Kreu Letërsi Shënime mbi libra Klara Kodra: Në ditëlindjen e motrës (poezi)

Klara Kodra: Në ditëlindjen e motrës (poezi)

Kur të pashë ty së pari
Kisha në dorë mimoza.
Mimozat ngjanin – me çfarë? –
Ja, me copëza dielli.

Ti ishe mbështjellë

me një batanije? –
jo, më duket
me një copë të vogël qielli.

Vije nga qielli i ëndërrave
Mbi një re të kaltër.
Vije nga qielli i ëndërrave
Tërë dritë e bukuri.

Mamasë i kisha thënë:
“Dua të më sjellësh motër”
Dhuratë më dha një motër.
Ajo motër ishe ti.

Ishe aq e vogël,
Ngjaje me një kukull.
Kisha në shtëpi një kukull
Që ta kalonte ty
Veç në fytyrëzën rozë
Ty të shkëlqenin syçkat.

Ca syçka të errët
ndrinin.
O, ata sy!

Jam tretur në kujtime.
Stilolapsi më ngeci.
S’e mban dot stilolapsi,
as letra,
aq dashuri.

Exit mobile version