Kreu Letërsi shqipe në përkthim Dr. Adijata Ibrishimoviç-Shabiç: Qëndresa ndaj antinjerëzores

Dr. Adijata Ibrishimoviç-Shabiç: Qëndresa ndaj antinjerëzores

Romani “Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit shqiptar Namik Dokle, është i parë që u botua nga shtëpia botuese CONNECTUM e Sarajevës, në përkthimin e filologut Sadik Idrizi. U pasua nga botimi edhe i romaneve “Lulet e sakjbotës” (në boshnjakisht me titullin “Gora pa zogj”) dhe “Ditët e lakuriqëve të natës.”

Është një libër i angazhuar, i shkruar në nderim të atyre njerëzve që u qëndrojnë kushteve të vështira të së përditshmes, të mbyllur në vendlindjen, gjuhën dhe origjinën e tyre; është i angazhuar për arsyen se “mban anën” dhe nderon një popull që është i gjithkujt dhe i askujt, që jeton në kufirin e një vendi që e kanë prerë me shpatë.

Xhaxhai i rrëfimtarit të librit, në ditarin e tij, në datën 11 janar 1956 shënon: “Sherifi rri në klubin e fshatit, pi kafe dhe lexon ditarin e Mulla Jusufit, të cilin e ka mbajtur për 45 vjet. Ka shkruar për gjithë të mirat dhe të këqijat që kanë ndodhur në fshatin tonë dhe më gjerë. Në një faqe gjetëm përshkrimin e ndarjes së kufirit mes Borjes dhe Glloboçicës, nga Orçusha deri në Shishtavec, të cilin e bëri Komisioni Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve. Atëherë Gorën e kanë prerë me shpatë” (Faqe 139)

“Vajzat e mjegullës” është romani për Gorën dhe goranët, për forcën dhe bukurinë e njeriut, i cili mban në vetvete të drejtën për të qenë dhe për të mbetur ai që është, me gjuhën dhe traditat e veta, me përjetimet dhe bashkësinë e tij, të drejtën për të dashuruar dhe kujtuar, të drejtën dhe detyrimin për qëndresë kundër antinjerëzores, madje edhe të drejtën mbi mallkimin, siç është ai i Sinan Pashës, që vrau djalin e vet për të ruajtur gradat dhe lavdinë. Mund të thuhet që ky është edhe një roman historik në atë kuptim që është i tillë, të themi, “Bija e kapitenit” i Aleksandër Pushkinit. Ai rrëfen vitet e vështira në historinë e një populli nëpërmjet tregimit artistik në të cilin e folura e vërtetë përshfaq atë “jozyrtaren”, zërin e një dëshmitari “imagjinar”, gjë të cilën lexuesi e përjeton si një dokument të sinqertë dhe autentik të njeriut. “Historia zyrtare” këtu është treguar dhe përshfaqur nëpërmjet kujtimeve të shkruara apo të pashkruara, legjendave gorane dhe këngëve të tyre.  “Ne akoma nuk kemi shumë intelektualë që do të studionin shkencërisht origjinën tonë”, thotë një mësues i ri nga një fshat i Gorës. “Mendoj se kjo është një nga arsyet që ne na përvetësojnë serbët, shqiptarët, maqedonët, së fundi edhe bullgarët. Po ne jemi goranë, ndërmjet veti quhemi “tanët”. Hajde kuptoje këtë, nuk ka diell që do ta shpërndante këtë mjegull.” (faqe114-115) Tekstet dokumentare qëndrojnë kështu në një rrafsh me shkrimet shqiptare, të folklorit shqiptar, folklorit goran, ndërkohë kronikat artistike nga romani kanë fuqinë bindëse të shënimeve autentike dhe të argumenteve të pakundërshtueshme.

Autenticiteti i të treguarit në romanin e Dokles është theksuar edhe prej faktit që rrëfimtari është një fëmijë me të cilin lexuesi lidhet emocionalisht që në faqet e para, kur ky personazh fëminor mendon, përpiqet të kuptojë çka ndodh rreth tij, për shembull, çfarë është dhe si është fantazma e një “aksioni” që do të vijë dhe do të rrëmbejë të gjitha vajzat e fshatit, apo njëfarë “organizate” si një bodrum i errët që shpesh edhe i gëlltit ata që futen brenda tij. Ndërsa endet nëpër fshat gjysmë i uritur, duke pritur që për të dhe për moshatarët e tij të krijohet mundësia e shkollimit të mëtejshëm; duke dëgjuar bisedat e më të mëdhenjve, në thelb ky fëmijë përcakton masën e vërtetë të njeriut. Me naivitetin dhe pafajësinë fëminore, shpesh i mbërthyer nga frika, përjeton dhe kujton me gjithë qenien e tij, tregon çka është e bukur – qoftë kjo bukuri vajzash, këngësh, aromash, përrallash apo bukuri natyre.

Autori Namik Dokle në mënyrë të shkëlqyer ka arritur që nëpërmjet këtij rrëfimtari naiv të na japë një këndvështrim të drejtpërdrejtë, kureshtar dhe plot jetë. Një rrëfimtar i tillë nuk ka dhe s’mund të ketë të krahasuar, i ndërtuar me stil, zë i freskët dhe i fuqishëm njëherësh, gjuhë plot kolorit. Natyrshmëria dhe papërsëritshmëria e vështrimit fëminor në roman përshfaqet bukur nëpërmjet zërit të gjuhës dhe folklorit goran. Dijet dhe pikëpyetjet mbi botën, ashtu si edhe përvojat e jetës, vijnë pas gjurmëve të traditave, përrallave dhe rrëfimeve, këngëve vajzërore, legjendave, kronikave, magjive dhe mallkimeve. Dhe e gjithë kjo thurur me shumë zhdërvjelltësi në gjithë rrjedhën e romanit. Në këtë lloj narracioni zbulohet i gjithë trishtimi i një jete të ashpër, që jetohet, pavarësisht gjithçkaje, “për inat” ndaj së keqes dhe njëherësh ndërtohet portreti i njeriut, i nëpërkëmbur, por i papërkulur, i varfër, por kryelartë, kokëshkretë dhe pafundësisht besnik ndaj vetvetes.

“Vajzat e mjegullës” është një kronikë familjare, sepse djali rrëfen për ata që ka më të afërt, babai, nëna, gjyshet, xhaxhai…dhe këto personazhe, të vendosur në hapësirat kufitare të Shqipërisë së Veriut rriten dhe na përshfaqen në personazhe arketipe të babait, nënës, gjyshes, të dhëna në lëvizje të mëdha, ashtu siç i vë në provë mjerimi dhe shëmtia e jetës. Duke zgjeruar këndvështrimin e përjetimeve të veta, duke dalë nga shtëpia në fshat, djali flet për fshatarët; njerëz të mirë ose të këqinj, të ulur pranë vatrave apo të mençur që kujtojnë gjithçka ka ndodhur e ndodh rreth tyre. E tillë është Majka, me të cilën djali është veçanërisht i lidhur, një nga personazhet legjendarë për të cilët nuk dihet as edhe kur kanë lindur dhe sa vjet kanë jetuar mbi tokë, një grua që shëron sëmundje dhe bën magji e që “vdekja e ka harruar”, një dëshmitare e të gjitha ndryshimeve historike dhe politike. I tillë është edhe xhaxhai i djalit, një kronikan i fshehtë i fshatit, me ditarin e të cilit fëmija do të familjarizohet dhe do ta rishkruaj fshehurazi për t’ia treguar mësuesit të tij.

“Sistemin e kemi demokratik. Udhëheqës kemi Enver Hoxhën. Para gjashtë muajsh është mbyllur kufiri me Jugosllavinë, shumë njerëz dhe familje të fshatit kanë ngelur matanë. Deri tani kemi qenë miq me Titon. Ushtarët kanë ardhur në fshat. Deri në fyt jemi të mbytur me angari”, ka shkruar xhaxhai më 11 mars 1949, ndërsa më 2 tetor 1954: “Këtë vit nga fshati janë larguar dhjetë familje. Të gjithë ikin se nuk kanë ç’të hanë. E braktisin fshatin vetëm që të afrojnë bukën te goja.”

Në “taborin” e përkundërt, në “organizatën” midis atyre që shkaktojnë braktisjen nga njerëzit të vatrave të tyre shekullore, përshfaqen të tillë, si për shembull, Salko, i cili ka marrë nofkën, – dhe nuk ka nevojë të sqarohet me detaje të tjera,- Stalini i fshatit.

Duke shfrytëzuar në mënyrë të shkëlqyer perspektivën e vëzhgimeve të rrëfimtarit të romanit, Namik Dokle ka arritur që nga kronika familjare e një fshati të vogël të ndërtojë kronikën e  një krahine dhe të një vendi të tërë, të endë një sagë për popullin e vet. “Vajzat e mjegullës” bëhet kështu libër për vlerat e një jete të ndershme, të thjeshtë dhe të respektuar. Dhe në kushtet tronditëse të një sistemi të frikshëm, të urisë dhe të klimës së ashpër, Namik Dokle me romanin e tij na përcjell mesazhin se gjithçka thjeshtëzohet në pyetjen: ose je, ose nuk je njeri.

Dhe nëse në fund duam të zbulojmë gjëagjëzën se cilat janë në të vërtetë Vajzat e mjegullës, ndoshta përgjigjen më të mirë dhe të vërtetë do të na e jepte Majka: “E po, o Mësues, që erdhe nga Shkodra të mësosh fëmijët tanë, dije se në këtë botë ka vetëm një histori…nga çka qenë, ç’është e ç’do të jetë njeriu, asgjë nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë përgjithmonë, ajo që një ditë të bukur ka mundur të jetë, ditën tjetër do të pushojë së qeni…E sa për fshatin tonë…shkruaj se në fund të botës apo në askund, fshehur në mjegull ndodhet një fshat i quajtur Bukojna, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin natën më mirë sesa ditën. A e di, o Mësues, se çfarë thonë për burrat e fshatit tonë? Nuk i ka lindur nëna prej barkut, por i ka lindur mjegulla e Kallabakut. Qëkur lindin e derisa vdesin janë fëmijë të mjegullës. Në pelena mjegulle i mbështjellin kur lindin nga barku i nënës dhe në qefin mjegulle i fusin kur i përcjellin pas Bërces, në varreza. Dhe e gjithë jeta mjegull u shkon nëpër botë, i rrëmbejnë ku të mundin erërat e vjeshtës, përqafohen me shkëmbinjtë në grykat e lumenjve, hanë bukë me natën dhe grinden me ditën… E vrasim shumë mendjen për këtë botë dhe për atë botë…” (faqe 39)

Edhe pse sipas autorit fatpërcaktues është ai kapitull historik që nis më 1949 (me të cilin hapet kronika),  romani arrin të na ofrojë një kuadër të gjerë të një jete pesëdhjeteshtatë vjeçare, për të cilën na sugjeron fjalia e parë e librit. Përrallat, legjendat, mitet, të cilat ndërfuten në roman, e zgjerojnë shumë kohën dhe këndvështrimin e rrëfimit, duke evokuar edhe atë që është futur në thellësitë e të shkuarës (siç është për shembull historia bogomile) me qëllimin që të vërtetojë historinë si fat, në përgjithësi të frikshëm dhe armiqësor, që e vë njeriun në provën e përjetshme: ose je, ose nuk je njeri.

Exit mobile version