Kreu Opinion Bilgehan Uçak: Një mëngjes me Ismail Kadarenë

Bilgehan Uçak: Një mëngjes me Ismail Kadarenë

Gazetari dhe shkrimtari i njohur turk, Bilgehan Uçak, ishte shumë i emocionuar në një bisedë me Kadarenë në Bar Juvenilja, një mëngjes të ftohtë nëntori për romanet. Ai foli me shumë admirim për romanet që kishte lexuar si edhe perceptimin e krijimtarisë së Kadaresë në Turqi. Me vete kishte një libër voluminoz të ish ambasadorit turk në Tiranë në vitet 1985-88,


U ula në të njëjtën karrige në të njëjtën tavolinë në të njëjtin bistro.

Nën çadrat e kopshtit e Juvenilia Castello.

Është një ngricë e tmerrshme, është e tmerrshme, më duket sikur gjithë ngrica e Ballkanit po mblidhet dhe po më fryn përsipër.

Epo falë zotit kam pak gjak ballkanik, u ula pa e çarë kokën fare në të njejtin vend, porosita një kafe, hodha edhe këmbë mbi këmbë, po të më shikoje nga larg do të mendoje se po përshëndes flladin që fryn nga deti në një mbrëmje vere.

Dje isha këtu me shkrimtarin më të madh që jeton jo vetëm të Shqipërisë, por ndoshta të gjithë Ballkanit, folëm pak për politikën dhe më shumë për letërsinë duke pirë kafe.

Kur pashë Ismail Kadarenë në hyrje të bistros me botuesin e tij Bujar Hudhrin, m’u kujtuan netët që kam kaluar me romanet e tij.

Kopertinat e librave, kërkimi i kufomave në tokë apo interpretimi i ëndrrave, Gjirokasta nën pushtim, shtëpia që vizitova pak ditë më parë, sterna, “hapsana”, ja një hap më afër, koka e prerë e Ali Pashë Tepelenës tek Kamarja e turpit, Prilli i tyer të cilën ende nuk e kam blerë e nuk e kam lexuar dhe ndjeva një keqardhje në atë moment deri kockat e mia, nominimi për Nobel shumë herë, vetëm pak hapa të mbetur, disa fjali që nuk do të më fshihen kurrë nga kujtesa, udhëtimi me trenin i gjatë në të cilin lexova Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, të gjitha, gjithçka, në atë moment.

U përshëndetëm.

Po thuajse si të gjithë të tjerët, Kadarenë e njoha përmes Gjeneralit të ushtrisë së vdekur dhe më vonë lexova shtatë a tetë romane të tij.

Tani ai është këtu, përballë meje, i porositëm kafet, nuk i ndizet cigarja dhe kërkon ndihmë prej meje.

I ndez çakmakun, ai e ndez cigaren, ohh,  duke mos përfillur të ftohtin e Ballkanit dhe këshillat e mjekëve e pi duhanin.

Kur vendosa të udhëtoja në Shqipëri, fillova të lexoja librin e Bilal Şimşir-it, i cili ishte ambasador në Tiranë në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë dhe libri ishte i trashë, nuk arrita ta përfundoja por e kisha me vete.

Ndërsa po flisnim për Ballkanin, për shkrimin e udhëtimeve etj., Bujar Hudhri pyeti nëse kishte ndonjë kapitull për Kadarenë në kujtime.

Bilal Şimşir, si nëpunës civil, “letërsinë e Kadaresë” e lexon për interesat kombëtare dhe, sipas meje, del në një përfundim shumë të gabuar duke u bazuar në një roman të tij.

Ai shkruan: “Nëse Ismail Kadareja na paraqitet nesër si mik i turqve, nuk duhet të habitem nga kjo hipokrizi”.

Titulli i romanit që flet Şimşir-i është “Komisioni i festës”, këtë roman të Kadaresë nuk e kam lexuar e as nuk e di a është në turqisht apo jo, por është e pamundur që një figurë e madhe letrare të jetë kundër një komuniteti, një kombi, një race apo një feje, jam i sigurt për këtë gjë.

Sigurisht që ka përjashtime, nëse kërkojmë do të hasim emra të mëdhenj, por letërsia në fund të fundit është një përpjekje për të “kuptuar njerëzit” dhe urrejtja nuk është pjesë e mirëkuptimit.

Kadareja është gjithashtu një figurë e madhe letrare, fama e të cilit ka shkuar shumë përtej kufijve ballkanikë.

Të shikosh një nga tregimet e tij dhe ta etiketosh si “armik i turqve” është humbje kohe, përveç kësaj, edhe nëse është kështu, a ul kjo cilësinë e produktit të artistit?

Kur i thashë Kadaresë se në raportin e ambasadës e cilësonin si “armik i turqve”, më pa me një buzëqeshje të lodhur.

“Unë qenkam armik i turqve?” më pyeti.

E thithi thellë cigaren.

“Më kanë quajtur antiserb, antisovjetik, antikinez, më kanë përmendur edhe armiqësi të tjera, madje më kanë bërë edhe antishqiptar.”

Ai u tërhoq përsëri në karrigen e tij.

Më tregoi se para ca kohë ka bërë një intervistë të shkurtër me një gazetare italiane dhe gazeta kishte modifikuar një pjesë nga përgjigjja e tij për çështjen e emigracionit dhe e kishin vënë si titull kryesor.

“Më duket se javën e kaluar isha kundër emigrantëve, ose anasjelltas, ndoshta isha adhurues i emigrantëve, diçka e tillë!”

Përveç letërsisë, e pyes për mendimet e tij për luftën në Palestinë; “Unë jam kundër të gjitha luftërave,” thotë ai, “Unë nuk jam armik i kombeve, por i luftërave!”

Kadare paska pesëmbëdhjetë vjet që vjen në Juvenilia Castello pothuajse çdo mëngjes.

Ai ka shkruar artikuj dhe libra këtu.

Edhe unë këtë mbrëmje, një ditë pas takimit, jam ulur në të njëjtin bistro dhe po shkruaj.

Ai më nënshkroi një kopje të romaneve të tij dhe ma bëri dhuratë.

Për mua Tirana tani do të thotë mëngjesi që kalova me Kadarenë.


Kush është gazetari dhe shkrimtari Bilgehan Uçak

Ai ka lindur në vitin 1989 në Kadıköy të Stambollit. Ka shkruar shumë artikuj në një shumëllojshmëri të gjerë gazetash dhe revistash. Ka kryer studimet master në programin e Studimeve Kulturore të Universitetit Bilgi.    

Libri i tij i parë, i cili është një përmbledhje e intervistave të tij, është “Futboll? “Jo më!” u botua në vitin 2012.

Libri i tij i dytë, “Operada Mücella Suzan”, në të cilin ai shqyrton pikëpamjet politike në veprat e Reshat Nuri Güntekin, u botua nga Botimet Everest në 2019.          

Romani i tij i parë, “Mbrëmjet janë të freskëta tani”, u botua në nëntor 2020, dhe romani i tij i dytë, “Le të jetë pak zë”, u botua në janar 2022. Vëllimi i parë i udhëtimit të tij (Evropa Lindore) i titulluar “Ai që vjen nga rruga flet shumë” u botua nga Botimet Alfa në gusht 2023.

Exit mobile version