Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2022
Studiuesi Arian Leka përmbylli para dy vitesh një libër të plotë studimor e që paraqitet para nesh në një dimension kompleks, nëse kemi parasysh qasjet e karakterit diakronik, të diktuar nga punimet më të fundit të tij, ashtu dhe nga vetë projekti i tij për të bërë bashkë një sërë reflektimesh të iniciuara në periudha të caktuara të kërkimeve të tij në fushë të studimeve letrare. I prirur të ruajë një ekuilibër mes vështrimeve diakronike në çështje të interesave të tij studimore, por dhe me kujdesin që po në pikëpamje të një rendi të arsyetuar të reflektohen dhe kontributet më të fundit të tij në lidhje me autorë të bashkëkohësisë sonë, autori ka gjetur një medium për të përkthyer në krerë e kapituj të mëdhenj qasjet më të rëndësishme në kërkimet e tij të dekadave të fundit. Do pasqyrohet një gjë e tillë në një ndarje të shënuar me emërtime kyçe që orienton më së pari në leximin e pjesëve që e ndërtojnë veprën (mitologji; klasikë; realizëm socialist; bashkëkohësi), por dhe që fakton prerje të dallueshme në vështrimin e sociologut të letërsisë, historianit të letërsisë, analistit të fakteve që kanë të bëjnë me rryma e dukuri letrare në areale të tjera që kanë qenë vatër e lindjes dhe e konsolidimit të disa prej tyre. Një domethënie të mirëfilltë i jep inicimit të kësaj pune vërtet të bukur, por dhe komplekse vetë parathënia e thukët nga autori, i cili shpjegon dhe orienton në të njëjtën kohë mbi përzgjedhjet e mundshme të lexuesit, i cili falë kësaj strukture të arsyetuar mund të orientohet ndaj krerëve që ofrohen për lexim e reflektim.
Në një vështrim të përgjithshëm do të cekim disa nga qasjet autoriale që gjinden të reflektuara bindshëm në vëllimin me titull “Konsensus e polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare”, duke vënë theksin dhe në portretizimin e personaliteteve të letrave shqipe që kanë qenë reflektues prirjesh të veçanta të shpjegueshme me formimin e marrë në kontekste tipike të kulturës evropiane (rasti i E.Haxhiademit), por dhe me bindjet për ndikimin e frymës filozofike në krijimtari (rasti i H.Gjylbegajt).
Mitologjia dhe mitet ndërkohë rivijnë në një sprovë hyrëse që bën të mundur të rikalojmë në kujtesë dhe reflektime një sërë autorësh që zbërthyen elemente të rrëfenjave më në zë të një tërësie konceptesh me të cilat mund të rindërtohet sot e kësaj dite një filozofi e botës mitologjike, e konkretizuar në trashëgiminë e çmuar të botës antike greke.[1]
Duke dashur të kontekstualizojë vështrimet mbi mitin, mitet dhe toposet në tradita letrare studimore (është fjala për “Figura të mitologjisë në epikën shqiptare-propozim për një rrugë alternative të mbërritjes së tyre në Epos”), autori ka vënë në fokus si sprovat e natyrës teorike që i kanë shërbyer për t’u introduktuar në të tjera punime tematike me shtysë dhe nga antikiteti grek, ashtu dhe qukrrime konkrete në gjurmime të fushës së antropologjisë kulturore (Çabej, Gurashi, Palaj, Ashta) e të vetë qëmtimeve që reflektohen në autorë të dekadave të para të shekullit të kaluar.[2] Një pyetje me vend që shtrohet mbi konceptin e mitologjisë në studime të orientuara në lamije të antropologjisë kulturore e që ka gjetur reflektim në rapsodë shëtitës, por dhe në autorë që kultivojnë letërsi, shtrohet me të drejtë në një prej krerëve hyrës të vëllimit, duke hapur rrugë dhe për të tjera reflektime, përfshirë letërsinë popullore dhe forma të tjera shkrimore e letrare. Gjithashtu, edhe Mitologji e krishterë në krijimtarinë e Gjergj Fishtës paraqitet si një sprovë e përpunuar në hollësi e nënçështje, në të cilat kënaqshëm do të mund të shtjellohet një parahistori e konsiderimit të miteve dhe e reflektimit të tyre në religjionet, për më tepër dhe një parathënie mbi botimin e krijimeve që më tej do të bëjnë të mundur të lidhet drejtpërdrejt emri i Atë Gjergj Fishtës O.F.M. me krijimtarinë lirike.[3]
Njohja e imët e letërsisë së viteve ’30, e materializuar dhe në vëllime antologjike e në periodikë kulturorë e letrarë të së njëjtës periudhë, i ka dhënë dorë kolegut Arian Leka që të dallojë në prirje e shkrimtari, por dhe në qasje ndaj gjinish të veçanta më tepër se një autor të kësaj periudhe, ndërkohë që dëmtimi i kujtesës (e quajtura damnatio memoriae) mbi veprat e tyre është një tjetër preokupim që ai e ka vënë në dukje dhe njëkohësisht e ka kthyer në vendin e merituar në një prej krerëve të kësaj vepre. Trajtimi i parathënieve e i parateksteve si medium propedeutik në qasje ndaj vetë vepërzave apo shqipërimeve të Etëhem Haxhiademit përbën një prej kapitujve më të kujdesuar prej Arian Lekës, fakt që përforcohet dhe nga referimet në vijimësi ndaj ribotimeve më të fundit në format anastatik të tragjedive e të krijimeve të tjera në vargje në bashkëpunim me pasardhësit e këtij autori.
Analizimi i teksteve të Hamit Gjylbegajt, një prej autorëve të trajtuar më gjerësisht, por dhe përfshirja e modelit të polemikës së kohës mes intelektualëve që përfaqësojnë shkolla, bindje dhe orientime jo të njëjta, mbetet një linjë e trajtuar në vendin e kohën e duhur nëse bëhet fjalë të konsiderojmë shkallën e përafrimit të vetë studiuesit me këtë autor, i denjë për t’u përfshirë dhe në historinë e letërsisë së shkruar shqipe, bashkë me specifikimin për përkatësinë në një prozë të natyrës filozofike, me nota mistike në të njëjtën kohë. Personaliteti i Gjylbegajt tërheq vëmendjen në sajë të përveçimeve që rezultojnë në gjuhën e tij shkencore, fakt që dëshmon dhe një tjetër rrethanë mjaft të rëndësishme për studiuesit e kontekstit kulturor të jetës qytetare të kohës: emërtime të përveçme që kanë të bëjnë thellësisht me vetë argumentet komplekse të cilat ka marrë përsipër dhe t’i lëvrojë nga pikëpamjet e tij ndeshen dhe në shestimet e bashkëkohësve të vet, gjë që na bën të kërkojmë mbi jetëgjatësinë e tyre, mënyrën e ngulitjes në psiken e kulturës së përdorimit, duke qenë se për paracaktimin përkatës flasin vetë tekstet në të cilat këto të fundit kanë gjetur hapësirë shtrirjeje.
Në të vërtetë, në rasë të autorëve që pikërisht në këtë vështrim janë mënjanuar kohe më parë nga manuale e tekste të një formati të paracaktuar institucional për arsye që janë trajtuar dhe në vëllimin studimor mbi autorë e vepra të patrajtuara në letërsinë shqipe (L.Smaqi, E.Paci, A.Leka, T.Plangarica, V.Graci, Tiranë, 2022), të autorëve që dallohen për veçanësi në elemente të krijimtarisë së tyre, më saktë të ndikimeve nga rryma të zhvillimeve letrare në vise të tjera të Evropës, rehabilitimi i kujtesës përkatëse mbetet detyrë e historianit të letërsisë e e studiuesve që përpiqen për të rikthyer në hartën gjegjëse shkrimtarë e kritikë të kësaj letërsie, fakt që provohet dhe më herët në sprovat studimore të kolegut Arian Leka.
Një syth të rëndësishëm të këtij vëllimi studimor do ta përbëjë trajtesa mbi fabulat e Santorit, në të cilën do të spikasë qartë një vëmendje kritike ndaj shkallës së njohjes së shkrimtarisë së këtij autori arbëresh në traditën e studimeve tona letrare, në vështrim konsiderues ndërkohë dhe të ndërmendjes së tij në gjurmimet e K.Kamsit, Z.Kodrës, K.Kodrës, më tej të koleges sonë Merita Sauku-Bruci, përpiluese dhe përgatitëse serioze e botimeve filologjike e kritike të veprave të tij.[4] Orientimi i vëmendjes ndaj një modeli gjinor të veçantë siç paraqitet fabula bën të mundur që jo vetëm të kryhen vëzhgime tekstore mbi variantet e Santorit, por dhe të gjurmohen tekste të mëhershme që shpien në mënyrë të pashmangshme si në autorët që tradita botërore i njeh si themelues të vetë zhanrit, ashtu dhe në vështrime kritike mbi çka Santori sjell prej modeleve paraardhëse, duke spikatur dhe vetë për elemente origjinaliteti.
Vepra me titull “Konsensus e polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare” u iniciua si e tillë në qershor të vitit 2022, ndërkohë që pak muaj më vonë ishte tashmë një tërësi kontributesh që gjetën natyrshëm simbiozë prej dorës së vetë autorit, duke reflektuar njëkohësisht oroenat e recensentëve, të cilët janë ndier po aq natyrshëm pjesë e proceseve të rileximit e të reflektimeve të autorit Leka.[5]
I prirur të hulumtojë dhe në pasurinë arkivore që ruhet në pronësinë intelektuale të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e që hedh dritë mbi çështje të historisë së letërsisë së shkruar shqipe e në veçanti mbi realizmin socialist në vendin tonë, Arian Leka solli të ripërpunuara dhe disa sprova që përmbajnë trajtesa mbi gjenezën e realizmit në vise të caktuara, për të vijuar më tej me prirje më të dallueshme në disa autorë të letërsisë sonë, për të cilët ka gjithashtu vend dhe për analiza më të hollësishme. Në trajtesën me titull Midis detyrës dhe përgjegjësisë për ndryshime estetike (Poezia shqiptare-nga viti 1945, drejt viteve ‘70), botuar së pari në Studime filologjike, n.3-4, 2017, do të mund të gjejmë më tepër hollësi në lidhje me kontekstin tonë, duke filluar nga vitet ‘40, më saktë, pas çlirimit të vendit. Është një periudhë në lidhje me të cilën studiesit tanë nuk kanë ndarë përherë të njëjtat mendime, por që gjithashtu dhe për t’u ndriçuar në pikëpamje dokumentare, më tej në atë të mendimit shkencor të pavarur, është paraqitur deri vonë me kushtëzime të kuptueshme. Në trajtesën e Arian Lekës çdo detaj që lidhet si me kontekste paralele, aq dhe me rrethana që shpjegojnë dhe orientimet e shkrimtarëve të letërsisë shqipe pas viteve ‘45 vijnë në një vijimësi sa logjike, aq dhe konform çdo zhvillimi që më tej do të zbërthehet në skema tipike për “një realizëm të vendit tonë”, më shumë se të një realizmi të mirëfilltë. Zhvillime më të segmentuara që shënojnë ndarje në mendime, prirje të veçanta në krijimtari dhe qëndrime ndaj ndryshimeve të sforcuara që po përjetonte vendi ynë gjejnë vend natyrshëm në një trajtesë të tillë, duke pasur mbështetje një pasuri burimesh referenciale, jo vetëm literatura studimore zhvillimet letrare në vendet e Lindjes në Evropë, por dhe periodikët shqiptarë që patën pjesë të kujtesës së tyre vetë autorët që u bënë më tej aktorë të kësaj panorame.
Në leximin e reflektimet mbi një punë të tillë, që në të vërtetë është një ndërthurje sprovash dhe reflektimesh, kemi pasur një interes të veçantë në lidhje me qasjet e autorit ndaj veprave të Gj.Fishtës, E.Haxhiademit, H.Gjylbegajt, të përafruara në pikëpamje krerësh e kapitujsh brenda vëllimit të sipërcituar. Pjesë e përmbledhjes së sipërcituar janë bërë dhe dy sprova të plota e të punuara thellësisht mbi figura të letërsisë së shkruar shqipe, ndër të cilët dhe Luan Starova (1941-2022), veprimtarinë e të cilit Arian Leka e ka njohur gjatë e gjerësisht dhe për arsye të përfshirjes në procese përgatitore vëllimesh për botim.[6] Paraqitet në vështrimin tonë më se e gjetur kjo përfshirje, e pasuar nga një trajtesë mbi çështje të modelit të krijimit mbi poetin Xhevahir Spahiu, shkrimtarinë e të cilit autori i punimit e ndjek dhe e hulumton nga afër prej kohësh.[7] Në veçanti ky argument i fundit, i paraprirë dhe nga një historik i domosdoshëm mbi përpilimet letrare epigramatike në historinë e letërsisë sonë të shkruar, i shtrirë dhe në gjurmime gjeokulturore tipike, paraqitet i kujdesuar në çdo dimension e prirje, në përputhje me qasjen tematike që kërkon vetë ideja në fjalë.
Leximin tonë dhe konsultimet eventuale i ka ndihmuar së tepërmi dhe aparati i pasur bibliografik me të cilin autori ka shoqëruar të tilla trajtesa, pa lënë jashtë vëmendjes dhe shënimet e kujdesuara që nisen nga burime të posaçme referimi. Përmbledhja studimore me titull “Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare”, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2022, me autor Arian Lekën ka pasuruar ndjeshëm kolanën e botimeve tona albanologjike, duke sjellë dhe një konceptim tematik me interes dhe të veçantë për nga kompleksiteti i zgjedhjeve të vetë autorit.
[1] Shih në veçanti Hyrje (f.11-15), në Figura të mitologjisë në epikën shqiptare dhe propozim për një rrugë alternative të mbërritjes së tyre ne epos, në A.Leka, Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2022, f.11-41, botuar më parë në revistën Antropologji (ASA, IAKSA), V.2 Nr. 1, 2019, f. 119-148.
[2] Pikërisht vështrimi diakronik që merr në konsideratë observimet e Hahn-it, Nopça-s mbi figura të veçanta në botën e mitologjisë, por dhe vjeljet e Eqrem Çabejt, apo më vonë të Bernardin Palajt O.F.M. e Rrok Gurashit O.F.M. përbën një medium të rëndësishëm në orientimin e autorit për të specifikuar sa të pranishme ishin elemente analogjike të konkretizuara në personazhe mitike, me gjasë të afërta me ato të bëra pjesë prej kohësh në letërsinë antike botërore.
[3] A.Leka, Mitologji e krishterë në krijimtarinë e Gjergj Fishtës, në Konsensus dhe polemikë për emrat dhe mitet e letërsisë shqiptare, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2022, f.43-56.
[4] Shih gjithashtu A.Leka, Përrallëzat e Santorit: përkthim, krijimtari, përshtatje -motive dhe burime, në Studime filologjike, n.3-4, 2019, f.47-63.
[5] Pjesë e këtij procesi me konsideratat e tij të vyera është dhe prof.dr.Ardian Kyçyku, Bukuresht, Rumani, njëherësh njohës dhe i krijimtarisë letrare të Arian Lekës.
[6] Shih në veçanti kreun e katërt të përmbledhjes së sipërcituar kushtuar bashkëkohësisë, po aty, botim i cituar, f.331-392.
[7] Bëhet fjalë për sprovën me titull Poezia-miniaturë në gjuhën shqipe dhe Shkurtimat e Xhevahir Spahiut, cituar sipas renditjes në materialin e përpiluar nga autori Arian Leka (po aty, botim i cituar, f.357-392), botuar në një variant të plotë në Studime filologjike, n.3-4, 2021, f.81-111.