Kreu Letërsi Shënime mbi libra Mërgim Bekteshi: Romanet e Gëzim Aliut

Mërgim Bekteshi: Romanet e Gëzim Aliut

“Në klubin e të shëmtuarve”

Letërsia shqipe, sidomos në fushën e prozës, u është nënshtruar disa rrethanave e rregullave kushtëzuese  etike, nacionale, politike, të një shoqërie që lëngon nga shumë telashe, teksa poezia sikur i ka kapërcyer paksa këto turbullira ku jeton shoqëria, në tehun e së kaluarës që është në ndeshje të pashmangshme me të tashmen.

Këtë kapërcyell të mundimshëm Gëzim Aliu e paraqet me mjeshtri në romanin e tij “Në klubin e të shëmtuarve”. Ky roman, i botuar në vitin 2009 dhe ribotuar pas dhjetë vjetësh, më 2019, i vlerësuar nga lexuesit dhe nga kritika letrare, thyen paradokset e krijuara apo më mirë marrëzitë që shfaqen si trillime të panevojshme në jetën shoqërore nga disa shkrimtarë të prozës. Rendi i krijuar shoqëror në roman, është e vërteta e kamotshme në sjelljet dhe përditshmërinë e njeriut apo qenies homosapiens.

Pa u futur në shqyrtimin letrar apo paradigmat gjuhësore që janë trajtuar nga njohësit e kësaj fushe më parë lidhur me këtë roman, “Në klubin e të shëmtuarve” përmban guximin e autorit për të shfaqur ecejaket e njeriut, moralin dhe amoralitetin që ka zanafillë biblike, e që e bëjnë njeriun të fantazojë në realizimin e epsheve të shthurura, sikur për të plotësuar mendimet e Frojdit dhe për të menduar se shoqëria përpos normave të saj, është e përbërë edhe nga fshehtësitë që, aq sa mund të quhen pjella imagjinative, ato, në kreshtat e saj janë më se të pranishme në shoqëri p.sh., incesti që e gjejmë edhe te tragjeditë greke, por edhe te trajtesat shkencore në fushën e kriminologjisë dhe penologjisë.

Kur flasim për varësinë e njeriut edhe si qenie, edhe si vetëdije, i orientuar në kohë dhe hapësirë, Aliu me lehtësi e përshkruan gjendjen faktike, siç shprehen juristët, por që nga fryma, nëse do të kalonte në censurë, libri do të merrte notën e surrealizmit, do të kritikohej për shpërthim ndjenjash, por që në realitet njeriu jeton me këto doke dhe manifestime, i cili herë pas herë thyen norma shoqërore për të provuar prekjet, komplekset e marrëzisë, shpërfaqjen erotike apo siç thuhet në Kosovë, bëhet “njeri i dalun fare”. Këtë jetësim të vërtetë, kryepersonazhi i Aliut e rrëfen në vetën e parë, në një rrugëtim nga koha kur ai fillon të mbajë mend, kur jetonte në familjen e madhe në katund, nën një çati me axhallarët dhe kur gjumi i fëmijëve bëhej bashkë me prindër në një dhomë jo më të madhe se gjashtëmbëdhjetë metra katrorë dhe kur shfaqja e “burrërisë” bëhej kur gruaja shqiptare trajtohej edhe me dajak e në këtë pështjellim nuk mungojnë as belatë me fqinjët, as incesti, masturbimi, përpëlitjet instinktive erotike, ndjenja që mund të duken edhe të shëmtuara.

Në këtë perceptim të romanit lindin mëdyshjet e lexuesit lidhur me mendjen e personazhit kryesor, se a kemi të bëjmë me tabula rasa apo me mendimin epistemologjik. Nga përvoja empirike gjejmë tendosjen e autorit për të shprehur pakënaqësinë funksionale të personazhit, tendencat e tij për të ndrydhur epshet dhe funksionet e tjera shtazarake, për të përqafuar rendin shoqëror, rendin e neveritshëm që provokohet sa nga intuita epistemologjike aq nga mësimet e të parëve që e rrëshqasin në tabula rasa. Kur personazhi fillon të vizitojë “Klubin”, autori ia nisë ta bëjë leximin pak më të vështirë, duke nxjerr në pah mendimin filozofik për raportet mes të bukurës dhe të shëmtuarës, për jetëgjatësinë e njërës dhe për fundin e tjetrës. Kjo vërtetësi dhe logjikë është më e ngatërruar se pjesa tjetër kur autori flet për “Kishte ardhur fundi i lirisë sime” (f.55), një pavarësi e personazhit duke ecur shkallëve të pasigurta, por që e ndjellin me lezet.

Pjesa më e vështirë e romanit është dalja nga “Klubi”, sepse hyrja në të është më se e lehtë, kur autori me zhdërvjelltësi artistike të tërheq për të kuptuar të shëmtuarën, peshën e vërtetë të saj kohore. Rrëfimi sa ngjan me fantastiken, ndër të tjera, mund të thuhet se është edhe alegori për kontrollin shoqëror të një grupi, që lufton të sundojë mbi të bukurën. Në tërë këtë rrafsh personazhi hamendësohet, nuk arrin të jetë vetvetja, sa i ndikuar nga bukuria që e kërkon që nga fëmijëria, aq më tepër kur mosha e pjekurisë e tërheq si fusha e gravitetit drejt përplasjes në të shëmtuarën. Ky tip i realizimit të romanit shquhet për autentiken, sepse është vetë jeta që kemi kaluar, kush më shumë e kush më pak ndër këto horizonte dhe ku secili mund të gjejë dromca të vetvetes e jetës së vet.

“Katedralja pa kryq” dhe shtatë ditët biblike

Letërsia është univers që kërkon mund për t’ia zënë fillin, në krahasim me leximin e ligjeve apo ndonjë ekuacioni matematikor, që kanë një rrjedhë më të qartë se ku dëshiron të arrish me to e përmes tyre. Proza romanore është më e vështirë të krijohet dhe të jetë e kapshme, e qartë, e këndshme për lexuesin, sepse po munguan këto, ajo krijon bezdi për të, pa dashje ai kërkon ditë më të mira që të vazhdojë me shfletimin e leximin e një romani të caktuar. Dhe mund të ndodhë që edhe pas tentativës së dytë, libri nuk lexohet, mbetet me pluhurin e dhomës, renditur në raft librash.

“Katedralja pa kryq” është roman nga autori Gëzim Aliu, prozator dhe studiues i letërsisë dhe në vijimësinë e romaneve të tij “Në klubin e të shëmtuarve” dhe “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, qëndron në mes dhe mendoj se të tre romanet paraqesin trilogji. Nëse në “Klub” e gjejmë të shëmtuarën, “Katedralja pa kryq” shëmbëllen me të bukurën, teksa në “Gosti” shfaqet smira, një përndjellje e mallkuar midis botës artistike, për të urryer të bukurën dhe të shëmtuarën njëherazi.

Në vitin 2014, “Katedralja pa kryq” pa dritën e botimit, një histori e veçantë, jo e dëgjuar më parë, dy protagonistë që flasin, shkëmbejnë korrespondenca, mendime mbi të bukurën. Një sinkroni në mes të artistëve për të përjetësuar vlerat e artit, të mbetura pezull nga ana e piktorit. I pari është prozator i letrave, ndërsa i dyti piktor që përmes ngjyrave në pëlhurën e tij mundohet ta rrezatojë brishtësinë e së bukurës, por kur mendon se vlera e artit po i venitet, përmes prozës mundohet të plotësojë finesat, dashurinë, ankthin, që nuk arrin t’i modifikojë me ngjyrat e tij apo siç e ndeshim një shprehje: “Pikturoje ti mungesën.” (f. 44). Piktura nuk arrin ta paraqesë mungesën a gjëra të kësaj natyre, vërehet një dorëzim i piktorit, që dromit ndërgjegjen në përpjekje për të gjetur ngushëllimin te proza.

Katedralja e autorit nuk është një ndërtesë skolastike, e as vend ku kryhen sakramentet, është pa simbolikën e shenjtë, kryqin, ku romakët, me apo pa vetëdije, e gozhduan Jezusin. Por, çfarë personifikon kjo Katedrale pa kryq? Nuk mund të jetë pyetje laike dhe as përgjigjja nuk do të gjendet në provat rrethanore, sepse është mundi i autorit që çështjen ta shtrojë në themelësi, në të bukurën që gjendet brenda mureve të ndërtesës së madhërishme të artit. Në veçanti piktori tjetërson këtë katedrale në imagjinatën e tij, ajo duket fine, ndërtesë pa dritare dhe dyer, ka mungesë të ikonave kishtare e kryqit, aty është vetëm një pikturë, ajo e Mona Lizës së tij. I rreshtuar për lutjet shpirtërore, vdekja dhe marrëzitë mbahen larg në këtë roman, pra Thanatosi ngrihet plotësisht, injorohet deri në pafundësi.

Ashtu siç janë prozatorët që mallëngjehen apo u vjen muza nga veprat e paraardhësve, ta zëmë që nga grekët e lashtë e më vonë dhe që pastaj krijojnë origjinalitetin në krijimet e tyre, edhe piktorët zënë në thua dhe rrëzohen po me të njëjtin imagjinatë te Da Vinçi. Në këtë kontekst, protagonisti Leonard Kurti, i pasionuar pas të bukurës që i ngjizet në damarët e trupit e shpirtit, krijon një konglomerat në pëlhurë, i mbërthyer pas erosit, për të prodhuar një pikturë që ngjan me Mona Lizën, por nuk është Mona Liza, është një trajtë më e ndryshme, më e spikatur, që prodhohet nga bashkëdyzimi, nga prekja erotike, kontakti fizik, vuajtja e dashurisë, meditimet. Liza e pëlhurës së tij endet edhe në qytetin e piktorit.

Takimi i dy artistëve, prozatorit G. Aliu dhe piktorit L. Kurti, (për të cilin mund të themi se është një alter ego autoriale), në fillim duket se ka një ngërç, i pari është hezitues, edhe për takimin, edhe për veprat e tij, pikturat, edhe më shumë heziton për shkrimet, fillimisht nuk i lexon me aq dëshirë. Por, mes atyre teksteve të shkapërderdhura, prozatori arrin ta kuptojë vuajtjen e piktorit për të bukurën, ngjalljen e epsheve, dashurinë që dhemb, që personifikohen me femrat që ngjallin vëmendje të veçantë, dhe me kulminacionin, Mona Lizën. Përmes afërsisë e miqësimit të prozatorit dhe piktorit krijohet një rend i ri për të mbrojtur të bukurën, krijimet sa të imagjinatës, aq edhe të racionales e reales. Në këtë komunikim, edhe filozofik, do të hasim edhe diakroninë, pastaj dualizmin në mes të materies dhe idesë. Piktori vë në pah babanë e tij që besonte në pafundësinë e universit në rrafshin idealist, se ekziston Zoti dhe vëllanë që mbështetet në të arriturat shkencore. Në këtë mes piktori mundohet të portretizojë veten, bashkë me pyetjen se ku gjendet e bukura? Ai do të gjendet aty qoftë me Zotin apo Satanën. E bukura ia thyen gjithë vertebrat, ai gati lë në harresë edhe jetën e përditshme familjare, përkujdesjen ndaj gruas dhe vajzës së sëmurë.

Këtë vuajtje e ndien edhe prozatori, sepse jo moti kishte bërë një tregim për Mona Lizën, e cila sipas piktorit ekzistonte realisht, dhe posa kishte filluar komunikimet me të, ishte ngjizur një energji që nuk e linte të shkëputej nga kureshtja për ikonën e vetme në katedrale, kureshtja i thellohet edhe më shumë kur arrin në atelienë e tij. Atëherë piktori, me zhdërvjelltësinë e një finoku, arrin t’ia prezantojë shtatë pikturat, shtatë të bukurat, shtatë femrat e veçanta që lidhen me ditët e krijimit biblik. Secila pikturë në pëlhurë paraqet ditën e veçantë të krijimit që Hyu bëri. Por, tani prozatori e kupton se arritja deri tek ikona e vetme në katedrale paraqet vështirësi, piktori kishte arritur të krijonte universin e vet përmes shtatë pikturave ashtu siç kishte bërë Zoti në krijimin e universit.

Pra, momentet e sikletshme te “Katedralja” janë kur prozatori ndeshet me pikturat, të shtatat, piktura ku secila përbën një ditë kritike në krijimin e universit. Paraqitja erotike e tyre nuk është e rastësishme, sepse krijimi pa dashuri nuk është krijim. Është shija e thellë e artistit që shpalos me kujdes ditët e krijimit që përfaqësohen nga shtatë femra të bukura. E para ishte gruaja e tij e bukur, që ia rriste fëmijën dhe kujdesej për punët e shtëpisë, por ndrojtja e saj gjatë pikturimit, piktorit ia kishte pamundësuar të përqendrohej aq sa duhej në ngjyrat e tij, ia kishte pamundësuar vazhdimin e krijimit. Por, dita e parë është shpërthimi, big-bengu i madh si dhe frika e madhe e piktorit se nuk po arrinte ta plotësonte veprën e vet siç mendonte. Ndoshta edhe Zoti pati frikë për projektin e tij…

Dita e dytë, pra piktura e dytë, vjen me një vetëbesim, si për krijuesin artistik, ashtu edhe për Hyun, dhe kështu vazhdon deri në ditën e shtatë, kur pushon Krijuesi, por jo edhe artisti: “Zoti pushoi në ditën e shtatë, e vërtetë, tha ai, por, unë nuk jam Zoti, apo jo?”, shprehet piktori (f. 98). Pesha artistike e të shtatë pikturave është boshti i fabulës kryesore të këtij romani, pa harruar se ato janë në atelienë e piktorit, brenda katedrales së autorit.

Në këtë këndvështrim, qasja dhe mënyrat që ka përzgjedhur Gëzim Aliu për ta krijuar këtë roman, edhe duke e pasur parasysh këndvështrimin letrar-gjuhësor, që e kanë diskutuar studiues të tjerë, përbëhet edhe nga metoda e komunikimit në mes të dy artistëve, që është e thellë dhe kërkon kujdes në lexim. Në fakt, ky roman të bën për vete, por gjatë leximit përjetohen magjepsje që kërkojnë vëmendje ndaj gjërave që shprehen, sepse është komunikim i artistëve dhe jo komunikim i përditshëm. Ky roman dhe romanet e tjera të Gëzim Aliut kanë sjellë novacione në letërsinë shqipe, tema më ndryshe seç jemi mësuar t’i dëgjojmë dhe t’i lexojmë.

Një tablo për maskaradën

Gëzim Aliu, në vitin 2017, u ka dhënë lexuesve një roman krejt më ndryshe nga ajo që jemi mësuar të lexojmë kohëve të fundit nga krijimtaria letrare shqiptare. Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” (Parnas, 2017), pos tjerash, shpërfaq artistikisht falsitetin dhe mediokritetin e ‘artistëve’ xhelozë e smirëzinj, teksa në prezantime imagjinare reflektojnë një lartësi qytetërimi të rremë.

Në këtë roman, në qendër është një gosti interesante që zhvillohet brenda disa orëve në shtëpinë e Cen dhe Anita Berishës. Të ftuarit “shkëlqejnë” nga stili perëndimor, me veshje të ndryshme, pamje, qëndrime e mendime. Autori me mjeshtri dhe si me ‘metër’ u bën përshkrime personazheve duke përkufizuar çdo detaj. Hamendjet, sorollatjet, bisedat, llafet, qeshjet, grindjet, thashethemet brenda kësaj shtëpie me formë arkitektonike të veçantë, paraqesin ndeshjen e dukjes perëndimore me hapësirën e ngushtë, edhe mendore e shpirtërore. Është një përpjekje për përqafimin e qytetërimit perëndimor, pas daljes nga lufta. Por, mysafirët e pispillosur e tradhtojnë vetveten shpesh dhe mospërputhjet mes shfaqjes dhe brendisë së tyre, e neveritin Cen Berishën.

Ndërkaq, ka një ngjallje më relative në përshkrimin psikologjik të mysafirëve që herë pas here Cenit i ngjajnë me fantazma. Autori kryesisht vëren përplasje të qytetërimeve dhe mundohet t’i pikturojë në një tablo sa më saktë, por duke mos harruar përkufizimin frojdian, i cili, sado që duket jo shumë bindës për psikologët e tjerë, ndër përsiatjet tona gjendet në ndërdije dhe pluskon në mendjet tona. Ndeshemi me seksualitet dhe shpërthurje të vetëdijes drejt qëllimeve finale, ndrydhje që janë të panevojshme në shumë situata, që domosdo autori i përshkruan ashtu siç mund të ngjajnë në jetën shoqërore. Këto cytje për të ndrydhur dhe ruajtur kontrollin normativ të shoqërisë duke u thirrur në etikën e brishtë të krijuar mes njeriut dhe qenies së tij si homosapiens, shpesh janë të meta që e tradhtojnë edhe njeriun më të ndritur të kohës.

Tabloja që krijon Gëzim Aliu ngjan me një maskaradë të cilën, përmes personazhit, e shndërron në një vështrim më të përveçëm për secilin mysafir veç e veç. Mysafirët, edhe pse nuk mbajnë maska, kanë maskat shpirtërore që fshehin identitetin neurotik përmes arteve pamore e të tjera, duke rrëfyer krijimin që në masë të madhe, aq sa e bezdisin autorin, e bezdisin edhe personazhin, Cen Berishën.

Guximi i autorit shfaqet edhe kur flitet për dorëshkrimin e Cen Berishës, që pulson të vërtetat që i shfaqen atij në ankthin për ngjarjet e paraluftës, luftës dhe të pasluftës, për heronjtë e vërtetë dhe ata të cilët i shërbyen me të vërtetë atdheut, dhe në anën tjetër, disa skenarë të shkurtër që mëtohen të bëhen filma, që nxjerrin në pah edhe dallaveraxhinj e bashkëpunëtorë të pushtuesit që lartësohen më vonë në shoqërinë kosovare. Kjo është pjesa më kulmore e romanit që të largon për një kohë nga trillet e mysafirëve, nga ajo maskaradë dhe shpërfaq vullnetin e Cen Berishës të djegë dorëshkrimin e tij apo të shkrihet e të humbë në tablonë e gjendjes aktuale, që e trishton dhe mbi themelet e së cilës bëhen përpjekje të ndërtohet një rregull i ri shoqëror.

Gëzim Aliu na ka dhënë një roman bashkëkohor, që duhet të lexohet pa ndërprerë për ta kuptuar situatën e ritmin e orëve të gostisë, roman me kompozicion atraktiv, duke mos të bezdisur në asnjë sekondë të vetme. Edhe ato detajet e meskinitetit kanë porosi në vete, po ashtu gjuha e lirë erotike e largon lexuesin nga monotonia, nga etika e panevojshme që shfaqet në libra të tjerë duke përdorur fjali të zëvendësueshme nga anatomia e njeriut dhe që zbeh trajtën e vërtetë aktuale gjuhësore.

Ky roman është për gjendjen e rëndë, të trishtueshme, është për “origjinalitetin” e individit dhe të shoqërisë sonë, për të fshehtat e një maskarade të përditshme, që duhet të zhvishet nga petku i marrëzisë e Gëzim Aliu e bën këtë me mjeshtëri.

Exit mobile version