Vepra e autorit amerikan Edwin E. Jacques, Shqiptarët: nga lashtësia deri në ditët e sotme (The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present, McFarland & Company, 1995), e ribotuar së fundmi në një variant të plotë në gjuhën shqipe, përbën një kontribut të vyer për studimin e origjinës dhe historisë së shqiptarëve. Libri ofron një shtrirje kronologjike të gjerë nga lashtësia deri në kohët moderne, duke u mbështetur në një gamë të gjerë burimesh historike, dokumentesh, dëshmish të autorëve të ndryshëm, gjetjesh arkeologjike dhe studimesh etnografike. Jacques i qaset temës me një metodologji objektive, të pavarur nga ndikimet politike dhe ideologjike, duke ndërtuar një rrëfim të argumentuar, i cili pasqyron identitetin shqiptar në mënyrë analitike dhe nderuese.
Përkthimi në shqip nga Edi Seferi e bën këtë vepër më të afërt për lexuesin vendës e atë shqipfolës, duke ruajtur frymën, qartësinë dhe ngjyresat e origjinalit. Leximi i librit shndërrohet në një udhëtim mes historisë dhe kulturës, fakteve dhe përvojave, si dhe ofron mundësi për të kuptuar rrënjët e identitetit shqiptar dhe për të reflektuar mbi sfidat dhe proceset e vështira historike që kanë formësuar kombësinë shqiptare.
Libri përmbledh itinerarin historik të shqiptarëve dhe lidhjet e tyre me qytetërimet e tjera, duke ofruar jo vetëm një pasqyrë të detajuar historike, por edhe një ftesë për reflektim mbi rrugëtimin kulturor, social e politik të popullit shqiptar, si dhe mbi vazhdimësinë e identitetit kombëtar në kohë dhe në hapësirë.

Qasjet ndërdisiplinore dhe identiteti i shqiptarëve
Një nga meritat më të mëdha të Edwin E. Jacques është mënyra se si ai ndërthur historinë, arkeologjinë, etnografinë, gjuhësinë dhe studimet kulturore, për të ofruar një kuptim të plotë të identitetit shqiptar. Ai trajton origjinën pellazge të shqiptarëve, lidhjet me qytetërimet mikenase dhe trojane, trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore, si dhe ndikimet bizantine dhe ato osmane që kanë formësuar zhvillimin shoqëror dhe fetar të popullit tonë. Jacques e sheh gjuhën shqipe jo thjesht si një mjet komunikimi, por si një shenjë të qenësisë kombëtare dhe dëshmi të autoktonisë së shqiptarëve në hapësirën ballkanike. Ai shfaq një ndjeshmëri të veçantë ndaj kësaj trashëgimie kulturore dhe historike, duke trajtuar jo vetëm ngjarjet e mëdha politike, por edhe jetën e përditshme, zakonet, fenë dhe marrëdhëniet sociale që kanë ruajtur identitetin shqiptar nëpër shekuj. Jacques ofron një interpretim të balancuar midis narrativave të huaja dhe forcimit të vetëdijes kombëtare, duke e bërë librin një burim referues për studiues, mësues, studentë dhe çdo lexues që dëshiron të kuptojë historinë e shqiptarëve në mënyrë të thelluar dhe të paanshme.
Vlera akademike e librit qëndron në rendin kronologjik të lëndës, në ndriçimin e historisë së kombit shqiptar dhe në aftësinë për të lidhur zhvillimet politike, fetare dhe shoqërore me procesin e ruajtjes së identitetit kombëtar.
Leximi i historisë përmes shembujve konkretë
Leximi i historisë shqiptare përmes shembujve konkretë merr një përmasë të veçantë në veprën Shqiptarët, ku ngjarjet, personalitetet dhe proceset historike trajtohen me fakte të dokumentuara dhe analiza të kujdesshme. Autori e ndërton narrativën historike jo mbi përgjithësime, por mbi shembuj konkretë, duke e shndërruar zhvillimin e kombit shqiptar nga antikiteti deri në shekullin XX në një proces të kuptueshëm dhe të lidhur organikisht me burimet. Vepra paraqet një nga sintezat më të gjera mbi historinë e shqiptarëve, duke filluar nga kulturat e hershme të Ballkanit dhe duke kulmuar me formimin e shtetit modern shqiptar.
Pjesa e parë e librit i kushtohet prejardhjes dhe autoktonisë së shqiptarëve. Jacques nis me shtrirjen ilire, karakteristikat kulturore të popullsive të lashta dhe marrëdhëniet me botën helene e romake. Ai analizon ndikimin romak të strukturave urbane dhe të krishterimit të hershëm në formësimin e identitetit etnokulturor, duke theksuar se pavarësisht ndryshimeve politike, popullsia vendëse ruajti vazhdimësinë gjuhësore dhe demografike. Autori thekson se qytetërimi mikenas luajti një rol kyç në proceset e hershme të hapjes ekonomike dhe kulturore në Epir, ku ndikimet në tregti, bujqësi dhe organizim shoqëror shtruan themelet e zhvillimeve të mëvonshme. Në territoret ilire, ky ndikim u përcoll përmes lidhjeve tregtare dhe kontakteve me fqinjët, duke krijuar një bazë të përbashkët të jetës shoqërore dhe traditave kulturore. Kështu, Epiri dhe Iliria bashkëformuan një rrjet zhvillimesh që ndikuan në strukturat e hershme dhe identitetin e popullsisë, duke vendosur themelet e historisë së kombit shqiptar. Kalimi në periudhën mesjetare paraqitet si një epokë komplekse, shoqëruar nga depërtimet sllave, ndryshimet në organizimin shoqëror dhe krijimin e principatave feudale. Jacques e sheh këtë periudhë jo si ndërprerje të vazhdimësisë etnike, por si fazë tranzicioni ku gërshetohen elemente të krishterimit lindor dhe atij perëndimor, duke formuar tiparet rajonale të kulturës shqiptare. Në këtë kontekst, periudha mesjetare shërben si prelud i zhvillimeve të mëdha të shekullit XV.
Nyja qendrore e librit është trajtimi i epokës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Jacques e analizon qëndresën shqiptare kundër Perandorisë Osmane si një çast formues të identitetit politik dhe kombëtar. Ai studion në detaje formimin e Lidhjes së Lezhës, strategjitë ushtarake dhe diplomatike të Gjergj Kastriotit dhe ndikimin e veprimtarisë së tij në hapësirën e gjerë ballkanike. Skënderbeu paraqitet jo vetëm si hero, por si figurë politike që ndërveproi me fuqitë evropiane të kohës, bazuar këto të dhëna në dokumentet veneciane, napolitane dhe osmane. Qëndresa e tij, ndonëse e kufizuar në kohë, shërbeu si model historik për lëvizjet e mëvonshme shqiptare. Pas vdekjes së Skënderbeut, autori e përshkruan sundimin osman si një periudhë të gjatë shndërrimesh shoqërore, ekonomike dhe fetare. Jacques analizon sistemin e tokës, funksionimin e timarit, shfaqjen e familjeve të fuqishme shqiptare brenda administratës perandorake dhe ndikimin e islamizimit në formimin e identiteteve të reja kulturore. Ai vë në dukje rolin e qyteteve, zhvillimin e zejeve, lëvizjet demografike dhe ndërthurjen e elementeve fetare në strukturën e shoqërisë shqiptare. Shekujt XVI–XVIII paraqiten si periudhë gjatë së cilës shqiptarët u integruan në mënyra të shumëllojshme në administratën osmane, duke mbajtur njëkohësisht lidhjen me traditat vendëse. Migrimet dhe shpërnguljet e popullsisë shqiptare trajtohen si një proces i rëndësishëm historik që ndikoi në shpërndarjen e shqiptarëve në Ballkan dhe krijimin e rrjeteve kulturore e ekonomike ndërkrahinore. Ai e lidh këtë dukuri me zhvillimet politike të kohës, duke treguar se lëvizjet e popullsisë kontribuan në ruajtjen e identitetit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare.
Në vijim, autori analizon periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare si fazën e konsolidimit përfundimtar të vetëdijes kombëtare. Ai trajton rolin e arsimit, të botimeve në shqip, të veprimtarisë së diasporës në vende, si: Stamboll, Bukuresht, Egjipt e Amerikë, si dhe formimin e organizimeve të para politike. Në këtë kuadër, Lidhja e Prizrenit (10 qershor 1878) paraqitet si çast kthese, e dokumentuar përmes procesverbaleve, memorandumeve dhe debateve të delegatëve shqiptarë – përshkruar si një proces i ndërlikuar vetëdijesimi dhe reagimi politik ndaj copëtimit të trojeve shqiptare. Ai analizon, gjithashtu, mendimin politik e ideologjik të rilindësve, si: vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës, Naum Veqilharxhit etj., duke nxjerrë në pah rolin e veprave të tyre në zhvillimin e identitetit kombëtar.
Rruga drejt Pavarësisë së vitit 1912 trajtohet përmes analizës së dinamikave diplomatike, sfidave politike dhe përpjekjeve të elitës shqiptare për të fituar njohjen ndërkombëtare. Autori përdor dokumente dhe korrespondenca diplomatike për të paraqitur kontekstin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar në të cilin u konkretizua Shpallja e Pavarësisë.
Pjesa përfundimtare e veprës i kushtohet shekullit XX, duke përfshirë shtetformimin shqiptar, reformat politike, ndikimin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, periudhën e mbretërisë, pushtimin fashist dhe regjimin komunist. Analizohen proceset e modernizimit, ndërhyrjet e fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha, fragmentimet politike dhe formimi i administratës shtetërore. Libri mbyllet me një pasqyrë të shqiptarëve në trojet etnike dhe në diasporë, duke e vendosur çështjen shqiptare në kuadrin e zhvillimeve rajonale dhe botërore.
Trashëgimia – Si mund të frymëzohet ajo?
Shqiptarët ofron një kuptim të plotë të rrugëtimit historik, kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve. Hartat, shembujt konkretë dhe qasja ndërdisiplinore e bëjnë librin një urë lidhëse të së kaluarës dhe së tashmes. Çdo ngjarje historike apo personalitet shërbejnë si shembuj të gjallë të vazhdimësisë dhe kompleksitetit të zhvillimit të kombit, duke i dhënë lexuesit shqiptar mundësinë të ndiejë lidhjen me rrënjët e veta kulturore dhe historike.
Vepra nuk është thjesht një pasqyrë kronologjike; ajo nxit reflektimin mbi rëndësinë e ruajtjes, vlerësimit dhe transmetimit të trashëgimisë kombëtare, duke e bërë secilin lexues pjesëmarrës aktiv në procesin e ndërgjegjësimit historik. Përmes studimit të periudhave të hershme, të mesme dhe të vona, libri tregon se identiteti shqiptar është ndërtuar mbi një bashkëpunim të vazhdueshëm midis traditës dhe sfidave që e ka përballur historia vendin tonë, dhe se kjo trashëgimi është një pasuri që mund të frymëzohet në të tashmen dhe në të ardhmen. Çdo ngjarje dhe rrëfim historik që paraqitet nuk janë thjesht fakte, por thirrje për angazhim, për ta bërë trashëgiminë pjesë të jetës së përditshme, të dialogut kulturor dhe të kujtesës kolektive, duke e përdorur si mjet për ndërtimin e identitetit vetjak dhe kolektiv. Në këtë kuptim, libri na mëson se trashëgimia jonë e vyer nuk është thjesht një kujtim i së shkuarës, por një mundësi për të frymëzuar dhe për të udhëhequr brezat e rinj drejt njohjes dhe respektimit të këtyre vlerave. Ai nxit ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditave, librave, veprave letrare dhe të gjitha elementeve përbërëse të kulturës materiale dhe asaj shpirtërore, që e bëjnë kombin shqiptar unik.
Vlera e hartave: përmasa vizuale e historisë
Një nga elementet më të spikatura të veprës janë hartat shoqëruese, të vendosura në fund të librit. Ato nuk janë thjesht ilustrime, por mjete pedagogjike dhe vizuale që e ndihmojnë lexuesin të kuptojë zhvillimet territoriale, lëvizjet e popullit shqiptar, ndikimet e perandorive të ndryshme dhe shpërndarjen e komuniteteve shqiptare në Ballkan. Përmes hartave, lexuesi mund të shquajë vendndodhjet e qyteteve të lashta, trajektoret e pushtimeve dhe migrimeve, ndikimet bizantine dhe osmane, si dhe hapësirën ku zhvilloheshin ngjarjet kryesore historike. Për shembull, njëra nga hartat tregon qytetet kryesore të Ilirisë dhe të Epirit, ndërsa një tjetër pasqyron shpërnguljet dhe vendosjet e shqiptarëve gjatë periudhës osmane. Kjo përmasë vizuale e bën rrëfimin historik më të prekshëm, duke lidhur ngjarjet me hapësirën dhe kohën ku dhe kur kanë ndodhur ato, për t’i kuptuar më së miri dinamikat e historisë. Hartat nuk shërbejnë vetëm si orientim gjeografik, por e ndihmojnë lexuesin ta perceptojë historinë shqiptare si një proces të gjallë dhe të ndërlikuar, ku faktorët politikë, socialë dhe kulturorë lidhen ngushtësisht edhe me lëvizjet demografike. Ky aspekt e bën veprën jo vetëm një kronikë të ngjarjeve, por një prezantim vizual dhe analitik të rrjedhave të historisë që kanë formësuar identitetin shqiptar.
* * *
Do të ndalesha së fundmi te puna si redaktore e këtij botimi në gjuhën shqipe; një angazhim gjithëpërfshirës dhe sistematik, duke përfshirë verifikimin e çdo elementi të origjinalit. Procesi ka përfshirë kontrollin e strukturës dhe të përmbajtjes, si dhe vlerësimin kritik të diskutimeve dhe argumenteve që libri parashtron, në mënyrë që interpretimi i historisë dhe i kontekstit të saj të mbeten të sakta dhe të besueshme. Përveç kësaj, është pasuruar ky botim me një indeks të detajuar, duke e bërë librin më të lehtë për t’u konsultuar.
Redaktimi shkencor ka luajtur një rol kyç në këtë proces, duke verifikuar çdo emër, toponim, titull dhe term të botimit origjinal me variantin shqip, për të siguruar saktësi, koherencë dhe përputhje me standardet shkencore dhe literaturën historiografike. Kjo qasje garanton referenca të verifikueshme dhe të dobishme për studiuesit. Indeksi nuk është thjesht një mjet referimi, por një udhëzues i domosdoshëm për lexuesin që kërkon të ndjekë rrjedhën historike, të kuptojë lidhjet ndërmjet ngjarjeve dhe mënyrën si zhvillohen temat. Për lexuesit shqiptarë dhe studiuesit e historisë, ai krijon mundësinë e një qasjeje sistematike, duke nxjerrë në pah si përmasën historike ashtu edhe përmasën kontekstuale. Përtej aspektit teknik dhe akademik, ky botim përfaqëson edhe një vlerë të veçantë kulturore. Përkthimi i saktë dhe interpretimi i kujdesshëm i tekstit i ofrojnë lexuesit shqiptar një hyrje në një histori dhe mendësi që shpesh mungojnë në hapësirën tonë kulturore.
Ky botim është, gjithashtu, një homazh për Edwin E. Jacques, i cili, me përkushtim dhe profesionalizëm, i ka dhënë zë historisë sonë para lexuesit ndërkombëtar. Një falënderim i veçantë shkon për Dr. David Hosaflook, drejtorin ekzekutiv të Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, i cili e riktheu në vëmendje këtë libër dhe një mirënjohje e veçantë i shkon gjithashtu z. Behxhet Bici, botuesit të “Koliqit”, i cili konkretizoi dhe finalizoi projektin, duke e bërë të mundur botimin e tij për lexuesin e gjerë.
Kjo vepër rikthehet në qendër të vëmendjes si një dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë kombëtare dhe mbetet një burim frymëzimi dhe reflektimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke i nxitur ata të ruajnë dhe të çmojnë pasuritë e kombit të tyre.