Kreu Letërsi Shënime mbi libra Desara Tollumi: A është fajtore Zonja Bovari?

Desara Tollumi: A është fajtore Zonja Bovari?

Ajo nuk është Zonja Bovari, përkundrazi ajo është veçse Ema, e thjeshta, e brishta dhe ëndërrimtarja e manastirit, që u rrit midis faqeve te librave sentimenalë e romantikë, ëndërrimet e së cilës më vonë do ta torturonin shpirtin e saj,duke e kthyer kështu në femrën më të GJYKUAR të shoqërisë.

Ndryshe nga Floberi që i dha jetë, unë s’do ta cilësoj Emën në esenë time “persekutuese” me titullin “Zonja Bovari”, përkundrazi do ta quaj thjesht EMA, sepse që ta quaj atë “ZONJA BOVARI”, atëherë më duhet të tregoj prova që ajo i përkiste me të vërtet Sharli Bovarisë (doktorit aspak ambicioz të një fshati të përhumbur francez, monotonia e të cilit e kishte mbytur). Mirëpo Ema përveçse me unazë dhe letra bashkëshortore, me asnjë fijëz më shumë prove nuk i përkiste Zotit Bovari.

Ndonëse ata ishin të martuar Ema nuk ndjehej e lirë ta dashuronte, t’i përkëdhelte shpirtin, ta ngrohte me ndjenjat e saj të fuqishme emocionale, sepse nuk ishte epiqendra zotëruese apo sunduesi i zemrës së saj, përkundrazi ai ishte “gabimi” i ëndërrimeve të Emës, që e hodhën atë në krahët e monotonisë së përjetshme .

Ajo është një fllad i lëkundshëm, që nuk mund të zgjedh dot se në cilën stinë preferon të fryjë e të trazojë natyrën me ashpërsinë aventuriere që e karakterizon; thellë thellë ajo nuk është asgjë që mendon se është.

Ema është një e panjohur e vetes së saj!

“Dantella të lehta si dëbora, copëza të punuara me argjend e të kombinuara me perla të vogla nga detet e pasura të Bregut të Fildishtë, këpucë të larta rozë mbretërore, varëse të rënda në peshë,por elegante në pamje, të varura në gjysmë gjoksin e zbuluar të atyre zonjave aristokrate, që dalin nga dyert e arta të aristokracisë”. Atëhërë kur ora troket 3 pas mesnate, kur akrepi shënon 9 në mëngjes, minutat plotësojnë 60 sekondëshin e plotë mbi orën 19, ëndërrimet e Emës çlirohen nga portat e fuqishme të mendjes së saj iluzioniste dhe i shkatërrojnë realitetin që ajo s’mundet të marrë guximin ta shohë në sy, thua sikur ai të jetë aq verbues sa dielli. Ëndërrimet e shfrenuara romantike të vogëlushes së manastirit të dikurshëm, gjetën forcën të përparonin e ta kthenin atë në gruan më të zhgënjyer, në iluzionisten tekanjoze, të përhumburën në valën e dashurisë që kurrë s’ia mësoi trajtën në kohën e duhur.

Ema për mua është një nga ato femra që nuk e dinë asnjëherë se kur është koha e duhur për të vepruar, por gjithmonë gabojnë në vështrimin e orës.

Fakti që ajo e ngatërroi emocionin më dashurinë, vjen si rezultat i mos provimit të asaj ndjenje më parë si dhe shkak i atyre ëndërrimeve të gënjeshtërta, të cilat kërcenin nga faqet e librave dhe pushtonin ajrin e Emës, atë ajër që më vonë i mori frymën. Fajtore apo jo, mbetet njeri e si një njeri, ajo kërkonte emocionin, mirëkuptimin, dashurinë, përkëdheljen, elegancën dhe të mahnitshmen, por e dashur Ema, a e pyete ti zemrën nëse ishte Sharli melodia që i bënte zilkat e zemrës tënde të kumbonin?

Aspak, sytë e tu u veshën nga pallatet e larta se mendoje që do të gjeje, mendja jote kaloi në dimensionin e ëndërrimeve, trupi yt iu dha me shpirt arratisjes, ndërkohë zemra jote ishte një e paftuar në këtë diskutim.

Vuaje zgjedhjen tënde!

Ndonëse Floberi nuk të bëri kurrë fajtore, ai thjesht të veshi ty justifikimet e atyre gjërave e ndjesive që bashkëshorti yt s’mund të t’i plotësonte, në sytë e mi nuk je aspak e pafajshme,as e gjykuar, por veçse e zbardhur nga hynorja dhe e moralshmja, pasi ti nuk mund të kërkosh të plotësosh vetëm veten tënde, duke mos menduar për hapësirën bosh që do të lësh në zemrën e dikujt.

Do të ishte më e ndershme mos e kishe zgjedhur kurrë Sharlin, mjeranin trashaluq, paratë e të cilit i gropose mbas dashnorëve të tu.

Më shumë se për tradhëtinë do të të gjykoja për mosinteresimin tënd si nënë ndaj vogëlushes tënde, ndaj asaj krijese të pafajshme pjellë e emocionit të natës së parë të martesës, jo si një pjesëz e shkëputur prej dashurisë së mirëfilltë. Ti je fajtore e dashur, por tradhtia jote s’është aspak fajtore, për aq kohë sa justifikohet nga Floberi, por jo nga unë.

 Ah, para se ta mbyll këtë ese, Rodolfi është një frikacak i vërtet, sepse ai të bëri ta dashurosh pa qenë vetë gati për të të dashuruar; Leoni ishte një djalosh që e emocionove ashtu sikurse Sharli të emocionoi ty; Sharli ishte një i ve i përjetshëm, ndërsa ti, epo ti ishe Flladi që fryeje nga të të çonte moti i stinës së shpirtit tënd.

Autorja është maturante në gjimnazin “Dh. Todri”, Elbasan

Exit mobile version