Kreu Letërsi Bibliotekë Chimamanda Ngozi Adichie: Rreziku i rrëfimit të një historie të vetme

Chimamanda Ngozi Adichie: Rreziku i rrëfimit të një historie të vetme

Përktheu: Granit Zela

Jam rrëfimtare. Dhe do të doja tu rrëfeja disa histori personale për atë që dua ta quaj “rreziku i historisë së vetme”. Jam rritur në një kampus universitar në Nigerinë lindore. Nëna më thotë se kam filluar të lexoj që dy vjeçe, megjithëse mendoj se katër është ndoshta afër së vërtetës. Kështu nisa të lexoj që e vogël dhe ato që lexoja ishin libra autorësh britanik dhe amerikan për fëmijë.

Që e vogël isha edhe shkrimtare dhe kur rreth moshës shtatë vjeçare, fillova të shkruaj me laps dhe shkumësa me ngjyra histori me ilustrime që nëna ime e varfër ishte e detyruar t’i lexonte, shkrova pikërisht llojet e rrëfimeve që lexoja: të gjithë personazhet e mi ishin të bardhë dhe me sy blu, luanin në dëborë, hanin mollë dhe flisnin shumë për motin, dhe se sa bukur ishte që kishte dalë dielli.

Tani, kjo ndodhte sepse jo vetëm kisha jetuar në Nigeri por as nuk kisha dalë kurrë jashtë Nigerisë. Nuk kishim borë, hanim mango dhe nuk flisnim asnjëherë për motin, sepse nuk kishte nevojë. Personazhet e mi po kështu pinin shumë birrë me xhenxhefil, sepse personazhet në librat e autorëve britanik që lexoja pinin birrë me xhenxhefil. Mos u habisni që s’e kisha idenë se çfarë ishte birra me xhenxhefil. Ehe për shumë vite më pas, kisha një dëshirë të dëshpëruar për të shijuar birrën me xhenxhefil. Por kjo është histori tjetër.

​Kjo tregon, mendoj unë, se sa mbresohemi dhe sa të pambrojtur jemi përballë një historie, veçanërisht kur jemi fëmijë. Për shkak se gjithçka që kisha lexuar ishin libra në të cilët personazhet ishin të huaj, isha e bindur se librat duhej të kishin të huaj në to dhe duhej të kishin të bënin me gjëra me të cilat unë personalisht nuk mund të identifikohesha. Gjërat ndryshuan kur zbulova librat të autorëve afrikan. Nuk kishte shumë dhe nuk ishte po aq e lehtë t’i gjeje sa librat e huaj.

Por për shkak të shkrimtarëve si Chinua Achebe dhe Camara Laye, përjetova një ndryshim mendor në perceptimin tim për letërsinë. Kuptova se njerëz si unë, vajza me lëkurë në ngjyrën e çokollatës, flokët e çuditshëm të së cilës s’mund të formonin bisht, mund të ekzistojnë edhe në letërsi. Fillova të shkruaj për gjëra që njihja.

Duhet të them se ato libra të autorëve amerikan dhe britanik që lexova, më pëlqyen. Ato më nxitën imagjinatën. Hapën botë të reja për mua. Por pasoja e padëshiruar ishte se nuk e dija që njerëz si unë mund të ekzistonin në letërsi. Pra, ajo që zbulimi i shkrimtarëve afrikanë bëri për mua ishte kjo: më shpëtoi nga një histori e vetme për natyrën e librave.

Unë vij nga një familje nigeriane konvencionale, e klasës së mesme. Babai im ishte profesor. Nëna ishte administratore. Dhe kështu kishim, siç ishte normale, ndihmë familjare, e cila  shpesh vinte nga fshatrat aty pranë. Kështu, kur u bëra tetë vjeçe, morëm një djalë të ri në shtëpi. Quhej Fide. E vetmja gjë që na tha nëna për të qe  se familja e tij ishte shumë e varfër. Nëna i dërgonte familjes së tij fruta, oriz dhe rrobat tona të vjetra. Dhe kur nuk e mbaroja darkën, ajo më thoshte: “Mbaroje ushqimin! Nuk e di ti? Njerëzit si familja e Fides nuk kanë asgjë”. Kështu që ndjeva keqardhje të madhe për familjen e Fides.​

Më pas, një të shtunë, shkuam në fshatin e Fides për ta vizituar dhe e ëma na tregoi një shportë me modele të bukura të bërë prej druri palme të lyer që i kishte bërë i vëllai. U befasova. S’më kishte shkuar ndër mend se dikush në familjen e tij mund të bënte diçka. Kisha dëgjuar për ta vetëm  sa të varfër ishin, kështu që më ishte bërë e pamundur t’i shihja ndryshe përveçse të varfër. Varfëria e tyre ishte historia e vetme që dija për ta.

Vite më vonë, mendova për këtë kur u largova nga Nigeria për të shkuar në universitet në Shtetet e Bashkuara. Isha 19 vjeçe. Shoqja amerikane e dhomës u pataks. Më më pyeti se ku kisha mësuar të flisja aq mirë anglisht dhe u hutua kur i thashë se Nigeria e kishte anglishten gjuhë zyrtare. Pyeti nëse mund të dëgjonte atë që ajo e quajti “muzika ime e tribusë”, dhe si pasojë u zhgënjye shumë kur i nxora kasetën me këngët e Maria Kerit. Ajo hamendësonte edhe se nuk dija si përdorej soba.

Ja çfarë më bëri vërtet përshtypje: ajo kishte ndjerë keqardhje për mua edhe para se të më takonte. Pozicioni i saj i paracaktuar ndaj meje, si afrikane, ishte një lloj keqardhje mbrojtëse, me qëllim të mirë. Shoqja ime e dhomës kishte një histori të vetme për Afrikën: një histori të vetme katastrofe. Në këtë histori të vetme, s’kishte asnjë gjasë që afrikanët të ishin të ngjashëm me të, në asnjë mënyrë, asnjë mundësi ndjenjash më të ndërlikuara se keqardhja, asnjë mundësi për një lidhje si qenie njerëzore të barabarta.

Duhet të them që para se të shkoja në SHBA, nuk u identifikova me vetëdije si afrikane. Por në SHBA, sa herë që përmendej Afrika, njerëzit drejtoheshin nga unë. Nuk bëhje fjalë që të mos dija asgjë për vende si Namibia. Sidoqoftë arrita të përqafoj këtë identitet të ri dhe tani në shumë mënyra e mendoj veten si afrikane. Edhe pse acarohem kur Afrika përmendet si një vend, shembulli më i fundit është fluturimi im i mrekullueshëm nga Lagos dy ditë më parë, në të cilin kishte një njoftim për fluturime me qëllim bamirësie në “Indi, Afrikë dhe shtete të tjera”.

Kështu, pasi kisha kaluar disa vite në SHBA si afrikane, fillova të kuptoj reagimin e shoqes së dhomës ndaj meje. Nëse s’do të isha rritur në Nigeri dhe nëse gjithçka që dija për Afrikën do të vinte nga imazhet popullore, edhe unë do të mendoja se Afrika ishte një vend me peizazhe të bukura, kafshë të bukura dhe njerëz të pakuptueshëm, që bëjnë luftëra të pakuptimta, vdesin nga varfëria dhe SIDA, të paaftë për të folur për veten dhe në pritje që të shpëtohen nga një i huaj i sjellshëm, i bardhë. Afrikanët do t’i shihja në të njëjtën mënyrë që kisha parë familjen e Fides kur isha e vogël.

Kjo histori e vetme e Afrikës në fund të fundit vjen, mendoj, nga letërsia perëndimore. Këtu kam një citim nga shkrimi i një tregtari londinez të quajtur John Lok, i cili lundroi në Afrikën perëndimore në vitin 1561 dhe mbajti një ditar magjepsës të udhëtimit të tij. Ai i përshkruante afrikanët e zinj si “bisha që s’kanë shtëpi”. Ai shkruan: “Ata janë po kështu njerëz pa kokë, që gojën dhe sytë i kanë në gjoks”.

E po, kam qeshur sa herë e kam lexuar këtë. Dhe duhet admiruar imagjinata e John Lok-ut. Por ajo që është e rëndësishme në lidhje me ato që ka shkruar është se ai përfaqëson fillimin e një tradite të rrëfimit të historive afrikane në Perëndim: Një traditë e Afrikës nën sahariane si një vend i gjërave negative, i dallimeve, i errësirës, i njerëzve që, po të përdorim fjalët e poetit të mrekullueshëm Rudyard Kipling, janë “gjysmë djall, gjysmë fëmijë”.

Dhe kështu, fillova të kuptoj se shoqja ime amerikane e dhomës duhet të ketë parë dhe dëgjuar gjatë gjithë jetës versione të ndryshme të kësaj historie të vetme, siç kishte ndodhur me një profesor, i cili më tha se romani im nuk ishte “në mënyrë autentike” afrikan. Tani, isha mjaft e gatshme të mëtoja se kishte një sërë gjërash që nuk ishin në rregull me romanin, se kishte dështuar në një sërë vendesh, por s’e kisha imagjinuar fare se kishte dështuar në arritjen e diçkaje të quajtur autentikja afrikane. Në fakt, s’e dija se çfarë ishte autentikja afrikane. Profesori më tha se personazhet e mi i ngjanin shumë atij, njeri i arsimuar dhe i shtresës së mesme. Personazhet e mi ngisnin makina. Nuk vuanin nga uria, prandaj nuk ishin në mënyrë autentike afrikan.

Por më duhet të shtoj menjëherë se edhe unë jam po aq fajtore për çështjen e historisë së vetme. Para disa vitesh, vizitova Meksikën nga SHBA-ja. Klima politike në SHBA në atë kohë ishte e tensionuar dhe kishte debate në lidhje me imigracionin. Dhe, siç ndodh shpesh në Amerikë, emigracioni u bë sinonim i meksikanëve. Kishte histori të pafundme të meksikanëve si njerëz që iknin nga sistemi i kujdesit shëndetësor, kalonin fshehurazi kufirin, po arrestoheshin në kufi, diçka e tillë.

Më kujtohet që në ditën e parë shëtisja në Guadalajara, duke parë njerëzit që shkonin në punë, shisnin gatime në treg, pinin duhan, qeshnin. Mbaj mend që në fillim u ndjeva pak e befasuar. Dhe pastaj, ndjeva turp. E kuptova se isha zhytur aq shumë në historinë mediatike pët meksikanët, saqë ata ishin bërë një gjë e vetme në mendjen time, emigranti i poshtër. E kisha besuar historinë e vetme për meksikanët dhe s’mund të mos më vinte shumë turp nga vetja. Kështu që të krijohet një histori e vetme, të tregohet një popull si një gjë e vetme, pareshtur, dhe ata bëhen të tillë.

Është e pamundur të flitet për një histori të vetme pa folur për pushtetin. Ka një fjalë, një fjalë dialektin nigerian Igbo, të cilën e mendoj sa herë që mendoj për strukturat e pushtetit të botës, dhe ajo është “nkali”. Është një emër që përkthehet lirshëm si “të jesh më i madh se një tjetër”. Ashtu si bota jonë ekonomike dhe politike, edhe historitë përcaktohen nga parimi i nkalit: Si tregohen, kush i tregon, kur u tregohet, sa histori tregohen, këto varen vërtet nga pushteti.

Pusheti është aftësia jo vetëm për të treguar historinë e një personi tjetër, por për ta bërë atë historinë përfundimtare të atij personi. Poeti palestinez Mourid Barghouti shkruan se nëse doni të tjetërsosh një popull, mënyra më e thjeshtë për ta bërë është të tregoni historinë e tyre dhe të filloni me, “së dyti”. Filloni historinë me shigjetat e amerikanëve vendas, dhe jo me ardhjen e britanikëve, dhe keni një histori krejtësisht të ndryshme. Filloni historinë me dështimin e shtetit afrikan, dhe jo me krijimin kolonial të shtetit afrikan, dhe keni një histori krejtësisht të ndryshme.

Kohët e fundit kam mbajtur një ligjëratë në një universitet ku një student më tha se ishte turp që burrat nigerianë ishin dhunues fizik si personazhi i babait në romanin tim. I thashë se sapo kisha lexuar një roman të quajtur “Psikopati  amerikan” dhe se ishte aq turp që të rinjtë amerikanë ishin vrasës serial. Tani, pa dyshim që e thashë këtë ngaqë isha pak e acaruar. Por s’do të më kishte shkuar kurrë në mendje të mendoja se vetëm për shkak se kisha lexuar një roman në të cilin një personazh ishte vrasës serial, ai ishte përfaqësues i të gjithë amerikanëve. Kjo nuk ndodh ngaqë jam një person më i mirë se ai studenti, por për shkak të fuqisë kulturore dhe ekonomike të Amerikës, dhe se kam lexuar shumë histori për Amerikën. Kisha lexuar Tyler, Updike, Steinbeck dhe Gaitskill-in. Unë nuk kisha një histori të vetme për Amerikën.

Kur para disa vitesh, mësova se shkrimtarët pritej të kishin fëmijëri të palumtur për të qenë të suksesshëm, fillova të mendoj se si mund të shpikja gjëra të tmerrshme që më kishin bërë prindërit. Por e vërteta është se kam pasur fëmijëri shumë të lumtur, me plot të qeshura dhe dashuri, në një familje ku pjesëtarët ishin shumë të lidhur me njëri – tjetrin.

Por kam pasur edhe gjyshër që kanë vdekur në kampet e refugjatëve. Kushëriri im Polle vdiq sepse s’mund të merrte kujdesin e duhur shëndetësor. Një nga miqtë e mi më të ngushtë, Okoloma, vdiq në një aksident ajror, sepse makinat e zjarrfikësve nuk kishin ujë. U rrita nën qeveri shtypëse ushtarake e cila e zhvlerësoi arsimin, prandaj ndonjëherë prindërit nuk i merrnin pagat. Dhe kështu, si fëmijë, pashë që reçeli zhdukej nga tavolina e mëngjesit, më pas u zhduk gjalpi, më pas buka u bë shumë e shtrenjtë, pastaj qumështi u racionua. Dhe para së gjithash, një lloj frike e normalizuar politike pushtoi jetët tona.

Të gjitha këto histori më bëjnë kjo që jam. Por të këmbëngulësh vetëm në këto histori negative do të thotë të rrafshosh përvojën time dhe të anashkalosh shumë histori të tjera që më kanë formuar. Historia e vetme krijon stereotipe dhe problemi me stereotipet nuk është se ato janë të pavërteta, por se janë të paplota. Ata bëjnë që një histori të bëhet e vetmja histori.

Sigurisht, Afrika është një kontinent plot katastrofa: ka katastrofa të pamasa, si përdhunimet e tmerrshme në Kongo dhe ato dëshpëruese, si fakti që 5000 njerëz aplikojnë për një vend të lirë pune në Nigeri. Por ka histori të tjera që nuk kanë të bëjnë me katastrofën, dhe është shumë e rëndësishme, po aq e rëndësishme të flasim për to.

Gjithmonë kam ndjerë se është e pamundur të merresh siç duhet me një vend apo një person pa u marrë me të gjitha historitë e atij vendi dhe atij personi. Pasoja e historisë së vetme është kjo: ua grabit njerëzve dinjitetin. Kjo e bën të vështirë njohjen e njerëzimit tonë. Ajo thekson se si jemi të ndryshëm dhe jo se si jemi të ngjashëm.

Po sikur para udhëtimit tim meksikan, të kisha ndjekur debatin për emigracionin nga të dyja palët, nga ajo amerikane dhe meksikane? Po sikur nëna të na thoshte se familja e Fides ishte e varfër dhe punëtore? Po sikur të kishim një rrjet televiziv afrikan që transmetonte histori të ndryshme afrikane në të gjithë botën? Të ndodhte ajo që shkrimtari nigerian Chinua Achebe e quan “ekuilibër historish”.

Po sikur shoqja ime e dhomës ta njihte botuesin tim nigerian, Muhtar Bakare, një njeri i shquar i cili la punën në bankë për të ndjekur ëndrrën e tij dhe për të krijuar një shtëpi botuese? Tani, sipas mendimeve konvencionale, nigerianët nuk lexojnë letërsi. Ai nuk mendonte kështu. Mendonte se njerëzit që dinin të lexonin, do të lexonin, nëse letërsia do të bëhej e  përballueshme dhe e pranishme për ta.

Menjëherë pasi ai botoi romanin tim të parë, shkova në një stacion televiziv në Lagos për të dhënë intervistë dhe një grua që punonte aty si folëse erdhi tek unë dhe më tha: “Më pëlqeu shumë romani juaj. Nuk më pëlqeu fundi. Tani, duhet të shkruani një vazhdim, kjo është ajo që do të ndodhë…” Dhe ajo vazhdoi të më tregojë se çfarë të shkruaj në romanin vijues. Jo vetëm që u magjepsa, por u preka shumë. Këtu ishte një grua, pjesë e masave të zakonshme të nigerianëve, që nuk duhej të ishin lexues. Jo vetëm e kishte lexuar librin, por ndihej aq shumë si autore e tij sa mund të më thoshte se çfarë të shkruaja në vazhdim.

E po, po sikur shoqja e dhomës të kishte njohuri për mikun tim Funmi Iyanda, një grua e patrembur që drejton një shfaqje televizive në Lagos dhe është e vendosur të tregojë historitë që ne parapëlqejmë t’i harrojmë? Po sikur shoqja e dhomës të njihte procedurën e operacionit të zemrës që u bë në spitalin e Lagos javën e kaluar? Po sikur ajo të njihte muzikën bashkëkohore nigeriane, njerëz të talentuar që këndojnë në anglisht, Pidgin, dhe Igbo, Yoruba dhe Ijo, të cilët  përziejnë ndikime nga Jay-Z te Fela, Bob Marley dhe gjyshërit e tyre.

Po sikur shoqja ime e dhomës të njihte avokaten femër që së fundi shkoi në një gjykatë në Nigeri për të kundërshtuar një ligj qesharak që kërkonte që gratë të merrnin pëlqimin e burrit të tyre përpara se të rinovonin pasaportat? Po sikur shoqja e dhomës të njihte Nollywood-in, plot me njerëz novatorë që bëjnë filma, pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëdha teknike, filma kaq të njohur sa janë vërtet shembulli më i mirë i nigerianëve që konsumojnë atë që prodhojnë? Po sikur ajo të njihte parukierien e mrekullueshme ambicioze, e cila sapo ka nisur biznesin e saj? Apo të dëgjinte për miliona nigerianë të tjerë që fillojnë biznese dhe ndonjëherë dështojnë, por vazhdojnë të kenë ambicie?

Sa herë jam në shtëpi përballem me shkaqet e zakonshme të acarimit për shumicën e nigerianëve: infrastruktura e dobët, qeveria e dështuar, por edhe qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e njerëzve që përparojnë pavarësisht qeverisë, dhe jo për shkak të saj. Unë jam mësim seminare për të shkruart në Lagos çdo verë dhe është e mahnitshme  se sa njerëz aplikojnë, sa njerëz janë të etur për të shkruar, për të treguar histori.

Bashkë me botuesin tim nigerian kemi krijuar një organizatë jofitimprurëse të quajtur Besimi, dhe kemi ëndrra të mëdha për të ndërtuar biblioteka, për të rinovuar bibliotekat që ekzistojnë tashmë dhe për të ofruar libra për shkollat shtetërore që s’kanë asgjë në biblioteka, si dhe për të organizuar shumë seminare, për leximin dhe shkrimin krijues, për të gjithë njerëzit që janë të etur të tregojnë historitë tona të shumta.

Historitë kanë rëndësi. Shumë histori kanë rëndësi. Historitë janë përdorur për të tjetërsuar dhe për keq, por historitë mund të përdoren gjithashtu për të fuqizuar dhe për të humanizuar. Historitë mund të cënojnë dinjitetin e një populli, por historitë gjithashtu mund ta rikthejnë atë dinjitet.

Shkrimtarja amerikane Alice Walker shkroi këtë për të afërmit e saj jugor që ishin shpërngulur në Veri. Ajo i paraqiti në një libër për jetën në Jug që kishin lënë pas. “Ata u ulën në formë rrethi, duke lexuar librin, duke më dëgjuar tek lexoja librin dhe u rifitua një lloj parajse”.

Do të doja ta mbyllja me këtë mendim: kur refuzojmë historinë e vetme, kur kuptojmë se nuk ka asnjë histori të vetme për asnjë vend, ne rifitojmë një lloj parajse.

Exit mobile version