Kreu Letërsi Bibliotekë Edona Marku Huqi: “Polina” një shembull përvetësimi i zhanrit gotik anglez nga...

Edona Marku Huqi: “Polina” një shembull përvetësimi i zhanrit gotik anglez nga një shkrimtar romantik francez

Aleksandër Dyma, “Polina”, Botimet Toena 2024

Romancieri dhe dramaturgu, Aleksandër Dyma, njëri prej autorëve klasikë më të lexuar dhe më të përkthyer francezë, risillet sërish në vëmendjen që nuk i ishte zbehur asnjëherë, me një vepër të papërkthyer më parë në gjuhën shqipe. Romani i tij i parë (konsideruar si i tillë nga kritika franceze) “Polina” botuar për herë të parë në vitin 1838, tashmë vjen edhe në gjuhën shqipe nën siglën e shtëpisë botuese Toena, përkthyer mjeshtërisht nga përkthyesi Nonda Varfi.

Si në të gjitha veprat e tij edhe në këtë roman kemi të parashtruara disa koncepte bazë që Dyma i shtjellon përgjatë tekstit si tema e dashurisë dhe marrëdhëniet njerëzore; integrimi i kontekstit historik dhe politik të kohës dhe ndikimi i tij në jetën e personazheve; ç’mitizimi i figurave aristokrate të kohës; karakteret komplekse dhe të thella; kompozicioni dhe stili i të shkruarit, popullor dhe universal.

Për të gjithë adhuruesit e letërsisë klasike, një gjysmëportret i shoqërisë aristokrate të shekullit të 19-të, rrëfyer përmes një historie të këndshme aventureske, gotike dhe romantike me në qendër tri personazhe kryesore: Polina, Alfred dë Nerval dhe konti Horas dë Bëzeval, libri është një përrallë magjepsëse e dashurisë dhe aventurës me intriga dhe sekrete.

Romani është ndërtuar mbi dy tregime të ngulitura në një të tretë, prej nga vijnë edhe ndryshimet e shumta të rrëfimtarit. Këto janë histori të kornizuara apo edhe histori të mbivendosura. Rrëfimi është jolinear, një histori brenda historisë, një rrëfim brenda rrëfimeve, duke e bërë një vepër mjaft origjinale për nga kompozicioni i saj. Autori ka një stil tipik të shekullit të 19-të, të pasur, të kthjellët, poetik gjatë arratisjeve të Alfredit dhe Polinës në Itali dhe herë-herë, emocionues. Proza e tij është aq e qartë dhe koherente, saqë gjatë leximit të këtij romani kemi ndjesinë se asgjë nuk është përpunuar, se fjalët vijnë dhe përshtaten me njëra-tjetrën shumë natyrshëm.

Një histori e rrëfyer sipas traditës së romanit gotik anglez, me mister, situata makabre, ngjarje pothuajse të mbinatyrshme, personazhe të dhunshme, vdekje etj., por nga ana tjetër këto ndërthuren me pasazhe të shumta ku mbizotëron toni lirik. Në të njëjtën kohë kalojmë në shkrimin romantik me personazhe të shtyra nga pasioni që gllabëron dhe pushton ata që i dorëzohen. Autori kërkon të na përqendrojë më shumë në ndjenjat e personazhit të tij sesa në përvojën e tij: kjo është një karakteristikë e lirizmit, por edhe e romantizmit. Gjithashtu kemi edhe arketipin e heroit kalorësiak që kërkon të shpëtojë të dashurën e tij. Dashuria dhe vdekja, dy temat më të trajtuara në letërsi deri sot, shpalosen edhe në faqet e këtij libri.

Polina është imazhi eterik i një gruaje që balancon jetën dhe vdekjen. Për shkak të papërvojës së saj nuk është në gjendje t’u vendosë një emër ndjenjave që ka për kontin. Ajo është e dyzuar mes frikës dhe admirimit, e pikërisht kjo ndjenjë admirimi, të cilën e ngatërron me dashurinë, e bën atë të pranojë propozimin e tij për martesë.

Historia fillon në vitin 1834, kur Aleksandër Dyma, personazhi i librit dhe tregimtari, takon një mik të vjetër, Alfred dë Nervalin. Ai i tregon atij historinë e dhimbshme të Polinës, mënyrën sesi arriti ta shpëtonte nga konti dhe dashurinë e tij që në fëmijëri karshi saj. Kjo përbën edhe historinë e parë të librit të rrëfyer nga vetë Alfred dë Nerval. Më pas rrëfimi zhvendoset te Polina, jeta e saj nga vajzëria, martesa me kontin, zbulimi i sekreteve të kontit, jeta e shthurur e këtij të fundit së bashku me dy miqtë e tij dhe deri te mbyllja e saj në rrënojat e abacisë së Byrsisë dhe në përfundim rikthehemi sërish te rrëfimi i Alfredit, dueli me kontin, udhëtimet e shumta me shpresën e shërimit të Polinës e deri te udhëtimi i fundit në Itali, ku ajo vdes dhe varroset me kërkesën e saj në një kopsht thuajse idilik. Marrëdhënia e Polinës me Alfredin paraqitet krejtësisht platonike, kemi të bëjmë me ndjenja të sinqerta dhe eterike, ndoshta të sublimuara nga madhështia e shpirtit dhe bujaria e Alfredit, një personazh në kundërshtim të plotë me kontin Horas. Një marrëdhënie që mbetet e pafinalizuar që në fëmijëri dhe tashmë për shkak të vdekjes së hershme të Polinës. Koncepti i dashurisë trajtohet përmes kontrasteve të fuqishme që shkrijnë në një të vetme tragjiken, të bukurën, të shëmtuarën, sublimen dhe gnostiken.

Shekulli i 19-të është plot me xhevahire letrare dhe “Polina” është një prej tyre. Një shembull përvetësimi i zhanrit gotik anglez nga një shkrimtar romantik francez që do të mbajë mbërthyer lexuesin faqeje pas faqeje.

Exit mobile version