Kreu In memoriam Enver Kushi: Liriku i paharruar, Musa Vyshka

Enver Kushi: Liriku i paharruar, Musa Vyshka

Një vit më parë, më 14 dhjetor 2023 në Tiranë, në periferi të lagjes “Ali Demi”, u nda nga jeta një nga poetët e shquar të letërsisë shqipe, do të thoja liriku i madh i poezisë, por edhe prozatori, autori i shumë poezive e tregimeve për fëmijë, pedagogu i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Elbasanit. Kam patur fatin ta njoh qysh para viteve ’90 Musa Vyshkën, njeriun e veçantë, bisedat me të cilin kanë qënë dhe mbeten të paharruara në kujtesën time. Kur punoja në Muzeun Historik Kombëtar, ai vinte shpesh atje dhe sa herë uleshim në një nga lokalet pranë këtij institucioni, lexonte poezitë e fundit, që kishte shkruar. Mbaj mend gjithashtu edhe takimet e shpeshta me ‘të, këto vite në Kryegjyshatën Botërore, ose në një lokal pranë shtëpisë së tij, diku në rrugën “Ali Demi”. Musai dallohej jo vetëm për humorin brilant, por edhe për rrëfimet e shumta, që lidheshin me jetën e tij edhe si pedagog. Në këto rrëfime Elbasani zinte vendin kryesor. Ky qytet vinte tek unë me lirizmin e Musa Vyshkës, erërat e luginës së Shkumbinit, ku kujtoheshin paraardhësit e tij, poetët dhe shkrimtarët elbasanas, atmosfera e këtij qyteti nga më të bukurit e Shqipërisë.

Musa Vyshka lindi në Elbasan në viti 1942 dhe pas studimeve në qytetin e lindjes, erdhi në Tiranë, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetin e Tiranës, ku në vitet 1963-1964 studioi në Degën Gjuhë-Letërsi. Ai punoi disa vite si mësues në shkollat e Elbasanit dhe Cërrikut. Musa Vyshka është një nga themeluesit e Katedrës së Letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani», ku punoi si pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Letërsisë për një kohë të gjatë, deri në vitin 1999, kur doli në pension.

E kam të vështirë të rrok ose të analizoj krijimtarinë e gjerë të Musa Vyshkës. Vlerësimet e mëposhtme për poezinë e tij, mendoj se janë modeste. Le të jenë ato një homazh për emrin dhe veprën e paharruar të poetit dhe njeriut Musa Vyshka, mikut tim të vyer, që s’është më tani, por jeton dhe do të jetojë, siç shkruan ai, në poezinë kushtuar Shkumbinit:

Me vjen një valë në përjetësi,

Kërcen gurë mbi gurë si kumuri,

……………………

Më ndjek me gurgullima e mallëngjime,

Nga djepi gjer në fund të jetës sime.

Liriku i përhershëm dhe Elbasani

Kur në vitin 1963 do të botohej libri i parë me poezi i Musa Vyshkës me titullin kuptimplotë “Ne njëzetvjeçarët”, krahas befasisë së këndshme me të cilin e priti lexuesi shqiptar, pati edhe një gëzim të shumëfishtë nga opinioni dhe mendimi letrar i kohës.

   Poetë të tjerë si Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Dhori Qiriazi, Vangjush Ziko dhe më pas Shefki Karadaku, prej vitesh e kishin kaluar pragun e moshës së artë të të njëzetave, duke nxituar me dinjitet drejt niveleve të larta cilësore të letrave shqipe. Musa Vyshka ndonëse ishte më i riu mes tyre, me librin e tij të parë trokiti dhe hyri me dinjitet në botën e letërsisë shqipe. Tashmë viti 1963 duket i largët. Nuk është më djaloshi njëzetvjeçar Musa Vyshka, liriku i papërsëritshëm nga qyteti i Elbasanit, ku lirizmi dhe lirika burojnë dhe janë pjesë e pandarë e jetës së tij. Libri i tij poetik “Vijmë dhe shkojmë’’, me këtë titull shumëkuptimplotë, duket se bën lidhjen mes kohëve: të shkuarës, çastit të papërsëritshëm të së tashmes dhe të së ardhmes. Lidhëza “dhe’’ ose thënë ndryshe “dhe- ja’’ si një urë metaforike, është ajo që lidh kohërat, brezat,  ëndrrat e njëzetvjeçarëve të dikurshëm me rrjedhat e pamëshirshme të kohës. Musa Vyshka është vetëmurosur në themelet e kësaj ure lidhbrigjëshe kohërash dhe fatesh njerëzore që në moshën njëzetvjeçare, duke u folur brezave me zërin e poezisë së tij brilante.

   Ky është libër jo vetëm i kohëgëzimeve të njeriut dhe poetit Musa Vyshka, por edhe i kohëhidhërimeve të tij. Kumtet e poezisë së Vyshkës burojnë nga realiteti shqiptar i së shkuarës, së tashmes, por edhe të së ardhmes. Në planin krahasues nëse në librin e parë “Ne njëzetvjeçarët’’kemi më shumë dritë më shumë diell, naivitet dhe dlirësi rinore, në botimet e mëvonshme, veçmas në këtë të fundit, krahas dritës janë shtuar kohëgritë, muzgjet, qiejt me shira dhe erëra, si dhe ca bubullima të thella,  që dalin nga thellësitë e tokës dhe jo nga qiejt. Dihet se poetët e shquar të të gjitha kohërave janë përpjekur të kërkojnë dhe sendërtojnë botën ideale. Të paisur me ca shqisa të tjera, ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, poetët e vërtetë bubullojnë dhe bëhen zemërakë,  kur bota ku ata jetojnë është ndryshe nga idealja. Poetët dhe në përgjithësi krijuesit e sendërtojnë ndryshe botën. I tillë ka qenë dhe është edhe poeti Musa Vyshka. Kredon e tij poetike ai e shpalos në të gjitha poezitë e këtij libri. Ai i beson të mirës,  ëndërron përherë të bukurën, shpirtin e dlirë e të dashuruar të njeriut ose siç shkruan:

Besoj se çdo buzëqeshje është lule e shpirtit të ndershëm

Që zbut çdo urrejtje dhe i kthen armiqësitë në dashuri.

Besoj që kalendari si një plak i urtë e ka grisur inatin e djeshëm

Dhe i vë në kurorë dritës së re një përqafim të ri.

Diku tjetër,  ashtu si Naimi ynë i madh tek vjersha “Fjalët e qiririt” Vyshka e identifikon vetëm me njeriun e mirë që qiriun “E ngre lart në qiell, e bën fanar/ T’u ndrisë rrugën njerëzve n’errësirë”.

   I ndjeshëm, lirik i papërsëritshëm dhe i përhershëm dhe në harmoni të plotë me natyrën dhe të mirën njerëzore, Vyshka  ka krijuar poezi me shumë dritë, diell, fluiditet, ku njeriu dhe natyra janë në krahët e njëri- tjetrit dhe ku shpirti i vërtetë si dhe mirësia e bukuria njerëzore të ngazëllejnë…Fëmijëria,  rrugica e vjetër, zëri i nënës dhe babait, hijet e vdekëtarëve që befas poeti i ringjall, duke i rikthyer në pragje shtëpish elbasanase, zëri i kumurisë, ditët e verës dhe malli gërryes i Isuf Myzyrit,  janë disa nga përjetimet e kohës nga vijmë ose më saktë, të kohës dhe qytetit nga vjen Musa Vyshka.

   Poeti është i lidhur me mijëra fije me qytetin e tij, Elbasanin. Janë me fat ata krijues, kur në veprën e tyre, arrijnë të njësohen me vendlindjen. Poeti Musa Vyshka është njëri prej tyre… Poezia në Elbasan është edhe shpirt,  edhe ëndërr, edhe këngë, edhe mall, edhe tingull, edhe dhimbje, edhe vdekje….Ajo mbi të gjitha është gëzim, jetë, dritë…Elbasani në themelet e tij ka pranverën, gëzimin njerëzor… Këtu lirika buron. Këtu shpirti njerëzor ka bukurinë e përherëshme të rinisë. Në këtë qytet gjithashtu befas gëzimi kthehet në lot dhe ky i fundit në shi dhe bubullimë, me largime të befta për në pyll, vetmi, mall gërryes për atë që ka lënë pas dhe pret e pret në dritare.

 Ky është edhe shtrati i poezisë  së Musa Vyshkës. Herë-herë  deradian,  naimian apo lasgushian dhe herë – herë migjenian. Dallgëzimet shpirtërore të poezisë së tij janë në brendësi e jo në sipërfaqe. Realiteti shqiptar si ai i  paraviteve ’90,  por edhe ai i pas këtyre viteve, është larg botës ideale të sendërtuar prej tij. Dhe lexuesi ndjen dhimbjen klithëse të poetit Musa Vyshka,  dëshpërimin uluritës e  ca zëra që të trondisin me të vërtetat që kumtojnë … Shkrimtari i madh Stefan Cvajg në një nga esetë e tij ka shkruar:  “Nuk  ka art të madh pa demonizëm, pa fjalët që përcillen si mërmërimë drejt muzikës së gjithësisë”.

  Në poezinë e Musa Vyshkës ndjen mërmërimën dhe zërat e kohës, asaj të së shkuarës,  së sotmes dhe së ardhmes. Dhe këto mërmërima të brendshme dhe zëra vijnë mjeshtërisht nëpërmjet fjalës poetike, tingëllimit dhe muzikalitetit të veçantë që ka fjala në poezitë brilante të Vyshkës. Poeti Musa Vyshka ka kultin e fjalës. Fjala për të është e shenjtë dhe për rrjedhojë nuk duhet shpërdoruar. Me vargun, figuracionin, gjuhën ai është model i elegancës, në kutimin e vërtetë të fjalës. Eleganca buron nga bindja dhe respekti  i kahershëm i poetit për fjalën dhe hyjnizimin e saj.

Mes një djepi e një varri

Në një ditë të paqtë, të vjeshtës së tretë të këtij viti, takova Agim Vincën. Është fat që e njoh atë, jo vetëm si personalitet i letërsisë dhe kulturës shqipe, që ka dhënë një ndihmesë të madhe edhe në Historiografinë e Lëtërsisë, por edhe një nga njerëzit më me kulturë, të ditur, korrektë edhe shumë njerëzorë. Nga xhamat e kafenesë, diku pranë Televizionit Shqiptar, dukej e plotë vjeshta e Tiranës, me diell të bollshëm dhe një qetësi të çuditëshme. Ai më riktheu një libër të Stefan Cvajgut “Në luftë me Djallin”, që ja kisha dhënë për ta lexuar. Më pas më dha një letër, që i ndjeri Moikom Zeqo, i kishte dërguar më 20 gusht 2007. Pastaj më foli për disa poezi të Moikomit, që i kishte përkthyer dhe që profesori i kishte komentuar në një emision të veçantë, në Radio Sarajeva, mos gaboj në vitin 1988. Pastaj biseda kaloi tek poeti Musa Vyshka. Profesor Vinca më tha, se e kishte takuar një a dy herë Musain në Tiranë. Pas këtyre fjalëve ai me kujdes, me shumë kujdes, sikur të kishte diçka në dorë nga shpirti i poetit Musa Vyshka, hapi një letër të palosur në katërsh. E kam ruajtur këtë poezi, tha profesori dhe po ta dhuroj ty Enver, meqë e ke patur mik dhe se e di që do të shkruash tek “ExLibris” për të , me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij. E mora në duar këtë letër dhe poezinë e shkruar në të. Poezia titullohet “Pasi lexova Ana Kareninën”. Ajo është shkruar në një letër A4, siç duket nga ajo letër e prodhuar në fabrikën e Kavajës, ose të Lezhës.. Poezia ka 20 vargje e ndarë në katër strofa. Në fund është emri “Musa Vyshka” shkruar me stilolaps. Do t’i rikthehem kësaj poezie dhe disa dorëshkrimeve të tjera, që ai më ka dhuruar.

Këto ditë gjeta disa prej tyre, që m’i ka dhuruar më 16 tetor të vitit 2018. Në një nga faqet bosh, ose më saktë pas poezisë “Mos e kthe kokën pas”, kushtuar poetit Fatos Arapi dhe shkruar kur ai ishte gjallë, kam këtë shënim: E martë, 16 tetor 2018. Mëngjes i dielltë vjeshte dhe me një ndriçim të pazakontë. Është ora 9, kur më thanë se ka ardhur Musa Vyshka. Dal dhe e kërkoj në hapësirën e qetë, si në rrëfimet e poetëve mistikë, në Kryegjyshatën Botërore. E shoh nga larg. Ma bën me dorë. Ecën ngadalë, shumë ngadalë… Flasim për Fatos Arapin, që iku para pesë ditësh. Pastaj për Lasgush Poradecin. Shkodrën dhe poetët e mëdhenj të këtij qyteti, si Fishta, Mjeda, Migjeni, Frederik Reshpja. Them se ky i fundit është lirik i vërtetë i dhimbjes së qiejve dhe reve, dhimbjes njerëzore etj.etj.

Në fund po citoj të plotë poezinë “Vijmë dhe Shkojmë”, që ai ma dhuroi atë tetor të paqtë, kur u takuan në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane:

Vijmë dhe shkojmë,

si gjithë të tjerët.

Mes një djepi dhe një varri,.

Një shpirt digjet…

Shekulli dëgjon,

e askush nuk përgjigjet

Për ata që vijnë vonë

E për ata

që ikin herët…

Tiranë, dimër i motit 2024

Grafika nga Ylli Haruni

Exit mobile version