Kreu Letërsi Bibliotekë Dimitrov Popoviq: “Nxito ngadalë”…

Dimitrov Popoviq: “Nxito ngadalë”…

Një vështrim letrar mbi librin me poezi “Hëna mbi liqen” të poetit Ali Gjeçbritaj

Të dashur lexues, miq e bashkëvendës të poetit Ali Gjeçbritaj!

Ka qenë dëshira ime dhe e vetë poetit që unë personalisht ta shikoj dhe ta lexoj librin e tij që para botimit dhe mundësisht të jem redaktor i tij. E kësaj dëshire, si edhe përpara, nuk kam mundur t’i shmangem për shumë arsye. Kur i kam lexuar këto poezi ka qenë mes nesh gjallë poeti i mirënjohur i Krajës e tani i ndjeri Ibrahim Berjashi. Të them drejt kam pasë shumë dëshirë që të dëgjoja sot një vlerësim prej tij për bashkëvendësin e vet, për të cilin do të ishte një nder e vlerësim i veçantë. Por jeta bën të vetën dhe ne asgjë më shumë se vetëm i përshtatemi vendimeve e rregullave të saj, duke i marrë si të mirëqena vitet e kaluara dhe kujtimet rreth tyre. E nisa kështu me Ibrahimin e madh, se i tillë ishte e do të mbetet së pari ai midis shokëve e bashkëvendësve që të them drejt, rrallë diku tjetër ka aq pena krijuese sa ka vendlindja e tij, Kraja: Kraja që ka malin e madh në bregdetin perëndimor, që ka shikimin më të bukur mbi sfondin liqenor të Shkodrës, që e para e sheh dhe e ndesh e përcjell Diellin në këto anë.

       Andej prej nga vi unë, ku kam lindur dhe ku jam rritur, Krajën e kam shikuar nga poshtë, nga bregu i liqenit në anën tjetër të kufirit, si diçka të pakapshme, përtej syve, pas kufirit, pas liqenit dhe para perëndimit. Shprehem kështu i lumtur se sot e njoh më shumë dhe i gëzohem më shumë krahas pamjes, njerëzve që njoha këndej, që më afruan dhe iu afrova pa hile, me dashamirësi dhe afërsi. Kështu më vjen edhe kjo mbrëmje sonte, në përurimin e librit të ri të një shoku e miku të mirë, të cilin e them me shpirt se e dua dhe respektoj dhe nuk kam pse të përdor “mashën e huaj” për të nxjerrë gështenjat e tjetërkujt për të folur për të.

      Para dy vitesh, në shkurt të vitit 2023, për po këtë autor, në diskutimin tim për një libër tjetër të tij – “KOHË”, kam shkruar se në vargjet e poezive ka shumë shi dhe nostalgji. Është e vërtetë sa kjo është bërë e qenësishme në poezinë e tij. Me sa duket  bëhet i vërtetë konstatimi – se disa poetë i njeh menjëherë sapo lexon vargjet e para se i kanë shkruar ata – dhe ky konstatim i përket edhe Aliut. Ndodh kështu me poezitë e Mjedës dhe të Migjenit, të Agollit e Poradecit, apo edhe të mëdhenjve të tjerë të poezisë shqipe. Por në poezitë e mëparshme të Aliut, atje shiu godet më ashpër, gërryen më me forcë gurin e kullës në Natën me shi kur thotë: 

Drita është zbehur, moti gjëmon

në xham të dritares një pikë uji lundron… ose

S’kemi forcë kohën ta kthejmë

E nata me shi çan rrugën vetë.

Por tani poetin e kemi me këmbë larg punës e nxënësve, por me mendje te ta. Ka dalë në pension dhe mesa duket tempi i poezisë në lëvizje është zbutur. Ka më pak shi, gjëmon moti diçka më lehtë. Tani ka fjalë më pak…Por mendime më të thella shprehin vargjet e tij. Për besë, (sipas meje) kam gjetur në këtë botim ndoshta dy krijimet ose dy poezitë ma të bukura që ka shkruar ndonjëherë Ali Gjeçbritaj, dy poezi që kam bindjen se kanë me e pasë vendin në shumë tubime, jo vetëm për recitime, por edhe për të mbështetë domethënie të mëdha. Njëra e paraqet karakterin shqiptar horizontalisht, ndërsa e dyta vertikalisht. Le të jem unë recituesi i parë i tyre e dashtë Zoti të mos harrohen. Njëra është poezia: KOHËT E MIA

“Mbi dymijë e pesë qind vjet jam lutur pranë këtyre mureve

Me duar lart kah qielli e trupin freskuar me ujë deti

Me shijet e kohës kam gatuar bukë dymijë e pesë qind vjeçe

Mbi njëzetë e pesë shekuj jam dehur me verë nga vreshtat e Shasit

Mbi njëzetë e pesë shekuj kam kuvenduar me mbretëreshën Teutë

Frymëmarrja e gurëve sot më rikujton djepin ku na përkundën nënat

Rozafa na ushqeu më qumësht nga gurët kala

e me sy shikoj përherë rriten tonë

Sot në duart e mia mbaj qytetin e Teutës e sytë i kam drejtuar kah Rozafa

Një gjë e di më mirë se çdokush – këtu profetët kanë folur vetëm shqip.

Kohët e mia janë dëshmitare siç janë bjeshkët Cukali dhe Rumia.”

Ka në këto vargje vërtet diçka fort të bukur, jo si konstatim, por si një krenari e ligjshme të thuash: “këtu profetët kanë folur vetëm shqip”.  Personalisht më shkon mendja te profeti i fjalës dhe i shkrimit të librit të parë në gjuhën shqipe, te Gjon Buzuku i kahershëm, por hijemadh, një bir i lavdishëm, i lindur në këto troje, të cilit as nga një metër për shkronjat e emrit të tij nuk ja dhamë, për t’i ngritur një bust të merituar si pakkush tjetër. Po kaq lart qëndron edhe poezia JAM LABEAT.

Jam këtu në tokën time, i vjetër shumë i lashtë

Këtu kam lindur, këtu kam nënë e babë

Nuk e di saktësisht sa herë janë ndërruar kufijtë

Di se këtu kam lëshuar shtat unë dhe të parët e mi

Jam përkundur në djep druri me rreth mbi kokë

Me zë ëmblin e ninullave të nënave shamibardha

Më kanë burrëruar gurët në muret e kullave kala

Gdhendur me mjeshtri nga dora e ustallarëve ilirë

Me lahutën e varur në mur e me dy tela çiftelie

U kam kënduar kreshnikëve në gjuhën arkaike

Me kulturën e vargëzimit që përcollën shekujt

Në këtë truall, mbi këta gurë kemi ngritur flamurin

Unë jam bir labeati në këtë fushëgropë

Me ujë liqeni kam larë fytyrë e trup pa drojë

Ndaj valëve të trazuara gjithmonë ngadhënjimtar

Mua më kanë trimëruar këta kulla mbuluar me bujari

Besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment. Do të doja që në konkursin e fjalës artistike, që aq bukur e organizoni çdo vit këtu në mes jush, kjo poezi e recituar ashtu si duhet të zërë një vend nderi.

Duke mos dashur të marr kohën diskutuesve të tjerë po shtoj se në këtë libër ka edhe shumë poezi të tjera të bukura. Këtë bukuri ua japin përdorimi me vend i figurave artistike të cilat janë me bollëk dhe në vendin e duhur. Si zakonisht ai përdor metaforat, krahasimet, antitezat, anaforat, alegoritë etj. Ja disa krahasime të bukura nga poezia BISEDË BREZASH:

I jap trupin si selvi mbi të bishtalecin shtri

Flokët e zi si pendlat e zogut   

Gojën e bukur si kuti me dhëmbë  inxhi

Mollëzat në faqe si kadife

Në gjoks mollët e kuqe si gaca

Qafën me rruaza varg

E vetullat si hënahark.

Përdorimi i fjalëve të urta bëhet me vend e mbështetja në traditën folklorike i jep vargut origjinalitet e autoktoni si: “Nuk ka mahallë, pa nji budallë; nuk ka shpi pa një thi; diku më shumë, diku ma rrallë; nuk ka katund pa një ahmak, diku ma shumë, diku ma pak” e duke ardhur te ajo shprehja që e përmend shpesh e që shpreh vazhdimësinë ndër shekuj: “Unë gjallë se gjallë”. Ja edhe një përshkrim me domethënie të madhe i një gjendjeje:  Pa zjarr në vatër / pa tym në oxhak / pa çelës në prag.

Por poetin, për të cilin si krijues nuk ka pensionim, dalin shqetësime të tjera. Duhet t’i pranojmë se krahas së mirës po lindin edhe barëra të këqija. Kështu me metafora e alegori të fuqishme, shprehet një gjendje jo e lehtë për autorin që e ndjen se:

“Sonte nuk më dhëmbin plagët /që ma kalbën trupin në muzg,

por fara e keqe që po mbin” si edhe në vazhdim

“dua të keqes që lind /derën t’ia mbyll me shul”.

Dhe në fund për ta mbyllur, a duhet ta pranojmë një metaforë të shkëlqyer që përmend Aliu për të dhe shokët e tij kur i përshkruan në poezinë Lundrimi se janë dordolecë:

Dordolecët në arat e korrura / Janë shokët e mi

Lundrojnë edhe ata si unë / Në kohën në ikje…

Ky dordolec tregon figurën e bukur letrare, por kurrë mos qofsh i tillë! “Nxito ngadalë” – thotë një fjalë e urtë greke për kohën kushtuar të ardhmes. Më mirë afro e përgatit ndonjë poet ose poeteshë të re, dhe si dordolec vetëm trembi sorrat dhe të këqijat në livadhin tënd të jetës…

Duke përfunduar këto rreshta, të uroj edhe shumë vite të tjera të bardha e me vargje shtesë, ashtu siç na ke mësuar deri tash. Me respekt!

Exit mobile version