Kreu Opinion “Emblema e dikurshme” e Kadaresë, si m’u duk pas 44 vitesh...

“Emblema e dikurshme” e Kadaresë, si m’u duk pas 44 vitesh – nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

Si të gjithë ata që bënin krijimtari të gabuar, i erdhi radha dhe Kadaresë, të dërgohet në kooperativën “Agimi” për të njohur “realitetin e mrekullueshëm socialist”, i cili gjendej kantiereve dhe arave. Masa ndëshkimore, dikujt mund t’i duket si leje krijuese, gjë që ne e prisnim me gëzim. I larguar nga Tirana pa të drejtë botimi, deputetit Kadare, nuk i lejohej të banonte në qytetin, ku e kishin zgjedhur deri në një urdhër të dytë, kur sa e sa i largonin nga Tirana me pretekstin e “qarkullimit të kuadrit”, duke mos bërë përjashtim as ata të Bllokut. Atëherë ku qendron padrejtësia ndaj shkrimtarit? Mos vallë intelektualisti Kadare e bën të madhe shkuarjen në fshat, ngaqë iu prish rehati, ndërkohë që po atë viti, 1976, shkruan poezinë “Lulemollët” me vargje si këto: “Mbledhin buzët me siguri ish-zotërinjtë:/Uh, ç’lajme pa lezet “me fshat”…/ “Pështyj mbi sensacionet e përtej detit,/Mbi “yjet” dhe “superyjtë” e gjithë ç’janë”/Të gjithë ata bashkë dinjitetin,/E një are me grurë s’e kanë!” Në të gjithë universin e krijimtarisë së Kadaresë, do u ndodh që: poeti i angazhuar me raste të vërë në pozitë të vështirë shkrimtarin heretik. Ndaj kundërshtarët kanë shkruar autobiografinë e tij në vargje, sikurse ia kërkojnë rrënjët nëpër vargëzime për partinë, udhëheqësin, socializmin. Njësoj si të nisesh nga armëpushimet midis palëve në luftë dhe të thuash, që s’pati betejë?! Afërmendsh që, ish-borgjezët, të mblidhnin buzët për lajmet me fshat, por pse autori u kundërvihet, kur, ai vetë, është i pakënaqur me përdhunën e vidhisjes baltrave të Myzeqesë? Të pështysh mbi sensacionet e borgjezisë, apo mbi “yjet” dhe “superyjet” ha të diskutuar, pasi nuk është e vështirë të kuptosh konçensionin që shkrimtari është i detyruar t’i bëjë regjimit, nëse llogarisim sulmet e kritizerëve, të cilët suksesin në Perëndim e shoqëronin me akuzën se Kadare shkruante për lexuesin e huaj, i përshtatej shijeve të borgjezisë. Me vetëdijën se i përgjohej gjithçka, i duhej të jepte shembuj distancimi, ku nuk mungon dhe ekuivoku. Përmendja e “yjeve” dhe “superyjeve” ashtu në tym, pa e specifikuar: p.sh “Yjet e Hollivudit” apo emra vipash, i shërbejnë autorit për të neutralizuar insinuatën me qitje të largët, sikurse iu bë hapur në një konferencë talentesh të reja në Durrës: “Ne një yll kemi, ajo është partia.”, kështu që të mos gënjej mendja se ti je një star, që mund të rivalizosh me yllësinë e udhëheqësit. Ky horoskop me lëvizje yjesh, nuk kishte të bënte me vallen e yjeve të Lasgushit, por një kalkulm si e si të ekspozoheshe përballë Babazotit, i cili lavdinë nuk e ndante me askënd.

Në një rast të ngjashëm për njohje jete, 23 vjeçari Lubonja shkon në Laç, aty ku ndërtohej uzina e superfosfatit dhe befas, sikur me qenë në kishën e Shna Ndout, i ndodh iluminimi, i thërret mendjes apo i hapen sytë dhe, kupton se Kadare me poemën “Ëndërr industriale”, i frymëzuar nga ndërtimi i uzinës në fjalë, paskish mashtruar Fatosin dhe shqiptarët bashkë, pavarësisht se i jati i tij u shplante trutë shqiptarëve si drejtor i RTVSH-ës. Siç dihet, si ai i iniciativës revolucionare që angazhohej dhe tjetri i masës ndëshkimore, që dëbohej, njëri me hir dhe tjetri me pa hir: vuajtjen e kishin njësoj, por, të parit, ajo i njihej si sakrificë, ndërsa të dytit, si mundësi për katarsis, reflektim, brumosje ideologjike dhe në fund happy end: një libër të frymëzuar nga realiteti socialist, sikurse me romanin “Dasma”. Në një shoqëri të përulur nuk ishte njësoj, si të dilje nga rreshti, si i tjetërllojit dhe, të të nxirrnin nga rreshti në luftën brenda llojit. Helena në librin “Kohë e pamjaftueshme”, përmend një episod, që i jep shtysë arsyetimit tonë: “Një ditë më pyeti nëse më kujtohej se ku mund të ishin disa shënime të tij të një udhëtimi që kishim bërë së bashku dikur në disa fshatra të Myzeqesë, menjëherë pas martesës sonë… Më kujtoheshin “Agimi” ende fshatrat: Seman, Ndërnënas… Hotelet e vogla e të varfëra ku kishim kaluar gëzueshëm. Pikërisht në ato anë ai kishte shkuar për “të jetuar pranë popullit”. Do të shkruaj diçka, tha. Ato shënime më duhen. Edhe ti, më kujtohet se kishe një fletore dhe diçka shkruaje gjatë udhëtimit. Zemra më bëri “krak”. Kuptohej se ai po bëhej gati të shkruante diçka, ndryshe nga më parë. Pra, do të shkruante ashtu si duhej. Fjala ishte për “Emblemën e dikurshme”,-së cilës, Lubonja i kishte hedhur një sy pas 44 vitesh, para se të shkonte në emisionin e Sokol Ballës TopStory dhe e vetmja gjë, që i qe fiksuar: përmendja e sabotatorëve të naftës, duke shtuar kështu shembujt e implikimit të Kadaresë me regjimin, i cili me kulturën e manipulim simulimit, në fillim paska gënjyer shqiptarët, ndërsa tani po mashtroka të huajtë?! (Aq e cekur është përmendja e sabotatorëve në novelë, sa të bësh me faj shkrimtarin e Maqedonisë së Veriut, Kim Mehmeti pse ka të njëjtin emër me Kim Jongun e Koresë së Veriut?!) Niçe, kur shkruante poemën filozofike “Kështu foli Zarathustra”, qëllonte të ishte me dhimbje të tmerrshme koke, por ai i shmangte ilaçet, ngaqë ndruhej se mos ato i mpinin ndjesitë. Kjo është e vetmja vuajtje që i njihet shkrimtarit, të tjerat jetohen si fatkeqësi dhe mjerë kujt i ndodh. “Nuk pranonte që letërsia (ajo e vërteta) të trajtohej si viktimë para diktaturës. I dukej fyerje për të.”-shkruan Helena Kadare në librin e saj autobiografik. Sepse, fajet e metodës së realizmit socialist, nuk u kthyen në fajsi për shkrimtarin që bëri fagmë në botë. Nëse të tjerët qahen nga metoda e realizmit socialist, që s’i la të bëhen të mëdhenj, Kadare ia doli, duke u akuzuar shpesh se nuk i respektonte parimet e saj, ndërsa sot i përmendin indoktrinimin. Kur shkrimtari ia heq të drejtën vetes të ankohet nga pozita e viktimës, ti tregohesh hileqar, duke e përfshirë tek shërbëtorët e regjimit, nisur nga mungesa e disidencës, që së pari është përgjegjësi e shoqërisë. Disidenti nuk është edhe i vetmi trim në luftë. Ai shfaqet në vende ku ka korifej të artit, sikurse njihet Rusia. Cari s’kishte ç’t’i bënte Tolstoit, por Tolstoi ia tundëte fronin. “Shkrimtari do ose nuk do, është detyrimisht një tjetër. Shqisa e dëgjimit të tij ka tjetër ndërtim, kështu që kur ajo shqisë kap më mirë fëshfërimën e barit, se sa zhurmën e një lufte që ndodh pak më tej, nuk duhet qortuar para kohe. Pas një mijë vjetësh, (e ai është gjithmonë i gjallë e përgjigjet për të), ajo fëshfërim bari mund të jetë më e fuqishme, më e kuptimshme, (Është fjala për dinjitetin e arës me grurë. F.R) dhe të ketë arsyen e të qënit më e fortë se katastrofa që ndodhi aty pranë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për sytë e shkrimtarit, që herë janë më tejshikues se thjerrëzat e Galileut, e dallojnë tmerre e mrekullira, që asnjë sy njerëzor s’i ka parë, e herë janë më të verbër se vështrimi i rapsodëve. Por shpesh ndodh që njerëzit që janë rrotull shkrimtarit nuk duan t’ia dinë për këtë. Ata nervozohen, përpiqen t’i mbushin mendjen shkrimtarit se ai është si ata, se ka të njëjtët veshë, të ngjëjtët sy, e padyshim të njëjtin tru. Ti je si ne, kot përpiqesh të hiqesh si fantazmë, ndaj eja midis nesh, ulu, përulu!”-rrëfehet Kadare në librin “Ftesë në studjo” i botuar në vitin 1990, ende pa u rrëzuar diktatura. Thirrjet: “Eja midis nesh, ulu, përulu!”, pra, eja në mesin e mediokërve, përulu para realizmit socialist, ku partia diktonte: “Aty me shokët!”, dëshmojnë pritshmëritë e turmës, e cila barazinë sociale e reflektonte në rrafshimin e vlerave. Por, Kadare s’ishte si shokët, e mjaftueshme kjo, që kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ta diferenconte prapësisht: “Ai s’ka shokë”. “Ti s’ke shokë!”-të thuhet sa herë, kur shokët duan të mveshin një faj. Pse t’i mungonin shokët, kur në shtëpinë e Kadaresë, tashmë muze, ishim mysafirë të gjithë? “Ti e di se sa e hapur ka qenë banesa ime. Vinin me dhjetëra njerëz, midis tyre dhe shkrimtarë të rinj. Pinin kafe në sallon, kuvendonin, nganjëherë unë shkoja të pushoja në dhomën e gjumit dhe kur kthehesha i gjeja prapë atje, duke pirë kafenë e dytë a duke polimizuar si në kafene. Nganjëherë rrinin për drekë. Shumica ishin njerëz të mrekullueshëm, por disa ishin të pabesë. Jashtëzakonisht të pabesë.”-i thotë Ismaili Maks Velos, i cili e përmend këtë bisedë në librin e tij “Zhdukja e pashallarëve të kuq të Kadaresë”. Aftësia për të kapur fëshfërimën e barit, mund të injoronte zhurmën e luftës, por kurrësesi Qafë Barin, që, i shfaqej shkrimtarit në horizont, sikurse burgu në kalanë e Gjirokastrës, por që për 17 vjet me radhë qe “shtëpia pa qera” e Lubonjës. Pikërisht kjo e bën të dhimbshme polemikën e ish miqëve, ku njëri ishte i liruar me kusht dhe tjetri i burgosur. Kadare nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt, timen po e po, ndërsa publiku ka nevojë për të gjithë ne, për të ditur të vërtetën. Dikur na quanin “ismailjan” tani “lakej të Kadaresë”, pikërisht këta që u dhimbsen monumentet e kulturës, kujtesa historike?! 

Pyesim: si është e mundur që, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Pashallarët e kuq”, “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit”, etj. kritikoheshin dje nga paranojakët dhe sot prej mitomanëve? Në librat e shenjtë dhe në kodin penal thuhet se për të njëjtin faj: nuk mund të dënohesh dy herë. “Ndryshimi është se dje e bënin kallzimin fshehtazi, tashti e bëjnë haptazi. Dje e akuzoni viktimën si “idhtar i Perëndimit”, tani e fajësojnë si “besnik të komunizmit.”-ka reaguar heretiku, Kadare. Shkëlqimi i një shkrimtari të famshëm i ngjan pasqyrës, e cila i thith vetëtimat, që dikur i hidhte Zuesi paranojak, ndërsa tani janë mitomanët përngjashëm me topat mbretëror, që heshtën atëherë kur duhej të gjëmonin, në tentativë për ta thyer pasqyrën, duke rikthyer kohën e “Qorrfermanit”. (Në një qorrofice thirret poeti i shquar Tahsin Kurtogllu (Kadare), që të jepte shpjegime për vargjet: “më vrau harku, jo shigjeta”. Poeti mbrohet duke thënë se ajo ishte një vjershë dashurie, kushtuar së shoqes, ku harku i vetullës e godiste në shpirt më shumë nga sytë e saj. “Të gjitha këto janë shpifje dhe trillime të rivalëve të mi.”-deklaron poeti para turmës, që e zemëruar thërriste: ai meriton tibetianen. (“Ai Qorri” e thërrisnin socrealistët, duke e përkuar enkas me pseudonimin e Anastas Lulos, i vrarë me urdhër të Enver Hoxhës. Novela “Qorrferman” u botua në vitin 1984, një vit para vdekjes së diktatorit.) Komisioni Qendror, hashiqare Komiteti Qendror, e dëgjonte me fytyrat plot mosbesim, fjalët me dy kuptime të poetit. Tibetiania ishte verbimi më mizor, por, njëri nga zyrtarët ia bën me shenjë turmës të qetësohet dhe me një fjalim të shkurtër, duke vënë në dukje zemërgjerësinë e shtetit, i cili mjaftohet këtë radhë vetëm me një qortim, një shenjë në kartën e regjistrimit, zbritje në fshat, si paralajmërimi i fundit për poetin.) Galileun nuk e çuan në turrën e druve, por e shëtitën në galerinë e veglave të torturave duke i treguar me imtësi torturimin që shkaktonin ato, pavarësisht se Papa qëlloi të ishte shok i Galileut. Në një mbledhje autodafe, ku shkrimtari kishte çuar nëpër mend të hidhej nga dritarja më e afërt e Komitetit Qendror, bën këtë autokritikë sugjestionuese: “Për librin me vjersha “Shekulli im” u kritikova për konfuzion ideor, për influenca të bagazhit kulturor borgjez e sidomos të atij revizionist. Ndikimet gjenin të çara për të depërtuar tek unë. Kjo u duk në variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ky roman kishte një defekt themelor në qendër të tij. Figura e gjeneralit të huaj ishte konceptuar gabim ideologjikisht. Kjo bënte që gjithçka të mirë që kishte ky roman, të eliminohej nga ky defekt… Nëse unë e bëra gjeneralin të njerëzishëm, a mund t’më thotë kush se unë simpatizoj fashistët italianë? Unë nuk iu modifikova shijeve të borgjezisë. Dikush mund t’më thotë me plotë të drejtë se dhe nëse doje, nuk do të linte kush. Por modifikimi mund të ishte jo i drejtpërdrejtë, por i tërthortë… Arma dhe kur shkreh pa dashje, të vretë.” Në të gjitha kritikat, që i janë bërë Kadaresë, askush nuk ka folur aq keq për të se sa ai vetë për veten e tij. Me sa duket persekutorët e morën kënaqësinë e të deklaruarit fajtor të vetes, ky jam bëni ç’të doni, kur nëpër hetuesira hiqnin dreqin për ta detyruar viktimën të pranonte fajsinë. Por, pse nuk e çuan deri në fund ndëshkimin me burg të shkrimtarit? Përgjigjen e marrim tek novela “Emblema e dikurshme”, që pas 44 vjetësh iu riktheva edhe unë, me qëllimin e vetëm, për të qenë i drejtë me Lubonjën, mbase, kushedi, na kanë dalë nga kujtesa pasazhe, subjekte, personazhe, që e prezantojnë keq shkrimtarin në përballje me të sotmen. Të gjykosh një shkrim pas afro gjysmë shekulli, ke rrokur pozitën e së ardhmes, meqë shpesh i lihet kohë kohës, për të qenë gjykatsja më e mirë. Nga e njëjta lartësi, pse shohim gjëra të kundërta? Përgjigjen e marrim tek ambiguiteti, përngjashëm me shprehjen: “E zuri qymyri”, që diksh e kupton si rënie në dashuri dhe tjetri si asfiksim. 

Kur, Enver Hoxha, botonte libra për ushtrinë, përligjte të qënit strateg, kur ai shkroi një libër të veçantë për naftën, po pretendonte të qënit ekspert. Tek librat me kujtime po mbahej për shkrimtar. Meqë i kishte dalë nami si largpamës, ai dhe s’ka më, përkundër sabotatorëve që i dënoi për fshehje të vendburimeve të naftës, merr situatën në dorë me sinopse dhe kalkulimeve, si Kepleri në kohët që zbuloi yllin në bazë të llogarive matematikore, u përhapën fjalë se udhëheqësi kishte parashikuar se në zonën e Myzeqesë kishte burime nafte dhe, që t’i dilte fjala: nisën shpim-kërkimet intensive në thellësira të mëdha. Zbarkimi i një grupi gjeologësh në fshat, përkon me mbërritjen e shkrimtarit, shqisat e të cilit: veshi dhe syri, nuk janë si i të tjerëve përreth, duke përfshirë dhe largpamësin. Ndaj personazhi i tij kryesor, Bardhyl Krasta, më shumë se një gjeolog përngjan me një investigator. Një rrethanë ideale për mjeshtrin e ambiguitetit, që pas sabotatorëve të fshihte kontestatorin. Lexuesi nuk sheh gjëkundi një pus nafte, por një famulli, e shpallur monument kulture, që ruhej nga shteti ateist. Pikërisht këtu ndahemi me Lubonjën, meqë e rilexuam novelën pas afro gjysmëshekulli, secili për hesap të vetë. Ai e merr Krastën për gjeolog, ndërsa unë e marr Bardhylin për shkrimtar. Ai sheh sabotatorë, unë shoh kontestatorin, si personazh i dukshëm dhe i padukshëm i Kadaresë në të gjithë krijimtarinë e tij, kujtoni kapitenin Stres tek “Kush e solli Doruntinën”. (Emri Bardhyl është i preferuar për Kadarenë, sikurse quhet dhe personazhi i romanit “Mjegullat e Tiranës”, duke patur parasysh veten e tij, duke mos më penguar dhe mua, të shoh veten time, për aq sa më takon. Mos do më qortoni për konflikt interesi?!) Personazhja e novelës, Ana, mësuese, 23 vjeçare, me të cilën mburrej i gjithë fshati, përfshi dhe shoqet e saj, bie në dashuri me Bardhylin, një burrë i divorcuar ky, i cili nga martesa e parë kishte dhe një vajzë. Për kohën tema e divorcit ishte tabu, që shkrimtarit do t’i hapte aq shumë telashe në romanin “Dimri i madh”, në ndarjen e Besnikut me Zanën. (Nëse do shpreheshim me një gjuhë të rëndomtë: gjeologu shkon për naftë dhe gjen grua, ku ideja e shpim-kërkimit mund të lërë shkas dhe për vulgarizim.) “Kozmai, i shtëpisë së kulturës, i sapokthyer nga qyteti me makinën e kryetarit të kooperativës, u kishte treguar vajzave, se e kishte parë Anën tek ecte përqafuar ndanë xhades me njerin prej gjeologëve. Ai e përfundoi të folurën, duke thënë pa pritur, gati me psherëtimë: -Ra dhe Ana.” Meqë rënia në dashuri po perceptohej si rrëzim personaliteti, ia behin autoritetet për të stabilizuar situatën. Nuk mund të mos bëjë përshtypje, tërheqja e sekretarit të partisë, i cili ia ngarkon si detyrë kryetarit të kooperativës, të këshillonte Anën. “Po ti, ti je ndryshe, Ana! Ne me ty, siç e thashë në fillim…mburreshim, të nxirrnim në presidiume.”-janë fjalët e kryetari baballëk. Ana po shihej me sy tjetër, sikur kishte shkarë nga ana morale, duke shkelur në nderin e presidiumeve. Që të ishte në rregull: mos duhej të merrte traktoristin dhe jo gjeologun e divorcuar? “-Mos vallë po të dalësh në presidiume, duhet të heqësh dorë nga dashuria?” Një përgjigje si kjo të hapte telashe, por Ana e thotë me gojën plot, ndonëse kusuret mund të ishin për autorin. Autoritet dukeshin si të ngopura nga dashuria për partinë dhe çdo dashuri tjetër: shihej me skepticizëm. “-Jo, xhanëm s’them ashtu, se ja Sofika e Vasil Kronit u shqep duke dalë në tabela nderi e në radio e në raporte dhe para dy javësh na u martua me dashuri. S’them ashtu, por, sidoqoftë ti je ndryshe, Ana.” Një vajzë e dashuruar po shihej nga opinioni zyrtar, sikur po mëkatonte. Fundja: çështje të privatsisë, pse duheshin bërë muhabete zyrash? Gjë që shkaktonte irritim tek lexuesi. Irritohu këtu, irritohu atje, a nuk futeshin xixat duke ushqyer kundërshtinë? Sipas autorit, fshati ku Ana jepte mësim, ishte nga më të prapambeturit e Shqipërisë, ndonëse i përkiste zonës më të begatë, Myzeqesë. Lavatriçja e parë mbërrin aty pas 30 vjetësh socializëm. “Bardhyl Krasta shikonte se si fshatarët i vinin rrotull makinës larëse, e vërenin me butësi, dhe buzëqeshjet e tyre pasqyroheshin paksa të ndryshuara mbi sipërfaqen e emaluar të saj.” Siç shihet, veshi dhe syri i shkrimtarit në syrgjynin për njohjen e jetës, sheh gjëra të zararit: llucë, pellgje, qerre dhe pleq të moçëm. Ky na qënkish fshati socialist?! Plaka 120 vjeçare, Patra Baltaj, dëshmon duke hedhur dritë në zbulimin e një krimi të vjetër: “Mos më lini të gënjej, se jam plakë, s’kam kohë të ndreq shpirtin. Arra është plakë, shumë plakë… Dhe atë që sheh arra e mban mend më mirë se njeriu.” Nisur nga aftësia që ka arra, e cila fotografon peisazhin që ka përpara, ndryshe nga aparati fotografik, që zgjat një pjesë të sekondës, shkrepja e drurit të arrës ndodh për 30 apo 40 vjet, shkrimtari me gjuhë ambiguitive kërcënon indirekt se krimet e fshehura, do të vijë një ditë që do të zbulohen. Afati prej 30 apo 40 vitesh përkon me ardhjen e demokracisë.

Ismail Kadare, në kooperativën “Agimi”, Seman, 1975

Gjeologu Bardhyl Krasta shfaq interes për: mësuese Anën dhe famullinë, ndërsa për naftën flitet: “Në ekranet e TV-ve, rrugët e Romës dhe të Amsterdamit të shkretuar nga makinat. Mbreti Fajzall i Arabisë Saudite, një nga kryevendet e naftës, qe vrarë aksidentalisht nga nipi i tij i çmendur. Ndërsa lexonin lajmin, spikerët dukeshin sikur thoshin: duhet të jeni tepër budallenj ta besonin këtë aksident. Fytyra e sulltanit të vdekur, në ekranet e TV-ve dukej e frikshme.” (Vetëm TVSH kishim në monizëm, pse në shumës: ekranet e TV-ve? Mos po dekonspiron veten se ndiqte stacionet e huaja?) Nëse andej vritej sulltani tek ne ishte sulltani, që vriste të të tjerët. Në një realitet kriminal, Bardhyl Krasta, vihet në kërkim të zbulimit të një krimi të vjetër, kur detyra e tij ishte të zbulonte naftën, sipas porosive të udhëheqjes. “Sabotatorët mbronin mendimin e vjetër të specialistëve të huaj që naftë s’ka. Tani duhej vërtetuar e kundërta.”-shkruan autori duke i dhënë material Lubonjës, ta regjistrojë si fakt, sikurse më jep të dhëna për ta mbrojtur. Autori i bën naftën naftës, pasi gjeologu Krasta i qepet famullisë së fshatit, kurjos të zbulonte krimin e vjetër. “-Siç e shikoni, kërkoja të dhëna për naftën dhe ndesha në luftën e klasave,-tha ai. Ajo tundi kokën në shenjë pohimi. -Ajo është kudo, dhe asgjë s’mund të jetë jashtë asaj. As nafta.” Por, krimi i vjetër që gjeologu investigator kërkon të zbulojë s’ka të bëjë me luftën e klasave, pasi ngjarja ka ndodhur më 29 tetor 1943 në kohën e luftës Nacional-Çlirimtare. “Terrorit të bardhë të bandave të Isa Toskës dhe të Xheladin beut njësitet guerile i përgjigjeshin me terror të kuq.”-shkruan autori, duke vënë shenjën e barazimit midis ballistëve dhe komunistëve, ku të dyja palët si armë friksimi përdorin terrorin.

Në famullin e vjetër, Bardhyl Krasta, zbulon një bareliev të qëmotshëm, sipas pleqëve të fshatit, i dëmtuar dhe i vjedhur nga “Kapuçonët e zinjë”. “Përse duhet t’u interesonte vrasësve zhdukja e emblemave të Muzakajve, me kufijtë etnikë të vetë Shqipërisë? Një emblemë vetvetiu ka lidhje me të gjitha këto. Me asgjësimin e saj ata donin të zhduknin një dëshmi. Një dëshmi tepër të rëndësishme. Pra, ata donin të bënin një përçudnim në histori.”-arsyeton investigatori. Kush janë të interesuar për zhdukjen e një embleme, si e Muzakajve, mund të shtoni dhe të Kastriotëve, qoftë dhe të emblematikut Kadare, sikurse ishin zhdukur familjet e mëdha në diktaturë? “Mbetet çështje e kufijve etnikë,-vazhdoi të fliste ai.-Emblemat shpesh kanë lidhje me to.” Ballist Morina besoj se është i një mendje me Bardhyl Krastën. Në kohën kur shiten ikonat, vjedhja e një embleme, thua të jetë një objekt trafikantësh? “Ata nuk donin të linin kujtesë për të. Donin që gjithçka të harrohej, të harrohej.”-tek “ata” duhen futur dhe “këta”. Po me pusin e naftës ç’bëhet, o gjeolog?! “Ky është një krim apo aksion, quaje si të duash, që dilte jashtë stilit të kohës. Nuk di si ta shpjegoj, por unë e ndjej se pikërisht kjo gjë tregon se krimi kapërcente mbi kohërat, mbi gjendjen politike të çastit, administradën, qeveritë.”-vazhdon të hulumtojë gjeologu i kthyer në investigator. Më në fund i vjen radha dhe naftës: “Emblema e Muzakajve është një nga dëshmitë e rralla, në mos e vetmja, që vërtetonte burimet e naftës në këtë zonë.” Një fakt ky që duhet ta ketë ditur dhe i kënduari Faik Konica, sikurse e dëshmon dhe Julian Amery në librin “Bijtë e shqipes”: “Në njërën nga konferencat e shumta ndërkombëtare, që u mbajtën pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte përfaqësuar nga Faik bej Konica, një njeri mendjehollë dhe shumë i shquar. Faik beut i duhej siguruar përkrahja britanike në lidhje me kërkesat e vendit të tij dhe, pas shumë përpjekjeve të pasuksesshme, iu afrua më në fund, jo pa hezitim një bashkëbisedim me Lordin Kërzon. Kërzon e priti Faikun duke qenë i ulur dhe në mënyrë të ftohtë, kërkoi që të mos zgjatej në ekspozenë e tij. Delegati shqiptar bëri një referencë dhe ia nisi: “Shkëlqesë, në Shqipëri ka vajguri.” Sytë e Kërzonit filluan të shkëlqejnë: “Uluni, i dashur mik!”-i tha duke u ngritur përnjëherësh dhe për çudinë e sekretarëve të padurueshëm, biseda u zgjat më tepër se një orë.” Kjo është arsyeja që konsulli anglez Eden u tregua shumë aktiv në mbajtjen e Kongresit të Lushnjës, i cili binte më shumë era naftë se sa barut. Nëse doni ta aktualizoni edhe më, shihni tensionet midis Turqisë dhe Greqisë, sikurse marrëveshja e detit me Greqinë, e cila ka rikthyer tek ne historinë e tradhëtarëve. Emblema e Muzakajve, sikur të jetë një hartë gjeologjike shenjon dhe burimet e naftës, të cilat nuk duhen kërkuar në pllakatet apo sinopset e diktatorit. Pra, hetimet në famulli nuk ngjasojnë me hetimet në Pallatin e Ëndrrave. A nuk të krijohet ideja e një kundërvënie? “Kapuçonët e zinjë”, vrasësit e rojes së famullisë, një kosovar ky, shkatërrojnë emblemën, si dëshmi e burimeve të naftës, përngjashëm me një vjedhje projekti, së cilës shkrimtari i jap përmasat e një komploti konspirativ botëror. Një aludim i tillë, në një kohë kur dënoheshin sabotatorët e naftës, ishte si t’i shfajsoje ata, pasi rrënjët e së keqes globalizoheshin. “Ata janë më të përgjithshëm se shtetet dhe administratat. Teknokratë, kozmopolitë, agjentë të shoqërive anonime ndërkombëtare.”-shkruan autori, duke injoruar siglat e partisë, distiktivët e udhëheqësit, ku rëndësi të dorës së parë merr emblema. 

Për të përforcuar idenë e shkatërrimit të emblemës prej “forcave të errëta”, në novelë flitet dhe për shkatërrimin e titujve të pronësisë e të sinoreve. Krahas “kapuçonëve të zinjë” shfaqet dhe personazhi enigmatik, Veniamin Papa, me profesion topograf, i cili vihet në shërbim të shpronsuarëve duke piketuar kufijtë e vjetër të pronave, me mjete rrethanore, në fshehtësi të plotë. “Nis, ndoshta për herë të parë në rruzullin tokësor, një punë që s’kishte as traditë, madje as emër, në asnjë gjuhë të botës.”, i cili në shishe të fshehura thellë, shenjonte tokat e të shpronsuarëve, ngaqë: “Ish-pronarët shpresonin se do të vinte një ditë se ato shenja do ta lëkundnin tokën si një çarçaf të madh. Dhe do të rrokulliseshin dhe do të shkundeshin prej saj gjithë këto ferma e kooperativa, me rrugët dhe shtëpitë e tyre, me kryesitë dhe pllakatet e ngjitura mureve, me shtëpinë e kulturës, antenat e TV-ve, pambukun, makinat shirëse, festivalet e amatorëve…Sepse ata kishin shpresa se do të vinte një ditë që çifliqet do t’i merrnin përsëri.” Ta thoshe këtë, në një kohë kur nuk njiheshin titujt e pronësisë, kur ikonat ishin zëvendësuara me distiktivët, si të kërkoje belanë me zor.

Sulmet ndaj figurave emblematike justifikohen prej mitomanëve me gjoja çmitizimin apo dekomunistizimin. Në fakt, çmitizimi ishte një aksion politik i kohës së diktaturës, ndërkohë që Enver Hoxha fetishizohej, duke u krijuar miti se Enveri i njihte njerëzit nga sytë, bile deklarohej se një nga puçistët e byrosë e kishte zbuluar pikërisht nga sytë. Helena në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”, shkruan: “Qarkullonte mendimi se E. Hoxha ishte si ndonjë magjistar që kur t’i ngulte sytë e kuptonte se ç’kishe ti në kokën tënde. Njerëzit e thoshin këtë në mënyrë të ndryshme: me admirim ose me ironi të fshehtë. Shumë kohë më parë Drago Siliqi ia kishte thënë shprehimisht Ismailit një gjë të tillë. “I vetmi që kam frikë të takoj është E. Hoxha, ngaqë jam i sigurt se do t’më kuptojë se ç’kam në kokë.” Në novelën “Emblema e dikurshme” Kadare shkruan: “Thonë se njerëzit njihen nga sytë…Jo, or bir, jo! Dëgjomë mua ti, më mirë se libri, apo syri, apo veshi, njerëzit i njeh kjo këtu,-dhe plaku i ra me dorë qafës së tij!-S’ka si qafa, or bir!” Qafa është vendi ku vihet zgjedha. Burgu i Qafë Barit. “Nganjëherë populli ka ca vegla të pagabueshme si ajo: qafa e Hill Mingës.”, i cili kishte punuar si hamall në skelën primitive të kënetës. Mjafton emblema e Muzakajve ku pasqyrohen burime nafte, që libri i udhëheqësit për naftën të dalë skarco, sikurse mjafton qafa e Hill Mingës, që sytë e udhëheqësit, të jenë të përshtatshëm për “Qorrfermanin”. Po pusi i naftës ku është, o gjeolog? Me sa duket u është lënë mitomanëve ta zbulojnë.

Exit mobile version