Betohem për natën që shkoi, mëngjesin dhe dritën që erdhi, se mbrëmë pasmesnate u zgjova dhe pasi ndeza dritën, u ktheva në këtë botë. Në këtë botë frynte erë e fortë dhe kur dola në ballkon, mijëra e mijëra gjethe kishin mbushur trotuaret dhe rrugën përballë. Më pas hyra në dhomën e gjumit dhe pyeta: ku isha? Ku më kishte shpurë ëndrra? Dhe mora një letër dhe hodha shpejt e shpejt ato që kisha parë në një botë tjetër. Sepse ëndrra më shpuri në fillesë : errësirën dhe më pas dritën që befas erdhi nga kaosi. Dëgjova krra-krratë e ca zogjve të zinj e të çuditshëm, që çanin errësirën. Dhe më pas erdhi drita. Dhe përmes dritës erdhi fjala dhe më vonë pas fjalës, si aromë, m’u shfaq si përmes kaosit një piktor, sikur vinte nga krra-krratë e zogjve të zinj, reve të mpiksura dhe dritës së beftë. Ai kishte një fytyrë të madhe, flokë kaçurrela të zeza dhe në dorë mbante një penel.
Dhe m’u shfaq dhe një shesh i madh me gurë dhe dritat, që binin mbi të. Piktori ecte si nëpër ajër, pa prekur kalldrëmin. Dhe kur preku me këmbët e tij kalldrëmin, pashë sesi ai nisi të hedhë në një letër të bardhë ngjyrat e fillesës: të zezën, pastaj grinë, pastaj prapë të zezën e reve të mpiksura dhe më pas dritën, që vinte nga asgjëja. Dhe në atë shesh m’u shfaqën miqtë e mi të gjallë e të vdekur, si Halit Shamata, Abdulla Tafa, më tutje Thanas Dino e më tutje akoma, sikur qëndronte në ajër m’u shfaq edhe Bujar Hudhri. M’u shfaq edhe nëna ime sikur fluturonte dhe që në atë fillesë drite tha fjalën : gluha. Edhe babai. Edhe Ylli Xhaferri, që bënte të më afrohej, por diçka e pengonte. Edhe Moikom Zeqo.
Dhe pastaj, si nga një lëmsh i bardhë, që erdhi nga lart dëgjova fjalët: Hidhi në letër të gjitha këto. Ishte zëri i Ismail Kadaresë. Nuk i mbaj mend të gjitha, thashë. Ndiqe piktorin, që po hedh në letër ngjyrat e fillesës. Ndiqe, tha Kadareja, si prej një nebuloze drite. Veprova ashtu siç më tha Kadareja. Dëgjova zërin e piktorit, që më tha: Më ndiq, më ndiq! Hidhi në letër ato që sheh nga pikturat e mia. Hidh në letër krra-krratë e zogjve të zinj. Hidh në letër dritën dhe bardhësinë e saj.
I hodha në letër të gjitha ato, duke ndjekur nga pas piktorin. Dhe pastaj ndjeva pikat e një shiu, që dukej se vinin si përtej kaosit. Dhe dëgjova një bubullimë të largët. Dhe pashë edhe një vetëtimë dhe pastaj më erdhi si përmes vetëtimës zëri i piktorit.
Tashmë isha i vetëm në sheshin me gurë. Dhe ngrita kokën. Dhe pashë qiellin e paanë. Edhe dritën, që kishte shpërndarë re të zeza dhe kishte larguar zogjtë e zinj. Pasatj më erdhi, si përmes dritës, zëri i parë njerëzor. Ai i vinte herë si zëri i Kadaresë dhe herë-herë si ca zëra të tjerë vdekatarësh të mëdhenj. Kaq pashë. Kaq dëgjova si përtej fillesës fjalën. Dhe pastaj u bë dritë.
Betohem për natën që shkoi dhe errësirën që shkoi. Betohem për mëngjesin dhe diellin që erdhi, se mbrëmë ëndrra më shpuri diku përtej kaosit, pastaj fillesës, pastaj dritës dhe fjalës njerëzore.
Tiranë, më 4 dhjetor 2025
