Kreu Letërsi Bibliotekë Fatbardh Amursi (Rustemi): Duke hetuar lëvizjet e shpirtit —

Fatbardh Amursi (Rustemi): Duke hetuar lëvizjet e shpirtit —

Për vëllimin poetik “Shkreptimë e tjetër moti” të Demir Gjergjit

Me poetin Demir Gjergji rastësisht u takuam në shtëpinë botuese “Onufri”. Në duar mbante librin e sapodalë nga shtypi: “Shkreptimë e tjetër moti”, një botim luksoz, të cilin ma dhuroi me autograf. U ndjeva “mik i librit”, sikurse stimuloheshim dikur në shkollë. Me asgjë tjetër, nuk mund të ndërtohen raporte miqësie, se sa me librin. “Leximi e rrit shpirtin”,-thotë një nga personazhet e Volterit. Do të stonosh, nëse ti thua: mik i veturës, apo i modës, pale i një pushtetari, që s`ia kam uruar kurrë vetes. Mund të mos jesh as mik e as shok me autorin, por ndjehesh i tillë me krijimtarinë e tij, gjë që na ndodh, sikurse dhe e anasjellta. Prej asaj dite jam në shoqërinë e librit të Demir Gjergjit, me të cilin jap e marrë, duke qenë kështu biseda me e gjatë, që mund të kem bërë ndonjëherë me poetin, i cili e ka nisur rrugëtimin poetik, qysh prej vitit 1970, si koha më e keqe për të bërë art. Fëshfërima e fletëve të librit më hedhin në motin e shkuar, njohur si koha e realizmit socialist. Prej andej ka rrjedhur një gjysmë shekulli krijimtari. Një investim shpirtëror mbresëlënëse, jo vetëm i tij.

Poetët me të kaluar socialiste, flas për të talentuarit, i ndjek me pa të drejtë një paragjykim, ku fajet e kohës ia hedhin njëri-tjetrit si mëkat, sikur të mos mjaftonin njollosjet e recensentëve, redaktorëve, aparatçikëve apo e ekspertëve të akt-akuzave. Balta, që Dritëroi, solli në Lidhjen e Shkrimtarëve në një “trastë leshi ndën gunë”, s`paska të shterur. Në historinë e artit shqiptar, nuk është sakrifikuar aq shumë nga vetja, se sa poetët dhe artistët e realizmit socialistë, ku patosi përngjante më vullkanin, ndërsa fatet njerëzore me hirin e tij. “Kam kërkuar portë të madhe për të hyrë tek kjo botë.”-shkruan poeti, duke na sjell në mend harkun e triumfit, që për poetët e asaj kohë kishte imazhin e kularit. Kupola e qiellit, e kishës apo e xhamisë, e bunkerit, helmetës së udhëtarit dhe në fund: borsalino e udhëheqësve. Mjafton “letërsia e burgut”, (poezia ishte shkaku i burgosjes së Visar Zhitit), si dëshmi e martirizimit të atij brezi, i cili për të mbajtur gjallë “shpirtin poetik”, në një regjim që ta merrte atë, falë muzës: fryma poetike shtegtoi tek lexuesi, si një energji e brendshme në një shoqëri me të drejta shterpe. Këtu duhet kërkuar arsyeja, që në kohë prangash, nuk u ndjemë të burgosur. (“E shenjta frymë mëkatet ndez,/Parajsën zbraz e ferrin mbush,/Dhe bëhen bashkë virtyt e ves,/Të ngrihen flakë, të prehen prush.”) Gjithkush kishte telashet e veta, përjashto të preferuarit e autoriteteve, që ia hapnin rrugën vetes duke ia mbyllur të tjerëve. Zor se përsëritet ajo kohë, kur ndaj çdo botimi apo ekspozimi, duke mos përjashtuar as dorëshkrimet, të projektohej një vëmendje mbikëqyrëse me frikën se mos po bëhej gabimi, ku pritshmëritë e lexuesit për “një gjë ndryshe” përmbusheshin veçse midis rreshtave. E pathëna, ishte si një komunikim me orakujt. Hermetizmi i dënueshëm si herezi, tani është kthyer në mani fshehjesh pa të fshehtë, përngjashëm me atë që fsheh diçka dhe ngaqë s`i kujtohet ku e ka lënë e humbet përgjithnjë. Tek e sotmja ndodh rëndom që, botimin e librit të mos e vërë re askush. Dikur të merrte më qafë censura, ndërsa tani të skualifikon “komploti i heshtjes”. Nëse në grepin e censurës binin “peshqit e mëdhenj”, në rrjetën e medies së lirë, paketohen sardelet. “Hyr në moshën time, shko në kohën tjetër,/Fillo të më rrëfesh për lotin dhe për ndjenjën.”-i drejtohet poeti, në mbyllje të librit, një vogëlushi, që të bëhet pelegrin i shpirtit poetik, ofruar për së shumti, si një tempull pa klerikë e ciceronë. “Nëse s`ke dritë për t`u zgjuar,/Në s`gjen udhë për t`u nisur,/Merre fatin tim ndër duar!/Mbroje si fëmijë të mitur.”-shkruan autori në poezinë “Pasjetë”, duke besuar se ai do t`i duhet dikujt, që i lind nevoja për udhërrëfimin e autorit. Duke u zgjatur rruga e njeriut për tek miti, bashkudhëtari i poetit duhet të ketë këllqe që ta ndjekë, pasi shumica e rrugës kalon nga qielli dhe në territore, ku shtigjet janë të zëna. “Mirënjohje, zonjëz e hijshme,/Që hodhe parfume enigme…/Si ajër më shkove kaq pranë!” Shko e kape gërshetëzën e gjolit!

Nëse moti i shkuar ishte i mbushur me gjëmime e alarme dhe delli poetik reagonte me patos, tek ky i sotmi kemi shkreptima, që shëmbëllejnë me shkrepjen e blicit. Janë qetësuar stuhitë dhe dallgët janë fashitur, por inatet vlojnë. Dikur kërkohej nerv, ritëm, angazhim, duke u shqetësuar për paqen në botë, tani mjafton të sigurosh paqe brenda vetes, duke hetuar lëvizjet e shpirtit dhe kazerma u kthye në manastir. Përkundrejt të tjerëve, poetët e ardhur nga socializmi, mes rrëmujës e rrëmetit, u shijon qetësia, jo si vegjetues, por të përfshirë në një Lëvizje Broviane, ku s`rreshtin kërkimet për art. Duke rrezikuar për lirinë, se kush në të vetën, poetët e së shkuarës ndjehen në një mbretëri, ku s`janë thjesht përftues, por dhe kontributorë tek e sotmja. Gjysmë shekulli i lënë pas të duket, sikur e jeton në një ditë të vetme. Volter: “Unë them se kombet…janë marrë gjatë shekujve vetëm me çastin e tanishëm që rrjedh.”, ku e tashmja e momentit reflekton të shkuarën, jo si fosile, por si shprehje e identitetit. Një histori e zhveshur nga çastet e mëdha nuk ia vlen të jetohet. “Asnjë sekondë s`u ngushtua nata,/Asnjë minutë s`u zgjerua dita./Ndonëse të tjera përmasa,/Kërkoje nga çastet e mija.”-shkruan poeti Gjergji në poezinë “Koha”, nën presionin e dilemës, me naze kundërshtie: “Retë shthuren shi,/Zjarret dergjen hi”. Tjetërsimi na shpërblen me larmi. “Fundi i Fundit, Fundit Fundin prej fundit e ndau më dysh… Fillimi i Fillimit, Fillimit fillimin prej Fillimit ia nis.” Zebra bardhezi nuk ka varfëri ngjyrash, edhe nëse krahasohet me mozaikun plotë ngjyra të palloit .

Nëse do kërkoja një të veçantë të “unit poetik”, do e shihja atë në shfaqjen e njëjësit në shumës, ku pavetori, mund të marrë dhe emrin tënd në kërkim të shpirtit binjak. Unë+ti=dy male, dy ishuj, dy limane, dy brigje, dy gjendje, dy pamje, dy breza, dy të dashuruar, dy epoka, shtoji dhe dyzimin e vetes nga monizmi në pluralizëm. “Kur ndjehem keq/Dhe vetes këmbëzën jam gati t`ia heq,/Demir Gjergji më gjen, tek vjen prej mëkatit/I lodhur nga bëmat e natës së shtratit./ (Demiri, që veç për dashurinë tradhtoi/ Dhe spiun i regjur i vetvetes qëlloi.) …Kështu,/sa herë ndjehem keq,/Gishtin nga këmbëza Demiri ma heq.” Nuk është e lehtë të përballesh me veten, pasi ke vetëm dy alternativa: o të dalësh nga vetja, o të ngrihesh mbi veten, të cilat përkojnë me pragmatizmin dhe idealizmin. Shpirtërorët preferojnë qiellin, për të përgatitur veten dhe ata që u shkojnë pas, për në gjyqin e fundit. “Duhet tjetërkush të bëhesh,/Për të njohur të vërtetën tënde.”, shkruan poeti duke hetuar shtegtimin e shqisave, përngjashëm me antenat, që ia përcjellin sinjalin njëra pas tjetrës. “Në betejë me të keqen,/Panë, ç`panë i hodhën armët,/Nisën me mundim tërheqjen,/Trup e frymë përmbys nga flakët./Ballëpërballë s`i mposhtëm dot,/Kurthe, prita, dinakëri,/Ndeshja ishte krejt e kot, Me këtë fuqi-lubi” Mundja e së keqes, ku protagonist janë Eva dhe Adami, ku “oqeani është i klonuar me qiell”, ti si lexues endesh në realitete, që kanë për udhërrëfyes poetin. Në këtë dyluftim të dashuruarish, më i sinqertë po duket Don Kishoti në vajtimin e Dylqinjës: “Hyj e dal në jetë,/Nuk ta gjej dot vendin./Marr me not një det,/Që nuk ia di emrin./Futem nëpër gjumë,/Përplasem me zgjimin,/Kapërcej një lumë,/Që s`ia di burimin.” Oqeani i qetë, nuk ka ndonjë dallim nga Atlantiku, po aq madhështor dhe i frikshëm, në mos në brigjet e oqeanit Paqësor zjarri i luftërave nuk rresht, por, në udhëtimin e Magelanit, qëlloi të ishte i qetë dhe eksploratori e pagëzoi, si sinonim të qetësisë olimpike. Subjektivizmi i tij, buron nga një e vërtetë e rastësishme, edhe pse nuk i përgjigjet së vërtetës, oqeani nuk është i qetë, as paqësor, por, përjetimi i Magelanit u kthye në perceptim. Për ta ilustruar mendimi po i referohem poezisë “Natyrë e qetë”: “Deti dremiste!/Kaikja në breg,/Nuk mundej të tundej,/Ta vinte në gjumë ëndrrën e vet!” Jam duke thënë se kush eksploron botën, qoftë kjo dhe poetike, duke përfshirë dhe mbretërinë e Platonit, zbuluesi ka privilegjin e emërtimit, kështu që çdo kontestim i mundshëm, duhet të respektojë sinjalistikën e poetit. “Asgjë, ngado që ta kthesh kokën,/Asgjë nga lart, asgjë nga poshtë!/Të duket se je ti për botën,/E vetmja pikë, i vetmi bosht!/E marr me mend se kjo më ndodh:/Sepse dhe ti, atje ku je,/Kthen kokën anash, lart e poshtë,/Dhe s`ndjen asgjë që nuk më sheh!” Një dashuri e humbur ka këtë epilog: “Mbyllma shpirtin brenda psherëtimës.”

Ndoshta po lë shkas që, dikush t`më thotë: të paska mbetur zbukurimi i realiteti qysh nga koha e realizmit socialist, ndaj i bën dredha qëndrimit realist, i cili dikur ndëshkohej për “nxirje të realitetit”, kur sot sharja është kthyer në hobi. (“Plasi bombën”-thuhet rëndom për analistë dhe politikanë, ku “retë me pantallona” i shesin për “mbushje atomike”. S`ka më bukur, se sa gëzimin e tjetrit ta shoqërosh me shpërthimin e një shampanje. Nuk jam duke bërë reklamë për pijet me gaz.) Kam alergji për aksh persona, që dikur merreshin me “kufizimet ideore”, duke më përngjarë me “sendet e gjetura”, që dikur policia i ekspozonte në qytet, duke fshehur të arrestuarit. Nuk është njësoj si të hedhësh dorashkën e bejlegut dhe të tundësh shaminë e përshëndetjes. Nëse e besojmë Floberin çka ai predikon në romanin “Edukim i ndjenjave”, kam bindjen se nuk mund të pretendohet “përsosja morale” e një shoqërie, nëse ti vetë nuk kultivohesh. “Rasti për t`i bërë keq tjetrit gjendet njëqind herë në ditë dhe për t`i bërë mirë një herë në vit.”-do e citoja për të tretën herë Volterin, i cili e shkoi jetën në arrati, ngaqë shigjetat e satirës godisnin mbretër dhe perandor. Nëse më ka mbetur një ndjenjë respekti për Marksin, kujtoj sjelljen e tij ndaj Hajnes, që kur ishte i revoltuar linte të shoqen, ta priste. “Në zemrën që digjet, nuk hyhet me çizme, por me ledhatime.”-këshillon Majakovski, edhe pse vargun e quante “bombë e flamur”. Të hetosh lëvizjet e shpirtit, nuk është njësoj, si të ndjekësh gjurmët e krimit.

Exit mobile version