Për romanin “Shpikja e Morelit” të Adolfo Bioy Casares
Fantazia dhe dytësimi ka një paradigmë origjinale në veprën e Casares, jo vetëm si realitet por edhe si konvencion magjik. Projeksioni i rrëfyesit a projekti i Morelit në pavdekësinë e shpikësit ka një afinitet që të ndërtohet tërë ingranazhi për kapjen e të arratisurit a perfeksioni teknologjik i pushtetit?! Një utopi brenda një instalacioni vicioz ku jeta në një ishull mund t’i përkasë tërë njerëzimit, planetit.
Në kapërcyell të shekullit XVII e XVIII pas një aksidenti të anijes, shpëtimtari i vetëm Robinson Kruzo u gjend në një ishull të pabanuar. Është shkrimtari Daniel Defo që në veprën e tij e përjetësoj këtë aventurë të heroit si një nga ngjarjet më të vlefshme të krijimit të prozës, prandaj të dhënat thonë që romani “Robinson Kruzo” konsiderohet një ndër veprat më të përkthyera në të gjithë botën. Rreth dyqind e njëzet vjet më pas është shkrimtari argjentinas Adolfo Bioy Casares që na sjell një hero tjetër në ishull, rrrëfimtarin e arratisur nga burgu i dënuar me vdekje. Autori përmes rrëfimtarit duke i bërë një biografi të vetes po i drejtohet zonave, jo vetëm të paprekura, domëthënë origjinale, por edhe të panjohura në diskursin letrar.
Një kronologji në gjuhën shqipe për shkrimtarin Casares, në gërshetim edhe me Borges-in
Në vitin 1940, në moshën 26 vjeçare, Casares boton romanin “Shpikja e Morelit”, të cilit parathënien e shkroi Borges. E jashtëzakonshme apriori. Dy shkrimtarë argjentinas të cilët do bashkëpunojnë më tej në linja të rralla të krijimtarisë letrare! Bashkëautor edhe në tregime! Tre “takime” veçojmë të botuara në shqip për krijimtarinë e Casares si prolog, si përgatitje për të lexuar romanin “Shpikja e Morelit”, përkthyer nga origjinali nga Erion Karabolli.
Për herë të parë në gjuhën shqipe me Casares njihem në vitin 2000 përmes botimit të librit me poezi dhe me disa shkrime shtojcë “Poezi” te Borhes, përgatitur e përkthyer nga Anton Papleka. Portreti i Bioy Casares, dy-tre fjali për përmbajtjen e romanit dhe ndikimin e shkrimtarit, një ishull dhe një shpikës, përmes dy përgjigjeve të Borges-it të pyetjeve “Kur keni filluar të punoni me Bioy Casares?” dhe “Por ju keni shkruar bashkë me Casares-in?”, e thotë edhe këtë:“Jam i lumtur dhe krenar që kam bërë një parathënie për librin e tij të parë me vlera: “Shpikja e Morelit” 1)
Më pas në vitin 2002, në “Antologji e tregimit hiaspanoamerikan te shekullit XX” hasim prozatorin Adolfo Bioi Kasares që së bashku me Borhes, Kortasar, Benedetti ishte i dyti pas Borhes me shtatë tregime. Ndoshta, është hera e parë që në shqip kemi këtë shkrimtar argjentinas me tregime (?). Përshkrime reale me sensin e një të papriture të mbyllur për t’u zgjidhur nga lexuesi. Në Parathënie shkruhet më së gjati për Casares. Gjithashtu në fund të kësaj antologjie kemi edhe të dhëna bibliografike të shkurtëra. 2)
Në vitin 2005 “Bota Shqiptare” në përkthim te Agim Doksanit boton antologjinë e tregimeve policore (15 tregime) të përgatitur nga autorët Jorge Luis Borges e Adolfo Bioy Casares. Gjithashtu në këtë antologji hyn edhe tregimi “Dymbëdhjetë shenjat e botës” bashkëpunim jo i vetëm i Borges-Casares me pseudonimin H. Bustos Domecq.
Në Parathënie Borhes flet për romanet, kënaqësinë e aventurave dhe ngurtësinë e tyre, për shekullin e epërsive të intrigave, për veprat e imagjinatës së arsyes, përmend Stivensonin, Hose Ortega i Gaset, Marsel Prustin, Çestertoni, De Kuinsi, Kafka, Balzaku, Shekspiri, Servantesi, Adolfo Bio Kasares, Shën Agustini, Origjeni, Louis Augste Blanqui, Dante Gabriel Roseti, Santiago Daboves, për rusët dhe dishepujt e rusëve, për lirinë totale si kaos total, për fiksionet e llojit policor e të tjera duke shprehur admirim në mesin e veprës së James-it, Kafka-s e Green-it se “Asnjë epokë tjetër nuk zotëron romane me subjekte aq të admirueshme sa The turn of the crew, Der Prozess, Voyageur sur la terre, apo kjo novelë që ka arritur të shkruajë, në Buenos Aires, Adolfo Bioi Kasares.” 3)
Nga realiteti imagjinar tek bindja e lexuesit
Që në faqen e parë të romanit “Shpikja e Morelit” rrëfimtari lë dëshmi me shkrim, shënime për “mrekullinë e pafavorshme” dhe bënë paralajmërimin e mbijetuesit për veprën e ardhshme! Përmes lidhëzes dëshirore do të shkruaj dhe vërtetoj, tërë mesazhin që mund të këtë një vepër, një njeri në çastin e përvojës fluturake. “… do të sulmoj gjurmuesit e pyjeve dhe të shktretëtirave; do të vërtetoj se bota është kthyer në një ferr të gjithmbarshëm për të përndjekurit, falë përsosjes së sistemit policor, të arkivave, të gazetarisë, të radiotelefonisë dhe të doganave, qëë bëjnë të pakorrigjueshëm çdo gabim të drejtësisë.” (13)
Rrëfimtari është i kujdesshëm deri në “ekstremin” e fundit, shndrrimin në testament të shënimeve duke cituar “përsosmërinë këmbëngulëse” (Ostinato rigore) te Leonardo da Vinçit. Përherë në imagjinatën e krijuesit ndërtohen diskurse dilematike, siç ndodh në muze me bibliotekën e cila është “e pashtershme” dhe “e mangët”. Fiksionet faktike gërshëtojnë pafundësinë e përjashtimit të një libri a të veprave të pafundme.
Një nga mendimet filozofike i panjohur për një lexues të mangët vjen këtu si një perlë e pafundme thellësie qenësore. Një gërshetim hyjnor i prekshëm i vetëdijes dhe njeriut që autori e fut tërë paragrafin në kllapa. “(Unë besoj se ne e humbasim pavdekësinë, ngase rezistenca jonë ndaj vdekjes nuk ka evoluar; përçapjet dhe hulumtimet tona vazhdojnë të këmbëngulin tek ideja filelstare, rudimentare: ta mbajmë gjallë të tërë trupin. Duhet të kërkojmë të ruajmë vetëm atë çka i intereson vetëdijes.)” (19)
Në faqe 23 e 24 kemi un-in e krijuesit, studim i shkrimtarit, krijimin e një vepre dhe elementet kyçe për të dëshmuar më vërtetësi e gjithë ekzistencën. Është triptiku i brendshëm shpirtëror tek besimi në ndjesinë e mbështetjes, siç i përcakton “tek miqtë, tek e dashura dhe tek gjaku i vet.”
Metamorfozat në vete e bëjnë heroin edhe më inteligjentë në njohjen e domosdoshëm të drejtësisë, pasojave të dënimit, rëndësinë e mbrojtjes dhe arritjen e lirisë. “Ata që vendosin dënimin tonë, që na diktojnë kohën e dënimit, gjithashtu na detyrojnë të gjejmë një mbrojtje për t’u mbërthyer marrëzisht pas lirisë.” (25)
Projekti i rrëfimtarit ishte një improvizim i kujdesshëm. Këtu fillon ndërthurja e elementeve të dëshirës me fantastikën. Gjatë bisedës mes ciganes gjigande me sy të mëdhenj dhe mjekroshit shtatlart fytyrzbehtë që rrëfyesi përgjon për afrinë me femrën mësojmë emrat e personazheve, siç i mëson edhe rrëfyesi: Faustina dhe Moreli.
Detaji në imtësinë e nënvetëdijes dhe realiteti me përshkrimin e fantazisë së ishullit janë dy elemente mbizotëruese deri tani të veprimit. Shkrimtari tjetër argjentinas Ernesto Sabato në esenë “Pyetje paraprake” thotë se “vepra e artit kurrë nuk është një soditje e thjeshtë: është një veprim që kryhet midis unit tonë dhe botës, një veprim që ndryshon botën dhe unin. E njëjta gjë ndodh me leximin.” 4) Lexuesi bashkëdyzohet me rrëfimtarin në detajet e ndihmësin e leximit, një lidhje kjo e rrallë në diskursin e krijimit të rrëfimit. “… t’i ndihmojë lexuesit e këtij ditari… (56) dhe … lexuesit e mi… t’u vënë datë këtyre faqeve. (56) Shkrimtari (autori) a duhet të jetë në nivelin e rrëfimtarit, kur dihet se rrëfimtari mund të jetë vrasës a keqbërës a mbi të gjitha si tek “Shpikja e Morelit” i burgosur, i arratisur?!
“Transkriptuar nga kujtesa…” dhe dekonstruksioni letrar i fusnotës
Rrjedha e ngjarjes në vetmi përshkohet me një dramë në vete, e cila tashmë ka marrëdhënien e rrëfimtarit me Faustinën. Lind vëzhguesi hipotetik si mbështetje e rrëfyesit. “I arratisuri” dhe “fuqia e tmerrshme e drejtësisë” janë dy elementetet paralajmëruese dhe “kurthe” në vete që edhe ne si lexues duhet patur kujdes për vendosjen e admirimit dhe refuzimit të veprimit. Ideja dhe materia, fantazia dhe ekzistenca, utopia dhe destopia sikur janë në përballje për të kuptuar të vërtetën deri në fund.
Derisa realiteti ka marr udhë, rrëfyesi i ka shprehur dashurinë Faustinës, autori përshkruan jo vetëm fantazmën e një libri por edhe identitetin e jashtëm të librit pas krahasimit. “…nuk ishin dy kopje të të njëjtit libër, por e njëjta kopje dy herë…”! (67)
Natyrshmëria, bësnikëria e një transkriptimi varet nga faji i talentit ose i kujtesës. “Zakonet tona nënkuptojnë një mënyrë të caktuar të rrjedhjes së gjërave, një koherencë të paqartë të botës.” (69)
Fusnotat vijnë e bëhen tekst, një ndërlidhje mes librit ditarit dhe shtëpisë botuese, botuesit. Nuk ka asgjë fantastike. Botuesi apriori hy në vepër. Vërtetësia dhe dëshmia është fusnota në faqe 70: “Për të qenë më e qartë, na u duk të fusnim brenda thonjëzave atë çka qe shkruar me makinë shtypi në ato faqe; pjesët jashtë thonjëzave janë shënime plotësuese në anë të faqeve, të shkruara me laps dhe me të njëjtin shkrim dore që është shkruar pjesa e ditarit. (Shënim i botuesit)” Përmes fusnotës shpjeguese të shënimeve të botuesit, që tashmë 85 vite pas botimit, vjen e bëhet teoria dhe filozofia parësore e tërë dëshifrimit të këtij romani. 5)
Abuzimi përmes fotografimit pa leje, shpikja e fundit e Morelit, aktet e regjistruara, jeta njëjavore në skenë dhe përballë audiencës janë një tjetër përputhshmëri e qenies së rrëfyesit në raport me fjalimin e Morelit, është një diskurs i përafrimit dhe gërshëtimit unik.
“Të mendoj për shpikjet” dhe planet “ta bësh një grua të bjerë në dashuri sesa të fabrikosh qiej…” (72) vijnë e bëhen dy çështjet thelbësore të Morelit. Përputhshmëria e qenies së rrëfyesit në raport me fjalimin e Morelit është një konstruksion i përafrimit dhe gërshëtimit unik. Planet e bindjes dhe rrëmbimit përkojnë me rrëfuesin “e fshehur”, spektatorin hije a më vet heroin, kryepersonazhin hije si i përhershëm “rrëfimtar origjinal”? Nëse rrefimtari që nga fillimi përballet me stilin letrar të njeriut të shkencës edhe Ne lexuesit përhumbim në ingranazhin e një force krijuese fiktive për të na thënë autori “le ta gjykojë vet lexuesi”, në katër, pesë faqet pasuese në thonjëza për përgjigje. Fusnota në rënditjen 5 konsideroj që është kyçe në ndërlidhjen në mes te lexuesit, shpikjes së Morelit dhe romanit.
E gjithë shpikja e Morelit është përvojë shkencore dhe parathënje paralajmëruese e cila në epoken moderne tashmë është e besuar si projeksion dhe sinkronizim. Riprodhimet, eksperimentimet për imazhet e jetës së gjallë kanë “firmen” e shpikjes së Morelit i cili tashmë ka hyrë në libër më ligjëratën e tij për të na bërë ne lexuesve të besojmë. Moreli ka shpjeguar tërë historinë e tij dhe të ishullit. Kishte blerë ishullin. Në të kishte ndërtuar muzeum, kishën dhe pishinën.
Një nga “fragmentet”, pjesët më të thekta dhe “përfundimtare” është kur flet për imazhet dhe shkrimin e “këtij” ditari. Nëse imazhet nuk jetojn atëherë “përgjimi” në mes vetave do të jetë i plotë me aparatin tjetër të ri “si një alfabet më të cilin imazhi do të vazhdojë të kuptojë gjithçka…” (87) “Jeta do të jetë një depo e vdekjes”, a s’është ky kalimi i tërë ingranazheve të veprimit njerëzor dhe rrëfimit te Casares!
Elozh për Maltusin dhe mizoria e agonisë së rrëfyesit
Që në fillim të romanit autori përmes rrëfimtarit, të arratisurit premton se “nëse gjatë këtyre ditëve nuk mbytem, apo nuk vritem në përpjekje për t’ia mbathur, shpresoj të shkruaj Mbrojtja përballë të mbijetuarve dhe Elozh për Maltusin. Sipas Enciklopedisë së Përgjithshme të Oksfordit (botim shqip i vitit 2006) Thomas Robert Malthus (1766-1834) është ekonomist dhe klerik i njohur për teorinë, si kundër është parashtruar në Essay on Population (1798), sipas së cilës ritmet e rritjes së popullsisë pritën të jenë në shpërpjestim me rritjen e mjeteve të jetesës, masat për të mbajtur nën fre rritjen e popullisës janë, për këtë arsye, të domosdoshme për të parandaluar katastrofën. 6) Rrëfimtari do të flas për predikimet dhe praktikimin e doktrinës së Maltusit për të mbrojtur banorët vendin e tyre, për rrëziqet që në profecitë e harruara të Maltusit kanosin ishullin, tokën dhe njerëzit dhe në fund edhe për vënien kujdes këshillave të Maltusit.
Vizioni a përfytyrimi i imazhit bëhet lënda e plotë e gjithë rrëfimit për jetën në ishull dhe shpikjen e Morelit. Rrëfimtari e ka vendosur veten në këtë përfytyrim, pavarësisht ndëshkimit për të cilin askush nuk flet. Dashuria për Faustinën përveç që është jetike është edhe imazh ekzistencial për të cilin ajo duhet të bind tjetrin. Rrëfimtari dhe Faustina, dashuria dhe imazhi, ekzistenca dhe e ardhmja tashmë bëhen çaste kyçe në përfundimin e një rrëfimi si imazh në faqet e fundit. Dilemat e rrëfimtarit kanë paralajmërimin që në fillim por që tashmë janë lodhur. Drama e mbijetësës autoriale në përshkrimin e veprimit dhe shkrimit të ditarit është “në fund”. Krahasimi analogjik i fatit të kapitenit japonez me letrën dhe ditarin e rrëfyesit është i trishtë! Paralajmërues? Të lexojmë romanin! Gabimet dhe paqartësia e rrëfimtarit zvogëlon hendekun mes saktësisë ideale dhe rrëfimit. Raporti është në përfundim si vet jeta e rrëfimtarit. Fundi është i ngjeshur, si një testament për imazhin e vetes në raport me personazhet, në marrëdhënie me Faustinën dhe në përballje me lexuesin. “…për mua, ti, o Atdhe, je zotërinjtë që qeverisin, milicët me uniforma të marra me qira dhe shënjestër vrasëse…” (109) është një nga mesazhet e rrëfimtarit.
Casares krijon. Origjinaliteti i tij vjen para se të “krijohet biblioteka borgesiane”. Gjatë “Bisedës së gjashtë” te Denis Fernandez Recatata me Ismail Kadarenë, ky i fundit flet për krijimtarin. “Krijimtari është i rrallë”, thotë Kadare. 7) Me romanin “Shpikja e Morelit” Casares jo vetëm që është shkrimtar i rrallë por edhe krijimtar origjinal në aoreolen tematike të përmbajtjes dhe në detajet semantike të formes. Çdo rilexim ngrit dilemat e kohës kur përherë e nesërmja bëhet sot dhe vjen si hyrje për ta njohur të kaluarën. Kur e shkuara bëhet nesër atëherë historia arratiset në vetvete dhe rishkruhet me fakte, siç bënë autori, rrëfimtari në romanin e Casares.
Pas mbylljes së leximit të romanit “Shpikja e Morelit” me tjetër përvojë do i kthehem rileximit të romanit të Daniel Defo, të botuar në vitin 1719 “Robinson Kruzo”, rishikimit të fundit të filmit shqiptar të regjizorit Spartak Pecanit të vitit 1983 “Kohë e largët” (takimi në një ishull i piktorit të dënuar Andrea Shelca me asketin Lithan) dhe pas çerekshekulli shkrimi e botimi të letrës drejtuar nxënëses Laura Zani vizitë Ishullit të Sazanit…
Gusht 2025, Prishtinë-Ishulli i Zvërnecit
1) Horhe Luis Borhes“Poezi”, Shtëpia Botuese “Mësonjëtorja e Parë”, 2000, faqe 209
2) “Antologji e tregimit hiaspanoamerikan te shekullit XX”, Botimet Dudaj, Tiranë, 2002
3) Adolfo Bioy Casares “Shpikja e Morelit”, Pika pa sipërfaqe, 2025, Tiranë, faqe 9 (më tej vetëm në tekst numri i faqës)
4) Ernesto Sabato “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015, faqe 33
5) Intriga e gërshëtimi mes rrëfimtarit, botuesit dhe autorit është vijëzimi dhe rrjedha e krijimit dhe botimit të romanit “Dimri i madh” nga koha e ngjarjes të romanit dhe koha e shkrimit tek koha e botimit (ribotimit) dhe koha e përkthimit (në frëngjisht dhe rusisht).
6) “Enciklopedia e Përgjithshme e Oksfordit”, Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit, Tiranë, 2006, faqe 786
7) Ismail Kadare-Denis Fernandez Récatala “Kohë barbare”, Tiranë, 1999, faqe 179