Kreu Arte pamore Eleni Laperi: si u edukua syri im të shohë sot tablonë “Origjina...

Eleni Laperi: si u edukua syri im të shohë sot tablonë “Origjina e botës” të Gustave Courbet

Para rreth një muaji në qendrën kulturore Destil Creative Hub në Tiranë u bë një bisedë e hapur mbi tablonë “Origjina e botës” e piktorit realist francez të shekullit të 19të Gustave Courbet. Shkas për bisedën e historianes së artit ishte reagimi i ashpër i qytetarëve tanë ndaj një vajze, e cila e kishte parë dhe e kishte fotografuar tablonë, që ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Artit Orsey në Paris dhe e kishte postuar foton në faqen e saj në facebook. Piktura paraqet torsin e zhveshur të një gruaje dhe seksin e saj në plan të parë.

Përse këto reagime e mallkime të zemëruara të qytetarëve tanë ndaj vajzës?

Vajza, që postoi fotografinë e pikturës në facebook padyshim u nis nga fakti, që tablonë e shihte si vepër arti, pasi e kishte parë në një  muze, për më tepër në një muze të madh si muzeu Orsey. Nisur nga ky kontekst kulturor, postimi i saj është krejt i pafajshëm.

Po publiku shqiptar nuk e ka edukimin artistik në nivelin e edukimit të publikut europian, që të kuptonte se ishte konteksti kulturor, që e shtyu vajzën të fotografonte e të publikonte foton e tablosë. Megjithatë publikut shqiptar nuk i mungoi intuita, e cila e ndihmoi të dallojë një nudo nga një paraqitje pornografike, ndonëse i mungoi mirësjellja të komentonte si qytetar.

Për të qënë më e qartë për lexuesin, në fillim dua të tregoj, në atë që do shkruaj më poshtë, se si u edukua syri im për të parë sot “Origjinën e botës”, për të dalluar një nudo, një vepër arti, nga një trup lakuriq.

Nisa studimet në Institutin e Arteve në Tiranë, sot Universiteti  Arteve, pasi mbarova gjimnazin. I vetmi libër arti që kisha parë deri atëherë kishte qenë një katalog me peizazhe natyraliste të një piktor natyralist rus, ndikimin e të cilit m’u deshën vite ta fshij nga kujtesa. Në orën e vizatimit në atë shkollë pashë për herë të parë një grua të zhveshur, një grua që gjithë hir hiqte rrobat e trupit në sy të njëzetë e një studentëve dhe u dhuronte peizazhin e bukur të trupit të saj. E shihja me ndrojtje modelin, e shihja me turp. Për herë të parë pashë djem, që preknin format e trupit të një gruaje të zhveshur me delikatesë, si të preknin një vepër arti.

Ajo që shtrihej para meje qe njeriu i parë i rritur, i veshur vetëm me lëkurën e vet. Pamja e asaj gruaje të zhveshur ishte një goditje e fortë në themelin e edukimit tim, i cili kishte aq shumë fjalë, aq shumë gjeste të përcaktuara si “Turp”. Atë ditë nisa të mësoj si duhej të shihja. Ajo grua nuk ishte “turp”. Ajo dhuronte me bujari pamjen e një trupi njeriu, trupit të saj, për ne që donim të mësonim çfarë ishte «e bukur».  Atë ditë nisi për mua një kthim i mundimshëm prapa për të ndërtuar një bazë të re edukate, sepse deri atë ditë më shumë më kishin mësuar si “të mos shihja”, sesa “si të shihja”.

Ngadalë nisa të kuptoj se është “vështrimi”, që paraprin kur shprehemi mbi kuptimit që kemi formuar për botën, për shoqërinë, për krijimin, që përcakton edhe identitetin e një vepre arti, edhe titullin e saj. Gjithashtu nisa të kuptoj se është edukimi i vështrimit tonë, që na bën të aftë të dallojmë një figurë lakuriq nga një nudo, që na ndihmon të përcaktojmë natyrën e një vepre në vartësi të një konteksi kulturor.

Vite më vonë, kur punoja në sektorin e studimit të Galerisë Kombëtare të Artit në Tiranë, pashë në praktikë efektin e gjestit të artistit francez Marcel Duchamp, i cili në vitin 1917 vendosi të ekspozonte në ekspozitën e parë të Shoqatës së Artistëve të Pavarur në Nju Jork  një urinore, duke e thënë se “është zgjedhja e artistit, që edhe sendeve të zakonshme u jep dinjitetin e një vepre arti”. Artin e krijuar deri atëherë ai e quante një art të krijuar për t’i pëlqyer syrit dhe na mësoi ta përdorim artin t’i shërbejë mëndjes. Ai efekt që krijon konteksti kulturor, në të cilin vendoset objekti, kësaj here oborri i Galerisë Kombëtare të Artit në Tiranë, i shtyu një grup vizitorësh të huaj ta merrnin për «vepër arti» një buldozer të vogël, të lënë në oborrin e galerisë nga puntorët, që ato kohë po restauronin godinat e ministrive aty pranë. Vizitorët më pyetën se “cili ishte autori i saj”. Me sa duket ata tashmë e kishin mësuar se konteksti kulturor është përcaktues i asaj që shohim. Në një kantier ndërtimi ajo makineri do të ishte “mjet pune”; në përmasa të vogla në dhomën e një fëmije do të ishte “lodër”    ; në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve ajo ishte “vepër arti”.

Është ndoshta një hyrje e gjatë, por e pashë të nevojshme të tregoj se si u edukua syri im të shohë sot tablonë “Origjina e botës”, për të kuptuar atë që do shkruaj më poshtë,

Sipas pedagoges amerikane Beth Eck, është konteksti kulturor në të cilin është vendosur, që përcakton edhe kuptimin e figurës së zhveshur të njeriut. Në kulturën Perëndimore kontekstet e njohura janë: arti, pornografia, informacioni dhe qëllimi fitimprurës. Sipas Eck shekulli 21 mund të ketë krijuar kategorinë e katërt, nudon-mall, e cila përdoret për të tërhequr vëmendjen për qëllime  fitimprurëse. Pra, mënyra se si ne i shohim sot gjërat, ndikohet nga mendësia e kohës, nga ajo që ne dimë apo që ne sot besojmë. Për shembull, për brezin tim një kala ishte vendi ku mbroheshin banorët prej sulmeve të të tjerëve; sot për fëmijët e qyteteve tona një kala është vendi, që vizitohet nga turistët.

Një sy i edukuar di të përcaktojë se cila dhe çfarë është “vepër arti”, di të dallojë në se një figurë e zhveshur në një tablo është një nudo, pra një vepër arti, apo një figurë lakuriq, qëllimi i paraqitjes së të cilës anon nga pornografia. Eshtë pastaj guximi qytetar që na shtyn të themi mendimin tonë, bazuar në fakte, por edhe të pranojmë kur gabojmë përballë fakteve të reja.

Ky guxim më shtyu të shkruaj përsëri për tablonë e piktorit francez Gustave Courbet, të titulluar, nuk di se se nga kush, “Origjina e botës”. Them përsëri, pasi për herë të parë kam shkruar për të në vitin 2014,  kur në shtypin shqiptar u botuan disa shkrime për tablonë dhe për pronarin e parë të saj, pashain ekstravagant turko-shqiptar Halil Sherif Pasha. Më saktë, shkrimi im i atëhershëm ishte një lloj  kundërvënie ndaj ekzaltimit nacionalist të pabazë për origjinën shqiptare të pashait otoman, i cili, sipas artikullshkruesve, duhej të na bënte krenarë ne shqiptarët e prapambetur, pasi duke porositur pikturën e quajtur sot “Origjina e botës”, ku është pikturuar vetëm një copë e trupit të një gruaje dhe seksi i saj, pashai ua kishte kaluar parizianëve, duke u treguar më mëndjehapur e me ndjenja më të stërholluara.

Për dhjetra vite piktura, tashmë e ekspozuar në muzeun Orsey në Paris, i kishte vënë në vështirësi historianët e artit, të cilët donin të përcaktonin cila kishte qënë modelja, që kishte pozuar për tablonë. Sepse tablosë i mungon portreti dhe në plan të parë të saj është vetëm seksi i padepiluar i një gruaje. E që një studiues të kuptojë arsyen e krijimit të një vepre, për të është e nevojshme të ketë disa të dhëna. Gjëja më e thjeshtë për historianët ishte të besonin se torsi i zhveshur i paraqitur në pikturë i takonte modeles flokëkuqe irlandeze Joanna Hufferman, e cila ishte edhe e dashura e piktorit. Disa mendonin edhe se tabloja “Origjina e botës” ishte pjesë e prerë, me kërkesën e Halil Sherif Pashës, nga një tablo më e madhe, në të cilën tregohej trupi i plotë i modeles, që pozonte si një grua në ekstazë.

Dilemat vijuan deri në vitin 2018, kur historiani francez Claude Schopp deklaroi se kishte zbuluar në  korrespondencën e Alexsandre Dumas të Riut me shkrimtaren George Sand, se modelja misterioze, që pati pozuar për tablonë e porositur prej Halil Sherif Pashës kishte qënë e dashura e pashait, kurtizania Constance Queniaux. Pashai otoman kishte dashur të blinte vetëm atë copë të tablosë realiste, në se kishte qënë një tablo e madhe fillimisht, apo kishte porositur një pikturë ku paraqitej vetëm ajo pjesë e trupit të së dashurës së tij, ku përfshihej vetëm organi gjenital i saj i padepiluar.

Do ishte pak më i thjeshtë problemi i analizës, në se do pranohej dhe faktohej se piktura «Origjina e botës» ishte pjesë e një tabloje më të madhe, ku paraqitej figura e plotë e një gruaje të shtrirë. Kjo do ta bënte më të pranueshme cilësimin e tablosë si shfaqje e përpjekjes së piktorit për të idealizuar një gjendje ekstaze të gruas, duke e bërë pjesë të listës së veprave të tij. 

Lind pyetja: “Origjina e botës” është vepër arti erotike apo thjesht një tablo pornografike? 

Përgjigjet që gjeta për pyetjen më forcuan bindjen për natyrën e tablosë, për arsyen e vërtetë të porositjes së saj, arsye që përcakton edhe gjininë e veprës si një tablo pornografike. Sepse pornografia e redukton figurën e gruas vetëm në paraqitjen realiste deri në detajet më të imta të organit seksual të saj. Arti erotik dhe pornografia ndryshojnë nga njëri-tjetri sepse ndërsa pornografia supozohet si degraduese, objektivizuese ose shfrytëzuese e figurave njerëzore që paraqet, në veçanti gratë, arti erotik respekton lirinë dhe thellësinë psikologjike të personazheve të paraqitura. Ajo që bëri Kurbe, pasi ia shiti veprën Halil Sherif Pashës, përpjekja për ta fshirë nga kujtesa e krijimtarisë së tij, tregon se edhe vetë piktori ndoshta e dinte, që vepra ishte kthyer në objekt pornografik, po ja që ky është edhe çmimi, që ndonjëherë paguan nevoja për para e një artisti. Një tjetër përgjigje për pyetjen është ajo që bëri vetë Halil Sherif Pasha: fshehja e tablosë në studion e tij.

Më ka ndodhur të shoh se si mosdija na shtyn t’i shohim gjërat në një mënyrë, e cila zbulon atë që nuk dimë. Duke u përpjekur të tregohemi më të ditur se të diturit, më mendjehapur se më të përparuarit, arrijmë  në përcaktime të gabuara për atë që shohim. Do të thoja se ky është rasti i mungesës të qëndrimit kritik ndaj imazhit të tablosë “Origjina e botës” e piktorit Gustave Courbet. Qëndrimi ynë, me mangësi në fushën e njohjes nuk na ka lejuar shpesh të dallojmë se kur një nudo, qoftë ajo e pikturuar, qoftë e fotografuar, e kthen figurën e një gruaje në një trup të lakuriqtë, në një mall, në subjekt pornografik.

Para dhjetë vitesh unë “u sulmova”, sepse dola kundër asaj që disa autorë e quajtën “krenari” për shqiptarët, sepse mohova “vlerat kulturore” të pashait osmano-shqiptar Halil Sherifi, edhe pse e shpjegova përse për mua ai nuk ishte më mëndjehapur se parizianët e kohës së tij. Megjithatë duhet ta pranoj se u përballa me një “sulm elegant”, ndryshe nga reagimet që mori vajza shqiptare në postimin e saj në facebook. Si thashë më lart, e justifikoj veprimin e saj, sepse e krahasoj me qëndrimin e vizitorëve të huaj, të cilët e quajtën vepër arti buldozerin, që e panë në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, nisur vetëm nga vendi ku makineria ishte lënë. Aq më e bindur duhej të ishte vajza shqiptare, e cila e pa tablonë të ekspozuar në një muze dinjitoz të Francës.

Nuk mungoi reagimi ndaj meje edhe në takimin në Destil Creative Hub, sepse e quajta “pornografi” tablonë pa portretin dhe vetëm me seksin e një gruaje, tashmë të cilësuar “kryeveprën e piktorit” prej disa kritikëve perëndimorë. Kësaj here nuk mungoi ironia. Dua të besoj se ironia e ndonjë teoricieni të periferisë nuk ishte nxitur nga dijet e teoricienit, po nga ideja se një studiuese e periferisë po “guxonte” të dilte kundër kritikëve perëndimorë të një muzeu të famshëm dhe “kryeveprën e Courbe-së” po e cilësonte si pikturë pornografike.

Jam mësuar me reagime negative, por tanimë kam mësuar edhe unë ta them mendimin tim, duke u mbështetur në faktet që gjej, ashtu si kam mësuar të pranoj gabimin, kur ndeshem me fakte bindëse. Kësaj here pyes: a mund të mendojmë se qëndrimi i kritikëve perëndimorë ka nuanca komerciale, për të mos dëmtuar të ardhurat dhe reputacionin e muzeut, të veprës dhe të piktorit të tyre?

Pse jo?

Në librin e tij “Ways of seeing”, John Berger, kur flet për vizatimin e Leonardo da Vinçit “Virgjëresha me Krishtin, shën Anën dhe Shën Gjonin”, që ndodhet në Galerinë Kombëtare në Londër, thotë se galeria shet riprodhime të kësaj vepre më shumë se të çdo vepre tjetër të koleksionit të saj. Shkak u bë fakti se vizatimin e nxjerrë në ankand vite më parë u ofrua ta blinte një amerikan për mbi gjysmë milioni paunds. Tani vizatimi është i ekspozuar pas një xhami anti-plumb, jo për shkak të asaj që paraqet, jo për domethënien e vizatimit. Vepra është bërë mbreslënëse dhe misterioze për shkak të vlerës së saj në tregun e artit.

Arti i madh mund të përmbajë shprehje të përmbajtjes seksuale pa u bërë i pahijshëm, shkruan historiani Kenneth Clark. Skulpturat e detajuara të tempujve indianë të shekullit të 10të ai i quan “kryevepra arti, sepse erotizmi i tyre është pjesë e gjithë filozofisë së tyre”. Edhe Wendy Doniger O’Flaherty, një indiologe amerikane, kur shkruan për Kama Sutran, e quan “një vepër filozofike”, duke e ngritur në statusin e dy veprave të mëdha filozofike, të cilat kanë ndikuar në formimin e shoqërisë indiane: Dharmashastra e Manu-s dhe  Arthashastra e Kautilya-s.

Po cila ishte filozofia e Halil Sherif Pashës, që porositi tablonë, të cilën më pas autori,  piktori i madh Gustave Courbet, e “mohoi”? Them “e mohoi” pasi dihet se ai, që e kishte zakon të përshkruante gjithë qëllimet e tij artistike në korrespondencat me miqtë e tij, tablonë “Origjina e botës” nuk e ka përmendur asnjëherë,  madje nuk ka vënë as firmën e tij në telajo.

Halil Sherif Pasha u lind në Soyut të Egjiptit të Sipërm (atëherë pjesë e perandorisë osmane) në qershor të vitit 1831 në familjen e Muhamed Sherif Pashës, një shqiptar i lindur në Kavala (sot qytet në Greqi). I ati i Halilit, Muhamed Sherif Pasha, ishte bir i adoptuar i Muhamed Ali Pashës, sundimtarit me origjinë shqiptare të Egjiptit, i cili e mori Muhamedin nga Kavala, e adoptoi, e edukoi bashkë me djemtë e tij dhe e bëri kapiten të ushtrisë egjiptiane të Perandorisë Osmane. Djali i Muhamed Sherifit, Halili, u rrit në një mjedis, ku shkriheshin detyrimi për të qënë pjesë e Perandorisë Osmane dhe dëshira për të pranuar ndikimin e madh të evropianëve perëndimorë, që tashmë e njihnin dhe e frekuentonin Egjiptin. Sipas Deniz Turker, që ka studiuar karierën diplomatike dhe zhvillimin e idealeve egalitariste dhe reformuese të Halilit, Parisi u bë qëndra e viteve të formimit të tij. Më 1856 Halili hyri në shërbimin diplomatik, madje u dërgua si antar i delegacionit fuqiplotë, që përfaqësonte Perandorinë Osmane në bisedimet ruso-turke, pastaj u emërua ambasador i Perandorisë Osmane në Athinë, e më vonë ambasador në Shën Petërburg. Po pas katër vitesh ai dha dorëheqjen nga diplomacia dhe në 1865 shkoi të kalonte ca kohë në Paris, mbasi atje kishte mundësi kurimi për sifilisin, që mendohet se e mori në Rusi. Po atë vit Halilit i vdiq i ati, duke i lënë një pasuri të madhe. Paskëtaj ai mori me qera një apartament të shtrenjtë në rrugën Taitbout në Paris dhe nisi një jetë luksoze të shfrenuar prej bohemi pasanik. Djaloshi bukurosh e me kulturë u integrua shpejt në jetën e shoqërisë së lartë pariziane. Sipas shkrimtarit e kritikut të njohur francez Théophile Gautier, ai ishte “biri i parë i Islamit, që hyri në rrethet elitare të Perandorisë së Dytë”, ku e quanin “princ i përrallave orientale”… që mbeti turk për nga bujaria dorëshpuar, nga tërheqja pas grave e kumarit, por u bë parizian për nga mëndjeprehtësia, eleganca dhe dashuria për teatrin dhe artet”. Veç nuk harronin edhe të shtonin se ai ishte “njeri i edukuar, por imoral e mëndjelehtë”. Halil Pasha u martua dy herë, po edhe gruaja e parë, fisnikja franceze Julie de Niverlie, edhe gruaja e dytë, princesha Nazli Fazl nga dinastia e Muhamed Ali Pashës së Egjiptit, nuk e duruan dot jetën aq të shthurur të tij.

Gjesti i tij, porosia e tablosë ku ishte pikturuar vetëm seksi i një gruaje, ishte i pashpjegueshëm dhe shprehje e një guximi të marrë për evropianët, ndërsa për pashain osman ishte thjesht plotësimi i një dëshire erotike të shfrenuar, e cila ishte pjesë e moralit me të cilin ishte ushqyer gjatë jetës së tij në shoqërinë e lartë osmane, moral, që në fund i mori edhe jetën në moshën 48 vjeçare.

A e vendosin këto të dhëna pikturën realiste dhe aspak të idealizuar të seksit të padepiluar të një gruaje në kontekstin kulturor të artit apo të pornografisë? A e bëjnë “të turpshme” tablonë edhe për një sy të edukuar?

Duke qenë se jemi mësuar t’i shohim skulpturat dhe pikturat e Egjiptit të lashtë, Greqisë, Romës si trupa të pastër, të lëmuar, pra të depiluar krejt, na habit kaçubja e errët në seksin e torsit të “Origjinës së botës”. Depilimi përdorej nga egjiptianët e lashtë, nga grekët e romakët e për këtë kemi prova edhe shtatoret e pikturat e kohëve të vjetra. Piktorët dhe skulptorët pas tyre po ashtu i paraqitën të depiluara gratë në tablotë e shtatoret e tyre, që trupat e tyre të dukeshin të pastër e të lëmuar si mëndafsht. Për romakët e lashtë një trup i depiluar ishte edhe simbol  i një qytetari të shoqërisë së lartë.  Një trup i depiluar ishte një trup i idealizuar, një shprehje e së bukurës.

Edhe te shqiptarët trupi i depiluar i gruas haset te riti i dasmës shkodrane. Kur kërkoja të mësoja domethënien e kompozimit të tablosë «Dasma shkodrane» të Kolë Idromenos, mësova se edhe gratë katolike të Shkodrës e depilonin krejt trupin para martesës, lyenin edhe flokët, një rit që përsëritej deri në fund të jetës. Ashtu depilohen sot edhe yjet e kinemasë apo të televizionit, personazhet VIP.

Po përse Courbet në tablonë “Origjina e botës” e ka paraqitur seksin e gruas të padepiluar? Patjeter duhej të ishte sipas porosisë të Halil pashës, për koleksionin e tij të tablove erotike, që ai bleu në Paris nga piktorët Delacroix, Ingres,etj., tablo të ekspozuara në apartamentin e tij.

Përse e mbante të fshehur tablonë e Courbet, ku ishte pikturuar vetëm seksi i të dashurës së tij, qoftë ajo një kurtizane? Dhe përse e zbulonte veç për ndonjë mik të rangut të tij, prototip i burrave të pasur apo të pushtetshëm, që kanë më shumë pasuri e pushtet se sa u nevojitet? Sepse edhe ai vetë e dinte natyrën e asaj porosie, një porosi që zbulonte filozofinë e rrethit ku ai ishte rritur, rrethi i shoqërisë së lartë otomane, ku pashallarët dhe vetë sulltani i lejonin vetes jo vetëm argëtimin me dhjetra gratë e haremit, po edhe dëfrimin me djem të rinj,  ku gruaja konsiderohej qënie e papërsosur apo njeri i dorës së dytë. Ai ua tregonte pikturën vetëm disa miqve të pasur e të pushtetshëm, që fshehurazi bënin një jetë të shthurrur si ai, ndërsa hapur shpreheshin të “skandalizuat” prej zakoneve të shthurura të oborrtarëve osmanë.

Për të përcaktuar kontekstin kulturor të tablosë së porositur nga pashai otoman, nisur nga dëshira e tij të kishte në telajo të pikturuar jo gjithë figurën e të dashurës së tij, jo portretin e saj, po vetëm pjesën e trupit të së saj, që përfshinte organin gjenital, na ndihmojnë në gjykimin tonë katër të dhëna: 1. Gustav Kurbe, nuk na ka lënë të shkruar asnjë fjalë për këtë pikturë të tij; 2. Piktori nuk e ka vënë firmën e tij në vepër; 3. Halil Sherif Pasha, porositësi i saj, pronari i saj i parë, e mbajti gjithnjë tablonë të fshehur pas një cohe të blertë në studion e tij dhe e zbulonte vetëm për t’i a treguar ndonjë miku të rangut të tij; 4. Edhe blerësi i fundit i kësaj tabloje, psikoanalisti francez i shekulli të 20të, Jacques Lacan, nuk e ekspozoi kurrë veprën origjinale, të cilën e fshehu pas riprodhimi surealist të saj prej mikut të tij, piktorit André Masson.

Sot ne jemi dëshmitarë të përdorimit të figurës së gruas si objekt, si mall fitimprurës në art dhe në fotografi, në programet televizive, në videoklipet e këngëtarëve bashkëkohës, në posterat e afishuara nëpër qytet. Gjysmë e zhveshur apo lakuriq, gruaja është kthyer në një mall, cili tregtohet përpara syve indiferentë të qytetarëve në qytetet tona. Ndonëse shihet një formë e re ndërgjegjësimi në lidhje me krijimtarinë e viteve dhe shekujve të kaluar, ndërgjegjësim i formuar nga një këndvështrimi i ri i një shoqërie të hapur, nga pasurimi i dijeve, po e mënçurojnë vështrimin tonë. Kjo nuk i ndalon sloganet lidhur me “lirinë e shprehjes”, “lirinë seksuale”, liri të keqinterpretuara prej tyre, të cilat me qëllim apo pa qëllim po bëhen shkak i shtimit të akteve të dhunës, sidomos ndaj grave.

Që në vitet `60 të shekullit të kaluar lëvizja feministe vuri në dukje se përmbajtja e qartë seksuale në të shumtën e rasteve me pamje që tregojnë – pra miratojnë dhunimin e njerëzve, sidomos të grave, nënshtrimin seksual, përmbajtja e reduktuar në pjesët e trupit që kanë në qendër organin seksual, etj., është përmbajtja që ka sjellë sot degradim e përshkallëzuar në mënyrë dramatike të figurës së gruas.

Ne sot jemi dëshmitarë të një klime dhune të përsëritur ndaj grave. Jo vetëm në vendin tonë. Çdo ditë dhunohen gra ngado. Dhe një nga arsyet është edhe pasqyrimi i figurës së tyre të reduktuar në objekt seksi, fokusimi i këtij promovimi në pjesën apo në rolin e tyre seksual. Këtë e shohim në posterat e afishuar edhe nëpër Tiranë, në përmbajtjen e emisioneve televizive, që nën petkun e  promovimit të «lirisë së  shprehjes,” dhe “lirisë seksuale” si shenja të një shoqërie të përparuar, në të vërtetë promovojnë figurën e gruas si mall i tregut të seksit, si objekt dëfrimi.

Duke u përpjekur të tregohemi qytetarë më mendjehapur se sa në të vërtetë jemi, me dashje apo padashje ndihmojmë dhunën në forma të ndryshme ndaj gruas, ndaj lirisë së vërtetë të fjalës dhe seksit.

Exit mobile version