Kreu Letërsi Shënime mbi libra Pol Milo: Transformizmi historik dhe metafizika e mjegullës

Pol Milo: Transformizmi historik dhe metafizika e mjegullës

“E ardhmja është gjithmonë e ndërtuar mbi mjegullën e së tashmes.”

— Albert Camus

“Kush është ai që mund të vizatojë mjegullën?”

— Bashkim Hoxha, Kronikat e Mjegullës

Bashkim Hoxha është një nga zërat më të veçantë të prozës moderne shqiptare, një shkrimtar që prej vitesh ndërton një univers ku historia, kujtesa dhe absurdi përzihen në një strukturë spirale, duke ndjekur ritme origjinale. Në romanin Kronikat e Mjegullës, Botime Onufri, një libër tejet modern me cilësi të lartë estetike, mjegulla vjen si një metaforë e ndërlikuar për historinë, identitetin dhe perceptimin e së shkuarës në të tashmen.

Mjegulla, nuk është thjesht një element atmosferik, ajo është historia në lëvizje. Ajo mbulon dhe shfaq, deformon dhe shpërfaq, duke krijuar tensionin e përhershëm midis kujtesës dhe harresës.

“Kush është ai që mund të vizatojë mjegullën?” pyet Hoxha, duke theksuar pamundësinë për të kapur plotësisht të kaluarën, identitetin dhe realitetin shqiptar. Mjegulla është vendi ku e kaluara ndërthuret me të tashmen, ku çdo ngjarje dhe personazh merr një formë të pjesshme dhe të përkohshme, dhe ku historia rikthehet e ndryshon pamjen e së tashmes.

Romani fillimisht ndërtohet në fragmente, si një film fotografik ku çdo kapitull është një portret i veçantë i një personazhi. Ky stil i veçantë dhe origjinal i Hoxhës, lidh fragmentet jo vetëm narrativisht, por edhe tematikisht, duke krijuar spiralen e tensionit që kthehet vazhdimisht mbi vetveten dhe e mbush historinë me papritshmëri. Personazhet lëvizin si marioneta nën dorën e autorit, duke hyrë dhe duke dalë nga skena, në situata dramatiko–komike që e nxisin tensionin narrativ të krijuar si edhe qesharaken, duke sjellë groteskun si një mjet për të lexuar absurditetin e historisë shqiptare.

Në qendër të rrëfimit qëndron Azis Beu, një feudal që përfaqëson fundin e pushtetit të vjetër. Ai kryen aktin grotesk të “natës së parë” me Hënën, një vajzë 16-vjeçare, e cila pas këtij akti i gjuan dritares së tij me një gur dhe zhduket në mjegull. Ky moment historik që bashkohet me shpalljen e pavarësisë, tregon se Hëna nuk është më viktimë, por kthehet në aktore të ndryshimit. Vitet kalojnë dhe pasardhësit e tyre, Ferdinandi dhe Lisi, jetojnë absurdin tragjikomik të fatit të tyre, duke mishëruar tensionet midis brezave dhe shtresave të ndryshme, por edhe të pakuptueshmërisë së fatit shqiptar. – Më ke grabitur fatin – i thotë Lisi Ferdinandit, një pretendim që i sjell lexuesit jo vetëm humor por edhe një pasqyrë të një mentalitet shprehës që vijon ende të perceptohet kështu.

Historia e tyre ngjan me një tragjedi biblike të transformuar në groteskun ballkanik. Takimet e Azis Beut me figura historike reale si Faik Konica, At Gjergj Fishta, e madje edhe Ahmet Zogu, e bëjnë romanin një fantazmë historie ku realiteti dhe iluzioni bashkëjetojnë. Historia nuk paraqitet e qartë, por rishkruhet, ripërthyhet dhe rishpërbëhet për t’u rindërtuar në trajta narrative të reja.

Misto, një kronikan i dështuar, përfaqëson absurdin e të shkruarit të historisë dhe reflekton përmes groteskut aktin e njohjes së së kaluarës, ose përpjekjen për të kuptuar atë që nuk mund të kapet. Grotesku në roman nuk është rastësor, ai është strategji për të mbijetuar në absurditetin historik. Përmes ironisë dhe këtij absurdi, Hoxha krijon një ekuilibër mes dramës njerëzore dhe qesharakes universale, duke i dhënë romanit peshë estetike ndërkombëtare.

Raporti mes humorit dhe dramës është i hollë dhe i përzgjedhur. Kur personazhi thotë se po lexon Kritikën e Arsyes së Kulluar të Schopenhauerit, një detaj i hollë si tehu i bisturisë, i lejon lexuesit të kuptojë tensionin e bisedës, mungesën e vëmendjes së njërit, pakuptimësinë e tjetrit dhe humorin e fshehur që bashkëjeton me njgarjet.

“Lavdërimi i parë i Mjegullës” është poetika e autorit, ku formulon filozofinë e vet krijuese. Mjegulla është vendi ku realiteti pushon së qenë i dukshëm dhe bëhet shenjë e një bote të brendshme, shpirtërore. Kronikat e Mjegullës mund të lexohen si një meditim mbi perceptimin dhe identitetin shqiptar: “Njerëzit duken ndryshe në mjegull. Herë shfaqen, herë treten.”

Bashkim Hoxha nuk kërkon ta pastrojë mjegullën, por kërkon që lexuesi ta lexojë atë. Historia shqiptare nuk është rrëfim i ndritur, por një tekst i palexuar plotësisht, ku çdo brez përpiqet të kuptojë hijet e vetvetes. Ky roman është një manifest i transformizmit historik dhe një studim i hollë i gjeometrisë emocionale të kujtesës, ku humori dhe absurdi janë forma të së vërtetës.  Bashkim Hoxha konfirmohet si një shkrimtar universal, i cili nga qyteti i Durrësit ka arritur të ndërtojë një mitologji moderne të mjegullës, të krahasueshme me letërsinë më të mirë bashkëkohore evropiane. Siç vëren kritiku Fatmir Minguli, “Bashkim Hoxha është autor i kujtesës që rikthehet, një shkrimtar që i kthen historisë pasqyrën, derisa ajo të shohë vetveten të deformuar.”

Ky roman, i përkthyer edhe në gjuhë të tjera, së fundmi në gjermanisht, do të prezantohet përpara një lexuesi shumëdimensional, duke përfaqësuar jo vetëm modernizmin artistik të autorit por edhe paraqitjen e vetë historisë si mjegull ende të pashpërbërë!

Dyrrah 2025

Exit mobile version