Kushtuar G.K. Çestertonit
Çdo kuptim i artit dhe letërsisë drejtohet nga një qasje paraprake, një lloj përgatitje para vetë fillimit të veprës. Kjo qasje paraprake ndaj artit në vetvete nuk është artistike e aq më tepër shkencore, por është vetë jeta në larminë e saj.
§
Qasja paraprake ndaj veprave të artit mund të ndikohet nga rrethanat psikologjike, sociologjike, ekonomike, politike, filozofike dhe fetare.
§
Shumica e zënkave artistike dhe letrare nuk kanë lidhje me vetë veprën artistike, por janë përplasje të qasjeve paraprake të zhytura në rrafshin artistik dhe letrar.
§
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është përcaktimi se çfarë është apo nuk është arti, pasi kjo është e një punë e kot dhe e pamundur. Edhe sa teori të tjera të artit do presim deri sa ta kemi kuptuar më në fund thelbin e njëmendtë të artit?
E gjithë historia e artit nuk përshkruhet nga një thelb i gjithëpranishëm që po pret të përshkruhet saktësisht nga dikush, por është një tufë vizionesh të shumëllojshme, një larmi vegimesh.
§
Ti mendon me vërte se lëvizjet letrare dhe artistike, si klasicizmi, romantizmi apo modernizmi janë nisur të kapin thelbin e letërsisë apo artit? Kjo është një çmenduri. Ato janë lëvizje letrare dhe artistike të drejtuara nga një vizion i përgjithshëm ndaj jetës.
§
Arti dhe letërsia janë valixhe që tërhiqen nga kuajt e vegimeve.
§
Arti dhe letërsia kanë nevojë për zhvillimin e një qasje paraprake, hapjeje të një fushëpamje, qartësimin e një vegimi që mundëson një lidhje kuptimplotë midis artit dhe vëzhgonjësit, midis letërsisë dhe lexuesit.
§
Vegimi im është ky: çdo vepër artistike dhe letrare mund të përfytyrohet si një krim, një mbytje e përgjakshme e përfytyrimit në ngjyra dhe shkronja.
§
Letërsia është një krim: ajo vret kohën. Letërsia vret kohën e shkrimtarit, ajo vret kohën e lexuesit. Prandaj, një vepër letrare ka nevojë për një përligjje: gjetja e saj është detyra e kritikut.
§
Edhe arti është një krim: ai vret hapësirën për ti lënë vend vetvetes. Prandaj dhe arti lyp një përligje: ai nuk është aspak i pafajshëm.
§
Fluturim drejt botës imagjinare? Përse? A nuk na mjaftojnë andrallat e botës së këtushme? Përse duhet t’i shtojmë vetes më shumë shqetësime kur jeta na i jep ato me tepri? Përse duhet të mësojmë se ç’bëri Agroni në veprën e Bardhylit, kur Agrona dhe Bardhyla ne i kemi para sysh? Dhe nëse nuk i kemi para sysh, atëhere ç’vlerë kanë? I shtroj këto pyetje sepse janë pyetje me vend dhe nuk duhen anashkaluar nga lexuesi, por, në veçanti, nga kritiku. Letërsia dhe arti duhet të përligjë vetveten. Përndryshe arti dhe letërsia kthehen në një harxhim të madh kohe, një hapërdarje e tepërt e mendjes, një lluks i panevojshëm.
§
Arti dhe letërsia lindin, si të thuash, duke mbarsur me vete mëkatin fillestar. Por disa vepra e shëlbojnë vetveten. Detyra e kritikut është të qartësoj se si vepra e shpëton vetveten dhe nuk rrëzohet në një përsëritje të panevojshme të realitetit, nuk vetëshkatërrohet në një arrati të kot përfytyruese, apo edhe më keq, nuk mprihet në një vegël propagandistike që nuk zbulon asgjë.
§
Kur vepra ka përfunduar: ajo ka vdekur. Ajo nuk mund të lëviz më, e as të ndryshojë. I vetmi që mund ta shqyrtojë këtë vdekje hollësisht dhe nga afër është detektivi. Por as detektivi nuk e ngjall më dot veprën. Detektivi ngjall një rikrijim të veprës sipas të dhënave që ai ka shqyrtuar.
§
Shikuesit mund ta shikojnë vdekjen nga larg, nga një lajm i shkurtër në ekranin e televizorit: kështu janë lexuesit dhe vëzhgonjësit e përgjithshëm të një vepre letrare apo artistike. Por detektivi i afrohet krimit më afër se gjithë të tjerët, shikon me kujdes, nuhat hollësisht, merr në pyetje të tjerët, shqyrton gjërat përreth, hulumton kohën dhe vendndodhjen: kështu është edhe një kritik i mirë i një vepre letrare apo artistike.
§
Vepra ka një fillim, një zhvillim dhe një fund. Kur vepra ka përfunduar dhe është botuar: ajo nuk ka më jetë, ajo nuk mund të lulëzoj më. Kur vepra botohet, kur vepra ka marr trajtën e saj përfundimtare, me pak fjalë kur vepra vdes, mu atëherë hyn lexuesi dhe kritiku për ta shqyrtuar vrasjen.
§
Dikush mund të përgjigjet: po, por, vepra nuk është një krim? Atëhere, përse duhet ta përfytyroj si një krim?
Po, por as jeta nuk është një udhëtim. Por ajo mund të përfytyrohet si e tillë. Dhe të jetohet si e tillë ngufatur plot kuptim dhe aventura. Qëllimi këtu është përgatitja e asaj qasje paraprake që e lejon artin dhe letërsinë që kuptohet në mënyrë të tillë.
§
Në art dhe letërsi jeta drejton të vërtetën. Ndërsa në shkencë e vërteta drejton jetën.
§
Trajta e artit dhe letërsisë nuk është prodhim i një hulumtimi shkencor, nuk është një arsyetim deduktiv apo induktiv. Në rrënjët e saja, arti dhe letërsia lind dhe kuptohet si e tillë si rrjedhojë e një përfytyrimi poetik, e një qasje paraprake.
§
Ribotimi i ndryshuar i veprës nuk është e njëjta vrasje: ajo është një vrasje e dyfishtë.
§
Ndryshimi midis lexuesit dhe kritikut nuk është një ndryshim thelbësor, nuk është ndryshim i dy qenieve krejtësisht të ndryshme. Kritiku i mirë është thjesht një lexues i vemendshëm, një detektiv që i shqytron gjërat më me hollësi. Me këtë dua të them se çdo lexues është një kritik, dhe çdo kritik është një lexues.
§
Disa vdekje janë të mërzitshme: ato nuk hyjnë as në gazetat më të rëndomta.
§
Por disa vdekje, pavarësisht se sa makabre mund të jenë, janë të mahnitshme: ato të përndjekin edhe nëpër ëndrra, të lëjnë pa gjumë, të tërheqin nga e zakonshmja e të shkulin nga përditshmëria, të lëjnë të pamundur të bësh çdo gjë tjetër. Kështu janë edhe veprat e mëdhaja të artit: ato të ndjekin nga pas si një hije e frikshme.
§
Para ca kohësh, u vra një miku im i vjetër i gjimnazit në mënyrë çnjerëzore, dhe sado që mundohesha të vazhdoja me detyrimet e ditës, mendja ime ishte tërësisht e zhytur në thellësinë e asaj vdekje. Mundohesha të mendoja për gjëra të tjera, por jo: mendimet tërhiqeshin sërish drejt asaj vdekje. Përpiqesha të bëja një punë, por jo: gjithë qenia ime përqendrohej tek ajo vrasje. Po këtë këmbëngulje kanë edhe veprat e përkryera letrare dhe artistike: ato tërheqin tërë vëmendjen tënde si një vrasje e llahtarshme.
§
Kritiku i mirëfilltë i qaset veprës pa ja zhdukur fshehtësinë: edhe pasi krimi është zbuluar, vepra është përherë e mbuluar me një mjegull të mistershme.
§
Detyra e kritikut është si detyra e një detektivi që është nisur të zbulojë të fshehtat e një krimi, të hulumtojë rrethanat e ngjarjes, të nuhasë gjërat e dyshimta, të vëzhgojë me kujdesin më të madh edhe detajet më të vogla, të shtjellojë dhe analizojë personazhet e përfshirë në skenën e krimit.
§
Nëse arti është një krim i madh, detyra e kritikut është jetë një detektiv i denjë i kësaj ngjarje.
§
Shpesh ndodh që detektivë të mëdhenj merren edhe me ngjarje të vockla. Por edhe më shpesh ndodh që ke detektiv të papërgatitur, të përgjumur, të çartur, pa imagjinatë, të arsyeshme deri në marrëzi por që, prapëseprapë, duan të zbulojnë fshehtësinë e vrasjes më të madhe të shekullit: në këtë kategori bien shumica e kritikëve të artit dhe letërsisë.
§
Siç i duhet një detektivi të bëj lidhje të ngjarjeve dhe të dhënave të ditura për të zbuluar të vërtetën e paditur, ashtu edhe shqyrtuesi i veprave letrare dhe artistike duhet të bëj lidhje midis ngjyrave, midis fjalëve, midis detajeve, midis poezive, midis simboleve, midis karaktereve apo një përshkrimi: e gjithë kjo për të kapur shpirtin e padukshëm të veprës. Shqyrtuesi e përmbush veprën pa e ndryshuar atë: ai shpall lidhjet e padukshme të veprës.
§
Krimi mund të jetë kryer që para më shumë se një qind vjetëve, dhe ngjarjet mund të jenë ende të pazbuluara plotësisht derisa të hapet një dosje për të e të fillojë shqyrtimi i hollësishëm i një detektivi të denjë për ngjarjen. Kështu është edhe me veprat artistike apo letrare: ato edhe mund të lihen në harresë për shkaqe të gabuara apo të drejta. Veprat e gjata profetike të William Blake ishin lënë në një harresë të përgjithshme letrare, të damkosura si enigmatike dhe gati-gati të pakuptueshme, derisa u rimorën nga një kritik i madh si Northrop Fraj në librin e tij Fearful Symmetry botuar në vitin 1947. Që atëhere janë botuar shumë vepra të tjera që qartësojnë edhe më tej veprat e gjata profetike të Blake. Por nuk duhet harruar asnjëherë që ishte pikërisht një detektiv si Northrop Fraj që vendosi ti riktheheshe atij krimi blejkjanë të harruar nga vemendja e përgjithshme letrare.
§
Disa gjëra edhe mund të jetë mbuluar me pluhurin e kohës: sa më e largët të jetë koha dhe vendndodhja e krimit, aq më të më të vështirë e ka detektivi ta kuptojë ngjarjen plotësisht. Kështu ndodh edhe me veprat e lashta letrare apo artistike: në to hasim shpesh pjesë të pakuptueshme, personazhe për të cilët mund të dimë asgjë, simbole të paqarta dhe çështje që mund të ngelin përherë në fushën e hamendsimeve. Interpretimet e pikturave në shpellat antike, si për shembull ato në Lascaux në Franë, janë po aq hipotetike sa hamendsimet e një detektivi që mundohet të zbulojë plotësisht rrethanat, personazhet dhe ngjarjet e një vrasje që ka ndodhur më shumë se 15 000 vite më parë.
§
Çdo vepër arti fsheh brenda vetes një shpirt të padukshëm, një trajtë të veçantë, një thelb të qenësishëm rreth së cilës gjithë ngjarjet, karakteret dhe përshkrimet vërtiten: detyra e kritikut është të mos ndalet deri sa të arrij tek shpirti i veprës, asaj trajte që i jep kuptim tërë asaj rrëmuje fjalësh dhe ngjyrash. Sado i ndërlikuar të jetë krimi, ai ka një trajtë që lidh gjithë ata që janë përfshirë në atë vrasje. Në këtë kuptim, kritiku është një kërkues i palodhur shpirtrash, një detektiv i paepur trajtash, një i fiksuar deri në marrëzi, një i çmendur që është gati të flijojë gjithçka për të rrokur plotësisht thelbin e një krimi.
§
Lexuesi dhe shikuesi përherë i afrohet një vepre me një qasje paraprake,- edhe nëse ai është i pavetëdijshëm për të.
§
Dikush mund të thotë: unë nuk dua ti qasem veprës si një krim, e si pasojë edhe kritiku nuk është një detektiv. Dhe ai nuk do të jetë në gabim. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është shfaqja e një qasje objektive, e cila, për mendimin tim, është e pamundur, por shfaqja e një qasje tërheqëse. Dhe ajo që të tërheq nuk është e pavërtetë: ajo të tërheq si Zoti në Metafizikën e Aristotelit.