Kreu Letërsi Shënime mbi libra Klara Kodra: Romani “Kështjella” i Kadaresë dhe kthesa që solli në romanin...

Klara Kodra: Romani “Kështjella” i Kadaresë dhe kthesa që solli në romanin historik shqiptar

Romani shqiptar lindi – në dy anët e Adriatikut – në letërsinë e Shqipërisë dhe në letërsinë e diasporës arbëreshe si roman historik. Ky lloj ka qenë i pari i letërsisë shqiptare në të dyja format e veta: roman pseudohistorik ose me sfond historik dhe roman i mirëfilltë historik me në qendër figura historike.

Romani shqiptar lindi me romanet e arbëreshit Santori “Sofia Kominiate”, “Ushtari shqiptar” dhe me romanet e shkrimtarit verior Nikaj “Marcia” dhe “Shkodra e rrethueme”. Po duhet thënë se romanet e autorit të parë, ndonëse jo me pak vlera ideore dhe estetike, nuk i arritën publikut, as atij të bashkësisë arbëreshe për të cilën synonte autori, as atij të atdheut të origjinës që do ta zbulonte një shekull më vonë.

Romani historik shqiptar lindi i shartuar me romanin sentimentalist dhe me romanin social.

Historikisht u zhvillua më tepër si roman i intrigës dhe – në sasi më të paktë si roman i personazheve, duke nisur nga shekulli i nëntëmbëdhjetë dhe duke përfunduar në fazën e tij të parë me romanet e viteve 30-të, asnjeri prej të cilëve nuk arriti ndonjë thellësi të veçantë filozofike apo psikologjike.

Romanet historike të pasluftës – të mbyllura në kornizën e realizmit socialist, po me elemente të realizmit kritik – vazhduan traditën e përqendrimit te intriga dhe, më pak, te personazhet. Pati një përpjekje të pagoditur për të vizatuar figurën e Skënderbeut, çka do të sillte një pasurim relativ, në romanet e viteve 60-të, konkretisht të viteve 1967-1968 nga autorët Gjergj Zheji (“Muret e Krujës”) dhe Lavdi Hakiu (“Trimat e Skënderbeut”).

Romani “Kështjella” i Kadaresë, botuar më 1970, e theu për herë të parë traditën e krijuar, duke u përpjekur të jepte filozofinë e historisë, problemin e forcave lëvizëse, problemin e raportit të udhëheqësit me popullin, problemin e motiveve të thella që nxisin popujt për në luftë.

Ky roman, nën guackën e realizmit socialist fshihte elementë të realizmit kritik dhe – risi për t’u venë re – të modernizmit. Këto elementë të fundit çuditërisht i shpëtuan syrit të Argusit të censurës që u verbua nga mburoja nacionaliste.

Në këtë roman me një përmbajtje të thellë filozofike dhe një skemë objekti që thyen rregullat tradicionale, gjejmë gjithashtu personazhe, po paradoksalisht, jo nga kampi i popullit që lufton, po nga kampi armik. Pra, në plan të parë, u vu dobësia që e brente superfuqinë armike, ndërsa problemi i heroizmit të popullit shqiptar që luftonte për lirinë dhe identitetin e vet, si dhe udhëheqësit që i shpreh ato aspirata u zgjidh kryesisht në plan simbolik nëpërmjet figurës simbol të kështjellarit.

A ishte kjo zgjidhja më e mirë? Kjo mbetet e diskutueshme. Sidoqoftë ishte një zgjidhje. Dhe autori e realizoi më së miri në plan estetik. [Në atë kohë nga mungesa e përvojës, kemi mbajtur një qëndrim tepër kritik ndaj formës që i dha autori idesë së vet krijuese, formë që s’na dukej plotësisht e përshtatshme. Tani, po e korigjojmë atë gjykim të nxituar].

Kadareja na ka dhënë një varg personazhesh tepër të realizuara nga kampi armik. Ndofta më e fuqishmja nga ato figura personazhesh është figura e antagonistit të Skënderbeut, Tursun Pashës. Nëpërmjet kësaj figure për herë të parë në romanin historik shqiptar tregohej respekt për figurën e armikut, i cili nuk demoralizohej, as karikaturizohej, po pasqyrohej në mënyrë të denjë si një kundërshtar i mençur dhe trim, veçori që përdoren në valencë negative.

Duke mos e ulur figurën e armikut lartësohej edhe më qëndresa e shqiptarëve. Le të vërejmë që tundimit për të karikaturizuar figurën e armikut nuk i ka bërë ballë as Leon Tolstoi që te “Lufta dhe paqja” e vizaton figurën e Napoleonit me përmasa të zvogëluara, si karikaturë.

Figura e Tursun Pashës është një figurë komplekse dhe bindëse, figura e një njeriu ambicioz, të gatshëm për të rrezikuar në maksimum, mjaft i mençur për të përdorur çdo mënyrë për të arritur fitoren mbi shqiptarët nga armët më të fuqishme dhe të stërholluara në mjete më dredharake si privimi i kështjellave nga mjetet e domosdoshme të jetesës si uji ose përhapja e sëmundjeve me anë të minjve, mjet që si bumerang mund të bjerë mbi ushtarët që e përdorin.

Mençurinë Tursun Pasha e shfaq edhe në marrjen e këshillave nga bashkëluftëtarët, një formë “demokracie” e çuditshme kjo dhe e pazakonshme për atë kohë, por që i nënshtrohet qëllimit kryesor.

Gratë e haremit, Tursun Pasha në përputhje me kohën i sheh si pronë të vetën, nuk kujdeset për ndjenjat e tyre, madje është gati të përdorë edhe dhunën ndaj tyre (- Ai vetë i rrahu të dyja me kamxhik përpara syve tanë gjersa u ra të fikët – thotë njëra nga gratë e haremit për dy nga shoqet e tyre).

Megjithatë, ka një fije ndjenje njerëzore, dëshiron për të lënë një pasardhës, mundësisht djalë. ( – Në qoftë se ai – tregoi me gisht barkun e saj nën këmishën e hollë – do të jetë djalë, ti do t’i vesh emrin tim).

Kjo figurë negative është plotësisht bindëse drejt në fundin e saj me vetëvrasje kur arrin sigurinë e disfatës.

Figura të tjera të realizuara nga kampi armik janë kryeveqilharxhi, kryemekaniku, kronikani, arkitekt Kaurri.

Kryeveqilharxhi është pasqyruar si i vetëkënaqur dhe i pajisur me një lloj filozofie për luftërat. Duket sikur ka një farë mëshire për fatin tragjik të ushtarëve, po është një lloj ndjenje “nga lart”. Kryemekaniku është një figurë që mund të konceptohej në plan moral në kohë dhe regjime të ndryshme, figura e shkencëtarit që e sheh shkencën si qëllim në vetvete, duke pranuar edhe përdorimin e saj për qëllime çnjerëzore. Një shkëndi humanizmi shfaqet tek ai kur ai përpiqet të pengojë linçimin e ndihmësit të vet nga ana e ushtarëve që e quajnë përgjegjës për disfatën dhe vrasjen e shokëve të tyre, një skenë kjo tej mase tragjike që të sjell ndërmend një skenë analoge te “Lufta dhe paqja” ku tradhtari i supozuar Vereshagin luan rolin e dashit të kurbanit, duke u masakruar nga turma e egërsuar.

Kronikani është një figurë e goditur intelektuali oportunist që shpreh idenë e rishkrimit të historisë nga më të fuqishmit, fitimtarët e radhës. Ai kërkon të asistojë në luftë, po është kuptimplotë fakti që i shmanget rrezikut, sapo i jepet rasti. Ai kultivon miqësinë e atyre që kanë pushtetin si kryeveqilharxhi, po dridhet vazhdimisht në shoqërinë e tyre se mos u zgjon zemërimin.

Lufta midis “të diturve” dhe “të paditurve”, që e përshkon romanin në plan dytësor dhe që kritika e atëhershme nuk e vlerësoi është një luftë analoge me luftën midis “të aftëve” dhe të “paaftëve” për të cilën më vonë Kadareja me intimitetin e shkrimtarit do të bëjë aluzion te romani “Dimri i vetmisë së madhe” dhe që ishte, në fakt, si e përmend edhe shkrimtari, një nga luftërat më të ashpra në socializëm që paradoksalisht përfundonte shpesh në fitoren e “të paaftëve”.

Kjo linjë e lidh romanin “Kështjella” me aktualitetin.

Në roman ka edhe një linjë që nënvizon edhe më tragjizmin e luftës, linja e viktimave të pafajshme të kësaj lufte përmes figurave të grave nga të dyja kampet kundërshtare, figurës kolektive të grave të haremit të Tursun Pashës që zbërthehet mandej në figura individuale të veçanta si Exheri që është ende shumë e re dhe naive dhe ka një koncept romantik të jetës që do të bjerë në kundërshtim me fatin e saj dramatik, humbjen e fëmijës të palindur, Ajseli që ndriçohet përmes dashurisë së mallëngjyeshme për të bijën; nga ana tjetër grupi i vajzave shqiptare që bien robëresha dhe bëhen pre e epshit të pamëshirshëm të ushtarëve otomanë.

Në këtë vepër të Kadaresë afirmohet edhe niveli i lartë i dinjitetit dhe lirisë që gëzonin gratë shqiptare para pushtimit otoman, dëshmi e nivelit evropian të arritur nga Arbëria e atëhershme përmes këndvështrimit të çuditur të armiqve të cilëve gratë dhe vajzat shqiptare u ngjajnë si qenie enigmatike dhe të pakuptueshme (“Ato rrinë me meshkujt sy në sy. Bile bisedojnë me ta dhe qeshin… Të bukura dhe të bardha… Ato janë si mjergulla që lëviz dhe ti zgjat dorën ta kapësh, por në dorë s’të mbetet asgjë.

Edhe veshjet i kanë në ngjyrën e mjegullës. Të bardha, të bardha, me ca shirita të kuq e të zes… Sytë e tyre dinakë me të cilët ato, gjer tani, shikohen lirisht me meshkujt…”).

Në roman, krahas konfliktit qendror politik ndriçohen edhe konfliktet psikologjike midis ambicjeve dhe zilive individuale të personazheve. Vetë Tursun Pasha gjendet në një situatë të skajshme ku mund të ngjitet lart ose të rrokulliset poshtë.

Zëri i kështjellarit sjell lirizmin në vepër përmes disa intermexo-ve që pasojnë njëra-tjetrën dhe shprehin mendimet dhe ndjenjat e të rrethuarve.

Figura e Skënderbeut, e papranishme fizikisht në roman ndriçohet në dy këndvështrime. Në fillim pasqyrohet përmes optikës së armiqve, tmerrit që u frymëzon atyre dhe që rrjedh si rrymë e nëndheshme në tërë veprën. Gjithashtu ajo figurë çmitizohet, rrëzohet miti i një pamje fizike të veçantë apo ai i një force apo qëndrese fizike të jashtëzakonshme (“Nga pamja ishte i zakonshëm … fliste me zë të ngjirur dhe shallin me të cilin kishte mbështjellë grykën, nuk e hiqte as gjatë bisedimeve”).

Së dyti, kjo figurë ndriçohet përmes zërit të kështjellarit që shpreh tërë besimin e të rrethuarve – simbolikisht të tërë popullit – te udhëheqësi që drejton luftën dhe që do t’u japë fitoren.

Është kuptimplotë që ai thirret me emrin e origjinës “Gjergj” të cilit i shtohet një pronësor shumë shprehës “ynë”.

Ideja qendrore e veprës e shprehur në forma të ndryshme është qëndresa e një kombi të vogël kundër një superfuqie, e një kombi lufta e të cilit është e motivuar (për liri politike e sociale dhe identitetit) dhe e bashkuar nën udhëheqjen e një prijsi të mençur dhe gjenial, në antitezë me përçarjet e ndryshme që e brejnë kampin e armikut.

Në një variant të mëvonshëm të romanit shprehet edhe valenca fetare e kësaj lufte, mbrojtja e krishterimit që e lidh kombin shqiptar me kulturën europiane dhe e bën mbrojtës edhe të kësaj kulture.

Motivi i shiut në roman është simbolik dhe i dykuptimtë meqenëse njërës palë i sjell fitoren, tjetrës i sjell disfatën. Në këtë motiv mund të shihet edhe prania e elementit të lashtë kozmogonik ujë, shenjë purifikimi dhe bekimi.

Ky është edhe një motiv që përsëritet në shumë vepra të Kadaresë për të nënvizuar tragjizmin e luftërave, tragjizmin e fatit historik të kombit shqiptar dhe tragjizmin e jetës njerëzore.

Ky tragjizëm i shkrirë me heroiken tingëllon në fjalët e fundit të kështjellarit që e mbyllin denjësisht veprën “Ne nuk do të lemë pas statuja dhe kolona madhështore. S’patëm kohë dhe, me sa duket, në pushimet midis rrebesheve që do të vijnë, s’do të kemi kohë t’i bëjmë ato. Në vend të tyre po lëmë këta gurë të rëndë muresh që po i lag këtë mëngjes të vrenjtur ky shi i luftës”.

Me elementin ujë bashkohet elementi ajër. Mbi kështjellën e gurtë që rëndon shpaloset me tërë gjerësinë e vet qielli. “Qielli ynë i madh”.

Exit mobile version