Kreu Letërsi Bibliotekë Enver S. Morina: Rilexim i dy poezive të Rudolf Markut

Enver S. Morina: Rilexim i dy poezive të Rudolf Markut

“Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet”

Përkitazi për dy poezitë e Rudolf Markut “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet”. Poezia rrëfimtare semiotikë e titujve shpjegues. Portreti i Ovidit në të gjitha dimensionet e trashëguara apriori. Është ndryshku i shekujve apo lexuesi i lodhur që paralajmërojnë vdekjen e autorit?

Në dy faqe te “ExLibris” (12-13), numër 301, datë 14 shtator 2024 janë botuar 14 poezi të poetit Rudolf Marku, me mbititullin nxjerr nga titulli i një poezie “Kujtim i largët”. Dy poezi të shkrimtarit Rudolf Markut që i rilexoj me admirim janë “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet”. Dy poezi kushtuar poetëve, poetit romak Ovidit dhe vrasjes së poetëve. Portreti i poetit në gërshetim kohërash, hapësirash e personaliteteve. Fragmentariteti në copa imazhesh teorike, dekonstruksion filozofik i kontrasteve dhe i zgjatjes së hijeve të ekzistencës në kohë moderne…

Pikënisja për rilexim (thellësia e un-it poetik sentencial i tre zërave të poezisë)

Është eseja “Tre zërat e poezisë” shkruar dhe botuar rreth 70 vite më parë nga nobelisti Tomas S. Eliot (1888-1965) e cila më bëri presion të rilexoj dhe të shkruaj për dy poezi të autorit Rudolf Marku. Poeti dhe eseisti amerikano-anglez Tomas S. Eliot, në një nga esetë e njohura të Tij, shkruan kështu për tre zërat e poezisë: “Zëri i parë ai i poetit duke i folur vetvetes-apo askujt. I dyti është ai me të cilin poeti i drejtohet një auditoriumi, qoftë të madh apo të vogël. I treti (veçimi me të zeza- e.s.m.) është zëri i poetit kur ai përpiqet që të krijojë një personazh dramatik që flet në vargje, kur ai i thotë, jo atë që do të thoshte me individualitetin e vet, po vetëm atë që mund ta thotë brenda kufijve të një personazhi të imagjinuar që i drejtohet një personazhi tjetër të imagjinuar.” 1 Është kjo ese që më ndërlidh me poezinë e Rudolf Markut. Një analogji “rastësie”:

Zëri i parë: Autori Rudolf Marku i flet vetes përmes poetit Ovidi. Në poezinë e parë “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” rrëfimtar është guvernatori. Në të dytën “Si mund të vrasim një poet” epilogu i përbashkësisë së llojit krijues.

Zëri i dytë: Autori i drejtohet të tjerëve në poezinë e parë përmes guvernatorit dhe në të dytën përmes personazhit të përgjithshëm.

Zëri i tretë: Autori krijon personazhin real dhe të imagjinuar përmes monologut profetik në vargje që ngërthen një rimë të brendshme poetike, vijëzon motive të thella kuptimore në përmbajtje dhe një rimë plot ngjyrim simetrik në formë. Dije e pafund, un poetik me një diskurs rrëfimtar mesazhi i të cilët ka hyrë në thellësinë e un-it të poetit e që kulmon në sentencën “Poeti është  përkthyes imagjinatash në një botë të shurdhët.” Fisnikëri poetike me një dije enciklopedike në të gjitha detajet e motivet imëta të diskursit poetik. Degradimi i një qyteti?! Poeti a emigranti? Perandorët dhe diktatorët në kohërat reale kërkojnë shpërqendrim.

Guvernatori “antik” na këshillon (vdekja e lexuesit bashkë me “diktaturën”)

Zjarrmia e imagjinatës shpirtërore dhe fillimi i ngrohjes globale trupore?! Në detajet e nëntekstit të pashkruar ka zënë vend mesazhi poetik, uni i krijuesit të vargut. Antikiteti greko-romak është rikthyer në epokën moderne për t’i lënë vend humbëtirës. Tashmë nuk kërkohet të shkruhet sepse lexuesi vdiq bashkë me “diktaturën”!

Zinxhiri i kohëve ç’thurët përmes veprës dhe ndikimit. Shkrimtari argjentinas Jorge L. Borgesi përfaqëson dy anë të kundërta të botës poetike. Sikur krijon në fije të perit për të na bërë të dyshojmë në rileximin “tjetër”. Borgesi rrëfen në poezi dhe shpreh ndjenjat më poetike në tregim. Rekonstruksion mahnitës si vetëm Ai.

Rudolf Marku gjithashtu rrëfen në poezi. Ka ngjarje, ka subjekt, ka dialog e monolog, ka personazh. Rudolfi hyn në botën e Jorge-s, siç Jorge-ja vjen tek Rudolfi. Paktet dhe dakordimet e poeteve janë të pashmangshme. Të pakompromis. Fatmirësisht i vdekuri pyetet pamëshirë, i gjalli ndëshkohet nga “Tjetri”.

Mos e lexo! Blej veprat e Atij! Hiqe nga publiku dhe ndëshkoje me moslexim! Vidhe librin dhe fute në labirintin Tënd! Oh, mos e gjuaj në “Pazar”, në treg. Aty ringjallet nga gazetari. Nga lexuesi i shkretë që ka shkuar të shfletoj “bërllokun” e dhuratave!

Kam parë një bibliotekë familjare me qindra libra të paprekura. Të renditura rrjedhshëm. Për fotografi Facebook-u. Oh, sa të panumërta ishin! Libra të virgjëra në sirtarin e punuar mjeshtërisht! Disa nga ato libra ishin me buzë të fryra. Disa të tjera me fotografinë e Nëna Terezës dhuratë rrugëve të kryeqendrës. Ajo vajza në cep të rrugës shpërndan rrëmojsa për dhëmbë. Tjetri të ngjet në gjoks ftesën për në Galerinë e parfumeve.

Lexuesi vret autorin (muzeu tradicional arratisët tinëzisht një ditë me shi)

Të vrasësh një poet është punë e lehtë. Dhe tashmë është e zakonshme. Dhe më e bukura kur poetet vrasin veten në llumin “e shoqërisë pa shkollë”.

Prologu i Rudolfit me vrasjen e poetit. Epilogu me thirrjen e guvernatorit.

Poezisë së mirë nuk ke çka t’i heqësh, është “Arkitektura e zemrës së poetit” që nuk preket.  E skalitur në vargun e Rudolfit. Orakulli elektronik i Delfit është rikthyer në antikitet. E kërkon jo vetëm Shekspirin por edhe Ovidin. Të dy anonim. Njëri në Londër e tjetri në Konstancë.

Kur vizitova për herë të parë Frashërin, fshati ishte i vdekur. Kur i afrohem vite më pas sikur ringjallet frikshëm në tabelën orientuese dhe mallkon udhëtarin e rastit! “FRASHËR- Meka e Shqipërisë” dhe “Muzeu i Vëllezërve Frashëri”. Ky i fundit na është thënë se është arratisur nga fshati, tinëzisht, një ditë me shi, për tu strehuar në Përmet!

…Poeti Rudolf Marku sjell tek lexuesi një pamje lëvizëse, epikë kinematografike, e cila ngrin në çastin ikonik përmes tre vargjeve, njëri i thyer:

Burrat qeshin me të madhe dhe trishtohen njëherësh,

                                     duke parë nga njeri-tjetri,

Ndërsa gratë, ato më të bukurat, qajnë me dënesë

…Ovidi është i skalitur në Tomis?! Statuja e Tij gjendet në qytetin e vjetër të Konstancës së Rumanisë aty ku vdiq në vitin 17 a 18, rreth dy mijë e katër, pesë vjet më parë. Në qytetin e vjetër të Durrësit vite më parë ishte një statujë e këngëtarit të njohur te “The Beatles”-ve, Xhon Lenon. Sot Ovidin bota e lexon. Po ç’është parësore për rrëfimtarin Guvernator Province? Monologu i Guvernatorit për Ovidin është një klithje e autokritikë në kohëreale. Poeti dhunon veten. Lumi nuk shteron. Poeti duhet të ndaloj. Është “i paqetë në ujërat e Lumit të Vetëpërmbajtjes.”

“Lodhja” nga kontrastet analogjike (ndëshkimi i poetit me harresën e leximit)

Nga historia e letërsisë klasike latine mësojmë që Ovidi i takon periudhës së tretë të kësaj letërsie, atëherë kur zhdukët republika dhe vjen sundimi perandorak i Oktavian Augustit. Gjithashtu thuhet se “shkrimtari më i lexuar sa qe gjallë në Romë dhe në tërë perandorinë” që Ovidi i cili me rrëfimet për mitet greke e romake “i siguroi vetes vendin e tregimtarit më të madh në letërsinë romake.2

Poeti është dëbuar. Enigma “e një fjale jo korrekte” thënë nga Ovidi po e torturon me shekuj opinionin. Perandori që “strateg”. Diktatorët janë përherë. Dhe Ne presim të vij poeti, që ta ndëshkojmë me moslexim! Dhe festojmë! Një ditë udhëtimi për në Ishullin e Sazanit për të xhiruar portretin e shkrimtarit eremit, nuk do të këtë kuptim!

…Ah, këto kontrastet markeziane në fundin e udhëtimit të shkrimtarit latinoamerikan në Evropën Lindore sikur janë shkëndija e përngjasime të frikshme dhe mospërfillëse. 3 Regjimet totalitare përherë zgjohen në 100 vjetorin e tyre. Poeti Rudolf Marku prek zjarrminë e “political correctness”. Seç mu kujtua vizita e parë në Pukë me ideatorët dhe realizuesit e “Open Cinema” dhe rikthimi tek misioni i mësimdhënies, në kohë lufte, në vitet 1997 e 1998 në Ujëmirë. Përfytyrimi migjenian ishte i trishtë. Madhështia i takonte viteve 1936 e 1937 në qytezën e Veriut. Tregimi i Migjenit “Luli i vocërr” ishte botuar në fillim të vitit 1936 “kur Migjeni ende nuk kishte ardhur mësues në Pukë” 4 ndërsa “Zeneli” është botuar në fund të vitit 1938 pas vdekjes së Migjenit.

Antologjia e shkrimit hekzametër (dëbimi i poetit për të fshehur identitetin)

Njëri nga shokët më të cilin ishim në ligjëratat e Letërsisë në vitet e 80-ta, Hamit Beqiri vitin e kaluar më dërgon disa fotografi me bustin e Naimit në Bukuresht. Busti i poetit në një park i qetë. Në parkun qendror Herastran, në kryeqytetin rumun krahas shkrimtarëve të shquar Honore de Balzak, Shandor Petëfi, Mihal Eminesku etj. I vendosur në vitin 2006…

Sekretet e hekzametrit në poezinë e parë, ravijëzojnë mbizotërimin estetik në thënien citat “hekzametri është arkitekturë më e përsosur nga Olympi…” dhe si krahasim me arkitekturën “e zemrës së poetit.” “Metamorfozat” konsiderohet vepra më e madhe e Ovidit e cila është shkruar në hekzametër.

…Vitin e kaluar udhëtoja për në Tiranë. Si përherë, për herë të parë andej Drinëve. Një shofer kamioni me merr në rrugë. Fliste bukur shqip. Një të folme të pastër toskërisht, gërshetim tre kufijsh. Dhe vërtetë doli ashtu. Kishte qenë rumun. Jetonte në një qytezë në Greqi. Kishte mësuar gjuhën shqipe në limitet e hapësirës. Gjatë udhëtimit “të shkurtër” më shpjegoj etimologjinë e emrit të kryeqytetit rumun. “I bukur është”, – më tha. “Bukurështë”. Bukuresht. Analogjia me vargun poetik ka përngjasime, sikur vete udhëtimi. “Në cepin më të largët të Perandorisë” turma nuk e kupton gjuhën e poetit (në poezinë e parë), siç ndodh hakmarrja në vete, turma “flasin në gjuhë të pakuptueshme, pa gramatikë.”(në poezinë e dytë).

Dëbimi i poetit, akti i parë

Të mbetet anonim, akti i dytë

Kur rilexoj dy poezitë e Rudolfit… (antologjitë e munguara hyrje për ta kuptuar poezinë)

Kur nuk e kupton poezinë dhe përpiqesh të shkruash për të?! Kur lexuesit mungojnë dhe polemizojnë për një antologji “personale”, më tepër se për ato tradicionale?! Më të drejtë Eliot shkruan që “…poeti duhet patjetër të zhvillojë ose të pajiset me vetëdijen e së kaluarës dhe se ai duhet të vazhdojë ta zhvillojë këtë vetëdije gjatë tërë karrierës së tij.5

…“Tani mjaftë më!”, klith poeti, si lexues e përngjasim me autorin e monologut kadarean pranë statujës së Laokoontit. Megjithatë, dua ta them edhe këtë:

Kur rilexoj dy poezitë e Rudolfit “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet” mendja më vete te antologjitë e munguara të poeteve në “ujërat e Lumit të Vetëpërmbajtjes”…

Kur rilexoj dy poezitë e Rudolfit “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet” mendja më vete te udhëtimi i autostop me një rumun…

Kur rilexoj dy poezitë e Rudolfit “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet” mendja më vete te libri me ese të zgjedhura te T. S. Eliot…

Kur rilexoj dy poezitë e Rudolfit “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet” mendja më vete te dënimi i poetit përmes vargut përmbyllës: “nuk lexojmë më libra në Shekullin e Njëzet e Një!

…Nëse doni të dini më thellë për hapësirat më të skajshme të një Perandorie dhe konceptin e dëbimit, nëse doni të dini më tepër për Ovidin, Safon e Shekspirin dhe sekretet e hekzametrit, nëse doni të dini më kthjellët për Orakullin elektronik të Delfit dhe postmodernizmin e tempullit të zhveshur, nëse doni të dini më thjeshtë për konceptet-kode poetike, atëherë lexoni dy poezitë e Rudolf Markut “Ankesat e guvernatorit të parë të Tomisit për Ovidin” dhe “Si mund të vrasim një poet” të cilat mund t’i gjeni edhe në versionin on line te “ExLibris”-it. 6

Prishtinë, shtator-tetor 2024

1   Tomas S. Eliot “Ese të zgjedhura”, Rilindja, Prishtinë, 1982, faqe 74

2  “Historia e letërsisë botërore”, vëllimi 2, Rilindja, Prishtinë, 1985, faqe 269

3   G. G. Márquez “Udhëtim në Europën Lindore”, Onufri, Tiranë, 2016

4   Ali Hasani “Zeneli” dhe “Luli i vocërr”, gazeta “DITA”, nëntor 2017

5             Tomas S. Eliot “Tradita dhe talenti individual” te “Ese të zgjedhura”, faqe 17

6   Linku: https://exlibris.al/kujtim-i-larget-poezi-nga-rudolf-marku/

 

Exit mobile version