Kreu Letërsi Bibliotekë “Dëshira e premierës”, cikël poetik nga Ilir Shyta

“Dëshira e premierës”, cikël poetik nga Ilir Shyta

Ilir Shyta

Requiem për J…

Kambanat gjëmojnë papushim,
litarët e gjatë
akrobaci i bëjnë ajrit.
Organo luan requiem
Mesha filloi dhe mbaroi.
Hija e saj
është jashtë-brenda meje
si dikur.
Sa keq që të ëndërruarën puthje
Harruam!
Ti je larg,
shumë larg.
Kaptuar male, shtete, oqeane…,
Ke marrë formë avioni.
Shkrihen zhurma, ajri… në një
e ti bëhesh kaltërsi
që syrin tim vret.
Tani je larg
vetja më është
gjymtim dhe mall,
dhimbje dhe shpresë.
Ti je larg dhe afër.
Afër dhe larg.
Dritësorja e fakultetit
ka vështrimin tënd.
Sytë e t’u zëvendësuar
kanë xhamat.
Në pritje të çdo vështrimi
dashuror,
cigaret digjen e tymojnë
aromë trupash
si atëherë.
Vetëm mimozat nuk duan
të ledhatojnë syrin e qelqtë,
ndaj anën time mbajnë.
Unë rri e vështroj statujshëm
etydin e malltë.
Verdhësia e pemëve
pikon hije të verdhtë,
si ajo llamba konviktore
netëve të vona,
errësirë i pikonte lakuriqësisë tonë
deri në çastin,
kur fshesaret fillonin të fshinin
rrugën e fatit,
e dashuria mbulohej
me pluhur malli,
si sot që je larg
kur e verdha hije,
hijezon trupin tim të mishtë
e duket sikur toka na mbledh
me perin e Arianës.
Fillin e hijes së dielltë
dhe të verdhin fill të rrezes
pranë mimozës
shtërngojmë të dy.
Me pè në duar, sy…
fluturojmë avionësh
të fatit harraq
e mbase një ditë
mbrritja është
në aeroportin (oborr)
të fakultetit,
ku si zanë kreshnikësh
Ariana ndriçon
requiemin e dashurisë,
e na ruan edhe pse larg
njëri-tjetrit.
Me fillin e saj ndoshta
një ditë do ndezim
ëndrrën e dikurshme,
e flaka magjike
do kumbojë jo nota requiemi,
në festën e bashkimit!

Bosh

Unë e ti pa dashuri.
Zemrat vet’mëvete
janë sy statujash
që shenjojnë
funeral lumturie.

Dëshira e premierës

Të kisha parë
s’më kishe parë,
e njëkohshëm përtypnim suksesin
dhe ngrinim flamuj
të buzëqeshur virtualë.
Bobina e metrazhit vijon të luajë
ende ekranizimin e Vitit të Mbrapshtë.
Fletët e librit të ri,
janë ftesë eksperience,
për të firmosur
llojin e përjetësisë
së gjithësecilit.
-Ku do ikësh tani?
-Në shtëpi, të thashë!
…dhe nata e kryeqytetit
errësoi si në fillimfilm
minutën tonë.
Nuk u ndamë si miq
që të takoheshim gjithë mall!
Ajo ishte një natë
e mrekullueshme
për në tejmiqësi…
Mbase ju ka ndodhur…?
E tillë është performanca
edhe këtejmi Europës!
B. D., më pas u harrua në intervistat
e premierës…!
Njerëzit janë si yjet
nuk i sheh gjithmonë,
por e di se ekzistojnë
në shkëlqimin e tyre!
U shkrep një foto,
më saktë disa të tilla
që ti s’i refuzove në ballinë të Millennium-it.
Kishte diçka të përafërt
mes nesh,
në prezencën tënde
që i nevoitej simes.
Ajri i zbrazët
njëlloj si dashuria e ëndërrt
më krijoi boshësi,
në sallën e mbushur përplot.
Nga inati dua të thyej ekranin e gjerë
dhe ta puth Martën,
mu përballë spektatorëve
dhe vetë B. D.-së!
Nën çati

Vera e sivjetshme
vdiq mbi shtator.
Vera e buteve akoma jo!
…sepse është në gjakun tim.
E shenjtë,
e ëmbël dhe e hidhur,
gjithë trupin ma deh.
Dhe prapë
të pi të gjithën,
më pi të gjithin…
Plot pjalmim
errësira xhelozon nudizmin,
mes çarçafësh!

Mekanizmi i pijes

Gotë e parë për ty
e dyta…
e treta…
e katërta…
e pesta…, po për Ty!
I dehur shoh dy njerëz,
katër sy,
Shoh dy dashuri.
Brenda teje shikoj dy zemra
atë që më do
dhe tjetrën që s’më do…
Pija, është skaner
që esëll,
frikesh ta ndërmendësh!

Kumbarës

(Ana Jovanit)
Mbrëmjes
jeton tej largësisë, mallin
kalëruar si Doruntinë.
Agut
pi gotën e diellit
e rrezaton për mua.

Exit mobile version