me trëndafila
Me petale që bien
Kjo është.
NUK E DI SA SHPIRTRA KAM
Nuk e di sa shpirtra kam
Ato ndryshojnë nga çasti në çast
Unë gjithmonë ndjehem si i huaj
Asnjëherë nuk e kam parë apo gjetur veten
Nga qenia ekzistenciale kam vetëm shpirt
Një njeri që ka shpirt nuk ka qetësi
Një njeri që sheh është çfarë ai sheh
Një njeri që ndjen nuk është ai që është
I vëmendshëm për atë që jam dhe shoh
Unë bëhem ata dhe nuk jam unë
Secila nga ëndrrat dhe dëshirat e mia
I përket secilit që i ka patur, por jo mua
Unë jam peizazhi im
Unë shikoj veten duke udhëtuar
Të ndryshëm, të lëvizshëm, të vetmuar
Këtu ku jam nuk e ndiej më veten time
Ky qe shkaku që lexova, si një i huaj
Qenien time si faqet e një libri
Duke mos ditur se çfarë do të vijë
Dhe duke harruar atë që kaloi
Shënova në pjesët e bardha të leximit
Atë që mendova se ndjeva
Duke lexuar sërish pyes veten; a isha unë?
Zoti e di, sepse ai e shkroi atë.
KJO ËSHTË
Ata thonë se unë shtirem, gënjej
Në ato që shkruaj. Jo.
Unë thjeshtë ndiej
Duke imagjinuar
Pa iu bindur zemrës.
Ç’ka ëndërroj dhe kalon
Që më mungon ose që mbaron
Është si një tokë e rrafshtë
Me pamje nga disa gjëra të tjera
Dhe kjo është ajo që është e bukur.
Dhe arsyeja pse unë shkruaj
Midis asaj që nuk është afër
Pa kurrfarë lidhje personale
Kaq i vetëdijshëm për atë që s’është
Ndjehet? Le ta ndiej lexuesi.
SHPIRTI IM U COPËTUA SI NJË VAZO
Shpirti im u copëtua si një vazo e zbrazët
Ai ra poshtë shkallëve për të mos u rikthyer kurrë
Sikur të rrëshqiste nga duart e një vajze të pakujdesshme.
U thye dhe u shpërnda në aq shumë copëza e grimca sa ia kaluan dhe vetë madhësisë së vazos prej poercelani
E pakuptueshme? E pamundur? Nuk jam dhe aq i sigurtë!
Kam më shumë ndjesi se sa kur isha vetvetja
Jam një shpërndarje imtash mbi shkorsën qe duhet shkundur.
Rënia ime bëri zhurmë si një vazo e thyer
Perënditë janë mbështetur mbi parmakun e shkallëve
Dhe vështojnë se si më katandisi në copëza e grimca vajza e tyre
Po ata nuk dinë të ndëshkojnë
Vetëm falin.
Çfarë isha unë, tek e fundit, përveçse një vazo e zbrazët?
Ata vështrojnë copëzat e ndërgjegjes absurde
Të vetëdijshëm për veten, por jo për perënditë
Ata vështrojnë dhe buzëqeshin
Ata i buzëqeshin vajzës së pakujdesshme dhe e falin.
Shkallët dalin jashtë dhe shkëlqejnë nëpër yje
Një copëz prej meje shkëlqen, vezullon lart, midis trupave qiellorë
Frymëzimi im? Shpirti fillestar? Jeta ime?
Një copëz.
Dhe perënditë e vështrojnë me ngulm, fort kureshtarë, duke mos e kuptuar pse ndodhet atje.
NË QOFTË SE PAS VDEKJES
Në qoftë se pas vdekjes, ata do të shkruajnë biografinë time
Gjërat janë të thjeshta
Kam vetëm dy data; të lindjes dhe të vdekjes
Dhe në mes të njërës dhe tjetrës janë gjithë ditët e mia
Jam kaq i thjeshtë për t’u hedhur në letër
Kam jetuar si një i çemendur
I doja gjërat pa ndonjë sentimentalizëm
Unë kurrë nuk kam patur dëshira që s’mund t’i plotësoja
Sepse kurrë s’kam qenë i verbër
Dhe dëgjimi nuk ka qenë asnjëherë më shumë se shoqërimi i të parit
E kuptova se gjërat janë reale dhe ndryshojnë nga njëra tjetra
E kuptova me sy, por jo me të menduar
Të kuptosh duke menduar do të thotë t’i vlerësosh ato si të barabarta
Një ditë u ndjeva i përgjumur si një fëmijë
Mbylla sytë dhe fjeta
Dhe në këtë mënyrë unë isha vetëm një poet i natyrës.
