Riardhja e “martirëve”
Kur mora në duar Lizën në botën e çudinavet, m`u shkërrmoqën vitet dhe m’u duk se isha ulur në gurin e derës së fëmijërisë sime e fjalosesha me të bardhën time gjyshe. Unë i rrëfeja për marrinat e imagjinatës sime 8-vjeçare, e ajo me një gjuhë që dukej sikur dilte nga dyert e familjeve të fisme elbasanase, m’i pranonte dhe m’i besonte fantazitë që vetëm tani i kuptoj se sa pak ndanin nga aventurat e Lizës së çuditshme. Vetëm se mua asokohe asgjë e Lizës nuk më dukej e çuditshme, aq më pak gjuha e saj.
Pikërisht në të tillë atmosferë, mes paqartësisë dhe intrigimit, hyra në botën e re të Lizës[i] së vjetër, kur m`u ofrua detyra e vështirë, së pari e rileximit të Lizës dhe më pas e vlerësimit të dialektit, aq të malluar për mua (elbasanishtes), në të cilin ishte përkthyer mjeshtërisht një nga librat (me shumë gjasë) më të lexuar e më të njohur të shekujve të fundit. E bindur në fëmijërinë e hershme se nuk do t`i kthehesha më këtij libri që më kishte trembur fillimisht e më pas qartësuar se vetëm një moshë e caktuar mund ta besonte atë, e kisha mbyllur marrëdhënien perceptive me Kerëllin (Carroll), të cilit ia kisha borxh ndjesinë e harkimit të zhurmave, që më dukej se fëmijërisht më kishte vendosur disa ekulibra në mënyrën time të komunikimit qëkur Liza (romani) më justifikonte ngritjen e zërit dhe ndonjëherë ulërimën, me qëllimin e pastër dominues mbi bashkëmoshatarët e fëmijërisë sime, njësoj si Mbretëresha e kartave.
Por, leximi, siç pohon Eko[ii], është gjithmonë një proces i shumëfishtë. Në rrugëtimin e ri drejt Lizës së vjetër, qasja më e saktë m`u duk ajo e Ulf (Woolf): Liza në botën e çudirave nuk është libër për fëmijë, por libër përmes të cilit ne mbetemi fëmijë[iii]. Nga fundi i shekulit XIX[iv] Kerëll po hynte në vetëdijen e fëmijës-lexues për ta përjetësuar këtë çast të përgjegjësisë së tij, dhe unë nuk e di se sa i vetëdijshëm ishte ai për këtë mision historik që kishte ndërmarrë. Kjo është vetëm njëra anë e procedurës së sofistikuar nga ku nisa unë reflektimin tim më së pari filologjik, i cili do t`i mbishtresohej detyrimisht një analize hermeneutike, por me perspektivën e hulumtimit të një marrëdhënieje komunikative ku nominalizimi ishte krejt i destrukturuar dhe, si të mos mjaftonte kjo, në një dialekt që për hir të vërtetës po më kthehej në një kumbim të këndshëm, por të harruar, elbasanishtes.
Për të dalë konkretisht në misionin e debatueshëm të ribotimit të veprave në dialekt, në duar mbaja për vlerësim e rivlerësim, romanin e fëmijërisë sime Liza në botën e çudinavet[v], ardhur nga Botonjësi Ismail Mal`Osmani, botuar në vitin 1944, nga Hysen Çela dhe Beqir Çela[vi], në një elbasanishte të kthjellët, të pastër, e çuditshme kjo, po të kemi parasysh që Hysen Çela ishte lindur dhe rritur në qytetin e Durrësit, ndërsa Beqir Çela në Karbunarë të Lushnjes.
Dy martirët e Lizës së parë në shqip, siç do t`i emërtonte përkthyesit studiuesi A. Bishqemi[vii], u bënë bashkë jo vetëm falë mbiemrit rastësisht të njëjtë, por edhe sajë skrupujve profesionalë të latuara në formimin rigoros të shkollës Teknike Harri Fultz[viii], ku Beqiri kishte shkëlqyer në formimin klasik dhe Hyseni në drejtimin pedagogjik. Njohja e një numri të konsiderueshëm gjuhësh të huaja (Hyseni njihte katër gjuhë, ndërsa Beqiri ishte i përfolur në rrethet intelektuale të kohës si poliglot[ix]), padyshim do t`i orientonte dy të rinjtë drejt përkthimit, ndërkohë që formimi i tyre pedagogjiko-klasik do t`u ngarkonte misionin e përcjelljes në gjuhën shqipe të letërsisë për fëmijë, terren ky pothuajse i pashkelur në letrat shqipe. Të ndërgjegjshëm se ky mision duhej të përkonte me vlera të cilat duhej t’i konvergonin lartësisë së punës që merrnin përsipër, dy përkthyesit zgjodhën romanin Alice’s adventures in Wonderland, referuar edhe fjalës së Kryeministrit Britanik të kohës kur ajo pa dritën e botimit, i cili e lavdëroi pa kursim shërbimin e paçmueshëm, që libri në fjalë ka ba drejtë formimit menduer dhe krijimit të shijes së leximit në miliona e miliona fëmijësh Britanikë dhe të vendeve, në gjuhët e të cilëve asht përkthye[x].
Që në parathënie kuptohet vlerësimi që i kanë kushtuar punës së tyre dy përkthyesit, përderisa nga konsultimet me përkthimet simotra të Lizës, kanë kuptuar më s`pari instrumentin me të cilin Kerëll ndërton strukturën alegorike dhe argëtuese të veprës, referuar shkrimtares më të njohur për fëmijë të kohës Ana Eleonor Ruzvelt (Anna Eleonor Roosvelt), e cila i konsideron marrinat si një nji kuptim të pa-kuptuem për të rritunit, ndërsa janë marrinat e kandshme që ndihmojnë kurdoherë në formimin e shijes së fëmijëve. Pasi përcaktuan në këtë sentencë raportin e fëmijës me botën e arsyes së përmbysur, detyra e pedagogut shkonte përkrah asaj të përkthyesit në kërkesën rigoroze për të respektuar standardet moshore dhe pikologjike të fëmijës shqiptar si pritës i mesazheve të thella të ardhura përmes përdredhjeve të gjuhës, rimave të strofave, refreneve konstante, leksikut të kuptueshëm. Përgjegjësia për të sjellë Lizën në gjuhën t`onë, në mënyrë që edhe fëmijët Shqipëtarë të mund të kishin në dorë nji libër të kandshëm dhe të përshtatun nga çdo pikpamje për moshën dhe kërkesat e mendjeve të tyne në formim e sipër[xi], impenjoi aftësitë e dy të rinjve të vlerësojnë punën me gjuhën shqipe, e cila duhej të përballonte gjuhën fëminore Inglize dhe ta sillte atë në nji gjuhë fëminore Shqipe, provat e para të së cilës si metodistë të shkëlqyer ata i kaluan përgjatë leximeve të teksteve të Lizës në klasa të ndryshme të ciklit fillor nëpër shkollat e vendit t`ònë.
Dhe natyrshëm, puna e madhe, impenjimi, standartizimi, vetëndërgjegjësimi do të induktonin guximin dhe pohimin se çfarë i bënte të ndiheshin krenarë: vetëdija se po iu vêmë ndër duer lexuesave t`onë të vegjël nji “dhuratë” të rrallë siç âsht “Liza në botën e çudinavet”: Libër nergut për fëmijë.
Liza në botën e çudirave njohu të tjera përkthime në vitet që pasuan ‘44-tën. Dhe do të ishte harruar ky përkthim i bukur e i kulluar i dy të rinjve martirë, sikur fare rastësisht në një rruginë tiranase, mes pirgut të librave të vjetër, të mos dallonte kryevepra e lodhur që heshtonte mes zverdhëllimit të fletave të moshuara. Ishte Liza 77 vjeçare.
Ta shkundje atë çudi nga pluhuri i keq i harrresës ishte më së pari sfidë e dashurisë për shqipen dhe specifikisht për elbasanishten që ashtu si Liza e moshuar, heshtonte nën peshën e gjuhës standarde në vetëdijen time qytetare elbasanase.
Përse u përkthye Liza në elbasanishte?-ishte e para pyetje që më shkrepi kur hasa fjalitë e para të kryeveprës.
Justifikimi i përdorimit të elbasanishtes do të më dërgonte drejt një sërë faktesh dhe argumentesh sa gjuhësore, aq edhe jashtëgjuhësore, që arsyetojnë unifikimet e përkthimeve në elbasanisht në këtë kohë, nga do të shkëpusja vetëm dy prej tyre:
–Në vitin 1916, një grup personalitetesh dhe gjuhëtarësh organizojnë në Shkodër Komisijen Letrare,e cila kishte qëllim të vetëm standardizimin e gjuhës shqipe. Ky komision, në përbërje të të cilit dallonin figura kombëtare me reputacion absolut si Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Aleksandër Xhuvani, pranuan propozimin e Luigj Gurakuqit që elbasanishtja të shërbente si një urë mes të dy dialekteve kryesore të shqipes[xii], gegnishtes dhe toskërishtes, mbasi dhe kuptohej mirë dhe mund të përdorej më lehtë si prej toskërishtfolësve ashtu edhe prej gegnishtfolësve.
– Në vitin 1923 Kryeministri i Shqipërisë autorizoi administratën shtetërore që për bazë të gjuhës zyrtare të kishte të folmen e Elbasanit[xiii].
Duke qenë gjuhë zyrtare, e përdorur lehtë nga dy dialektet dhe e mbështetur nga abetarja e Xhuvanit, elbasanishtja ofronte leksik dhe strukturë morfo-sintaksore e fonetike të gatshme për të mbajtur mirë tekste të gjata, qoftë edhe të ndërlikuara, siç ishte vepra në fjalë.
Liza po vinte për herë parë në gjuhën shqipe përmes dialektit elbasanas, në vitin 1944, ndërsa kishin kaluar saktësisht 72 vite nga ardhja e saj në anglishten londineze. Përafërsisht pas 7 dekadash do të rivinte të takonte shqipen standarde, por me veshjen e hijshme të fillimit të shekullit XX – elbasanishten.
Në brendësitë identitare të veprës përmes përkthimit
Sipas Ekos (Eco), për të kuptuar një tekst është e nevojshme të bëhen hipoteza për botën e mundshme që ai tekst specifik dëshiron të përfaqësojë[xiv]. Problemi thelbësor i kësaj deklarate lind kur vetë teksti, teksti themelor që do të përkthehet ose lexohet, është arkitektura e një bote absurde, e pamundur, e paimagjinueshme, ku vetë personazhet pohojnë: Na këtu jemi të gjithë të marrë: Unë jam e marrë! Ti je e marrë! (70) Kështu thotë Macja Qeshire e Kerëllit përballë Lizës mendjehollë, duke na vënë para poleve të dy botëve: të lëvizim në botën e analizës filologjike të përkthimit në të cilën shpesh nevojiten shënime për të shpjeguar referencat që nuk janë menjëherë të kuptueshme nga një lexues i huaj, apo të çapitemi sa mundemi në analizën e përshtatjes, në lirinë e bollshme që përkthyesit i kanë dhënë vetes në prezantimin e lojërave të fjalëve, gjetjeve gjuhësore, shprehjeve frazeologjike, të cilat mund të mos jenë në lidhje të drejtpërdrejta me anglishten origjinale, por të miratuara falë qëllimit të lartë për ta bërë tekstin tërheqës dhe të pranueshëm për lexuesin e vogël (edhe të rritur gjithashtu). Me synimin që ky regjistër i zgjedhur ta bëjë tekstin të përdorshëm dhe të kënaqshëm për audiencën specifike të tij, siç pohuam më lart, kërkojmë të mbajmë në vëmendje se teksti në origjinal paraqet nivele të shumëfishta leximi, ndaj puna vështirësohet kur shfletimin e tyre na duhet ta arsyetojmë përmes dialektit elbasanas, i cili për hir të së vërtetës, ndihet i mundur nga pesha e standardit sot në shekullin e XXI.
Vendimi i parë dhe më i dukshëm me të cilin janë përballur përkthyesit ka të bëjë me titullin. Origjinali Alice’s adventures in Wonderland i ka shfaqur përkthyesve që në fillim problematika të qasjes specifikisht kulturore. Pasi të drejtat e autorit kishin përfunduar në vitin 1907, vërshuan përkthimet të cilat na ofrojnë gjithashtu kompromise në titullin e veprës, ku mund të veçojmë botimin e vitit 1908 në italisht nga Instituti Italian i Grafikëve, Nel Paese delle meraviglie, të përkthyer nga Ema Kalji (Emma Cagli), ku me sa vërehet emri i protagonistes zhduket dhe referohet vetëm vendndodhja. E referuam këtë fakt, për të arsyetuar paksa përshtatjet në titull që varianti mori në gjuhën shqipe. Emri i protagonistes, Alice në origjinal, nuk ishte fare i zakonshëm në Shqipërinë e atyre viteve, ndaj dhe zgjedhja për ta sjellë atë në emrin Liza u bë në mënyrë që, krahas zvogëlimit të elementeve të huaja në vepër, të mundësohej një emër i pranishëm në antroponiminë shqiptare, duke qenë se popullsia kristiane (ortodokse dhe katolike) e kishte gjërësisht në përdorim atë. Veç kësaj emri Alisa (siç do të lexohej në shqip) shkurtohet në formën Lisa, i identifikueshëm me emrin Liza në përdorim.
Për t`ù shkëputur nga Liza dhe bota e jashtme e saj, le të afrohemi me Lizën në universin ndërveprues, ku qëllimi ynë mbetet vlerësimi i prurjeve dialektore në përkthim të arsyetuara me analiza të mirëfillta thëniesore.
Që në hapje lexuesi duket sikur dëgjon një përrallë. Narracioni i shtruar nistor i përrallës e krijon shtrirjen rrëfyese nëpërmjet një togu foljor të përbërë nga një folje në kohën e kryer + formën e pashtjellur me “me”: kishte fillue me u mërzitë (10). Ky konstrukt formëzon përmasë kohore dyfishe: shtrin rrëfimin dhe ndërton gjendjen nëpërmjet tri shenjuesve që kontekstualizojnë gjendje në vetvete. Këtë instrument narrativ me funksionin specifik të shtrirjes së disafishtë elbasanishtja e ofron si opsion në disa formante shenjuese: do të mundem të mërrijë (17), nuk kam me pasë (17), kishte pasë pa (14), me dashtë me ndjejë tue nxanë (49), s`kam mujte me ua dalë (56), mund të të lejshëm me dalë (62), patën fillue me nxjerrë (81), të mos mundeshin me pa (86), kishte mundësi t`ikte pa u pa (91), kish pasë rrokullisë (126), etj. Shenjuesit e përdorur ndërtohen mbi mjetet gjuhësore: kohët e së shkuarës, format e pashtjellura dhe ndihmëset e gjysmëndihmëset. Përdorimi i dendur në tekst i foljeve ndihmëse, gjysmëndihmëse dhe modale derivon nga përdorimi i gjerë i tyre në dialektin në fjalë dhe duke u vendosur kryesisht në kontekste dialoguese ose bashkëfjaluese {(15) siç parapëlqejnë ta quajnë dialogun përkthyesit} qëndrimin e folësit (sipas historisë) ndaj veprimit që bart folja krysore. P.sh. ky lloj modaliteti zvarritës në rrëfim i vjen i përshtatshëm gjuhës së Miut-gjumash ndërsa tërheq zvarrë mëndimet nëpër fjalë: “Kështu, këto tri motra vogëlushe…patën fillue me nxjerrë…” (81). Apo format e përbëra kishte pasë pa: Porse, kur po iu sillej për së dyti, diktoi në nji qoshe nji perde t’ulët, të cilën s’e kishte pasë pa ma parë.” (14) në të cilat duke i paravendosur pjesores foljen e përbërë të së shkuarës, veprimi shtyhet dhe siguron në këtë rast asonancë të brendshme nëpërmjet zanores së hapur ‘a’, tipike për këtë të folme. Gjithashtu i jep dy përmasa kohore veprimit të Lizës, duke siguruar perceptimin e kohështrirjes së qëndrimit të saj në këtë dhomë. Imazhi konkretizohet në kohë, jo vetëm në hapësirë.
Por duhet pohuar se teksti narrativ ka të njëjtën strukturë të dukshme dhe të padukshme gramatikore edhe kur ai është shkruar për njohës që zotërojnë një nivel fillestar, edhe për njohës që zotërojnë një nivel më të lartë të gjuhës. Anderson dhe Anderson (2003: 98) shprehen se të gjitha tekstet narrative kanë një strukturë gramatikore të ngjashme dhe me instrumente gramatikore të njëjtë[xv]. Identifikimin e mjeteve gjuhësore të elbasanishtes, përkthyesit e vunë në shërbim të strukturës së brendshme të veprës dhe fillit të pëlhurës së një bote të mundshme që bazohet në absurd dhe jo-kuptim. Në këto kushte përkthyesit ia lejojnë vetes të paraqesin lojëra fjalësh dhe frazeologjizma, pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me anglishten origjinale, të miratuara siç pohuam më lart, nga qëllimi për ta bërë tekstin tërheqës në përputhje me regjistrin e të folurës së fëmijëve.
Marrëdhënien me kohën dhe përmasën e gjejmë të lidhur ngushtësisht me format e përbëra të foljeve: Porse prap keq asht: se atëherë kishte mu dasht me ndejtë gjithni tue nxanë mësime: (40), ku vërejmë ruajtjen e origjinës semantike të fjalës nxënës/nxënë.
Qartazi kuptojmë se përkthyesve u duhet të realizojnë në kurba lëvizëse harqet tingëllore që performon vepra në anglisht, të ngakuara në qëllimet e Kerëllit.
Narrativa duhet të sigurojë hyrjen në botën ku nuk ekziston arsyeja dhe për ta përshtatur furinë dëgjimore që sjell pasthirrma e Lepurit të Bardhë: “Bubu! Bubu! ka me m`u ba vonë!”(9), shfrytëzohen dy mjete që elbasanishtja i përcjell në dy struktura:
· e para, pasthirrmat sjellin ngjyresën e ankthit;
· e dyta, sintagma e mbipërbërë kam me u ba, që konvencionalisht përcjell të tashmen dhe një koncept kohor që tregon gjendje, nëpërmjet formës së pashtjellur.
Ky është mesazhi i parë dëgjimor në vepër. I ndjekur nga dy momente që gjuhësisht janë gjetje:
– rënia e Lizës është vendosur në imazhin e pusit, dhe jo vrimë siç është në origjinal, duke na kumtuar të dhëna sociale dhe etnografike;
– përdorimi i lidhëzave bashkërenditëse “ja … ja”, i ndjekur nga fjalë që nxjerrin në pah shqetësimin e Lizës (nji rrokullisje, të bijshëm, s`kam për t`ua vu veshin etj.) dhe nevojën e saj për të shpejtuar.
Por ashtu si në origjinal, ky fragment është përkthyer me ngadalësim të qëllimshëm, shoqëruar nga pyetja reflektuese: mirëpo në ç`rreth gjanësije e gjatësije ndodhem (11), krijon një pauzë të qëllimshme, nga ku zë fill shformimi i arsyeshëm i përmasës, duke shmangur fjalën milje të anglishtes, gjetje shumë interesante për ta bërë imazhin të konceptueshëm nga lexuesi shqiptar.
Në fakt, Lepuri i Bardhë nuk ndërvepron me Lizën, por ajo vetë krijon marrëdhënie me të. Këtu nis zhurma e marrinave. Interesante është vërtitja e gjuhës rreth fjalës marrina, e cila përbën boshtin ku lidhet qëllimi i veprës: Rron nji Lepur i marrë; Unë s`dua të shkoj te t`marrët; na jemi këtu t`gjithë t`marrë; qeni asht i marrë; marrina thue. (70), ku denduria e përdorimit të bashkëtingëllores rr nxit aliteracionin, ndërsa shenja krijon antonimi imazherike me receptimin pararendës së vetkërkimit identitar të Lizës në pyetjet ekzistenciale: Jam e sigurt që unë s`jam Adda; s`jam as Mabeli; ajo i ka flokët kaçurrela e unë aspak ashtu; ajo asht ajo e unë jam unë; po më vjen mendja vërdallë; do t`i provoj edhe nji herë t`gjithë ato qi dijshëm .. . (22)
Nëse duam ta përmbledhim harkun tingëllor ku përkthyesit luajnë me elbasanishten, mund të ndalemi në katër lidhje narrative, të cilat gjenerojnë në fakt mbivendosje paradoksale situatash, ku tingujt zgjaten (nga kjo punë s`del asnji dobi; s`mundem me hy brendë) dhe zanoret e hapura (këto e bâjnë njeriun me lujtë mendsh; po unë çâ t`bân çâ t`dush) , vërejmë kalimin e h në f[xvi] (Kot që e rref derën), shfaqen emrat mashkullorë më diftongje në fund (thue, ftue), dallojmë grupet va/vo (vojta), apo mungesën e “ë”-së së theksuar, dhe apostrofët e pasthirrmat (Prâj e derr), të cilat arrijnë të realizojnë ngjeshje dëgjimore të forta të pasuara nga heshtje të papritur. Këto janë situata në kapitullin Thi e spec, ku shpërfytyrimi gjuhësor i kësaj anarkie shprehëse bashkëvepron me kuptimin, keqinterpretimin, duke përcjellë edhe gjuhësisht idenë se shtëpia e Dukeshës është një hapësirë e pajetueshme. Këtë amulli tingëllore e parapërgatit edhe Kerëllin, por përkthyesit për të konceptuar në përfytyrimin imazherik zhurmën që vjen nga brenda përdorin fjalën gastarina, emër përmbledhës i enëve të qelqit, edhe ky një kumt social: herë pa herë, nji krismë si me qenë tue thye pjata e gastarina, i paraprirë nga emri krisje. Të dyja bashkë realizojnë zhurmën dhe mbivendosin dy imazhe që burojnë nga tingujt k, r, g, të tria bashkëtingëllore të manipulueshme vokalisht.
Instrumentet që realizojnë një tjetër kurbë tingëllore në rrëfim gjenden te skena e çajit në kapitullin Një gosti e çmendun, ku mbizotëron:
– toni i lartë: s`ka vend, jo, nuk ka vend; – Asnjiherë nuk qe njerëzi për ty me më ba nji t`àtillë grishje, ia priti Liza me zemërim; – Por as për ty nuk qe njerëzi me u ulë në tryezë pa të ftue kush;
– realizimi i tonit të ngritur nuk mjaftohet me fjalitë e shkurtra ku përdorimi i formave të pashtjellura me me merr funksione lidhëse, por e saktëson kurbën e zërit me familje semantike: bërtitën, e zëmrueme, ngjallte shpresë mirëpritjejte etj.;
– kakofornia gjuhësore e realizuar me ndërtime të periudhës së të folurit elbasanas:
periudha të bashkërenditura përmbyllëse[xvii] të cilat shprehin diçka që është rrjedhim, pasojë e asaj që është thënë në fjalinë e parë: Unë po mërzitem prej kësaj, pranej po ftoj që Zonjusha e vogël të na kallxojë nji prrallzë. – Kam frikë se nuk di ndonji.. – Atëherë të mathotë Mîu-fjetës… – I kam ndigjue të gjitha fjalët… Zgjohu Mî… – Na kallxo njî prrallë e pasuar nga fjali të shkurtra që i mbivendosen atyre përmbyllëse, me misionin e rikthimit të mendimit, kompletuar kakofoninë thënëse;
– çoroditjen e mendimit, të transferuar në çoroditjen gjuhësore: – në këtë mënyrë ti mundesh me thanë edhe se unë shof çdogjâ që ha asht nji-me-nji si me thanë unë hà çdogjà që shof… – ti gjithashtu mund të thuesh, se unë pëlqej çdo send që marr âsht njisoj sikurse unë marr çdo send që pëlqej… – Ti mundesh edhe me thanë… se unë marr frymë kur flejë âsht nji-me-nji si unë flejë kur marr frymë… Thëniet mishtojnë realitetin e përmbysur arsyetues saktësuar në bashkërendimin e përmbysur të fjalës me mendimin, të cilin përkthyesit e kanë formëzuar me periudhën përcaktuese, duke e zhbërë lidhjen thënie-kontekst.
Situatat e tjera ku loja tingullore e elbasanishtes ndërhyn fort në përçimin e mendimit të Kerëllit, lidhen me bashkëfjalimet dhe kontekstet linguistike të familjes mbretërore. Titullin The Queen’s game of croquet, përkthyesit e kanë sjellë në togun Sheshi i Doçeve, në të cilin gramatikisht pesha semantike i ngarkohet emrit Doçeve, duke justifikuar në këtë mënyrë përkthimin, përderisa loja Kriket njihet si loja e Doçeve në shqip. Përdorimi i periudhave me fjali të bashkërenditura me lidhje këpujore Dhe zihen kaq shumë, sa njeriu memzi mundet me ndëgjue vet-vehten prej zhurmësh homogjeniminë gjuhësore e përcjellin në homogjenimi të fenomenit, zhurmës. Por akoma më mirë këtë dukuri e vesh denduria e përemrave dëftorë tanë, t’onë asajë, tèm, kësajë, ate etj., të cilët lexuesit ia bëjnë imazhin të lëvizshëm sipas drejtimit të pronorëve. Finalizimin e kësaj skene do ta ilustronim me fjalinë Nji bisedim i rrebtë po zhvillohej midis Xhelatit, Mbretit, dhe Mbretneshës, të cilët flitshin të tanë përnjiherë, ndërsa të tjerët pritshin në heshtje dhe dukeshin mjaft të shqetsuem. Struktura e kësaj periudhe në fakt është më afër strukturës së periudhës toskërishte, por leksiku i përdorur në të është gegërishtja elbasanase, dhe është pikërisht leksiku ai që harkon zhurmën mes tingëllimës dhe pauzës.
Dhe, së fundmi, pasuria sintaksore në dhënien e skenës së gjygjit, ngjishet me sema të cilat krijojnë skena deliri ngacmuese (përshkrimi me pompozitet i asamblesë gjyqësore, shpërthimet e borive që shpallin hyrjen e gjykatës), një zhurmëri tingujsh të bezdisshëm që amplifikojnë kaosin e komplotit surreal.
Misioni i vështirë i Kerëllit në këtë pikë të thurjes së fabulës, është kthimi i Lizës në botën e arsyes, të cilën me mjeshtri autori e shpall befasisht me konstatimin You’re only a pack of cards – sentencë e cila është përkthyer Ju s`jeni tjetër veçse një palë letra bixhozi. Këtë fjali të shkruar në vitet ‘40 të shekullit të kaluar, ta sjellësh në shekullin XXI, padyshim nuk ia vë re distancën kohore, falë strukturës së saj sintaksore që duket ka paraprirë standardin. Përtej këtij strukturimi, na tërheq vemendjen bashkërendimi i dy shenjave only-veçse, të cilat reciprokisht plotësojnë you`re (only) – ju s`jeni (veçse). Pohimi i sentencës në anglisht është përkthyer me dy segmente tekstore mohuese, të cilat konkludojnë kuptimisht një pohim. Kjo zgjedhje në shqip nuk ka të bëjë me variante ligjërimore të standardizuara apo dialektore, por me gjuhën e fëmijës, me variantin ligjërimor specifik, i cili në këtë kontekst ka vlerën e rivendosjes së arsyes, d.m.th. daljes nga bota e mosarsyes argëtuese. Duket se shembet universi i çudinavet, bie sipari dhe vendoset heshtja e paszgjimit.
Heshtjes që mbuloi personazhet-letra pas fjalëve të Lizës i mëshon heshtja e lëndinës ku ajo ka rënë për të fjetur. Është kthimi në realitet.
Ne sapo hapëm siparin e elbasanishtes së Lizës. Tani studiuesit kanë rradhën të futen në të. Thesaret janë aty: janë emrat dhe kodet e tyre, janë frazat e mrekullueshme, janë fjalë që flenë e heshtojnë ndër fletë. Dhe për ta bërë të mbarë udhën drejt elbasanishtes së Lizës, uroj me zërin e fëmijërisë sime: e paçi derën e Lizës çilë!
[i] Caroll. L, Liza në botën e çudinavet, ISMAIL MAL`OSMANI, BOTONJËS-TIRANË, 1944 (PËRKTHYES BEQIR ÇELA dhe HYSEN ÇELA)
[ii] Eco.U., Lector in fabula, Bomoiani, 2010, fq29
[iii] Woolf. V, “Lewis Carroll.”, The Moment and Other Essays, Harcourt, Neë York, 1948, pp. 81-83.
[iv] Më 1972 botohet për herë të parë Alice`s adventures in Ëonderland,nga shtëpia botuese Macmillan.
[v] Caroll. L, Liza në botën e çudinavet, ISMAIL MAL`OSMANI, BOTONJËS-TIRANË, 1944 (PËRKTHYES BEQIR ÇELA dhe HYSEN ÇELA)
[vi] Beqir Çela i pushkatuar më 1947 nga regjimi i dikaturës, Hysen Çela i dënuar e internuar për vitet e jetës së tij.
[vii] Bishqemi.A, Vlera të anatemuara, gjurmime e studime, Sejko 2005, fq 119,
[viii] Hyseni studion në këtë institucion përgjatë viteve 1923-1928; Beqiri 1928-1933.
[ix] Bishqemi.A, po aty, fq 125
[x] Caroll, po aty, parathënia fq 7-8.
[xi] Parathënia, fq 8.
[xii] https://www.academia.edu/35432496/Komisia_Letrare_e_Shkodrës_etapë_e_rëndësishme_në_standardizimin_e_shqipes
[xiii] Qarkorja kryeministrore: Mbi djalektin zyrtar. Si mbas urdhënit Nr. 148 më 13.1.923, të Kryeministriës ini të lutun të autorizoni gjith zyart qi në shkrim të akteve zyrtare gjithmon të përdoret dialekti i Elbasanit, i cili asht pranue si nji dialekt i përbashkët e zyrtar për shtetin t` onë./14.1.923
Këtë urdhërese të qeverisë e komenton Aleksandër Xhuvani në shkrimin “Dhialekti i Elbasanit”, në Gazetën Elbasani :
“Urdhënin e Kryeministris për t’u përdorun dhialekti i Elbasanit në shkresat zyrtare e gjejmë të drejtë e t’arsyeshëm. Ky vendim i Kryeministris nuk asht nji gja arbitrore e pa vend, por nji punë qi vërteton edhe shtie në veprim shumë vendime të përparshme të marruna prej kongresesh të ndryshme qi janë mbledhun në kohë të Turqis për të rregullue çashtje të gjuhës e t’arsimit t’onë. Kongresi i Manastirit i mbledhun më 1909 e i marrun prapë me çashtje arsimi e gjuhe , u poqën e u bashkuen në nji pikë për punë të gjuhës : në përdorimin e të folmes s’Elbasanit si gjuhë shkrimi të përbashkët. Ky vendim i këtyne dy Kongreseve u përteri e u vërtes edhe në kohë të pushtimit austriak, kur u themelue në Shkodër Komisija Letrare për zhvillimin e përmirësimin e gjuhës e të letresis s’onë. Edhe ajo Komisi pranoi atëherë si themel të nji gjuhe të përbashkët dhialektin e Elbasanit. Veç këtyneve , ma të shumtët e dijetarëvet e të albanologëvet janë prapë të këtij mendimi : qi dhialekti i Elbasanit të merret si bazë për nji gjuhë shkrimi , por, natyrisht i përmirësuem e i qëruem. Në nji Promemoria qi bani në kohë t’Austris professor Nachtigalli, i cili bashkë me doktor Pekmezin e me Andre Mjedën u dërgue atëhere prej kumadës ushtriake n’Elbasan për të studiue gjuhën , kët dhialekt porosiste e këshillonte për me u marrë si bazë shkrimi të gjuhës. Arsyet qi përmendte profesor Nachtigali në Promemoria të tij për të pshtetun tezën e vet shkencore e glottologjike, po ne po përmendim këtu nji të vetme qi dihet prej të gjitheve : qi dhialekti i Elbasanit asht i kuptueshëm prej të dy kryefisevet shqiptare , prej Toskëvet e prej Gegëvet . Këte gja e kanë konstatue të gjithë ata qi kanë pasun kohën të qindrojnë pakë kohë n’Elbasan e të ndëgjojnë të folmen e këtij qyteti. Si fonetikisht, ashtu edhe morfologjisht e syndaktisht ky dhialekt i përmbleth elemente prej të dy dhialektevet të tjerë, prej Gegënistes së sipërme e prej Toskënishtes e asht si nji urë bashkimi në mes të këtyre dy dhialektëve.
Por sikurse ka ndodhun në gjuhët e tjera , kështu do të ngjajë edhe dhialekt, në të cilën do të kullojnë e në këte do të treten gjithë të mirat e dhialektevet të tjerë , tue u njazue ashpërija e Veriut me butësin e Jugut.
Pra, vendimi i Kryeministris , si kunorëzim i vendimevet e i dëshiravet të përparshme, asht si thamë, i drejtë e i arsyeshëm…..”
[xiv] Eco. U, Sei passeggiate nei boschi narrativi, Milano, Bompiani, 2000, fq 11.
[xv] Anderson, M. & Anderson, K. (2003), Text Types in English 2. Macmillan Education Australia, fq. 98
[xvi] Gjinari. J, Shkurtaj. GJ, Dialektologjia, shblu, Tiranë 2009, fq 152-204
[xvii] Gosturani.Xh, Mbi disa ndërtime të periudhës në të folmen e Elbasanit, Studime Filologjike, 1986/4, fq 90