Kreu Letërsi Bibliotekë “Buzë rrugës”, tregim nga Ajkuna Dakli

“Buzë rrugës”, tregim nga Ajkuna Dakli

- Oh,  çfarë mrekullie!  – tha ajo duke vështruar poshtë, – çfarë paqeje, qetësie, çfarë blerimi! Sikur të kishim një shtëpi mu aty në luginë buzë lumit, një shtëpi me çati alpine siç kemi parë në Zvicër!

Kishin ndalur në Kërrabe në afërsi të Gracenit dhe ajo po shihte në luginën aty poshtë në një pllajë të vogël mes dy shpateve të maleve të mbuluara me pisha. Ishte akoma mëngjes dhe mali dukej i gjelbër i thellë, ndërsa pllaja kishte  një ngjyrë pakëz me të fortë si një petal i madh zambaku. Ai ishte mbështetur pas makinës së ndalur në anë të rrugës dhe po tymoste një cigare. Ajo vështroi nga ana tjetër e rrugës nga ku një varg malesh radhiteshin njëra pas tjetrës si hije të qeta të heshtura në një ngjyrë të gjelbër të errët në blu. Ajo pikë ishte afër majës dhe nga aty në ditë të kthjellëta larg tutje në horizont mund të shihje edhe detin. Po tani qielli ishte veshur me një tis të kaltër të thellë dhe nja dy re të bardha notonin pak më tutje. Ajri ishte i pastër i freskët , asaj iu duk se dëgjoi kërcitjen e kënaqur të pëlhurës së mushkërive si një velë që shpaloset.

- Sapo e blemë një hyrje në plazh, – tha ai

- Ja aty ku ndodhet ajo shtëpia e vogël, – vazhdoi ajo si të mos e kishte dëgjuar.

- Ajo shtëpia e vogël nuk është shtëpi alpine – tha ai – është një kasolle e vetmuar që një zot e di si reziston në atë vend të humbët. Mesa duket të zotët nuk kanë takat të shkojnë më tutje dhe kanë mbetur në vend numëro.

- Ose nuk duan të shkojnë më tutje, – tha ajo

- S’e besoj të mos duan, – tha ai. – Nuk ma ha mendja që jeta në atë kasollen aty është aq komode sa të duket ty.

Ajo u zgjat dhe vështroi. Shtëpia nuk dukej mirë  nga larg . U mundua të dallojë figura njerëzish po nuk mundi. Ishte mjaft larg që aty. Picërroi sytë dhe shqoi një arë të vogël që nga shiritat e rregullt të ngjyrave, dukej si e mbjellë . Anash pishat hidhnin një dritë të gjelbër, dhe po të vije re me kujdes, diçka pak më tutje reflektonte diellin- duhet të ishte lumë ose përrua.

- Prapë një shtëpi aty do më pëlqente shumë, – përsëriti ajo. – Kaq paqe. Kaq gjelbërim. Tirana më ka lodhur. Zhurmë pluhur, rrëmujë.  Sa mund të kushtojë ajo shtëpia aty thua?

- Një kothere bukë, – tha ai, – sepse nuk ka rrugë. Ja shlodhemi në plazh, – shtoi

- Në plazh, mirë. Po as atje nuk shpëton nga zhurma e rrëmuja. Po flisja për qetësi – qeshi ajo – qetësi paqe, ajër i pastër, libra, një oxhak….. edhe pak plazh mbase. Duhet të ketë një lumë aty poshtë që nuk duket nga rruga.

- Dëgjo – tha ai duke e hedhur cigaren përtokë dhe duke e shtypur bishtin me këmbë. Duhet të nxitojmë sepse unë kam punë sonte në darkë në Tiranë. Nuk dua të kthehemi shumë vonë. Duhet të takoj ata dy njerëzit për projektin e ri. Janë gjithë ato para.

- Të paktën të mbledh nja dy manushaqe – tha ajo

Ai vajti në buzë të rrugës

- Janë poshtë, – tha duke u përkulur. – Duhet të zbresësh më poshtë. –  Ikim të lutem. Mbase gjen në ndonje dyqan lulesh.

- Askund nuk e kane aromën e këtyre këtu, – tha ajo duke u drejtuar nga makina.

Ai psherëtiu disi i lehtësuar dhe u drejtua edhe ai për nga makina. U nis, kaloi me kujdes kthesën dhe vuri këmbën mbi gaz.

***

- Hajde ikim, u bë vonë. Nana do bahet merak.

I vogli nga të dy djemtë e vegjël dukej i lodhur. Ishte rreth 8 vjeç  vetëm tre vjet më i vogël nga i vëllai po dukej më i imët .  Kishin disa orë që u zgjasnin makinave tufat me manushaqe dhe nuk kishin shitur ndonjë gjë të madhe sepse pak makina ndalonin. Ishte në të perënduar dhe do u duhej më shumë se një orë të zbrisnin në shtëpinë e vogël mbi pllajë.

- Prit edhe pak, – tha vëllai i madh. – Edhe dy tufa.

- Po nuk po ndalon asnjë makinë, hajde ikim.

- Po ti ke frikë? Se bëhet errët?

I vogli nuk foli. Natën dëgjoheshin hungëritje dhe i ati u kishte thënë të mos dilnin vonë se mund të dilnin ujq ose arinj.

- Jo, – u përgjigj i vogli me vendosmëri. – Nuk kam frikë. Po nana do bahet merak. Makinat nuk ndalojnë se ka lule në qytet.

- E ku ka lule në qytet, – tha i madhi. – Në qytet ka pallate dhe gjëra të tjera.

- Ka edhe lule.

- Po ti ku e di? Ti e mban mend atëherë ku ishe i vogël? Ti ishe i vogël.

- Në qytet ka çdo gjë që të duash, – tha i vogli me vendosmëri. – Dhe unë kur të rritem edhe pak do iki në qytet.

- E si do ikësh?

- Do iki. Do eci do eci dhe do iki.

- Po ku do gjesh shtëpi në qytet?

I vogli nuk foli . Zgjati dorën me tufën me lule me dëshpërim drejt makinës që po vinte po ajo prapë nuk ndaloi. I vogli e uli krahun.

- Hajde ikim, – tha, – po më hahet bukë.

- Prit edhe nji. Të betohem edhe nji, – tha i madhi duke hedhur sytë nga kthesa.

***

- Prit! – thirri ajo papritur dhe ai tërhoqi këmbën nga pedali i gazit.

- Ndalo pak të lutem! Te ata dy çunat e vegjël atje!

Ai hapi krahun dhe e ndaloi makinën. Ajo doli dhe iu afrua të dy djemve të vegjël me tufat me lule. Të madhit i shkëlqyen sytë.

- Dy tufa, – tha ajo

- Pesëqind lekë të vjetra, – tha i madhi.

Ajo hapi çantën e vogël nxori portofolin po nuk gjeti të vogla.

- Ke të vogla? – I thirri të shoqit

- Jo, tha ai. Kërkoi nëpër xhepa dhe nxori një kartëmonedhë. – Pesëmijë të vjetra, kjo është më e vogla që kam.

Ajo e mori kartëmonedhën dhe iu drejtua djemve

- Keni kusur ?

- Jo, – i madhi mblodhi buzët.

I vogli anoi kokën dhe e pa me kureshtje duke mbyllur njërin sy nga një rreze e pjerrët dielli që i ra papritur në fytyrë. Dielli po perëndonte, qielli në anën përkundruar rrugës dukej sikur kishte marrë flakë ndërsa e gjelbra e dy shpateve të malit anës pllajës së vogël ishte bërë më e thukët. Lumi nuk shquhej më sepse drita që binte mbi të në mëngjes, tashmë e kishte tejkaluar dhe shtëpia dukej akoma më e vogël. Gruaja kthehu kokën duke pyetur me sy nga i shoqi ndërsa ky iu përgjigj me një lëvizje disi nervoze të kokës.

Befas i madhi i pëshpëriti diçka të voglit në vesh, pastaj i mori të dy tufat e luleve dhe ia zgjati gruas

- Merri teta, – i tha. – Ne do mbledhim të tjera nesër.

- Oh, faleminderit, – tha ajo. – Ju faleminderit.

Hezitoi pak dhe i mori, pastaj u ktheu shpinën dhe u fut në makinë . Burri shty derën,  rrotulloi timonin dhe shtypi pedalin e gazit.

***

Dy djemtë, morën rrugën poshtë shpatit për te shtëpia e vogël, i madhi përpara dhe i vogli duke nxituar pas tij.

- Nuk e kuptoj pse i duan lulet, – tha i vogli pas pak. – Në qytet rrobat vijnë erë të mirë më të mira se lulet tona.

I madhi nuk foli. Vazhdoi të ecte shpejt për të arritur në shtëpi. Edhe pak fillonte të errej.

Exit mobile version