Kreu Arte pamore Ferid Hudhri: Fondi shqiptar i autorëve të huaj

Ferid Hudhri: Fondi shqiptar i autorëve të huaj

Pjesa më e madhe e të gjitha krijimeve me temë shqiptare ndodhet jashtë Shqipërisë. Më të mirat prej tyre janë të ekspozuara nëpër muze dhe galeri të njohura të artit botëror. Disa tablo bëjnë pjesë në fondet e posaçme të këtyre institucioneve për ekspozime të përkohshme, ndërsa punime të tjera (që përbëjnë numrin më të madh, kryesisht skica, etyde dhe bocete) ruhen në departamente të veçanta si objekte studimi për historinë e zhvillimit të artit apo historikun e krijimtarisë së autorëve që i kanë realizuar. Edhe nëpër koleksione të ndryshme publike, private apo familjare, kryesisht në ato të pasardhësve të artistëve që kanë udhëtuar për të pikturuar, gjenden gjithashtu krijime po aq të bukura e të çmuara.

Thuajse të gjitha vizatimet, akuarelet apo etydet që piktorët e huaj i realizuan nëpër trojet shqiptare i morën në studiot e tyre, për t’i përpunuar artistikisht dhe për t’i paraqitur më pas në sallonet e artit nëpër Europë. Ajo pjesë e vogël e veprave, që sot përbën fondin shqiptar është krijuar nga disa prej punimeve që u realizuan dhe u ekspozuan në vendin tonë.

Alfredo Biagini, Fragment nga relievet e vitit 1941, Banka e Shqipërisë, Tiranë

Nga 30 prilli i vitit1918, kur në Shkodër u çel e para ekspozitë e autorëve të huaj (prej artistëve austro-hungarezë Horovitz, Pravotinski dhe Beszedes), më pas në Korçë (nga piktorët francezë Jean Bigou më1932 dhe Jaques Bernoles më1936), e deri në dhjetor të vitit 1943, kur në Tiranë u mbyll ekspozita e piktorit italian Umberto Marchetti, para vizitorëve shqiptarë u paraqitën rreth 500 vepra arti. Krahas autorëve të mësipërm, midis viteve1918-1943 nëpër sallonet shqiptare ekspozuan krijimet e tyre edhe artistë të tjerë nga Italia, Gjermania, Polonia, Serbia dhe Bullgaria. Gjithsej u organizuan 13 ekspozita vetjake dhe një kolektive. Përmes veprave të artit shqiptarët panë veten e tyre sipas shëmbëlltyrës së krijuar nga artistë të vendeve të tjera. Por pas mbylljes së ekspozitave edhe veprat e artit u larguan bashkë me autorët. Një pjesë fare e vogël prej atyre pikturave mbeti në Shqipëri, kryesisht nëpër koleksione private, familjare. Një numër i papërfillshëm syresh edhe në institucione publike apo shtetërore. Nga mungesa e galerive apo muzeve të artit në atë kohë kishte më shumë vështirësi për ekspozimin si dhe ruajtjen e veprave të krijuara nga autorët e huaj apo vendas.

Hans Troschel, Portret malësori, litografi, GKA, Tiranë

Artistët që erdhën për të pikturuar pas vitit 1945 u përkisnin vendeve të Bllokut të Lindjes. Zakonisht vinin nga dy, tre apo më shumë piktorë bashkë. Në shtator të vitit 1955, 19 artistë nga Polonia (grupi më i madh i krijuesve të huaj që ka ardhur deri tani në Shqipëri), pasi pikturuan nëpër disa krahina të vendit,paraqitën në Tiranë mbi 100 peizazhe, portrete, tablo, etyde, vizatime me laps dhe tush. Në diskutimin krijues të zhvilluar midis artistëve nga të dyja vendet, skulptori Odhise Paskali shprehu mendimin që “disa prej atyre punimeve të bliheshin nga shteti dhe të vendoseshin në Galerinë e Arteve”1. I njëjti mendim u shpreh edhe për ekspozitat që u hapën më pas. Nga viti 1955 deri më 1965 në Tiranë u organizuan 10 ekspozita me krijime të autorëve nga Polonia, ish-Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, ish-Gjermania Lindore, Kina, Japonia, Belgjika dhe Koreja. Gjatë kësaj periudhe mund të jenë paraqitur mbi 800 vepra nga 50 autorë të ndryshëm. Vetëm piktorët Evgeni Zaicev, Juri Reiner dhe Grigor Khandajan pas 130 punimeve që sollën në ekspozitën e titulluar “Ne e dashuruam Shqipërinë” në Tiranën e vitit 1958, një vit më pas, më 1959, ekspozuan në Moskë 215 peizazhe, portrete, etyde, vizatime dhe tablo nën titullin “Nëpër Shqipëri”. Kjo është ekspozita më e madhe me temë shqiptare që është organizuar deri tani nga autorë të huaj.

Adelmo Manna, Peizazh me dele në Tiranë, 1931, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë

FONDI I GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE

Pjesa më e madhe e atyre pak veprave të artit, të ruajtura nga ekspozitat e mësipërme,në fillim u grumbulluan te sallat e Pinakotekës që u hap në vitin 1952. Më pas u vendosën në Galerinë e Arteve të themeluar më 1954, ndërsa prej vitit 1974,kur u ngrit godina e re më e madhe në qendër të kryeqytetit, me ato vepra u krijua fondi i autorëve të huaj në Galerinë Kombëtare të Arteve. Aty u  grumbulluan po ashtu krijime të tjera artistike që vlerësoheshin si pjesë e trashëgimisë kombëtare. Në atë koleksion të autorëve të huaj bënin pjesë edhe tablo me motive të ndryshme, përveç atyre me temë shqiptare.

Boris Taslitski, Vajzë shqiptare, 1957, GKA, Tiranë

Sipas listës së inventarit të vitit 1996, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhshin 137 vepra të autorëve të huaj, 79 me temë shqiptare dhe 38 me motive të tjera. Ky është i vetmi koleksion shtetëror që kemi deri tani me krijime në pikturë, në grafikë dhe vizatime.

Gjatë studimit në fondin e pa ekspozuar dhe në arkivin e galerisë, bëhet më i qartë klasifikimi i veprave, sipas kohës së realizimit, drejtimit artistik, si dhe mënyrës sesi janë bërë pjesë e trashëgimisë shqiptare. Mund t’i ndajmë në tri grupime kryesore. Në të parin futen krijimet e ruajtura nga ekspozitat e periudhës së mbretërisë dhe viteve të Luftës së Dytë Botërore. Disa prej autorëve më të njohur të kësaj ndarjeje janë Mario Ridola (1890-1972), drejtues i Shkollës së parë të Vizatimit në Tiranën e vitit 1932, Hans Troschel (1899-1979), Georges Popoff (1900-?) dhe Hans Kemmerich. Nga Ghigo Tommasi (1906-1997) ruhen njëmbëdhjetë peizazhe, ndërsa dhjetë tablotë e Giovanni Mancini-t (1902-1984) dëshmojnë historinë e dhembshme të vetë piktorit. Pasi ngriti studion në Durrës, pikturoi nëpër disa zona të vendit dhe hapi ekspozitën në Tiranë, Mancini u dashurua me korçaren Vagjeli Polena, u martuan dhe u bënë me një vajzë. Por pas bombardimeve gjermane në qytetin e Durrësit në tetor të vitit 1943 familja u nda përfundimisht. Shumë vjet më vonë në biografinë e Mancini-t është shkruar se “gjatë kohës që lundronte me anije për të pikturuar e njoftojnë se nga bombardimet gjermane në Durrës rrënohet pallati ku ndodhej apartamenti i tij dhe i vritet gruaja bashkë me vajzën disamuajshe. Sapo afrohet në port, zihet rob nga gjermanët dhe përfundon në kampet naziste. Në qershor të vitit 1945 kthehet në Itali. I demoralizuar nga humbja e vajzës, e gruas dhe e veprave të artit, i dërmuar nga torturat në kampet e përqendrimit, mbyllet për disa vjet në vetvete, në qytetin e tij të lindjes, në Manfredonia. Më pas, gradualisht, rifilloi të pikturojë dhe të ekspozojë”2. Ndërsa e shoqja tregonte se “atë ditë kur Mancini po udhëtonte në det, anija u bombardua nga gjermanët dhe ai u vra. Pas vitit 1945 u kthye në familjen e prindërve në Tiranë. Disa vjet më vonë u martua në Elbasan dhe punoi si arsimtare deri ditën që ndërroi jetë. Sa ishte gjallë Vangjelia nuk e mori vesh se burri i saj jetonte dhe pikturonte në Itali”3. Edhe Mancini, nga ana e tij, nuk mundi ta shohë më gruan që dashuroi në Shqipëri, po ashtu dy “krijesat” më të çmuara të jetës së tij, vajzën që u rrit në mungesë të babait dhe tablotë e shumta që i mbetën në studion e Durrësit. Nga kjo lidhje vazhdon të jetojë vajza e tyre, ndoshta edhe nipër apo mbesa, që ende nuk e dinë lidhjen me piktorin Mancini.

Veprat e grumbulluara midis viteve 1945-1965, që i takojnë grupimit të dytë, janë fare të pakta, në krahasim me pikturat e shumta që u realizuan dhe u ekspozuan gjatë kësaj periudhe. Thuajse të gjitha punimet janë krijuar sipas metodës së realizmit socialist, që mbizotëronte atë kohë në të gjitha vendet e Bllokut të Lindjes. Tablotë që ruhen nga ato vite u takojnë piktorëve György Kohán (1910-1966), Yuri Podliaskij (1923-1987), Willi Neubert (1920-2011), Stojan Anastasov, Viktori Puzanova (1893-1967), Cen Shu Lian, Liu Hien Suk dhe Maj Vaj Hion.

Brenda këtij grupimi futen edhe krijimet e realizuara nga piktori belg Léo van Droogenbroeck (1905-1995),piktori japonez Inosuke Hazama (1895-1977) si dhe piktori francez Boris Taslitzky (1911-2005),të cilat paraqesin interes të veçantë për historinë e zhvillimeve artistike në vendin tonë. Ardhja e këtyre artistëve pikërisht në vitin 1965, tre vjet pasi u mbyllën përfundimisht ekspozitat nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të Lindjes,midis piktorëve shqiptarë krijoi idenë se po çelej një hapësirë e re me artin perëndimor. Po atë vit në Klubin e Shkrimtarëve dhe të Artistëve në Tiranë ishte hapur edhe një ekspozitë me riprodhime nga Picasso, Van Gogh dhe artistë të tjerë perëndimorë. Por veprimtari të tilla nuk u përsëritën më. Deri  nga fundi viteve`80 në Shqipëri nuk u hap asnjë ekspozitë prej autorëve të huaj.

Giovanni Mancini, Peizazh nga Tirana, 1943, GKA, Tiranë

Grupimi i tretë përbëhet nga veprat e mbledhura prej koleksioneve private gjatë dy periudhave. Pjesa më e madhe prej tyre janë trashëgimi nga familje të pasura, piktura të blera nëpër ekspozita apo koleksione të ndryshme nëpër Europë. Tri prej këtyre tablove, dy peizazhe dhe një portret, i takojnë piktorit të shquar rumun Nicolae Grigorescu (1838-1907). Në këtë grupim bën pjesë edhe portreti i një plaku, që vlerësohet si piktura më e çmuar nga i gjithë fondi shqiptar i autorëve të huaj. Deri në vitin 1982 kartela e regjistrimit në galeri ishte me etiketën “Nga shkolla e Rembrandt-it”. Në nëntor të po atij viti u botua një artikull i gjatë nga A. Kondo ku përshkruhet historiku i ardhjes së kësaj vepre në Shqipëri4. U paraqitën të dhëna të plota dhe argumente serioze se tabloja është pikturuar nga vetë mjeshtri i shquar Rembrandt van Rijn (1606-1669). Pas këtij artikulli u bënë kërkime e studime të posaçme, u krye restaurimi i plotë nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës,u bënë analiza dhe ekspertiza të ndryshme për të vërtetuar autorësinë. Më 7 shkurt të vitit 1983, me pjesëmarrjen e restauratorëve dhe specialistëve të tjerë, në prani të artistëve dhe të ftuarve të ndryshëm, u paraqitën relacione me shkrim, skica, diapozitiva, krahasime mineralogjike me vepra të tjera të Rembrandt-it dhe u arrit në përfundimin se piktura është origjinale dhe i takon mjeshtrit të madh. Por as në Shqipërinë e izoluar të asaj kohe,as tani në vitet e tranzicionit ende nuk është bërë verifikimi i plotë nga specialistë të huaj, njohës të veprave origjinale. 

STATUJA, MOZAIKË DHE RELIEVE

Veprat në skulpturë, në mozaik dhe në reliev, të vendosura në disa prej godinave që u ngritën gjatë viteve `30-`40 të shekullit të kaluar, përbëjnë një koleksion tjetër të rëndësishëm. Janë realizuar nga autorë të njohur italianë. Midis krijimeve më të bukura janë veprat e skulptorit Alfredo Biagini (1886-1952) që erdhi në Shqipëri pikërisht në kohën kur vlerësohej midis artistëve më të njohur në Itali. Në vitin 1936 arkitekti i njohur Vittorio Ballio Morpurgo (1890-1966) po ndërtonte selinë e Bankës Qendrore të Tiranës dhe në pjesën e brendshme të fasadës kryesore kishte menduar të vendoste disa relieve në skulpturë. Figurat që gdhendi skulptori Biagini, të grupuara sipas motiveve të ndryshme, të vendosura në harmoni me tullat dekorative që krijojnë lidhjet midis relieveve, duken si të jenë skalitur direkt në sipërfaqen e fasadës. I vlerësuar edhe më parë për ndjeshmëri në krijimin e frakturave plastike, si dhe për kalimet e buta të formave të lakuara, Biagini ka rilevuar figura të bukura dhe elegante, ku ndihet po aq një ritëm i brendshëm e natyral midis trupave të zhveshur dhe drapërive të fustaneve të gjata e veshjeve të tjera femërore. Kur përballesh me ato relieve, ndihet atmosfera mikpritëse, dëshira për të hyrë në mjediset e brendshme të bankës dhe për t’i kundruar ato me qetësi.

Giuseppe Gronchi, fragment nga relievi i vitit 1940, Shtëpia e Lindjes “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë

Sapo futesh në ambientet e brendshme ndeshesh me një mjedis tjetër akoma më të bukur. E gjithë sipërfaqja ballore e hollit kryesor është e mbushur me mozaikë shumëngjyrësh. Pas përvojës disavjeçare në vendin e tij, piktori Giulio Rosso nëpërmjet pllakëzave të vogla me ngjyra të larmishme ka realizuar imazhe të ndryshme me subjekte nga bujqësia, nga ndërtimi e aspekte të tjera të jetës, të cilat ndërthuren me njëra-tjetrën dhe japin së bashku, si tërësi kompozicionale, përfytyrimin e një afresku të madh dekorativ, ku simbolika dhe pamjet natyrale krijojnë harmoni të plotë. Kështu, në vitin 1932 kryeqyteti shqiptar u bë me një nga ndërtesat më të bukura, e projektuar dhe dekoruar me relieve dhe mozaikë prej artistëve të njohur të Italisë fqinje, me traditat e saj të pasura në artet vizuale.

Në koleksionin e veprave monumentale në Shqipëri bëjnë pjesë edhe krijimet e dy artistëve të njohur të fillim shekullit XX në Itali. Skulptori Giuseppe Gronchi (1882-1944) me titullin “Akademik Nderi”, pasi punoi për dekorimin e Bibliotekës Kombëtare të Firences dhe në godina të tjera publike, krijoi një vepër të re në Tiranë. Gjatë viteve 1939-1940, Gronchi realizoi relievin në përmasa të mëdha për një nga godinat e sapondërtuara të asaj kohe, sot Shtëpia e Lindjes “Mbretëresha Geraldinë”. Ndërsa skulptori Gianni Remuzzi (1894-1951), i vlerësuar në Itali për statujën nudo të një gruaje,të ekspozuar në Bienalen XXII të Venecias, krijoi një skulpturë tjetër nudo për ta vendosur në Shqipëri. Në vitin 1927, kur përfundoi ndërtimi i bankës në Durrës sipas projektit të arkitektit Vittorio Ballio Morpurgo, Gianni Remuzzi solli krijimin e tij nga Italia. Skulptura u vendos mbi çatinë e faqes ballore të ndërtesës. Prej atij viti kjo vepër e gdhendur në mermer vazhdon të qëndrojë mbi godinën e Bankës Kombëtare Tregtare në Durrës, si e para dhe vetmja vepër e atij lloji që është vendosur deri tani në qytete shqiptare.

Liu Hien Suk, Peizazh nga Himara, 1965, akuarel, GKA, Tiranë

KOLEKSIONI PËR VILËN MBRETËRORE

Koleksioni i tretë i fondit shqiptar përbëhet nga mbi 20 tablo në ngjyra vaji dhe në tempera, që u sollën në vitin 1940 nga koleksione të ndryshme italiane për mjediset e vilës mbretërore në Tiranë. Në këtë grupim bëjnë pjesë vepra nga autorë të shquar të artit botëror. Kur u vendosën për herë të parë në muret e asaj godine, krijuan pamjen e galerisë së artit, që ende nuk ishte ngritur në Shqipëri. Por pas vitit 1945 ato u hoqën nga muret e vilës, sepse tematika e tyre nuk përshtatej me “frymën e re revolucionare” që filloi të bëhej pjesë e situatës social-politike të vendit. Nga ajo kohë edhe godina u quajt Pallati i Brigadave, emër që përdoret edhe sot krahas emërtimit të ri Pallati Presidencial. Gjithsesi, për vlerat e dukshme piktorike si dhe për emrat e mirënjohur të autorëve, tablotë e këtij koleksioni fatmirësisht u ruajtën të paprekura. Në vitin 1967, një komision i përbërë nga artistët e njohur Odhise Paskali, Foto Stamo dhe Vilson Kilica, u ngarkua për studimin dhe përcaktimin e autorëve të veprave të artit të atij koleksioni. Sipas një relacioni që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, komisioni konstatoi se “19 prej atyre tablove konsiderohen vepra të rëndësishme arti”. Sipas gjykimit të artistëve, gjashtë tablotë e para, të punuara me tempera, janë realizuar nga piktori i njohur Pietro da Cortona (1596-1669). Të gjashta janë me motive mitologjike, me titujt Zeusi, Diana, Apolli, Mërkuri, Marsi dhe Venusi. Veprat e tjera, sipas nënshkrimit të anëtarëve të komisionit, u takojnë autorëve të rëndësishëm të artit botëror. Tabloja Adami dhe Eva, siç është shkruar në anën e pasme të telajos, është e mjeshtrit të shquar Tiziano Vecelli (1487-1576). Edhe për pikturën Krishti në torturë ata kanë firmosur se i takon po këtij autori. Shën Mëria dhe Krishti gjykohet si vepër nga Antonio da Correggio (1489-1534), ndërsa për tablonë Çlirimi i një shenjtori mendojnë se është e mjeshtrit Peter Paul Rubens (1577-1640). Veprat e tjera janë peizazhe dhe natyra të qeta. Pjesë e këtij koleksioni janë edhe krijimet e skulptorit Antonio Maraini (1886-1963) që u realizuan posaçërisht për ish-Vilën Mbretërore. Gjatë vitit 1940, në bashkëpunim me arkitektin Gheraldo Bosio (1903-1941), Maraini projektoi dhe realizoi dy statuja në mermer dhe një reliev në përmasa të mëdha për mjediset e brendshme, si dhe katër statuja në mermer dhe një në bronz për kopshtin rreth vilës.

Stojan Anastasov, Himara e vjetër, karbon, 1958, GKA, Tiranë

Pas vitit 1990 pikturat që u hoqën më 1945 u vendosën përsëri në mjediset e Pallatit Presidencial. Bashkë me skulpturat, relievet, mozaikët dhe veprat e tjera nëpër godinat që përmendëm më sipër, si dhe tablotë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, sot ato çmohen si pjesë e trashëgimisë  kombëtare.

Willi Neubert, Peizazh nga Tirana, 1958, GKA, Tiranë

Kohët e fundit, duke filluar nga vitet`90 të shekullit të kaluar janë krijuar disa koleksionistë të rëndësishëm shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Përmes tyre po pasurohet më shumë fondi shqiptar i autorëve të huaj.

Nisur edhe nga numri i madh i veprave që ekzistojnë, do të dëshironim të kishim më shumë nga pikturat me temë shqiptare për muzetë dhe galeritë tona të arteve, por edhe atje ku janë, të ekspozuara nëpër galeri dhe muze të njohur të artit, si dhe në koleksione publike apo familjare nëpër botë, ato flasin gjithnjë për Shqipërinë, zgjojnë biseda për natyrën, për njerëzit, zakonet,veshjet apo traditat e shqiptarëve.

_______________

1. Kuqali, A.: Ekskursioni i grupit t’artistëve polakë në vendin tonë, revista “Nëntori”, nr. 11, Tiranë, 1955,f. 172.

2.Il Calendario 2009, dedicato al pittore Giovani Mancini, Citta di Manfredonia, 2008.

3.Shënime nga bashkëbisedimi me Sofika Stari (koleksioniste dhe e afërt e Vangjeli Borovës, gruas shqiptare të piktorit G. Mancini), Tiranë 2008, dorëshkrim, arkivi personal F. H.

4. Kondo, A.: Një portret i Rembrandit në Shqipëri, gazeta “Drita”, Tiranë, 14 nëntor 1982; Sopi, E., Thaçi, F.: Mbi një pikturë të panjohur të Rembrandit, revista “Monumentet”, nr. 2, Tiranë, 1985,f. 43-44.

Exit mobile version