Kreu Opinion Enver Kushi: Urime për motmotin 2024

Enver Kushi: Urime për motmotin 2024

I nderuar Prof.Agim Vinca!

 Fort i nderçëm mëmëdhetar!

 Shok i dashtun!

 Po ju drejtohem edhe me fjalën “Shok” përdorur nga Migjeni, që shqipot tanë legjendarë e kanë nxjerë nga fjalori i tyre, së paku prej tridhjetë viteve dhe nëse u drejtohesh me këtë fjalë, fyhen aq shumë, saqë gati të shajnë ose më keq akoma të quajnë “komunist, bolshevik, marksist, idhëtar të diktatorit Hoxha, anakronik, fantazmë e ardhur nga kohëra të përmbysura». Këtu tek ne edhe qenit, qenushes, maces, maçokut, u drejtohen me fjalët “zotëri, zonjë, zonjushë”.

Unë përgjithësisht shkruaj urime edhe për Krishtlindje, Pashkë, dy Bajramet, Ditën e Sulltan Nevruzit dhe të Ashures, edhe për datëlindjet. Shkruaj rregullisht urime për Motmotin . Për çdo Motmot. Mbaj mend që dikur, në ca mote jo shumë të largëta, në Shqipëri, por besoj që edhe ju në Kosovë, e uronim njeri-tjetrin me kartolina. Në arkivin tim modest, kam ruajtur disa nga ato kartolina dhe si nostalgjik i pandreqshëm që jam, në ndërrimvite, i nxjer nga dosja e zverdhur dhe i hap në tavolinën e punës ose raftet e bibliotekës. Dhe më beso, shok i dashtun. Sa here i prek apo lexoj urimet e shkruara në to, më mer malli për miqtë e mi që shumë prej tyre prehen në përjetësi.

Së pari, t’uroj shok i dashtun, gjumin e ëmbël –që të mos dëgjosh si gjëmojnë njerzit nën barrën e kryqave të vet tue shkue në Golgotha. Të mos ndëgjosh as dëshmërimin e të mundunve as britmën e nganjyesvet në këtë jetë. Të mos ndëgjosh bubullimën e Spanjës. . .

 Ah i dashtun shok, Prof. Agim Vinca. Teksti i shkëlqyer i sipërpërmendun, është shkruar nga Migjeni 87 vite më parë, kur ishte vetëm 26 vjeç, por që kishte shkruar disa kryevepra në poezi dhe prozë duke sjellë një frymë të re, të paparë deri atëhere në letersinë shqipe, të krahasueshme me poetë dhe prozatorë modern europianë. Dhe me të drejtë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, i cili në veprën e tij shënjoi një kthesë historike në letersinë moderne shqiptare, ka shkruar për vizionin e veçantë artistik të Migjenit: “As grija e jetës së përditshme, as konkretësia e ngjarjeve e, së fundi, as pasioni i tij, nuk e zhveshin veprën e tij nga ai thesar i paçmuar që është universalismi”.

 Bubullimat e Spanjës tashmë nuk dëgjohen më. Ato janë shuar në gërmadhat e kohës, por bubullima të tjera vinë nga Ukraina që prej dy vitesh. Prandaj shok i dashtun, uroj që viti 2024 t’i shuaj këto ulërima, britma, shkatërrime qytetesh e fshatrash nga egësia dhe barbaria e Rusisë së Putinit. Uroj gjithashtu që edhe bubullimat që vijnë nga hapësirat e Tokës së Shenjtë, ku kanë lindur disa profetë, viti i sapoardhur, t’i kthejë në melodi dhe këngë mirkuptimi mes popullit hebre dhe atij palestinez.

 Së dyti, të uroj shok i dashtun “gjumin e ambël”, me dëshirën që gjatë këtij gjumi të shohësh ëndrra me shqiptarë dhe veçanërisht me politikanë e deputetë, që nuk e urrejnë njeri-tjetrin, që të ulen dhe flasin shqiptarisht. Qiejt, herë gri, me re, erëra, shira e furtuna, por edhe të kaltër e me shumë dritë, vijnë dhe shkojnë mbi tokën e bekuar të shqiptarëve. Kjo prej mijëra e mijëra shekujsh, që nga fillesa, kur befas u artikuluan tingujt e parë njerëzor dhe pastaj fjalët e para. Uroj shok i dashtun që fjala shqipe gjatë vitit 2024 të jetë më njerëzore,veçanërisht në gojën e politikanëve këtej dhe andej Drinit. Uroj që fjala shqipe edhe kur artikulohet, edhe kur shkruhet nga analistë e gazetarë të ketë shenjtërinë, mirësinë, dashurinë e apostujve të shqiptarizmës të të gjitha kohërave. Uroj që moto e tyre të jenë fjalët e arta të një prej gjenive të njerëzimit, Albert Ajnshtajnit: “Dashuria është dritë që ndriçon ata që e japin dhe e marrin. Dashuria është gravitet, sepse i bën disa njerëz të tërhiqen nga të tjerë. Dashuria është pushtet, sepse shumëfishon më të mirën tonë dhe i bën njerëzit mos të humbasin në egoizmin e verbër”.

 Së treti, të uroj shok i dashtun, prap “gjumin e ambël” që të mos ndëgjodh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë nga të ftohtit. . . Asht tepër banale të thomi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarmi, prandaj: Gjumin e ambël, shok i dashtun . . .

 Eh i nderuar Prof.Agim Vinca. Uroj që viti 2024 të sjellë sa më shumë drejtësi në tokën amë, Shqipëri, si dhe tek ju, në Kosovë, që politikanët e paskrupuj, të pangopur “këta derra të kënaqur”, pasuruar duke vjedhur e grabitun pasurinë e shqiptarëve, të mos na hiqen si Mesia dhe mbajtur fjalime nga dritaret. Politikanë, ish shtetarë dhe shtetarë të sotëm, që në vilat e tyre kanë wc edhe për zonjushat mace, ndërsa të tjerë nga populli “gërsasin dhëmballë për dhëmballë nga të ftohtit”, duhet të ndëshkohen nga drejtësia, por edhe nga mallkimet e atyre që i grabitën, i lanë pa prona.

 Prandaj, uroj të mos vuajmë “ bashkë me fëmin të cilët prindi nuk ja bleu lojën, bashkë me të riun që digjet n’erotizëm, me pesëdhjet vjeçarin që mbytet n’apatinë e jetës, me plakun që dridhet nga friga e vdekjes, me bujkun që lufton me tokë, me punëtorin të cilin hekuri dhe e ndrysh, me të sëmundët e të gjithë sëmundjeve të krejt botës” Dhe këtij teksti të Migjenit do t’i shtoja edhe urimin tjetër: Të mos dëgjojmë gjatë vitit 2024 klithmat e fundit të vajzave, nuseve, grave shqiptare, të masakruara nga disa mostra burra, këta qënie barbare e të pashpirta, që fatkeqësisht janë shtuar në shoqërinë shqiptare.

 Shok i dashtun! Në mbyllje të këtij urimi për Motmotin 2024, dëshiroj të citoj fundin e “Urime për 1937” të Migjenit: “ Mbas gjumit t’ambël, t’uroj-ç’asht dhe e natyrshme- të jesh i gëzuem, gjithmon i gëzuem . . . Aq i gëzuem sa që bota të ta kenë zili dhe të thonë: Oh sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem, edhe pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Të jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe të tjerve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrike që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ka se ku të rrish, ti qeshu. Në rast se s’ke zjarm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rast se ndoj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merrja për lojë, për shaka dhe qeshu, qeshu . . . Sëmundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerëzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim – edhe se të smunde patologjikisht”

POST SCRIPTUM

I dashtun shok dhe mik Prof. Agim Vinca. Ka kaluar mesnata dhe ka nisur Motmoti i Ri 2024. Vërtet ka hyrë i ri apo koha ka ngrirë në kalimvitin 1937? Ah koha! Koha! Dhe më vinë ndërmend në këto momente idetë e Borgesit për kohën që “ Është dhuratë e përjetësisë. Përjetësia na lejon gjithë këto përvoja në vazhdimësi: Kështu kemi ditët dhe netët, kemi orët dhe minutat, kemi kujtesën, ndjesinë e së tashmes, pastaj kemi të ardhmen, një të ardhme që ende nuk e njohim, që do të jetë, që e parandjejmë ose e besojmë . . . “

Gjumë të ëmbël i dashtun Shok!

Është urimi që vjen nga përjetësia, nga njëzet e gjashtë vjeçari me emrin e përjetshëm gdhendur në kohë: MIGJENI.

 Shkodër-Tiranë

 Motmoti 1937 dhe 2024

Exit mobile version