Kreu Letërsi Bibliotekë Dy poezi nga Nurie Emrullai

Dy poezi nga Nurie Emrullai

Gjethe tetori

Bie shi fjalësh brenda kafkës sime ndërtuar nga letra.
Letër nga thesi i miellit,
ku piqej buka për pangopësinë tonë ndaj jetës.
Dy këmbë ecin mureve të mia
dhe shkelin çdo fjalë të shkruar me shkronja të medha,
si: TI, DASHURIA, KOHA, dhe përsëri TI.
Gjethe të tërë vjeshte-
(bien në vjershat e mia)
-bien syve të mi,
jo për t’i lënduar,
po për të parë se vjeshta, si vdekja, është këtu.
Çdo vdekje është jetë e re.
Tinguj të çuditshëm,
lëvizin një dorë e cila nuk mund të jetë e imja,
nga duart e panjohura që ka shtrënguar.
E di?
Më vjen të bërtas kur kuptoj se kjo është një rrugë pa krye.
Zëri im vjen nga një tokë e largët.
Vjeshtë e pakohë…
Pemë pa gjethe…
Qiell pa rrathë…
Unë pa ty…
Dhe unë që vrapoj të gjejë fjalët e mia…
Poezia, poeti, fjalët, kuptimet e tyre, jeta, e verdha si xhelozia, meite si dita e fundit me ty (pa ty).
S’duhet besuar në atë që shikoj.
Por të besuarit! E di?
Më mësuan të besoj,
kur isha aq e vogël,
aq e pafajshme si një qen.
Duhet ta ushqej veten me fjalë.
Jam e uritur për dashuri.
Një qen pranë meje leh…


Kush jeton në parajsë?

Parajsa thua është burg i bardhë,
dhe engjujt janë robërit e saj,
që Ricos i çon çdo javë në qethtore.
Kush do ta di se ç’radhë të tjerë
janë veç parajsës?
Ti qesh dhe me gojën tënde si ré
fryn lehtë një pendë nga krahu im…
Dhe lëmë takim për javën tjetër.

Exit mobile version