Kreu Letërsi Shënime mbi libra Esma Dodaj: Çështje të natyrës dhe funksionit të letërsisë

Esma Dodaj: Çështje të natyrës dhe funksionit të letërsisë

NATYRA E LETËRSISË

“Letërsia ishte pasaporta për të hyrë në një jetë më të gjerë; ajo është zona e lirisë. Letërsia ishte liri. Veçanërisht në një kohë në të cilën vlerat e leximit dhe të së brendshmes janë të sfiduara kaq fuqishëm, letërsia është liri.”[1]

Që të flasim për letërsinë, më së pari lipset ta shqyrtojmë atë në vetvete. Duhet të përmendim se nga një shqyrtim sipërfaqësor që mund t’i bëhet termit, mund të themi se fjala “letërsi”, në kuptimin që ka sot në gjuhët europiane, është mjaft e re. Ajo daton në shekullin XIX. Më parë termi letërsi nuk ekzistonte. Në shekullin XVII, çdo vepër e shkruar, qoftë në vargje, qoftë në prozë, ishte e njohur nën emrin e poezisë ose elocutio-s së retorikës. Në Francë, për shembull, tekstet, të cilat ne tani i quajmë “letërsi”, ishin pjesë e një sfere shumë më të gjerë, të quajtur “letters”, e cila nuk e merrte parasysh dallimin që bëjmë sot midis shkrimit letrar dhe atij joletrar. Që nga shekulli i XVIII-të filloi të përdorej fjala “letërsi”, megjithatë, vetëm në shekullin XIX termi mori kuptimin me të cilin njihet sot.

Për më tepër, shumë gjuhë (si ato të Afrikës, për shembull), nuk kanë ende asnjë term gjenerik për ta shënuar, për ta përcaktuar letërsinë si një të tërë. Por edhe në gjuhë të tjera të botës, në të cilat fjala “letërsi” përdoret sikur të ishte e përcaktuar në mënyrë të saktë dhe pa asnjë problem, në fakt, përcaktimet e termit variojnë gjerësisht. Gjithashtu, mënyra se si është zhvilluar letërsia në vende dhe kohë të ndryshme, si dhe diversiteti i dukshëm midis veprave të shkruara, nuk e bëjnë shumë të lehtë përkufizimin e saj, gjetjen e termave të duhur që i përgjigjen asaj që ne e quajmë letërsi.

Nga një vështrim sipërfaqësor, fjala “letërsi” të sjell ndërmend librin, tekstin, shkrimin, duke pasur parasysh se fjala “literaturë”, (nga latinishtja: litteratura), të cilën e përdorim shpesh në vend të fjalës “letërsi”, sugjeron se letërsi është ajo që është e shkruar, sepse rrjedh nga fjala littera-shkronjë. Kjo sigurisht që nuk i përgjigjet asaj që ne quajmë letërsi, sepse përveç letërsisë së shkruar, e cila në të vërtetë përbën pjesën më të madhe të asaj që sot e pandehim si të tillë kur flasim për letërsinë, ekziston edhe letërsia gojore. Kjo e fundit ka rëndësi të posaçme për të kuptuar natyrën e letërsisë dhe për të gjetur termin dhe nocionin e përshtatshëm për letërsinë. Gjithashtu, të gjithë biem dakord se nuk mund të quajmë letërsi gjithçka që përmbajnë librat dhe çdo lloj vepre. Por duke iu referuar një kuptimi më të ngushtë, themi se vetëm disa vepra mund t’i radhitim brenda nocionit “letërsi”, ndërsa veprat e tjera të shkruara mund t’i përkasin shkencës, filozofisë, estetikës, historisë, etj. Në fakt, me fjalën “literaturë” ne kemi parasysh gjithë çfarë është shkruar për ndonjë çështje, temë a problem të caktuar. Po ashtu, e përdorim për t’iu referuar veprave që i kushtohen ndonjë fushe të caktuar të artit dhe shkencës.

Shumica e teorive letrare synojnë të bëjnë përcaktime universale të letërsisë. Ato janë të shumta dhe të ndryshme, duke u diferencuar nga mënyra si e përcaktojnë karakterin specifik të letërsisë. Pjesa më e madhe e tyre mbështesin cilësitë formale të tekstit letrar. Por ka edhe teori të tjera që kanë pikëpamje mbi letërsinë, të cilat e vënë theksin te përmbajtja. Në bazë të raportit të tekstit letrar me autorin, lexuesin, realitetin dhe gjuhën, shumë teori letrare kanë bërë përcaktimet e tyre për letërsinë si për shembull ato të Formalizmit Rus, të Shkollës së Pragës, të Kritikës së Re Anglo-Amerikane, të Strukturalizmit dhe Poststrukturalizmit, të Hermeneutikës dhe Fenomenologjisë, të Psikanalizës, të Marksizmit, të Feminizmit, etj.

Por ne do t’i qasemi letërsisë nëpërmjet termit “art poetik”, i cili sugjeron se letërsia duhet kuptuar si veprimtari krijuese gjuhësore e një lloji të veçantë, sipas ligjshmërish të posaçme.

“Поiηolç” (nga greqishtja e vjetër) dhe “poiesis” (nga latinishtja) është aftësia për të krijuar diçka “nga asgjëja” ose më mirë: është akti që kryejmë teksa krijojmë diçka duke u nisur nga vetja, për ta projektuar më pas atë diçka jashtë vetes. Është ta marrësh, ta bësh tëndin realitetin, që më pas ta formësosh atë në imazhin e asaj që ne shohim, mendojmë dhe duam. Me të drejtë, në greqishten e vjetër, arti poetik (“poiesis”) kuptohej jo vetëm si një “poezi” konkrete, domethënë një kompozim në vargje, por si tërësia e artit njerëzor. Rrënja “По” në fakt tregon të bërit:

• роieо / поиеш = unë bëj

• роiemа / поinμα = vepër, poezi

• рoietes / поinτηs = poet, autor, prodhues 

Pra termi “art poetik”, nëse e kuptojmë në një rrafsh më të gjerë nga ai që shpreh dallimin në mes të poezisë dhe prozës, mund të jetë afërsisht i përshtatshëm që të shprehë atë që ne e quajmë letërsi. Nëse kemi parasysh se shkrimtari i krijon veprat e veta sipas ligjshmërive të posaçme, që kërkojnë mjeshtërinë poetike, termi “art poetik” sugjeron se letërsia duhet të kuptohet si veprimtari krijuese gjuhësore e llojit të veçantë. Në këtë rrafsh, nocioni “letërsi” apo “art poetik” e lidh shkrimtarin me veprën letrare si prodhim të vetin dhe me lexuesit, pa të cilët nuk ka letërsi të vërtetë. Kështu, letërsia jeton vetëm nëse ekzistojnë ata që i kuptojnë veprat letrare dhe që i lexojnë pikërisht si të atilla. Gjithashtu, në bazë të trajtimit të letërsisë si art, ne dallojmë edhe natyrën e veçantë të veprave letrare. Në këtë mënyrë, nocioni “letërsi”  shpreh edhe dallimin mes veprave shkencore, filozofike, historike, etj. dhe veprave letrare, marrë në kuptimin e ngushtë të fjalës.

“Qysh në “Poetikën” e Aristotelit, në këtë trajtesë të letërsisë më të vjetër dhe më me ndikim në historinë kulturore evropiane, arti është kuptuar si imitim (mimesis) i veprimit kreativ të natyrës. Prandaj, duhet thënë, ashtu si natyra krijon nga vetvetja çdo gjë që ekziston, duke formuar gjithmonë qenie të reja e më të reja, edhe shkrimtari, duke imituar veprimtarinë krijuese të natyrës, krijon qenie gjithmonë të reja e më të reja të llojit të posaçëm: vepra artistike.”[2]

Sa herë flasim, sa herë shkruajmë, sa herë ndërveprojmë me botën, lëmë një shenjë të interpretueshme, një mesazh. Letra, telajoja, muri, mermeri, etj.; gjithçka që kemi në dispozicion për të komunikuar, presupozon një gjë: brendësinë, individin që shprehet. Për këtë arsye arti nuk imiton realisht natyrën, për këtë arsye një pikturë na duket “e gjallë” edhe kur nuk ka asgjë realiste: sepse qëllimi nuk është ta imitojmë natyrën, por ta riprodhojmë natyrën të filtruar nga shqisat tona. Në këtë mënyrë, arti poetik, si të gjitha llojet e arteve, nuk është imitim, nuk është më thjesht një reflektim, është një botë më vete, produkt i ndërveprimit midis brendësisë dhe jashtësisë: një gjuhë.

Kjo është arsyeja pse ndonjëherë ne themi gjëra pa thënë asgjë, për këtë arsye kur lexojmë ndiejmë se ka një mijë gjëra të tjera që nuk janë shkruar. Për këtë arsye, në art, në libra, madje edhe duke folur me disa njerëz, ne perceptojmë diçka shumë të thellë dhe jomateriale. Jo sepse gjithçka është poezi, letërsi, por sepse gjithçka mund të bëhet poezi, letërsi. Dhe kështu, gjithçka rreth nesh bëhet më e mirë, bëhet më e bukur. Jo rastësisht, në terma aristotelianë, veprimi poetik është veprim aktiv.

Letërsisë i referohemi edhe si “arti i fjalës”, meqenëse veprat letrare para së gjithash janë krijime gjuhësore. “Shumë nga teoritë e deritanishme janë përpjekur ta përcaktojnë specifikën e letërsisë si një krijim të pavarur, që përdor gjuhën, e cila është një element kyç në përcaktimin e saj dhe, mbi këtë bazë, e karakterizojnë letërsinë si një përdorim special të gjuhës. Te formalistët rusë gjejmë karakterizimin e saj si një shmangie nga gjuha e zakonshme, ndërsa te disa kritikë të rinj, si një kalim nga përdorimi logjik e bindës, tek gjuha imituese, “ikonike”.”[3]

Letërsia nuk është një gjuhë instrumentale, por një gjuhë vlera e së cilës jeton brenda saj ose siç thotë Novalisi: “Një shprehje për hir të shprehjes.” Arti është një sistem i organizmit dytësor gjuhësor dhe vepra e artit mund të shihet si një tekst në këtë gjuhë. Ne duhet ta kuptojmë frazën “dytësore” në marrëdhënie me gjuhën natyrale si referencë (material). Sistemet e modelimit dytësor, si të gjitha sistemet semiotike, janë të ndërtuara mbi modelin e gjuhës natyrale (organizimit parësor).

Ligjërimi poetik është një strukturë që ngrihet mbi një kompleksitet të tërë elementësh, kjo bën që ky ligjërim të jetë më i ndërlikuar se ai i gjuhës natyrale. Dhe, nëse vëllimi i “informacionit” në ligjërimin poetik (varg apo prozë, këtu dallimi është i parëndësishëm) dhe në atë të zakonshmin do të ishte i njëjtë, atëherë ligjërimi artistik do ta humbte të drejtën e tij për të ekzistuar dhe pa dyshim do të shuhej. Por çështja është disi e ndryshme. Një strukturë e ndërlikuar artistike, e krijuar nga materiali i gjuhës, na lejon të transmetojmë një vëllim “informacioni” që është më i madh nga ç’mund të transmetojë një strukturë e thjeshtë gjuhësore. Kjo do të thotë që “informacioni” i dhënë, as mund të ekzistojë, as mund të transmetohet jashtë kësaj strukture artistike. Për shembull, nëpërmjet ritregimit të një poeme në ligjërimin e zakonshëm, ne e shkatërrojmë strukturën e saj dhe si pasojë, i prezantojmë marrësit, dëgjuesit, një vëllim “informacioni” tërësisht të ndryshëm nga ai që përmbante poema në origjinal.

Natyra e artit keqkuptohet sa herë që letërsia konsiderohet si një metodë për të shprehur shkurt dhe thjeshtë, mendimet e shfaqura në një vepër, idetë e paraqitura në të, ndodhitë e treguara aty. Ide-përmbajtja dhe tiparet artistike nuk janë koncepte të ndara. Mendimet e shkrimtarit realizohen në një strukturë të veçantë artistike dhe janë të pandara nga ajo. Teksti artistik është një organizim i ndërlikuar i mendimit. Të gjithë elementët në të, kanë domethënie.

Gjuha e veprës së artit është një e dhënë që ekziston përpara krijimit të një teksti konkret, ndërsa mesazhi është një “informacion” që ngrihet në tekst. Gjuha e një teksti artistik është, në thelb, një model artistik i universit. Në këtë kuptim, duke u mbështetur në strukturën tërësore të saj, ajo është pjesë e “përmbajtjes” dhe mbartëse e “informacionit”. Ndaj, studimi i gjuhës artistike të veprave të artit na shërben jo vetëm për të parë shkallën e përsosjes estetike të komunikimit, por edhe për të riprodhuar një model të universit, pasi e dimë se gjuha e artit modelon aspektet më të përgjithshme të tablosë së universit.

Te thuash që letërsia ka gjuhën e saj, e cila nuk përkon me gjuhën natyrale, por i mbivendoset asaj, është thjesht një mënyrë tjetër për të thënë se letërsia zotëron një sistem të vetin shenjash dhe rregullash, që udhëheqin kombinimet e tyre në mënyrë që të arrijnë të transmetojnë mesazhe speciale, te patransmetueshme nëpërmjet mënyrave të tjera.

Kështu, arti rezulton metoda më “ekonomike”, më kompakte, për ruajtjen dhe transmetimin e “informacionit”. Teksti artistik transmeton “informacion” të ndryshëm për lexues të ndryshëm, në proporcion me aftësinë e të kuptuarit të secilit.

Me këtë nuk duam të themi se letërsia ka një ligjërim më vete, një gjuhë tjetër. Ekziston vetëm një gjuhë, që shkrimtari e modifikon ose më mirë të themi, e shndërron krejtësisht. Kjo nxjerr në pah pozicionin modern, nëse mund t’i referohemi kështu, sipas të cilit letërsia është krijim dhe pozicionin antik, sipas të cilit, njeriu nuk krijon asgjë nga hiçi: krijimi letrar është një përpunim formal i lëndës gjuhësore. Por, letërsia nuk është një relike arkaike, ajo është një nevojë e përhershme. Perceptimi dhe përjetimi i vlerës së veçantë të letërsisë janë themelore për të përcaktuar natyrën e kësaj vlere dhe për ta respektuar këtë përvojë të specifikës së letërsisë.

FUNKSIONI/ET E LETËRSISË

“Nëse letërsia ka një dobi, ajo është të ndrijë jetën.”  A. B. Guthrie Jr.

Për të qenë konsekuentë kur flasim për letërsinë, lipset që çështjen e natyrës së letërsisë ta shohim të lidhur me atë të funksionit/eve të saj.

Nuk është e lehtë të themi nëse kuptimet për natyrën dhe funksionin/et e letërsisë kanë ndryshuar gjatë historisë. Nëse marrim për bazë një periudhë mjaft të gjatë kohe, përgjigjja mund të jetë po, sepse duke u futur thellë në kohë, ne mund të arrijmë në një epokë kur midis letërsisë, filozofisë dhe fesë nuk bëheshin dallime. Por në tërësi, leximi i një historie të estetikës ose të poetikës na bën të mendojmë se natyra dhe funksioni i letërsisë, për aq sa fjala është për anët më të përgjithshme konceptuale që i dallojnë kur i krahasojmë dhe i ballafaqojmë me veprimtaritë dhe me vlerat e tjera njerëzore, nuk kanë ndryshuar në thelb.

Ky funksion, sipas nesh, mund të përkufizohet përmbledhtazi si një dialektikë në të cilën teza dhe antiteza janë praktikisht nocionet “dulce dhe “utile” të Horacit. Pra, letërsia është edhe e ëmbël edhe e dobishme. Këto të dy mbiemra, të marrë veç e veç, paraqesin një shtrembërim kontradiktor përsa i përket funksionit të poezisë. Pikëpamja se poezia është e ëmbël, është kënaqësi (si çdo ndjenjë gëzimi e lumturie që ka njeriu kur i plotësohet një dëshirë ose një kërkesë) është po aq pa vend sa pikëpamja se poezia është e dobishme (si gjithçka që mund të shfrytëzohet për mirë). Pikëpamja se gjithë poezia është ose lipset të jetë dije, gjen skajin e vet të kundërt në pikëpamjen se ajo është ose lipset të jetë figuracion i pastër. Pikëpamja se letërsia është ose lipset të jetë objektive, gjen skajin e vet të kundërt në pikëpamjen se ajo është ose lipset të jetë subjektive. Pikëpamja se letërsia është ose lipset të jetë fakt, gjen skajin e vet të kundërt në pikëpamjen se ajo është ose lipset të jetë emocion, e kështu me radhë. Asnjëra prej këtyre pikëpamjeve nuk mund të jetë e pranueshme. Kur themi se letërsia është «lojë», kënaqësi, përjetim, ndjenjë, ëmbësi, shijim, ne ndiejmë se nuk është vlerësuar mjeshtëria artistike, teknikat narrative ose poetike, rëndësia e veprës letrare, vlera e saj. Nga ana tjetër, kur themi se letërsia është një mjet edukativ, është dije, është vetëm e dobishme si çdo punë, si çdo zeje, ne ndiejmë përdhunimin dhe nënvlerësimin ndaj kënaqësisë që ajo na sjell dhe ndaj asaj që Kanti e quante «paqëllimshmëri». Kësisoj, për ne është e domosdoshme që funksionin e letërsisë, të pandryshueshëm me kohën, ta përkufizojmë në atë mënyrë që të marrë parasysh njëherazi edhe «dulce-n”, edhe «utile-n”. Letërsia e kryen me sukses funksionin e vet, atëherë kur të dyja notat, ajo e ëmbëlsisë/kënaqësisë dhe ajo e dobisë, jo thjesht bashkëekzistojnë, por shkrihen. Kënaqësia letrare është kënaqësi e një lloji “më të lartë”, sepse është kënaqësi e një lloji veprimtarie “më të lartë” dhe është një kënaqësi e dobishme. Dobia e saj, nga ana tjetër, është po ashtu dobi e një lloji “më të lartë”, sepse është përfitim prej një veprimtarie “më të lartë”. Letërsia pra është njëkohësisht edhe një kënaqësi e dobishme, edhe një dobi e këndshme.

Elioti ka shkruar: “… asgjë në këtë botë ose në atë që vjen pas asaj nuk mund t’ia zërë vendin një gjëje tjetër….” Domethënë, asnjë kategori reale vlere nuk ka ekuivalenten e vet reale, zëvendësime reale nuk ka. Por praktikisht, në njëfarë mënyre, letërsia natyrisht që mund të zëvendësojë shumë gjëra. Për shembull, duke lexuar, neve na duket sikur po udhëtojmë, po shohim vende të panjohura, po njohim njerëz të rinj, po përjetojmë gjëra që nuk i kemi përjetuar, pra, jetojmë jetë krejt të ndryshme nga e jona, të cilat ndryshe nuk do të kishim pasur se si t’i jetonim.

Njerëzit gjithmonë e kanë çmuar letërsinë, qoftë atë gojore, qoftë atë të shkruar, domethënë, kanë shfaqur interes për të, e kanë ditur vlerën pozitive të saj. Po të orvatemi të sqarojmë me imtësi shkaqet përse njerëzit interesohen për letërsinë, nuk do ta kemi të lehtë të japim përgjigje. Letërsia nuk u bë menjëherë ajo që është sot, ajo u bë e tillë shkallë-shkallë duke u veçuar dhe duke u ndarë nga ai konglomerat kulturor kënge, valleje e rituali fetar, nga i cili doli. Për të përshkruar lidhjen e njerëzimit me letërsinë, është e domosdoshme të bëjmë pyetjen: “Për çfarë e ka çmuar njerëzimi letërsinë? Ç’gjë me vlerë, të dobishme e me interes ka gjetur ai te letërsia? Ka gjetur shumë, ka gjetur atë që po e përmbledhim me fjalët e Horacit: “dulce et utile”, për çka kemi folur tashmë më sipër.

Një nga pikëpamjet bashkëkohore mbron mendimin se rëndësia, serioziteti dhe dobia e letërsisë qëndron në përçimin e dijes, sigurisht këtu kemi parasysh një dije të një lloji të veçantë. Letërsia është formë e dijes, e cila ka të bëjë me madhështinë e së përgjithshmes, të gjithëkohshmes. Letërsia nënkupton një pikëpamje për jetën, që mund të shprehet me kategori filozofike e madje sipas sistemesh filozofike. Ekziston një marrëdhënie e caktuar midis koherencëss artistike dhe koherencës filozofike. Letërsia, e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj, nuk synon ta ngatërrojë emocionin me mendimin, ndjenjën me intelektin, sinqeritetin e ndjenjës me saktësinë e riprodhimit të përvojës jetësore e të reflektimit për jetën. Letërsia lipset çmuar si letërsi e jo si gjë tjetër, kurse për t’u vlerësuar, ajo duhet vlerësuar duke marrë parasysh nocionet dhe nivelin e vlerës letrare. Natyra, funksioni dhe vlerësimi i letërsisë duhet të jenë në bashkëlidhje të ngushtë.

Gabohemi nëse mendojmë se detyra kryesore e letërsisë është të zbulojë dije dhe t’ua komunikojë atë të tjerëve. Detyra e saj kryesore është të na bëjë neve të ndiejmë dhe të kuptojmë atë që shohim, të përfytyrojmë atë me të cilën vihemi në kontakt, atë që teorikisht apo praktikisht njohim, por edhe të shohim, të takojmë, të njohim të renë. Është e vështirë të heqim një vijë ndarëse midis pikëpamjes dhe kuptimit për letërsinë si një mishërim tjetër i asaj çka dimë, njohim dhe pikëpamjes e kuptimit për letërsinë si “përvetësim artistik”. Në fund të fundit, ajo përveçse na kujton neve atë që tashmë nuk e perceptojmë më, na bën të shohim e të ndiejmë atë që edhe pse gjithë kohës pranë nesh, nuk e kemi vënë re. Gjëra që kanë qenë aty gjatë gjithë kohës, por ne nuk i kemi marrë si diçka të tërë e të plotë. Kur përsëri e përsëri i kthehemi një vepre dhe çdo herë themi se “zbulojmë në të diçka të re, nuk nënkuptojmë se e kemi pasuruar njohjen tonë me dukuri të njëllojta me ato që njihnim, por se kemi zbuluar nivele të reja kuptimore, lidhje të reja asosiacioni: kështu del se romanet dhe poezitë kanë një strukturë shumështresore. Vepra letrare si ato të Homerit, Shekspirit, Dantes, Gëtes, etj. që vazhdojnë të na ngjallin interes e admirim, duhet të kenë, po të shprehemi me fjalët e Xhorxh Bonezit, “polivalence”: vlera estetike e tyre është aq e madhe, sa çdo brez gjen tek ato kënaqësinë dhe dobinë e vet.

“Është e kuptueshme përse estetët luhaten t’i mohojnë nocionit “e vërtetë” të drejtën për të qenë veti organike dhe kriter i artit: pjesërisht sepse “e vërteta” është një term honorifik që shpreh nderim dhe kur flasim për “të vërtetën” në art, ne kemi shprehur respektin tonë serioz për artin, kuptimin tonë për artin si dukuri me vlera supreme dhe pjesërisht ne kemi frikë, sado e paarsyeshme të jetë kjo, se mos nëse arti nuk është i vërtetë, atëherë është “gënjeshtër”, sikundër e pati quajtur me zemërim Platoni. Letërsia artistike është “krijim artistik”, është një “imitim i jetës”, “imitim” artistik e fjalësor. E kundërta e “krijimit artistik” nuk është “e vërteta”, por “fakti” ose “qenia në kohë e në hapësirë”. “Fakti” është diçka më e çuditshme sesa besueshmëria me të cilën ka të bëjë letërsia. Midis arteve, është letërsia ajo që ka mëtimin më të madh për të qenë edhe e vërtetë.”[4] E vërteta që mbart letërsia, sikundër e kuptojmë ne, është një e vërtetë që paraqitet në letërsi, domethënë, ajo është filozofi, që, në formë të sistemuar e konceptuale, gjendet jashtë caqeve të letërsisë, por që mund të shfrytëzohet nga artisti, të ilustrohet e të mishërohet në letërsinë e krijuar prej tij. Këtu vlen të theksojmë se varet çfarë kuptimi iu japim ne termave “dije”, “e vërtetë”. Nëse e vërteta është gjithmonë konceptuale dhe e vërtetueshme, atëherë artet, madje edhe arti i letërsisë, nuk mund të jenë forma të së vërtetës, duke qenë se nuk mund të verifikohen sistematikisht nga të gjithë, arritur dhe provuar nëpërmjet rrugëve eksperimentale. E kundërta ndodh kur njohim një soj të vërtete “të dyfishtë” ose “të shumëfishtë”. Letërsia është e barabartë me të vërtetën, por nuk përputhet me të, ka ekuivalencën e saj, është e ngjashme me të.

Njëri nga funksionet e letërsisë lidhet edhe me vlerat në aspektin psikologjik të lexuesve. Këtu na duhet të vështrojmë edhe atë koncept për funksionin e letërsisë që lidhet me idenë e “katharsis-it”. Kjo fjalë në greqishten e Aristotelit, në veprën e tij “Poetika”, ka pasur një histori të gjatë. Përmbajtja e termit “katharsis” të Aristotelit ka mbetur ende e diskutueshme, por çfarëdo që Aristoteli të ketë kuptuar me të, ky term nuk na intereson këtu si problem kureshtjeje i historisë së estetikës, por si problem i atyre kuptimeve të reja që ka përftuar ai që nga koha e lashtësisë. Disa thonë se funksioni i letërsisë është të na shkarkojë neve, shkrimtarë e lexues, nga barra e përjetimeve emocionale. Përjetimet emocionale gjejnë shprehjen e plotë në letërsi duke sjellë në fund të përvojës estetike, gjendjen e qetë, të çliruar.

Káeapolç (kàtharsis), është çlirimi prej emocioneve negative. Po ta përkthejmë “katharsis-in” fjalë për fjalë, ai do të thotë “pastrim”, në veçanti “pastrim i shpirtit”. Koncepti është i gjithëpranishëm në kulturën greke, por është ende i famshëm edhe sot e kësaj dite falë përkufizimit të Aristotelit, i cili e kupton katharsis-in si “pastrim të shpirtit”, nëpërmjet kurës së artit, në veçanti teatrit tragjik, i cili në fakt, përmes një sërë rastesh që ngjallin keqardhje dhe tmerr, ka efektin e lehtësimit dhe pastrimit të shpirtit nga pasionet e tilla.

Pse pikërisht tragjedia, pse është e mundur të hetohet një mënyrë për ta kapërcyer vuajtjen pikërisht brenda saj? Sepse për grekët, teatri, ashtu siç e konceptojmë sot ne artin dhe në veçanti letërsinë, nuk ishte një shfaqje e dedikuar vetëm argëtimit, por një praktikë e vërtetë rituale, në një farë mënyre e konsideruar “magjike”, trashëgimtare e mësimeve stërgjyshore. Të marrurit pjesë në një tragjedi, ishte një përvojë emocionale që e bënte individin të mos frikësohej nga gjendja e tij. Maskat, vallet, muzika, etj., ishin një vizion, ëndrra e një bote pasqyre. Në fund të shfaqjes ndiheshe më i lehtë, i aftë ta njihje dhembjen sikur ta kishe përballuar dhe kapërcyer shumë herë.

Raportet e ndërlikuara të shoqërisë dhe letërsisë janë po ashtu të rëndësishme për ta kuptuar letërsinë, siç janë dhe raportet mes letërsisë dhe gjuhës; studimi i letërsisë parashtron gjithmonë një njohje të caktuar të jetës shoqërore. Si veprimtari krijuese gjuhësore, letërsia është pjesë përbërëse e jetës së përditshme. Letërsia nuk mësohet vetëm në shkolla dhe universitete, e as që është vetëm “pronë” e të shkolluarve, të arsimuarve. Çdo njeri, në një mënyrë a në një tjetër, është në kontakt të vazhdueshëm me letërsinë, sepse jeta në shoqëri nuk mund të merret me mend pa gjuhë, e ku ka gjuhë, ka edhe letërsi. Veprat letrare përmbajnë përvoja dhe dije të caktuara lidhur me shfaqjet e ndryshme natyrore dhe shoqërore. Ato po ashtu flasin drejtpërdrejt mbi jetën shoqërore. “Përveç kësaj, edhe shkrimtari i përket shtresës së caktuar shoqërore, dhe si pjesëtar i kësaj bashkësie, shpreh pikërisht atë që e mban në vetvete, si pjesëtar i bashkësisë gjegjëse”[5]. Kjo do të thotë se veprat letrare duhet të shqyrtohen në radhë të parë si krijime gjuhësore, por edhe si krijime shoqërore. “Çdo vepër letrare i takon kohës së vet dhe prandaj ajo shpreh, përmes një forme të caktuar, jetën shoqërore, të kushtëzuar historikisht. Edhe më tutje: ajo është shprehje e ndjenjave, synimeve e mendimeve të caktuara të autorit, e përmes tij (për shkak se ai është anëtar i ndonjë shtrese ose grupi shoqëror) vepra shpreh ndjenjat, synimet e mendimet e një grupacioni shoqëror të caktuar. Përkatësia e çdo vepre letrare ndaj shoqërisë së përkufizuar në kohë dhe në hapësirë, është një fakt për të cilin nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi, e në bazë të kësaj përkatësie, mund të vlerësohet roli i saj shoqëror. Veprat letrare, pra, mund të studiohen si shprehje dhe si pasqyrim i jetës shoqërore.”[6] Letërsia është institut shoqëror, që përdor si mjet komunikimi gjuhën, e cila, gjithashtu, është institut shoqëror. Shoqërore për nga vetë natyra e tyre janë edhe mjete të tilla letrare, si për shembull simboli. 

Jo vetëm shoqëria ndikon mbi shkrimtarin, edhe shkrimtari ndikon mbi shoqërinë. Arti jo thjesht e pasqyron jetën, por edhe e formëson atë.

Mirëpo, gjatë studimeve të këtilla, duhet pasur parasysh se, ashtu sikurse nuk duhet që letërsia të kuptohet dhe të trajtohet vetëm nga aspekti se vepra letrare është krijim gjuhësor, po ashtu nuk duhet të kuptohet dhe të trajtohet vetëm nga aspekti se vepra letrare është pasqyrim ose shprehje e jetës shoqërore. Ashtu si letërsia nuk është gjuhë “e thjeshtë”, por “gjuhë arti”, po ashtu ajo nuk është shprehje “e thjeshtë” e jetës shoqërore, por shprehje “e veçantë” artistike e jetës shoqërore. Kjo do te thotë se raporti i letërsisë ndaj shoqërisë duhet të kuptohet në sfondin e natyrës së veçantë të artit, pra të kuptohet arti si dukuri e tillë shoqërore, që nuk mund të identifikohet me të gjitha dukuritë shoqërore, në të cilat shprehet mënyra dhe organizimi i jetës shoqërore. Letërsia si art nuk është mënyrë pasqyrimi ose shprehjeje e jetës, ajo është diçka më shumë: arti po ashtu është një nga mënyrat si ndërtohet jeta shoqërore. Arti është edhe një nga faktorët e organizimit të jetës shoqërore; vetëm kështu letërsia mund të jetë krijimtari, që nuk është e kthyer vetëm nga ajo që ka ndodhur, por edhe nga ajo që do të ndodhë; që nuk flet vetëm për të shkuarën, për çka ka kaluar, por edhe për atë që do të vijë. Kështu, ajo, pa kurrfarë dyshimi, është e lidhur me realitetin shoqëror, por lidhja midis letërsisë dhe jetës shoqërore është e veçantë dhe e ndërlikuar. Thjeshtëzimi i saj shpie drejt një identifikimi të gabuar të letërsisë.

Roli i posaçëm i letërsisë në shoqëri mund të kuptohet edhe në bazë të asaj veçorie që e kanë vënë në dukje shpeshherë shumë shkrimtarë të mëdhenj dhe të gjithë mendimtarët e rëndësishëm, që janë marrë me letërsi: ajo që është thënë në veprat letrare nuk mund të shprehet kurrë deri në fund dhe përfundimisht në asnjë mënyrë tjetër. Këtë mënyrë të veçantë, të papërsëritshme të rrëfimit artistik e dëshmon vetë specifika e letërsisë, mënyra e shprehjes artistike.

Përfundime:

Është e kuptueshme se letërsia, si veprimtari gjuhësore, mund t›iu shërbejë qëllimeve të ndryshme: porositë që janë të pranishme në veprat letrare si krijime gjuhësore, mund të kenë lidhje me çdo gjë që mund të shprehet me anën e gjuhës, e kjo është gati gjithë përvoja njerëzore. Veprat letrare mund të kenë një varg funksionesh në shoqëri: ato mund të shërbejnë për qëllime edukative, estetike, politike, etj., qoftë në kuptimin pozitiv, qoftë në kuptimin negativ. Megjithëkëtë, funksioni themelor i letërsisë në shoqëri duhet të shqyrtohet gjithmonë në aspektin e botëkuptimit artistik të tërësishëm dhe të papërsëritur, që është i pranishëm në veprat letrare, e kjo kërkon që letërsia të analizohet gjithmonë dhe në radhë të parë, si art.

Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe në njëvlerësinë e trajtave të ndjeshme e shpirtërore, nëse letërsia nuk është siç është bërë zakon të thuhet “realitet absolut”, ajo atëherë është më i afërti gjakim për realitetin, më i thelli perceptim i tij, në atë cak skajor të bashkërendimit ku realja duket se merr formë në letërsi. Nuk ka një dialektikë më mbërthyese, e cila nëpërmjet mendimit analogjik e simbolik, nëpërmjet përndritjes së largët të imazhit ndërmjetës, nëpërmjet lojës së përkimeve, nëpërmjet veskut të një gjuhe në të cilën përçohet vetë ritmi i lëvizjes së qenies, ta angazhojë njeriun më tërësisht.

Por më tepër se mënyrë njohjeje, letërsia është para së gjithash një mënyrë jetese dhe jetese tërësore.

Letërsia ka ekzistuar edhe te njeriu i shpellave në një farë mënyre. Ajo do të ekzistojë gjithmonë sepse është pjesë e pandashme e njeriut. Ajo bashkohet në udhët e saj me bukurinë, një bashkim sipëror, por nuk e përdor kurrë atë si qëllimin e saj të fundmë dhe as si të vetmin ushqim. Ajo është aksion, ajo është pasion, ajo është forcë, ajo është gjithmonë forcë që zgjeron kufijtë. Dashuria është vatra e saj dhe vendin e ka gjithkund te largpamësia.

Ajo nuk pret përfitime nga leverditë e kohës së saj. E lidhur ngushtë me fatin e vet dhe e çliruar nga çdo ideologji, ajo e sheh veten si të barabartë me jetën, e cila është përligjja e saj. Dhe me një përqafim, si një strofë e madhe, e gjallë e vetmitare, ajo rrok bashkë të shkuarën e të ardhmen tek e tashmja, njerëzoren me mbinjerëzoren, hapësirën planetare me hapësirën e gjithësishme. 

Dhe mësimi i saj është optimizmi. Në çdo kohë, sado e vështirë të jetë ajo, letërsia na jep të gjithëve shijen e qashtër të jetës.

Letërsi do të thotë të mbash përpara mendjes një pasqyrë më të ndjeshme ndaj mundësive shpirtërore të njeriut. Kjo nënkupton të ndërmendësh në çdo kohë tonën një fat njerëzor më të denjë të njeriut. Së fundmi, do të thotë, të sjellësh shpirtin e përbashkët më pranë takimit me energjinë shpirtërore të botës… Dhe për sa kohë i mbetet besnike kësaj natyre të saj, letërsia nuk ka nevojë ta përligjë ekzistencën e vet.

Bibliografi:

Aristoteli, “Poetika”, Uegen, Tiranë, 2004

Barthes Roland, “Aventura semiologjike”, Dukagjini, Prishtinë, 2008

Bualo Nikola, “Arti poetik”, Botimet Jozef, Tiranë, 2013

Çapaliku Stefan, “Estetika moderne”, Ombra GVG, Tiranë, 2004

Croce Benedetto, “Estetika”, Princi, Tiranë, 2021

Dado Floresha, “Teoria letrare moderne”, Albas, Tiranë, 2010

Eco Umberto, “Për letërsinë”, Dituria, Tiranë, 2007

Frojd Zigmund, “Mbi letërsinë dhe artet”, Fan Noli, Tiranë, 2015

Horaci, “Arti poetik”, Gjon Buzuku, Prishtinë, 2000

https://palimpsest.al/2017/12/roman-jakobson-linguistika-dhe-poetika/
https://palimpsest.al/2018/08/fuqia-e-letersise-dhe-realiteti-europian/
https://palimpsest.al/2018/11/pro-apo-kunder-teorive-te-letersise/

Solar Milivoj, “Hyrje në shkencën për letërsinë”, Julvin, Tiranë, 2013

Todorov Tzvetan, “Letërsia në rrezik”, Buzuku, 2007

Todorov Tzvetan, “Poetika e prozës”, Panteon, Tiranë, 2000

Uellek Rene & Uoren Ostin, “Teoria e letërsisë”,


[1]  “At the Same Time: Essays and Speeches”, Susan Sontag, HBO Documentary

[2]  “Hyrje në shkencën për letërsinë”, Milivoj Solar, Julvin, Tiranë, 2013, fq.18

[3]  “Teoria letrare moderne”, Floresha Dado, Albas, Tiranë, 2010, fq. 31

[4]  “Teoria e letërsisë”, R. Uellek & O. Uoren, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1993, fq. 26

[5]  “Hyrje në shkencën për letërsinë”, Milivoj Solar, Julvin, Tiranë, 2013, fq. 14

[6]  Po aty

Exit mobile version