Kreu Letërsi Bibliotekë Erlend Loe: Shpendi (tregim)

Erlend Loe: Shpendi (tregim)

Përktheu nga origjinali norvegjisht: Aristidh Shqevi

Një ndodhi tjetër.

Ku flitet për një botë të mirë.

Ngjarja ndodhi përpara se unë të lindja.

Vëllai dhe prindërit e mi kishin shkuar me pushime në Danimarkë. Ata kishin marrë me qira një shtëpizë në plazh.

Nuk e di sesa vjeç ishte im vëlla atë verë, por besoj se duhej të ketë qenë në moshë mjaft të vogël. Me gjasë shtatë vjeç.

Ai rendte poshtë e lart nëpër rërë, lahej në det dhe hidhte shkopinj të vegjël në ujë.

Duhet të ketë kaluar pushime të bukura.

Një ditë ai gjeti një shpend të dëmtuar. Më duket se ishte një pulëbardhë e vogël. E gjeti përdhe. Ajo nuk ishte në gjendje të fluturonte.

Vëllai im nuk kishte dëgjuar ndonjëherë të flitej për sëmundje a vdekje. Atij i erdhi shumë keq për shpendin. Sipas tij, ishte vërtet shumë e trishtë që pulëbardha e vogël kishte rënë përtokë, ishte e sëmurë dhe madje fare vetëm. Dëshira e tij ishte që ajo të shërohej, të kthehej në familjen e saj, të ishte e gëzuar dhe të bënte të njëjtat gjëra që zakonisht bënin të gjitha pulëbardhat e vogla.

Im vëlla u kujdes për shpendin. Ai e solli me kujdes në shtëpizën verore dhe e vendosi në një kuti me pambuk. I dha pulëbardhës për të pirë, e ushqeu dhe bisedoi me të.

Pulëbardha ishte gjëja e parë për të cilën im vëlla mendonte sapo zgjohej në mëngjes, si dhe e fundit, përpara se të binte për të fjetur.

Mëngjeseve ai dilte nga shtëpiza me vrap për të parë se në ç’gjendje ishte pulëbardha, ndërsa mbrëmjeve i uronte asaj natën e mirë dhe e ia përkëdhelte flatrat me kujdes.

Im vëlla u dashurua me pulëbardhën.

Shërimi i saj kishte për të i një rëndësie shumë të madhe.

Edhe prindërit e mi shpresonin të njëjtën gjë për pulëbardhën. Ata e panë se angazhimi i tim vëllait për ta shpëtuar atë i kishte ngjallur emocione të thella. Ata druheshin se ai do të dëshpërohej së tepërmi nëse shpendi nuk do të mbijetonte.

Im vëlla besonte se pulëbardha po përmirësohej nga dita në ditë. Ai ndihej i sigurt se do ta përjetonte përmirësimin e saj, madje ishte i bindur se shërimi nuk do të vononte dhe se ajo do të ishte në gjendje të fluturonte sërish drejt lirisë.

Gjithsesi, gjërat nuk shkuan kësisoj.

Një mëngjes, teksa imë vëlla ishte ende në gjumë, babai e gjeti pulëbardhën të pajetë.

Ai e groposi atë jo shumë larg nga shtëpiza.

Në çastin që im vëlla u ngrit nga gjumi, babai i tha se pulëbardha ishte shëruar dhe kishte marrë lartësitë. Ai tha se im vëlla ishte kujdesur aq mirë dhe ishte treguar aq i dashur me të, saqë ajo ishte shëruar plotësisht.

As mamaja dhe as babai s’kishin zemër t’ia thonin se pulëbardha nuk jetonte më.

Ata ishin të mendimit se nëse im vëlla e merrte vesh se çfarë kishte ndodhur, sipas gjasës, ai do ta përjetonte keq. Ata donin ta mbronin me çdo kusht.

Im vëlla kishte bërë gjithçka që kishte pasur në dorë për ta shpëtuar pulëbardhën.

Dhe ja tani ai e mësoi se ajo kishte rrahur flatrat dhe ishte larguar.

Ndihej i lumtur. Ishte një gjë shumë e bukur ta mendoje se pulëbardha tashmë ndodhej diku. E shëruar plotësisht. Dhe për këtë ai kishte dhënë ndihmesën e tij.

E vetmja gjë që iu duk e pakëndshme ishte se nuk kishte mundur të përshëndetej me pulëbardhën dhe t’i thoshte asaj mirupafshim.

Im vëlla duhet të ketë përjetuar ndjesinë se bota ishte e mirë. Se ishte e mundur të bëje diçka të bukur dhe se gjërat nganjëherë në vend që të përkeqësohen, përmirësohen.

Im vëllai ende beson se pulëbardha u shërua plotësisht.

Askush nuk ia ka thënë se çfarë ndodhi në të vërtetë.

Exit mobile version