Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Skënder Karriqi: Dritësimi i De Radës

Dr. Skënder Karriqi: Dritësimi i De Radës

Zjarri brenda njeriut

Nëse gjithçka që ndryshon ngadalë shpjegohet si veçori e jetës, gjithçka që ndryshon shpejt shpjegohet nëpërmjet zjarrit. Zjarri është shumë i gjallë. Zjarri është intim, është edhe universal. Ai jeton në zemrën tonë, jeton edhe në qiell. Ai ngrihet nga thellësitë e substancës dhe vjen si një dashuri. Ai zbret përsëri në materie e fshihet si një urrejtje dhe hakmarrje. Midis gjithë dukurive, ai është i vetmi që të shtyn të kuptosh qartë dy të kundërta: të mirën dhe të keqen. Ai shkëlqen në Parajsë. Ai djeg në Ferr. Ai është ëmbëlsi dhe torturë, ai është kuzhina, ai është Apokalipsi. Ai është zbavitje për fëmijët e ulur urtësisht pranë vatrës; ai dënon të gjithë të pabindurit, kur ata luajnë në flakët e tij. Ai është kënaqësi dhe respekt. Është një zot mbrojtës edhe i tmerrshëm, i mirë edhe i keq. Duke menduar për zjarrin, mund të biesh në kundërshtim me veten: ai është një nga parimet e shpjegimit universal .[1]

Ky përcaktim i Bachelard mbi zjarrin, i bërë në esenë Psikanaliza e zjarrit dhe që i paraprin studimit tërësor të R. Trousson, me titull: Tema e Prometeut në letërsinë evropiane, hap rrugën që figura e zjarrit dhe e efekteve të tij të shihen në një plan të gjerë universal, ku argumenti komparatist pothuajse e humb vlerën si burim identifikues i origjinalit përmbajtësor. Motivi i zjarrit, i reflektuar edhe në figurën e efekteve të dritës, shkëlqimit, vezullimit, ndriçimit, agimit, ditës së bardhë, prushit, energjisë etj, sipas tij, është edhe brenda njeriut, përkatësisht brenda poetit, dhe manifestohet si produkt i shpirtit të tij… Është historia prometeike e njeriut që reflektohet në dy faza: së pari në fazën mitologjike ku shkëlqen me kultin e Prometeut, origjina e të cilit është lindore[2] dhe së dyti me fazën letrare ku rrugëtimi historik nis me Eskilin dhe vazhdon deri sot

Vepra ndërtuese e De Radës

Me pak fjalë, prometeikja është veti e brendshme e njeriut, përkatësisht autorit. E manifestuar në shkallën më të lartë, ajo përkon me individin nismëtar të misioneve të mëdha me karakter të thellë human. Në këtë kuptim do të ishte e përshtatshme që analiza kritike mbi prometeiken të fillonte me autorin si referent i rastit prometeik. Është folur për individualitetin dhe personalitetin prometeik të De Radës, është folur për ndjeshmërinë e tij të veçantë ndaj fisit, kombit, atdheut, për vetminë e tij si shenjë dalluese e karaktereve të mëdha, si dhe disponimin prometeik të tij, të argumentuar përkundër alternativave të kalorësit dhe profetit të modelit biblik. Dritësimi i poetit Jeronim de Rada do të përmbyllte këndvështrimin tonë dhe njëkohësisht do të na çonte tek vepra letrare deradiane e cila s’është gjë tjetër, veçse manifestim i asaj energjie që natyrshëm na vjen ta quajmë prometeike.

Parimet e estetikës e De Radës na ndihmon të provojmë se vepra e tij letrare është mishërim i plotë i personalitetit dhe induvidualitetit të tij, gjegjësisht prometeik.

 De Rada, qoftë veprën letrare, qoftë veprën Parimet e estetikës, i motivon nga këndvështrimi filozofik dhe teoriko-letrar aristotelian. Ndër të tjera, mimetizmi i tij, për sa i përket veprës letrare, konsiston në imitimin e modeleve rapsodike arbëreshe, si pika të rëndësishme reference për krijimin e një literature të munguar, e cila, nga njëra anë do të ishte ringjallje e gjuhës shqipe, nga ana tjetër do të ishte drita ndriçuese në udhën e rilindjes shqiptare. Gjithashtu mimetizmi i tij konsiston edhe në imitimin e brendisë së vet individuale, të cilën autori e ka projektuar në personazhet e veprave të tij. Jo rtastësisht Këngët e Milosaos motivohet me fakte biografike të autorit. Këtë lidhje biografike, para se ta pohonte hapur në Autobiografnë e tij më 1898, autori do ta shprehë më 1834 në letrën dërguar Rafael Xangareze-s, ku ndër të tjera i shkruan: Në të (Këngët e Mliosaos. shënimi im, S.K.) derdha shumë ëmbëlsi, sidomos vërtetësi duke përshkruar në pjesën më të madhe ngjarje krejt të miat, as kam lexuar ndonjë gjë asodore…[3] Është fjala për Këngët e Milosaos, të cilën studiuesit e konsiderojnë si bërthamën e veprës deradiane. Pikërisht kjo vepër bërthamë (vepra e parë, themeluese e letërsisë së kultivuar shqipe) buruaka ngushtësisht nga brendia e autorit. Si e tillë ajo do ta modelojë letësinë shqipe, dhe, me sa duket, kjo provohet me shenjën lirike të kësaj letërsie.

De Rada besonte se mërgimi i kolonive arbëreshe në Italinë e Jugut ishte vepër providenciale, qëllimi i lartë i së cilës ishte rilindja e kombit shqiptar. Ndoshta i nxitur edhe nga Virgjili, i cili, i nisur nga qëllime glorifikimi dhe legjitimimi të Perandorisë, origjinën e Romës së lashtë e pa të lidhur me mërgatën që printe Eneu pas shembjes që i bënë grekët Trojës, poeti nismëtar arbëresh, ringjalljen e Shqipërisë e shihte si një procest rimarrjeje dhe referimi ndaj modelit jetësor, gjuhësor dhe kulturor të kolonive arbëreshe të Italisë, të cilat, sipas tij, i kishin konservuar mjaftueshëm tiparet qenësore të jetës shqiptare, që nga koha e Motit të Madh, kur Shqipëria, në përgjithësi, ishte në nivele të krahësueshme me Evropën. Në këtë kuptim historik De Rada për Rilindjen Kombëtare nuk shikon përpara, por kthehet mbrapa, me qëllim për ta zhbërë kohën 500 vjeçare të sundimit osman dhe për të kthyer Shqipërinë Skënderbejane, imazhi letraro- histotik i së cilës do të ishte referenca shembullore për vendin amë.

Gjithsesi, ndërmjet De Radës dhe Virgjilit, ndër të tjera, qëndron dallimi se vepra e antikut nuk i paraprinte ndërtimit të Romës në kuptimin e ringjalljes së Trojës, përkundrazi, ajo e pasonte atë dhe prandaj nuk mund të quhet një vepër ndërtuese në një pikëpamje të tillë vizionare. Ndërsa vepra e De Radës i paraprin ringjalljes së kombit dhe në këtë kuptim ajo është një vepër ndërtuese vizionare. Nisur e nga ky fakt vepra e De Radës është një vepër me dritë. Ajo ndriçon shembullin e modelit jetësor, kulturor dhe gjuhësor të kolonive arbëreshe, ndriçon Motin Madh dhe në këtë mënyrë ndriçon të ardhmen e rilindjes shqiptare. Prandaj kjo vepër, duke përshkuar horizonte pritëse letrare, vjen deri tek ne si një vepër që domosdoshmërisht të shkakton ndjesinë e forte të dritës, duke i përmbajtur të gjitha reflekset e saj. Pothuajse të gjithë studiuesit e veprës deradiane e kanë vënë re një fakt të tillë. Më së shumti reflekse të tilla: drite, shkëlqimi, vezullimi, agimi, reflekse të një drite teokrite apo të një drite prej miti, i përjeton si ndjesi të forta dhe i përcjell në formë eseistike Ernest Koliqi.

Dielli i brendshëm

Është rasti të ndalemi, sado pak, në ndjesinë e dritës si shenjë paqeje, për të vënë në dukje një dallim të rëndësishëm. Prej antikitetit, nëpërmjet heroit mitologjik dhe letrar, Prometeut, imazhi i dritës në kuptimin përmbajtësor lidhet edhe me zjarrin, të rrëmbyer nga qerrja diellore, fshehur në një kallam. Kështu zjarri do të ndriçonte edhe natën. Kjo qe një fitore e rëndësishme e njeriut: nata u bë ditë. Por ky imazh bruto i zjarrit ndriçues përmban në vetvete edhe mundësinë e shkatërrimit. Prandaj në udhën e qytetërimit, njerëzimit iu desh ta filtronte këtë imazh në pikëpamje përmbajtësore. Ky proces rezultoi në përputhje me botëkuptime dhe ideologji të ndryshme, veç të tjerash, në dy qëndrime: zjarri që djeg, shkatërron dhe në këtë mënyrë i hap rrugë ringjalljes, rilindjes së një jete të re. Kjo është praktika revolucionare me të cilën përkon Prometeu si hero i revolucionit politiko- shoqëror, që i ve flakën botës së vjetër për t’i hapur rrugë botës së re. Kjo pra, është hitoria e revolucioneve politiko-shoqërore, që i kanë kushtuar aq shumë njerëzimit. Konceptimi i zjarrit si i tillë është relativisht i vonë dhe bie ndesh me imazhin e zjarrit që ngroh dhe ndriçon, me imazhin e zjarrit si simbol i urtësisë, që rëndom e shohim tek njeriu i mençëm, intelektuali, qoftë edhe tek ai që ecën sipas mësimeve të Zotit. Një konceptim ksisoj i zjarrit ka të bëjë me qëndrimin e dytë dhe është më i hershëm. Ai vjen i përpunuar nga institutet e fesë, si zjarri dhe drita hyjnore që i paraprijnë njeriut dhe njerëzimit. Efektet e tij kanë të bëjnë me ndjesinë e paqes dhe të drejtësisë, ndjenja këto që e kanë motivuar dhe do ta motivojnë përjetësisht, në mënyrë të mjaftueshme, njeriun dhe njerëzimin drejt qëllimeve të mëdha, pa tejkaluar caqet përtej të cilave ai do të ishte i pamjaftueshëm për ruajtjen e ekuilibrave kozmikë. Kjo ndjenjë e tillë prometeike, (le ta quajmë kështu), e filtruar, e butë, ngrohëse, ndriçuese, e karakterizon Jeronim de Radën, i cili me vetëdije bën kujdes për të artikuluar në mënyrë sa më të zbutur zemrimin e tij ndaj Zotit, qoftë drejtpërdrejt, qoftë me anë të personazheve. (Në përshtatje me këtë filozofi ai ka praktikuar edhe tabunë, qoftë ndaj figurës së Prometeut, prej së cilës çlirohet në fund të jetës, qoftë ndaj ndonjë anëtari tjetër të familjes së titanëvesiç është Sizifi).

I ngarkuar me një energji të tillë, ngrohëse dhe ndriçuese, De Rada do të çlirohet prej saj duke e shkarkuar në veprën e vet. Dhe veprimit në këtë rast i paraprin qëllimi i ndriçimit të udhës së Rilindjes Kombëtare. Këtë energji dhe intesitet drite që i karakterizon veprat e tij letrare, shpërfaqur në nuanca të larmishme (vezullimi, ndriçimi, shkëlqimi, agimi, aurore, dite të bardhë, drite teokrite, drite prej miti etj ), ai do ta teorizojë në nivelin e një parimi estetik, i cili i pazbatuar apo i zbatuar keq, do të pamundësonte veprën letrare, apo do ta dëmtonte rëndë cilësinë e saj. Për këtë De Rada, në veprën Parime të estetikës (1861) botuar në Napoli, italisht, do të shprehet tekstualisht: Mirësia dhe dinjiteti i permbajtjes të misionit të krijuesit, (kupto shkrimtarit, shënimi im, S. K.) nënkupton përgjgjësi shumë të madhe dhe e bën këtë gativeprimtari të shenjtë. Andaj çdo vepër duhet të vlerësohrt si e zbrazët dhe e pavarur kur nuk ka një domethënie të tillë, një diell të brendshëm, por synon vetëm të kënaqë ose të dëshmojë se autori i saj është i shkathët.[4]Po japim këtu edhe një variant tjetër të përkthimit të këtij pasazhi të tij. Çdo vepër që nuk ka një diell të brendshëm, por synon vetëm të sjellë kënaqësi dhe të dëshmojë për një mendje të shkathët e të aftë, duhet të vlerësohet si një vepër e zbrazët dhe e pavarur.[5]Këto dy variante, përkthyer nga Parime të estetikës, (vepra e De Radës në italisht), i pari sjellë nga Alfred Uçi dhe i dyti nga Nasho Jorgaqi,[6]dëshmojnë mirfilli për dritësimin e poetit Jeronim de Rada. Këtë efekt iluminant të veprës esteti De Radë e sheh në raport me misionin e autorit dhe përmbajtjen e veprës letrare. Në konceptimin e tij, kjo përmbajtje e ndriçuar, e dritësuar, vjen si ndjesi e pakushtëzuar nga retorika propagandistike. Në këtë mënyrë tradita prometeike në letërsinë shqipe vjen e lirë prej propagandizmit, pavarësisht njohjes së një letërsie misionare. Në qoftë se kjo letërsi më vonë do të karakterizohet nga retorika propagandistike, duke synuar që me anë të saj të formulojë dhe të përcjellë mesazhin, kjo s’ka të bëjë me De Radën dhe veprën e tij. Përkundrazi, vepra e tij, më tepër se sa mendim, është ndriçim i mendimit, më tepër se arsye e qartë, e kulluar, është ndjenjë, që vjen me dritë prej miti dhe si e tillë, vjen në përmasa universale, që për argument kanë rastin historik shqiptar.

Për motivimin e dritësimit të poetit Jeronom de Rada, mendojmë se vlen të përmendet edhe fakti që për argumentimin e tezave të ndryshme, De Rada niset nga shembuj me natyrë dhe efekte dritësuese. Fjalavjen, për të mbështetur me shembuj idenë e larmisë së tingujve të gjuhëve të ndryshme që i përgjigjet karakterit të pafund të gjithësisë dhe të cilën një gjuhë e vetme, tok me shpirtin e jetën e një kombi të vetëm, nuk ka mundësi ta përfshijë të tërë ,[7] De Rada u referohet yjeve qiellorë dhe fjalëve përkatëse në gjuhë të tilla si: italishtja (stela), greqishtja (astir) dhe gjuha shqipe, përkatësisht variantit arbëresh (iill). Teza e tij është se kompleksi tingëllor në gjuhët përkatëse, përcjell, transmeton nuanca të ndryshme drite. Konkretisht, kompleksi tingëllor stelapërcjell ndjesinë nuancuese të një drite të qëndrueshme dhe të lëmuar. Ndërkohë-shtjellon tezën e vet De Rada- ka edhe një lloj ndriçimi më të fuqishëm, të pandërprerë dhe të pashteruar, që duket sikur elenët e kanë paraqitur me fjalën e tyre astir. Ndërsa një lloj drite të yjeve që është e zbehtë dhe e pagjymtuar, duket sikur e shpreh mirë fjala shqipe iill (yll). Kështu na duket se janë diferencuar prej gjuhës njerëzore të folmet e ndryshme, të cilat në tërësinë e tyre i shembëllejnë një pasqyre që hap herë njërën anë, herë tjetrën anë të botës.

Në mes të gjuhëve të ndryshme, ndrisin si yjet më të mëdhenj ato gjuhë që pasqyrojnë dukuritë më të bukura dhe që kanë një përmbajtje më të thellë. Megjithatë, edhe gjuha më e dobët në mes të tjerave, nuk dëshiron të humbasë, ashtu si çdo yll, edhe ai më i vogli, nuk shuhet fare por ruan për shumë kohë vendin e vet në qiell.[8] Me sa duket, e ka fjalën për yllin shqiptar, që në kohën e tij fekste, por që ai do ta energjizonte me diellin e tij të brendshëm.


[1] Gaston Bachelard. La psychanalyse du feu, fq 21-22, cituar nga R. Trousson, vepër e cituar, fq 25.

[2] Jacqueline Duchemin. Prométhée- Histoire du mithe, de ses origines orientales á ses incarnations modernes. Belles-Lettres, Paris, 1974.

[3] Jeronim de Rada, Vepra III, e cituar, fq 304

[4] J. de Rada. Parimet e estetikës . Vepër e cituar.

[5] J. de Rada. Vepra III, e cituar

[6] J. de Rada. Vepra I, e cituar, fq276.

[7] J. de Rada. Parime të estetikës, ,fq130. Përgatitur nga A. Uçi ( 1972), Globus R

[8] J. de Rada. Parimet të estetikës, fq 130-131

Exit mobile version