Kreu In memoriam Feride Papleka: Rexhep Qosja, personalitet i madh i Kombit

Feride Papleka: Rexhep Qosja, personalitet i madh i Kombit

 “E vërteta është mënyra e dashurisë sime për popullin tim dhe për kulturën e tij”.

Rexhep QOSJA, Letërsia shqipe në perspektivën kombëtare

“Ideja e bashkimit kombëtar është ide që e ka lëvizur historinë shqiptare dhe ne nuk guxojmë ta braktisim për qejf të askujt në këtë botë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë, sepse ky bashkim është në interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar dhe është në interesin e mirëkuptimit të popujve të Ballkanit”.

Intelektualët, etika dhe politika, QOSJA Vepra XXVIII

“Njeriu është libër i madh që kurrë s’lexohet deri në fund”.

Rexhep Qosja, Tronditja e shekullit II

“[…] asgjë nuk është e humbur përgjithmonë në qoftë se nuk e ke humbur besimin”.

Rexhep Qosja, Bijtë e askujt 1

“Një natë derisa në mendjen time vazhdonte loja mes fytyrës së saj dhe yjve të qiellit, papritmas Hana do të më thoshte: Dëshiroj të martohemi […]”

Një dashuri dhe shtatë faje, QOSJA Vepra XIV

« Oh, ti qenke Danjolli ! Çfarë sysh ! Vdekja më vjen prej syve të tillë ! »
[…]
Nuk është thikë jo, është diçka më e rrezikshme. Çka është, atëherë ? Penë, Danjoll, penë. Penë, pra. […] plaga që të sjell pena dhemb shumëfish më tepër se plaga e thikës dhe nuk pushon kurrë dhe nuk harrohet kurrë. »

Vdekja më vjen prej syve të tillë, QOSJA Vepra XII

“Shkrimtari dhe intelektuali kanë mision e kjo do të thotë përgjegjësi e detyrime në jetën e një populli, në çdo kohë”.

Rexhep Qosja (Nga  një intervistë)

Dy fjalë

Tashmë më duket si aventurë e bukur leximi i Veprës QOSJA 2010, me XXIX vëllime, po ashtu leximi i disa librave, botuar para vitit 2010, përdorur për qëllime studimi. Duke marrë parasysh edhe leximin e shumë librave të tij të mëvonshëm, si dhe ata më të mëhershëm kur vinin në Bibliotekën Kombëtare nga Prishtina, apo kur ndonjëri kishte fatin të botohej në Tiranë dhe shitej nëpër librari para viteve ’90, mund të them se prej kësaj pasurie intelektuale të paҫmuar, jeta ime ka marrë një kuptim dhe dritë të veҫantë.

Por kjo, në radhë të parë është një aventurë krijuese me përmasa kombëtare e Rexhep Qosjes, më e madhja deri më sot, më e realizuara, që përfshin në kozmosin e saj : ligjërime letrare dhe studime historiko-letrare, kritikë letrare, studimin në tri vëllime për letërsinë e Rilindjes Kombëtare të titulluar Historia e Letërsisë shqipe, romantizmi, me rreth 2000 faqe duke nisur nga poetika, rrethanat historike dhe kulturore, autorët dhe veprat e etapës së parë si dhe autorët dhe veprat e etapës së dytë, shoqëruar me analiza dhe përfundime « […] në këtë vepër kam dhënë dashurinë më të madhe mendore dhe shumë vjet të punës kërkimore […] » ( QOSJA Vepra V : 13), vepër e pakrahasueshme, vepër jete që mund ta realizonte në një mënyrë të tillë, të gjerë, të thellë e të frymëzuar një studiues i rrallë, një krijues e atdhetar si Rexhep Qosja. […] Në këtë kozmos krijimtarie të organizuar vijnë pastaj libra për sociologjinë historike të letërsisë, për krijuesit dhe institucionet kulturore, për nocionet e reja albanologjike, për udhëtimin e Kosovës drejt lirisë, për polemikën si dhe politologjinë, për Shqiptarizmin, për vonesat historike, për strategjinë e Bashkimit Shqiptar, për demokracinë në Shqipëri e në Kosovë, për gjuhën e njësuar ; pastaj është krijimtaria e tij në prozë dhe dramaturgji, në një fiksion si realitet i dytë. Në të gjithë veprën e Qosjes ndriҫon një ideal i vetëm : Lartësimi i kulturës shqipe.

PARASHTRIM

Për një autor të lashtë japonez kanë thënë se ai u ngjante atyre valëve të detit që përplasen pa pushim në breg duke pranuar ligjin e ekzistencës së tyre. Të shkruash për Rexhep Qosjen, duhet të njohësh misterin e lëvizjes së valëve, të cilat duken sikur thyhen, por rinisin me vrull dhe bukuri të përjetshme.

Historian i letërsisë shqipe dhe teoricien i saj, shkrimtar, kritik, dramaturg, eseist i kulturës, publicist, politolog dhe albanolog, vepra e tij përfaqëson një unitet ligjërimor, në të cilin idetë dhe motivet e ndryshme i shoqëron një filozofi që shkon drejt përsiatjes universale.

I plotpushtetshëm në atë që ka shkruar dhe i shndërruar tashmë në figurë referimi, Qosja është një nga penat më të fuqishme dhe një nga mendjet më të ndritura shqiptare për shumë arsye, por më kryesoret janë: shtjellimi i plotë i veprës së rilindësve, kuptimësia e thellë e realitetit shqiptar dhe interpretimi humanist i çdo problematike.

Qosja është një pasardhës i denjë i Naim Frashërit, në mënyrën si ta duash Shqipërinë dhe si ta ndriçosh kulturën e saj, një Volter i Shqiptarëve në mënyrën si të mos pajtohesh me të keqen dhe ta luftosh padrejtësinë nga cilido krah që të vijë. Librat e tij i lidh një frymë tërëkohësie e bashkëkohësie, e cila sillet rreth ligjërimit dhe kuptimit të tij, deri te parimet morale që përballen me ekzistencën dhe identitetin: “[…] njerëzit s’shtrojnë pyetje kur s’janë të nxitur prej dhembjes apo prej dashurisë […]” (Vdekja më vjen prej syve të tillë, Vepra XII:33)[1].

            Fuqia e stilit të tij qëndron në kërkimin e pareshtur estetik të vlerave simbolike të shprehjes si dhe në përdorimin e pasurisë së gjuhës shqipe, duke e rifreskuar ligjërimin gjithnjë në gurrën e saj. Falë pasionit të pashuar krijues që ka ushqyer gjithnjë shpirtin dhe mendjen e tij, ai na jep në dorë edhe çelësat e atij ligjërimi, i cili tashmë përbën epokë.“12.4.1966: Kam shumë dëshira. […] Prej të gjitha këtyre dëshirave, njëra më rri më së shumti, ditën dhe natën, në zemër dhe në mendje: është dëshira që të merrem, së pari me studimin e letërsisë shqipe, me kritikën dhe me historinë e saj – të asaj të sotmes dhe të asaj të traditës dhe mandej, edhe me krijimin e letërsisë” (Ditar I).

 Libri i tij i parë Epizode letrare (1967)përmbanshkrime për autorë nga Shqipëria dhe Kosova, me qëllimin « të bashkojë një letërsi të copëzuar ». Ai e zgjeron këtë ide në disa ese, si: Për traditën e kundër tradicionalizmit (1967); Prometeizmi në poezinë shqipe (1968) dhe ndonjë tjetër, të cilat i boton te revista Jeta e Re[2] e më vonë edhe teFjala, Gjurmime albanologjike dheRilindja. Ndërsa në esenë Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve (1972), vërejmë se Europa që ishte aq “larg” Shqipërisë, po europianizonte mendimin shqiptar jashtë kufijve të saj shtetërorë.

Edhe në romanin e parë Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), kemi një ligjërim ekzistencial, të shoqëruar me ankthin metafizik që shkakton pamundësia e të jetuarit nën mbikëqyrje. Tekstet e fillimeve letrare të shumë autorëve shpesh zbulojnë një forcë shkreptimtare, një talent që kapërcen traditën. Një ndër shkrimet kritike franceze e ka quajtur atë « pasqyrë të thyer », nisur nga pamja e fragmentuar e jetës. Kur botoi romanin, ai kishte pas vetes një të kaluar të pasur si krijues i interesuar për kulturën shqipe dhe për letërsinë e saj: Epizode letrare (1967), Dialogëme shkrimtarë (1968), Kritika letrare (1969), Antologjia e lirikës shqipe (1970), Kontinuitete (1972), Asdreni – jeta dhe vepra e tij (1972), Panteoni i rralluar (1973), kështu që me emrin e tij po përvijohej edhe një figurë e re: shkrimtari intelektual.

Qosjai zotëron plotësisht subjektet e librave të vet, cilado qoftë tema, sepse jeton mes kuptimit absolut të krijimtarisë. Të shkruarit për të është një moment i mrekullishëm e i pakthyeshëm, në të cilin shkrihen aftësia shkencore ose përfytyruese me lirinë e fjalës. Kalimi mjeshtëror në fusha të ndryshme të krijimit, ka ndërtuar përditë e më shumë një raport vazhdimësie në ligjërimin e tij, duke mos e humbur asnjëherë vështrimin nga tërësia. Filozofi Vitgenshtajn[3] në një ditar të mbajtur gjatë Luftës së Parë botërore, kur ishte i angazhuar në front, flet ndër të tjera edhe për punën e tij si filozof i përcaktuarpër të pasur një pamje të tërësisë që të mund ta shpinte punën më tej. Kërkimi i vazhdueshëm i lidhjes së pjesëve me të tërën e karakterizon edhe krijimtarinë e Qosjes, në të cilën janë përpunuar koncepte të përparuara për nocionet letërsi shqipe, gjuhë e njësuar, estetikë, kulturë, poetikë, romantizëm, tipologji, stilistikë, roman, personazh, mit, etikë, pushtet, demokraci, identitet, komb, të shoqëruara me vetëdijen e një ideali të fuqishëm intelektual që është një fill organizues sui generis i të gjitha teksteve të tij.

Në krijimtarinë shkencore, fillimisht me esetë dhe pastaj me studimet, ai ka dëshmuar së pari, përvetësim krijues të teorive e metodave kritike dhe së dyti, njohje konkrete të teksteve burimore për të bërë analiza, sinteza dhe krahasime mes autorësh, veprash a periudhash letrare. Kjo punë e thelluar i ka dhuruar atij më pas një konceptim objektiv e të gjithanshëm për të shkruar historinë e letërsisë shqipe, e cila i kapërcen mangësitë e mëparshme dhe kryen funksionin e saj themelor, rindërtimin e një historie letrare, e cila mbështetet në parimet ideoestetike dhe në vlerat stilistike të veprave.

Në krijimtarinë letrare, me romanet, ai përpiqet të zbulojë të vërtetën e unit, duke e transformuar kohën në simbol dhe rrëfimin në një strukturë fragmentare si karakteristika të qenësishme të letërsisë moderne dhe postmoderne. Drama e tij i kundërvihet çdo miti të rremë dhe nxit për një qëndrim qytetar ndaj dukurive shoqërore. Tregimi është satirë dhe alegori e qeverisjes primitive në demokraci.

Në krijimtarinë politologjike e publicistike, e cila trajton probleme të aktualitetit apo edhe historike, ndihet ligjërimi sociopolitik i njërit prej mendimtarëve më të shquar të kohës sonë. Mënyra e parashtrimit të problemit me një strukturë të organizuar, me mendime të thella e të qarta, me një stil të veçantë, të paimitueshëm dhe me përfundime logjike, janë një shkollë përherë e re për gazetarët e të gjitha fushave.

Marrëdhëniet e njeriut me unin e brendshëm e me jetën, si dhe dialogu me botën shqiptare do të mbeten një betejë e përhershme ideore dhe estetike në tekstet e tij, qofshin imagjinare, qofshin ato reale. Por edhe përjetimi i vazhdueshëm i historisë së kombit, i ka përpunuar lidhjet e tij me shkrimin, duke i kthyer ato përfundimisht në stil jete: “Ideja e bashkimit kombëtar është ide që e ka lëvizur historinë shqiptare dhe ne nuk guxojmë ta braktisim për qejf të askujt në këtë botë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë, sepse ky bashkim është në interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar dhe është në interesin e mirëkuptimit të popujve të Ballkanit” (Intelektualët, etika dhe politika, Vepra XXVIII: 499).

Qosja studiues dhe kritik letrar, romancier apo dramaturg dhe Qosja historian apo teoricien i letërsisë, polemist, politolog dhe gazetar i angazhuar për çështjen kombëtare, duhet të vështrohen veç e veç, doemos, se aty veprohet me mekanizma të ndryshëm gjuhësorë e rrëfimtarë, por ata i bashkon një qëllim i vetëm drejt dritës së mendimit. Zotërimi i disa teknikave të shprehjes ka sjellë pastaj në mënyrë intuitive programimin dhe riprogramimin tematik të veprës, duke ia shtuar domethënien dhe duke e pasuruar edhe më tepër strukturën e saj. Për të një tekst nuk është kombinim fjalësh e fjalish, por çështje të vërtetash shkencore ose artistike, të lidhura ngushtë me kulturën, historinë dhe jetën shoqërore.

Nocioni i motivimit gjuhësor dhe estetik luan një rol qendror në ligjërimin e tij. Përveç traditës shqiptare, të formësuar sidomos me veprat e Rilindjes Kombëtare, ai eka gatuar tërëveprën me një brumë intelektual dhe estetik, të ardhur nga brezi i artë i Europës së gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili solli teori të reja në shumë fusha, si: kritikë, teori letërsie, psikanalizë, sociologji, pikturë, skulpturë, kinematografi…

Do të ishte me vend të shtrohej pyetja se cila është vetvetishmëria nistore e krijimtarisë së Qosjes dhe si ka arritur ai që ta zgjerojë e ta begatojë atë, duke ruajtur njëkohësisht një unitet të brendshëm? Përgjigjja nuk është e thjeshtë. Mund të jetë edhe se akti i ligjërimit te ky autor ka shpërthyer si yjësi në krijim. Por, që të zbërthehet ligjërimi i tij, duhet mësuar më parë se çfarë e ka frymëzuar drejt këtij udhëtimi të çuditshëm, në të cilin ndërthuren fati i tij si individ me fatin historik të kombit.

Lidhja e padukshme që thurin subjektet me njëri-tjetrin tregon edhe se vepra dhe jeta e autorit janë të lidhura ngushtë dhe pasqyrojnë të njëjtën kërkesë estetike dhe etike dhe të njëjtën fuqishmëri intelektuale. Megjithatë çështja nuk mbetet thjesht në termat që përdoren. Është me interes të dihet, gjithashtu, se krijimi i këtyre qendrave rrezatuese të ligjërimit, i ka shërbyer autorit edhe për të shkuar drejt së vërtetës. Në veprën e tij ndërshihen tema e subjekte të fushave të ndryshme të letërsisë, kulturës dhe jetës në demokraci si në një rrëfim të pandërprerë. Vepra e Qosjes i nënshtrohet një enigme thuajse të lindur te krijues të rrallë, të cilët kanë gjeninë të ndërtojnë marrëdhënie të thella me shumë objekte meditimi. Një qasje analitike e teksteve me natyra të ndryshme, shpërfaq menjëherë indin e tyre të përbashkët krijues.

Ajo që duket fillimisht si kalim i rastësishëm ligjërimi nga një fushë në tjetrën në veprën e tij, mund të shpjegohet edhe si e paracaktuar nga një thirrje e brendshme për të shprehur në mënyrë sa më të saktë e më të plotë individualitetin e tij. Për këtë cilësi krijuese, të shndërruar tashmë në vlerë ideoestetike, ndonjë studiues nuk ndan të njëjtin mendim.

Ditari [4], e shtyn edhe më tej si kohë ligjërimin e tij, duke realizuar kështu një opus magnum fatlum. Kjo prozë autobiografike, ku përzihen kujtime dhe analiza na njeh me një atmosferë historike, në të cilën autori është dëshmitar, me njerëz dhe ngjarje politike, shoqërore e letrare në Kosovë dhe në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë. Aty shpalosen gjerësisht edhe shqetësimet e tij për identitetin shqiptar, për kulturën dhe shterimin e saj, për cenimet që i bëhen gjuhës shqipe, për gabimet pa fajtorë, për mungesën e frymës demokratike në shoqëri, për harresën ndaj traditës si dhe për konceptet teorike e praktike të krijimtarisë letrare në përgjithësi.

Pavarësisht nga zërat kundër, një fenomen tashmë i njohur në historinë e njerëzimit për figura që janë në pararojë të mendimit, Qosja nuk është ndikuar as nga ndjenja e humbjes dhe as nga ndjenja e mërisë, sepse vepra e tij është një realitet i jetuar me vetëdije e që mbështetet mbi të vërteta të pakundërshtueshme. Jo gjithnjë, do të përgjigjet kori i atyre që e mohojnë. Sigurisht, edhe zotat, sipas mitologjisë greke, zbresin ndonjëherë nga Olimpi në tokë. Edhe ai trazohet nga një realitet i jetuar ndonjëherë me subjektivitet. Dhe si të mos ndodhë, kur duke u përpjekur ta pengojnë, e kanë shpërqendruar e ai është ndier i vetmuar? I vetmuar, por trim, i gatshëm për t’u sakrifikuar duke mbrojtur të vërtetën. Me një kusht: që të ndriçojë!

            Ligjërimi i Qosjes që ndërton botë, i ka dhënë edhe tekstit një natyrë heteroklite me vështrimin jetë/vepër si marrëdhënie mes letërsisë, kulturës dhe historisë.

            Pjesa e parë ndalet në disa momente të rëndësishme të jetës, të cilat hedhin dritë mbi veprën, ajo vjen e shoqëruar me një analizë të përgjithësuar për karakteristikat e ligjërimit si dhe për disa aspekte të krijimtarisë letrare, shkencore dhe politologjike të tij, ndërsa pjesa e dytë është kryesisht një hapësirë me pyetje e përgjigje. Pjesa e dytë, në të cilën është e pranishme fjala e autorit, kryen një funksion të dyfishtë; ajo jo vetëm është një vetëzbulim, por edhe një lloj guri filozofik, qëi jep tonin krejt punimit.

Tematika e pyetjeve mbështetet në simbolikën e numrit dymbëdhjetë, i shfaqur qysh në mitologjinë antike me dymbëdhjetë perënditë greke e pastaj me ato romake, me dymbëdhjetë apostujt e Krishterimit apo me dymbëdhjetë muajt e vitit. Ky numër gjithsesi është zgjedhur edhe për të vendosur një kufi, sepse pyetjet rreth një krijimtarie më shumë se gjysmëshekullore mund të ishin të pafundme. Krejt teksti është një përpjekje për të theksuar disa ide të veprës e disa fakte të jetës, të cilat kanë bashkëvepruar, duke ndikuar në formimin e unit të tij krijues. Kështu ndoshta i jemi afruar sadopak kuptimit të një vepre si dhe zhvillimit intelektual dhe humanist të një personaliteti të madh.

Ky tekst, ushtrim njëherësh shqyrtues dhe zbulues, vjen edhe me risinë për të shtruar ndonjë pyetje e për të formuluar ndonjë ide që zgjon vepra e tij. Për shembull, te cilët mendimtarë është mbështetur Qosja? Si është shfaqur në imagjinatën e tij gjesti i parë krijues? Cilat janë lidhjet e dukshme dhe të padukshme të veprës së tij me idetë e Sami Frashërit e të mendimtarëve europianë? Çfarë e frymëzon dialogun e tij të përhershëm me botën shqiptare? Përse vepra e Naim Frashërit quhet Porosia e madhe në penën e tij? Çfarë të reje ka sjellë vepra e tij në kulturën shqipe? Debati shkencor në këtë hulli mund të vijojë edhe më tej.  

Fryma kritike është një cilësi themeltare, një aksiomë e artit të gjykimit estetik që i ka dhënë jetëgjatësi mendimit të tij e që ka përcaktuar etikën e tij shkencore: “Më së pari kam botuar një punim kritik për letërsinë shqipe. Kulturat e përparuara në Evropë dhe në botë që prej Greqisë antike janë zhvilluar me frymë kritike. Vetëm modeli i kulturës kritike çon përpara”[5].

Stili me fraza të gdhendura dëshmon një prani të fuqishme autoriale në ligjërimin e tij. Prandaj, takimi me veprën e Qosjes është një festë intelektuale. Librat e tij janë libra për pasurimin e mendjes ose si thoshte Gëte, “libra për zgjimin e shpirtrave”.

Ka një moment historik në jetën dhe veprën e tij. Dhe ky është viti 1981, bartës i një vije ndarëse në ligjërim, pas së cilës subjekti bëhet më i dukshëm. Ai përjetoi kohëra ndryshimesh të mëdhapër Kosovën: fillimisht, protestat e rinisë mbi të cilat kaloi pa mëshirë makina e dhunës së përgjakshme të Beogradit, ngushtimin e hapësirave të lirisë së shqiptarëve si dhe trysninë e vazhdueshme të politikës serbo-kosovare, më vonë, edhe luftën në Kosovë me masakra e përndjekje masive si dhe çlirimin e saj. Njëkohësisht ai është dëshmitar i kohërave të trazuara të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, dy bashkësi të tronditura, të cilat ecin mes vështirësive e pengesave historike e psikologjike të një populli të ndarë padrejtësisht nga historia.

            Qosja ka një shquarsi në ligjërim që rrallë vihet re te ndonjë autor tjetër shqiptar. Duke shkruar si në “luftë” ashtu edhe në “paqe”, në një botë shqiptare që ka vuajtur dhe vuan shpesh nga dhuna verbale e nga mediokriteti, ai ka sendërtuar vlerat shekullore të shqiptarizmit që ka përshkuar shekujt dhe ka mbërritur në kohët e reja i plagosur e i copëtuar, por i patjetërsuar. Vepra e tij përbën një etapë të rëndësishme të zhvillimit të identitetit tonë si pjesë e pandarë e identitetit të njerëzimit.

            Çdo qasje studimore për një vepër të madhe është e vështirë, por vështirësia më e madhe qëndron në gjetjen dhe veçimin e faktorit kryesor që e fton lexuesin të hyjë në brendësi të teksteve apo ta ndjekë bisedën si të ishte edhe vetë i pranishëm. Mes kësaj dysie ka qenë e detyrueshme të vendosej edhe një hierarki temash. Nga kjo pikëpamje, çështjet e shtruara, analiza dhe disa përfundime, të bashkuara me përgjigjet e autorit, mbase do të plotësojnë ndonjë zbrazëti në fushën studimore për veprën e tij. Teksti ka synuar edhe që të vëzhgojë nga afër se me çfarë vuajtjesh, mrekullish e brengash është përballur ky studiues dhe historian i letërsisë shqipe, ky shkrimtar, vërejtës i hollë i karaktereve dhe i kohërave, sjellës i postmodernizmit në letrat shqipe,  ky atdhetar i madhërishëm. Të tregohet, më së fundi, si e bën ai të qartë ç’është identiteti kombëtar dhe ai europian, ç’janë gjuha e njësuar shqipe dhe demokracia e vërtetë, duke i zbritur këto koncepte nga qiejt e arsyetimit abstrakt në trojet konkrete të realitetit historik, me një ligjërim të paepurdrejt esencës sonë shpirtërore e morale.

* Shkrimi është pjesë e shkëputur nga libri Rexhep Qosja: Bisedë e pambaruar,  cili u botua më 2018 në Prishtinë (me mangësi). Për t’ia bërë të njohur edhe publikut shqiptar të këndej kufirit, ai u plotësua me të gjithë kapitujt dhe iu paraqit disa Shtëpive Botuese (për këtë përvojë flas disi më gjatë në tekst), të cilat nuk u treguan të gatshme. Doli Agora një shtëpi botuese që drejtohet nga një shkrimtare, Majlinda Rama, që pranoi. Njëkohësisht iu dërgua edhe një letër Ministrisë së Kulturës për financim. Ministria e Kulturës ia transferoi kërkesën Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Agora botoi disa kopje me shpenzimet e veta për panairin e librit 2024, duke pritur financimin që ta botonte me tirazh të mjaftueshëm më 2025. Kështu kaluan vitet 2024, 2025 dhe kjo pjesë e 2026-s me e-maile dhe takime të lodhshme në QKLL, në mënyrë që të paktën të botohej për 90 vjetorin e tij, por asgjë nuk u bë gjermë tani, kur ka ardhur lajmi i hidhur i ndarjes së Rexhep Qosjes nga jeta.  


[1] Shembujt e këtij teksti janë marrë nga QOSJAVepra, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës (2010); në raste të ndryshme do të citohet burimi.

[2] Esetë e fillimit Qosja i botoi në revistën Jeta e Re, organi i parë letrar i Kosovës. Revista u themelua (1949)nga poeti Esad Mekuli, i cili qe edhe kryeredaktor i saj deri në vitin 1972. Në këtë revistë kanë botuar krijimet e para ndër të tjerë edhe Adem Demaçi (Dema), Anton Pashku, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, Azem Shkreli, Nazmi Rrahmani, Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Edi Shukriu, Flora Brovina, Mehmet Kraja e shumë të tjerë. Në vitet ’80 e ’90 ajo doli me pak numra dhe me pak faqe për shkak të vështirësive financiare, por u mbyll për fare në vitin 2006. Jeta e Re u rihap (2010) nga Demë Topalli, me kryeredaktor Agim Apollonin. Sot është kryeredaktor Agron Gashi.

[3] Ludwig WITTGENSTEIN (1889-1951 – Filozof austriak dhe më vonë britanik që ka sjellë ndihmesë vendimtare në logjikë, në teorinë e bazave matematike të mendimit dhe në filozofinë e gjuhës. Sa ishte gjallë, botoi në Londër vetëm një libër: Tractatus logico-philosophicus (Traktat logjiko-filozofik, 1921).

[4]Botimin e librit e ka filluar Shtëpia botuese Toena më 2014 me disa vëllime Dëshmitar në kohë historike, ditar i nisur nga autori qysh në janar të vitit 1966.

[5] Rexhep QOSJA, Bisedë e regjistruar, Prishtinë, 27 qershor 2011.

Exit mobile version