Kreu In memoriam Enver S. Morina: Me Rikardin përmes librit

Enver S. Morina: Me Rikardin përmes librit

Fragmentarizëm e të dhëna: Janë më dhjetëra monografi të botuara për personalitete të kinemasë dhe teatrit. Jo vetëm në formatin e albumeve të botuara nga AQSHF por edhe me autorësi. Miho Gjini i ka kushtuar monografi Mihal Popit e Naim Frashërit, Albert Zholi Reshat Arbanës, Kujtim Gjonajt e Luftar Pajës, Lec Shllaku Zef Jubanit e Loro Kovaçit, Josif Papagjoni Kadri Roshit e Dhimitër Anagnostit, Suzana Varvarica Faruk Bashës, Zenepe Luka Violeta Manushit etj. etj. 1) “Së fundi” përgatitur nga Marjeta Ljarja e Dashnor Kaloçi është botuar libri në kushtim të aktorit, regjizorit, skenaristit, piktorit e prozatorit Rikard Ljarja “Rikardi” në të cilin janë përmbledhur shkrime publicistike të autorit, intervista, shkrime për Rikardin përgjatë çerekshekulli (1994-2020). Botim “Onufri”. Viti 2022.

Vonë shumë vonë “u zgjova” që të intervistoj ikonën emblematike të aktrimit në vitet 60-ta e 70-ta të shekullit të kaluar! Por i kthehem një botimi “të hershëm” përmbledhës “Magjia e ekranit” 2), një vepër siç thotë autori Gani Mehmetaj “për nostalgjikët e kinemasë”, intervistës realizuar në vitin 1992 me aktorin Rikard Ljarja i cili ka thënë se “ëndrrat e aktorëve për interpretim janë të përjetshme”. Por, çerekshekulli më pas aktori nuk ka asnjë peng, e ka “harruar” interpretimin dhe po e përfundon me krijimin e rrëfimit në prozë përmes tregimit, novelës dhe romanit.

Në prologun “Parafjalë” të nënshkruar nga Rikardi, del koncepti i “të shkruarit letërsi” i cili “nuk ka shpjegim të saktë”, “Është mister. Është çudi.” Një qëndrim poetik borgesian. Autori ecën më tej, në një përcaktim të beftë, se “të shkruarit letërsi është një “sëmundje.”

Poetika për Atdheun dhe intervista e shkrimtarit me aktorin: Shkrimi i parë është përzgjedhur i vitit 1994 i shkruar nga Rikard Ljarja me titull “Pas rënies së komunizmit, në vendet e Lindjes, orthodoksia u thirr në skenë!” në të cilin autori shkruan për kombin, atdheun dhe traditën “e afërt”. Nga ironia në kod e “parim” dhe anasjelltas del fraza a fjala e urtë shqipe: “Për inat të sime vjehrre…” të cilën e përmend tetë herë në këtë shkrim.

Paragrafi për “kombësi myslimane” dhe Titon, seç më kthen në vitin 1981 kur bëhej regjistrimi i popullsisë në Kosovë. Përkatësia nacionale myslimane?! Dhe disa shqiptar, familje shqiptare në Kosovë janë shkruar vërtetë jugosllav!? Kulmi i këtij shkrimi në përfundim. Rikardi pyet se ç’është atdheu të shkruar në prozë, të cilën po “i kthej në vargje”, si një poetikë diksioni lexuar nga autori i dokumentarit “Rikard” 3) , aktori Mevlan Shanaj:

Ç’është atdheu?

Vërtetë ç’është atdheu?

A nuk jam unë atdheu,

gruaja dhe fëmijët,

oborri im,

toka ku kam mbjellë sivjet bostan e grurë,

a nuk është atdheu komshiu im,

lagjja,

fshati përkarshi,

ai lumi që s’pushon së rrjedhuri,

a nuk është atdheu gjuha që flasim,

këngë që u këndojmë e vaji,

e gjama,

a nuk është atdheu varret e gjyshërve e stërgjyshërve,

a nuk është atdhe gjithçka në këtë tokë e mbi këtë tokë

deri tek flamuri?

Sigurisht që ky është atdheu.

Një piramidë që fillon tek unë e mbaron tek flamuri.

Po për shumëkënd,

ndoshta për shkaqe të kota,

ndoshta edhe madhore,

nga komplekse të ngatërruara psikologjike,

pronësie,

grindje,

xhelozie,

inferioriteti,

karakteri…

Lind pyetja: O atdhe, po të mbroj, po ti ç’po bën për mua?

Dhe në qoftë se kjo pyetje s’merr përgjigje ashtu si është ndërtuar në kokën e atij që pyet…

Atëherë për inat të sime vjehrre…

ngre kokën dhe pështy përpjetë.

Vjen pastaj një intervistë e rrallë dhe nga më të rëndësishme e realizuar nga shkrimtari Fatos Kongoli e vitit 1996. Bashkëbisedojnë për filmin, kinematografinë, bashkëprodhimin dhe të tjera tema: “…prodhimi kinematografik është i lidhur ngushtësisht me industrinë…” (faqe 20). “Bashkëprodhimi është mënyra kryesore e prodhimit të filmit në botë.” (22). “… mendoj se i ka kaluar koha e eksperimentit.” (23). “… të keqen më të madhe teatri ynë e ka te mungesat e dramaturgjisë kombëtare.” (23), “Roli i shtetit ka rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm në subvencionimin e artit, por edhe në orientimin drejt vlerave të mirëfillta kombëtare. Sepse në fund të fundit paret e shtetit janë paret e mia e të tuat dhe s’duhet të guxojë askush të tallet me to.” (23)

Kinostudioja “shtet në miniaturë” dhe “Shkodra e bekueme”: Mesazhet e Rikardit janë të qarta. Nuk kanë ekuivoke, janë të drejtpërdrejta. Kinostudioja? Për Rikardin Kinostudioja ishte një “minishtet” a “shtet në miniaturë” sepse të 700 punonjësit “të gjithë kanë qenë miq të mirë me njëri tjetrin.” dhe se janë krijuar edhe “vepra të padiskutueshme”.

Portreti i Marash Hajatit për artistin, për “interpretimin e heshtjes”. Kështu e portretizon aktorin: “Me botën e tij të brendshme në rrugën e filmit shqiptar, më shumë se asgjë, ka interpretuar heshtjen. Po, po, heshtjen. Heshtjen me atë psikologjinë e qëndrimit befasues përballë partnerit, përballë episodit, përballë shikuesit.”(43)

Publicisti Fatos Baxhaku shkruan për romanin e Rikardit një shkrim eseistik. Portret. Për madhështinë e thjeshtësisë, Ndrek Lucën. Një shkrim i thjeshtë për madhështinë. Një portret në perfeksion. Dhuntia e një artisti. Njohja: tek vitrina e fotografit Jakova e një oficeri. Ky shkrim “do të hyjë” në librin e Gjergj Lucës për babanë dhe do marr emrin edhe libri. 4)

Intervistë e Rikardit nga Dashnor Kaloçi (2005). Roli i parë në film në moshën 23 vjeçare. Në rolin kryesor atë të Dritan Shkabës (mësuesi Ndrec Ndue Gjoka) në filmin “Komisari i Dritës. “Atë rol e fitova me kinoprovë, mes 15 konkurruesve…”, thotë aktori.

“Shkodra e bekueme” është siç thotë autori “Një profil i vogël i qytetit tim”, një shkrim i gjatë, nga më të gjatët në këtë libër. Historia e civilizimit të Shkodrës nga mitologjia e legjenda e Rozafatit deri tek modernia. I shkruar në gegnisht. Ka edhe koncepte epike në pafundësi si “Shqiptari kërkon të jetë i lirë, i lirë deri në absurd.” (76).

Vetëcensura e munguar dhe titulli: Si një gërshetim zhanresh në libër herë pas here “ndërhyjnë” autorë në kushtim të aktorit. Ela Baçi shkruan se “prej kohësh ai njihet si ikona e filmit shqiptar, ndërsa për të tjerët që do të vijnë më pas përherë do të bëhet shëmbëlltyra e aktorit që theu, skematizmin dhe revolucionarizoi konceptin e aktrimit, duke i dhënë një dimension të ri ekranit dhe kinematografisë shqiptare të viteve ’70.” … “Gjuha e shpirtit të tij nuk ka kode sekrete, gjuha e syve nuk e ka tradhtuar kurrë dhe ai, di të flasë veç me to, dhe di të mbështetet tek ato kode që kanë konservuar virtytin dhe që të gjenerojnë energjinë për të kërkuar vlerën e vërtetë që jetës që jetojmë.” 5)

Shkrimi i Rikardit për filmin dokumentar te Pluton Vasit, në veten e parë është një përshkrim mbresëlënës. Më tej shkrimi kronologjik me kujtime, një ese, shkrim portret i Arjan Konomit me kapituj “Pasioni i të shkruarit”, “Nga Teatri te Kinemaja”, “Si regjisor” dhe “Familja”. “Interpretimet e tij (te Rikard Ljarjës-vër. e.s.m.) jo vetëm do të linin gjurmë te shqiptarët duke e kthyer atë në një “mit” të kohës, por do të ndihmonin edhe në shkëputjen e teatralitetit nga kinemaja.”, mendon Arjan Konomi, pasi sipas tij “filmi shqiptar në vitet e para të tij ka qenë shumë teatral.”

Digresioni dhe gërshetimi i një “gjykimi” nëpër kohë në heshtjen e frikshme dhe pritshmërinë vlerësuese për filmin “Rrugë të bardha” ç’thuret si mesazh pas përmbysjes së metodës së realizmit socialist dhe “ndëshkimit” të autokritikës tek skena “e gozhdimit” në shtyllën e drunjtë të personazhit real e kryesor, Pjetër Llesh Dedës. Vetgozhdimi?! Proces gjyqësor në mungesë. Vetëkritikë e institucionalistëve të kohës. Kush ka qenë ministër i kulturës?! Kush e lejoj këtë film të shfaqet?! Këtë skenë? Përgjigje të cilat erdhën vonë por që shikuesi e paska ndjerë!

Një udhëtim dhe një shkrim plot nostalgji e përkushtim “Gjirokastër, më kish marr malli për ty…”. Derisa historia e Shkodrës është shkruar me nota gegnishte, shkrimi për Gjirokastrën është shkruar toskërisht. (102-109)

Titulli i shkrimit, i thënies, i librit “Rikard: Nuk kam asnjë peng” na shfaqet në faqe 114. Studiuesja Alda Bardhyli me dy shkrime eseistike të njëpasnjëshme. Ajo thotë se “Larja ashtu si me çdo gjë tjetër e lidh shkrimin me të vërtetën. Asnjë imagjinatë nuk mund të tejkaloj të vërtetën” dhe se “Skenarët në njëfarë mënyre janë një lloj letërsie.”

Letërsia, skenari dhe pështyma: Pas intervistës me Skënder Minxhozin (2012) botohet intervista me Arta Markun realizuar në fillim të vitit 2016, me gjasë intervista e fundit me aktorin! Rrëfimi për Heminguejin, rrëfimi për betimin në gur, rrëfimi për Shkodrën, për heronjtë në dialog në “Bibliotekë”. “Të bësh skenar është si të bësh një libër të vërtetë. Ka edhe skenari karaktere, personazhe, atmosferë, marrëdhënie etj., etj., pra letërsi. Por është letërsi e veçantë. Është letërsi që duhet parë, që flet me figurë.”, thotë Rikardi. Raportet mes zhanreve kryesore në gërshetim sipas aktorit “ka një lidhje të fuqishme mes letërsisë dhe kinemasë, të dyja kanë huazuar nga njëra-tjetra.” Dhe qëndrimet e artistit për kombin: “… shqiptarët janë të besës deri në fund kur janë të besës dhe janë të pabesë deri në fund kur janë të pabesë. Në fakt kjo është një kontradiktë, por e kemi brenda. Të marrësh historinë e kombit tonë, ke të pabesë të llahtarshëm, por ke edhe të besës të jashtëzakonshëm.”

Shkrimi i dytë për dokumentarin e Pluton Vasit është një ese e thellë në strukturë e përmbajtje “Ku i kam eshtrat…”. Autori arrin të thotë të vërtetën dhe realitetin e hidhur me një gjuhë të antitezës për çka kemi “të drejtë të fshehim krimin dhe kriminelin. Kemi të drejtë të vrasim vëllain për dy gisht tokë. Kemi të drejtë të përdhunojmë në mënyrë kolektive vajzën e komshiut. Kemi të drejtë që të mbledhim e të shesim kanabis. Kemi të drejtë që motrat tona të kopjojnë njëfarë Kimi. Kemi të drejtë të marrim identitetin një të panjohuri…” si përfundim “kemi të drejtë për gjithçka, përveç, të bëjmë drejtësi.”

Një ese ironike semiotike dhe morfologjia fonetike e të pështyrit te “Ejani të pështyjmë”:

A, se mu kujtua.

Po Zotit Ibrahim… e… nuk do ja fusim?

Patjetër.

“Paqësori”…ha, ha, ha… Pamvarsiaku…

Me shumicë nga të gjitha krahët. Pështymë me një fjalë.

Cilët krah?

I dini ju, i dini, mos u shtirni…” 6)

Spektatori i shenjtëruar dhe “ndyrja” e Nobelit nga Handke: “Skena është e shenjtë”, kanë thënë profesorët. Shenjtëria e teatrit?! Rrëfim i sakrificës së papërsëritshme! Këto ditë nderohet Dita e Teatrit. A ka çast më sublim se sa në DitëZie të vdekjes së Nënës, të vdekjes së Vajzës dhe vdekjes së Djalit aktorët, i pari Çun Lajçi, i dyti Pistol Soja dhe i treti Prenk Lëkunda të mos largohen nga atmosfera që ndërton teatri por të paraqitën në skenë, për spektatorin e shenjtëruar. Rrëfim si në mitologji. Si në legjenda.

Fillimqershor 2018. Dy shkrime kronikë ditore nga promovimi i romanit “Josifopedia” nga Valeria Dedaj dhe Alma Mile. 7) Dhe më tej dy shkrime kushtim si homazh për Kiço Blushin (f. 159, 20 shkurt 2019) dhe për Fatos Baxhakun (f. 161, 24 gusht 2019). 8)

Gjatë takimit të fillimqershorit në UET me Fatos Baxhakun peng më mbeti përgjithnjë takimi dhe bashkëbisedimi më tej më të!

Me një finesë të përkryer për ta njohur dilemën e çmimit për një shkrimtar siç është Peter Handke dhe Nobeli për Letërsi autori, tashmë një personalitet i letrave, shkruan kritikë për gjermanishtfolësin-shkrues: “Ky njeri, kontrovers, Peter Handke, është i vetëdijshëm. E arriti atë që donte. U bë figura më e ndyrë e letërsisë së përbotshme dhe reklama që po i bëhet i mjafton. Me siguri zgërdhihet e u nxjerr gjuhën të gjithëve meqë ua hodhi.”

Një intervistë e gjatë me të dhëna vjen nga miku i hershëm i aktorit, nga Zaimir Mati. Një udhëtim artistik, siç thotë Fatmira Nikolli nga vitet 50-60 të shekullit XX te ceremonia a takimi letrar në kushtim aktorit, regjizorit, skenaristit e shkrimtarit Rikard Ljarja realizuar në Paris në nëntor të vitit 2019. “Faqet e librave të Rikardit janë si skenarë imazhesh të filmave të pa realizuara por që të mbushin me dëshirën e të parit në celuloidin e filmave që do të realizohen.”, thotë Zaimir Mati.

Edhe pse me një rezolucion të dobët vjen një fotografi e panjohur gjatë xhirimeve të filmit “Skëterrë ‘43” (Rikardi, skenaristi Bashkim Shehu dhe kompozitori Zef Çoba) me një shënim për ditëlindje botuar për herë të parë nga Dashnor Kaloçi, vetëm pak ditë para se të shuhet aktori i njohur Rikard Ljarja.

Triptiku i Rikardit?! “Arnaut Osmani, Frederik Engels dhe Sigmund Freud”. Ben Andoni këtë e quan gërshetim që ngërthen letërsi dokumentare , ese dhe studim. Është sintezë. Është trajtesë.

Tregimi biblik i parë mbi krijimin: Shtatë ditët e zanafillës hyjnore

Vrasja e vetëvrasja në Lurë në vitin 1983: “Do u baj dam n’ma t’mirin.”

Rapsodia “Tre shokët e Jutbinës”: Arratisja nga burgu dhe mbijetesa (pas vdekjes)

Këtë shkrim e lexova me një frymë. Eposi i kreshnikëve rilexohet. E kaluara duke u rilexuar ndryshohet.

Në shtojcën 40 faqëshe në fund gjenden edhe fotografi nga rolet kryesore të Rikardit, nga pllakatet e filmave si aktor apo regjisor, ballinat e librave që ka botuar, disa nga pikturat e tij dhe Rikardi me familjen.

Mars 2024, Prishtinë

1  Disa nga botimet monografi: Miho Gjini “Mihal Popi”, Botimet Enciklopedike, Tiranë, 1997; Miho Gjini “Naim Frashëri”(Pasardhësi i Moisiut), Dituria, Tiranë, 1998; Josif Papagjoni “Kadri Roshi, njeriu që preku lavdinë”, Toena, Tiranë, 2001; Lec Shllaku “Loro Kovaçi” (1903-1966), “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2002; Flori Slatina “Pranvera e Vangjushit”, Orana, Tiranë, 2003; Loro Sata “Legjendat nuk vdesin” (Lukë Kaçaj), PEGI, Tiranë, 2007; Zenepe Luka Violeta Manushi, kryezonja e skenës, Triptik, Tiranë, 2007; Albert Z. Zholi “Luftar Paja”, Toena, Tiranë, 2009; Gjovalin Çuni-Gjovalin Gjoka “Pjetër Gjoka 52 vjet në skenë”, Geer, Tiranë, 2009; Gjergj Luca “Madhështia e thjeshtësisë”, “Marin Barleti”, Tiranë, 2010; Liri Brahimi “Unë dhe filmi”, Toena, Tiranë, 2010; Petrit Ruka “Kadri Roshi kalorësi mbi det”, Tiranë, 2011; Roberta Mone (Ndokaj) “Skënder Selimi, dritëhijet e artisti”, Botimet Toena, Tiranë 2012; Andon Qesari “Unë, ti dhe teatri”, AQSHF, Tiranë, 2012; Muharrem Fejzo “Të pathënat”, “Botimet Barleti”, Tiranë, 2015; Albert Z. Zholi “Kujtim Gjonaj dhe magjia e filmit”, Bota Shqiptare”, Tiranë, 2016; Albert Z. Zholi “Reshat Arbana, Artist i Popullit” (Monografi), Shtëpia Botuese “Morava”, Tiranë, 2017; Suzana Varvarica Kuka “Faruk Basha, rrugëtim drejt ëndrrës”, Tiranë, 2020; Anila Mema “Tinka Kurti, ditari i një bashkëshorti”, Tiranë, 2021; Josif Papagjoni “Dhimitër Anagnosti”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2022; Ester Gjika “Film pas filmi, unë e bija e”…”, Botimet Toena, 2023; etj. dhe “Duke biseduar me Drita Pelingun”, AQSHF, Tiranë, 2013, etj dhe “Jeta Xhano” (kujtime dhe mbresa të aktorëve të vegjël në filmat e regjisores Xhanfise Keko), Tiranë, 2012; “13 muaj kineast Viktor Stratobërdha”, AQSHF, Tiranë, 2010; “Vath Koresha, profil në dy pamje” (Zgjodhi dhe përgatit: Petrit Palushi), Mësonjëtorja”, Tiranë, 2005…

2.  Gani Mehmetaj “Magjia e ekranit”, Kosovafilmi, Prishtinë, 2005

3 . Filmi dokumentar “Rikard, përcjellja e fundit”, regjisor: Mevlan Shanaj, Skenari: Natasha Lako, kompozitor: Genti Rrushi, 2023

4.  Gjergj Luca “Madhështia e thjeshtësisë”, “Marin Barleti”, Tiranë, 2010

5.  Ela Baçi në “Albanica”, 20 prill 2008. Ishte periudhë kur kisha arritur të intervista shumë kineastë, disa prej të cilëve nuk i botoja dot! Faqe 93. Ela kërkon intervistë. “… ai nuk tregon asnjë lloj interesi kur i kërkon një intervistë apo kur dëshiron ti bësh një portret.” Dhe kështu më ndodhi edhe mua në vitin qershor të vitit 2018 gjatë takimit me aktorin Rikard Ljarja, kur edhe më dhuroi romanin “Josifopedia”.

6.  Në nëntor të vitit 1993, në stacionin policor në Klinë, 16 veta shumica profesor, pështymë dhunshëm nën kërcënimin e egër policor serb në fotografinë e Ibrahim Rugovës! Dikush më shumë e dikush më pak kishte dhembje! Ndoshta të gjithë! Ishte një nga çastet për të cilat vite më pas disa turpëroheshin e ca të tjerë edhe krenoheshin!

7.  Udhëtuarkam nga Prishtina për në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës. Për të takuar aktorin. U përshëndetëm me Fatos Baxhakun, skenaristin e ciklit të filmave dokumentar “Sytë e lumit”. Takova për herë të parë shkrimtarin Bashkim Shehu. E pyeta për pritjen e botimit nga “Pika pa sipërfaqe” të  tregimeve të Jorge Luis Borges. Më tha që i kam përkthyer dhe tashmë “së shpejti do të dalin, punën time e kam kryer.” Po më e rëndësishmja ishin pranë njëri tjetrit dy autorët e filmit të vitit xhiruar në vitin 1980 dhënë premierë në mars 1981 “Skëterrë ‘43” regjizori Rikard Ljarja dhe skenaristi Bashkim Shehu!

8.  Parantezë nga “Rikardi, nuk kam asnjë peng”, Onufri, Tiranë, faqe 163:

U hap dera dhe vura re se i ngjite ato dy shkallë me zor. “Pse qenka kaq i lodhur”, thashë më vete. Pastaj filloj një ceremoni e vogël për promovimin e një libri timin (se mbasi mbarova me kinemanë, kam filluar të shkruaj meqë s’bëj dot film më).

Pas pak po e kërkoja me sy se ku ishte futur, po nuk e pashë.

Ishte hera e fundit që e shikoja.

Më vonë mora vesh se ishte sëmurë dhe erdhi.

Kaq sëmurë ishte sa nuk arriti të qëndrojë deri në fund, e megjithatë erdhi.

Exit mobile version