Bujar Hudhri: Epigrafi dhe fjalia e parë e romanit “Ana Karenina” – A janë përkthyer saktë në shqip?

    Dhe dy pyetje që vijnë natyrshëm:

    1. A mund të ketë ndikuar përkthimi i kësaj fjalie në fjalorët shqip-gjuhë e huaj; gjuhë e huaj-shqip?
    2. Po në përjashtimin nga fjalori i gjuhës shqipe (2020) të mbiemrit të nyjshëm “i palumtur”?

    Shkrimtari dhe kritiku i shquar italian Claudio Magris shprehet diku në lidhje me ripërkthimin e letërsisë klasike se “kryeveprat e mëdha duhet të përkthehen pothuajse për çdo brez, sepse ato përmbajnë një potencial të fshehur…”. Dhe veprat klasike kudo në botë ripërkthehen, ashtu sikundër edhe te ne. Në anglisht janë mbi 15 përkthime të “Iliadës”. Në rusisht mbi 40 përkthime të “Hamletit”. Po përse është e nevojshme që veprat klasike të ripërkthehen? Do të rreshtonim disa faktorë, si cilësia jo e mirë e përkthimeve të mëparshme, vjetrimi i përkthimit kundrejt kohës kur jetojmë. Tani mund të jenë botuar komentarë për të shpjeguar këto vepra klasike, janë botuar variante dorëshkrimesh, kujtime, letra, ditarë të autorëve apo të të tjerëve mbi autorin. Të gjitha këto nuk mund të diheshin më parë. Kjo e ka bërë më të lehtë punën e përkthyesit, krahasuar me vite dhe dekada kur janë përkthyer për herë të parë apo të dytë. Shpesh paraqiten raste kur nga këto shpjegime kemi edhe një kuptim të ri, të saktë, të tekstit. Po ashtu sot kemi ndihmën e pakufishme të internetit, që na jep mundësi të konsultohemi me studime dhe variante përkthimesh në gjuhë të tjera. Ripërkthimet, përveç të tjerash, janë një fat i madh për lexuesin dhe kulturën e çdo vendi. Kështu letërsia më e mirë vijon të jetë e pranishme, edhe më e afërt për kohën që jetojmë, sidomos për brezin e ri të lexuesve.

    Një nga veprat klasike që ripërkthehet shpesh është “Ana Karenina”, e cila që nga viti 1878, kur u botua për herë të parë, njeh rreth një mijë botime në të gjitha gjuhët e botës. Vetëm në shqip, e botuar pothuaj 60 vjet nga botimi i parë në origjinal, brenda harkut të 65 vjetëve, kemi tri variante përkthimi. Varianti i parë është botuar në vitin 1936 nga shtëpia botuese “Ora” dhe është përkthyer nga Tajar Zavalani; varianti i dytë, i botuar më 1961 nga “Naim Frashëri”, është përkthyer nga Vedat Kokona dhe i treti, me përkthyes Jorgji Doksanin, është botuar nga “Neraida” më 2000.

    Do të ishte normale të shtronim pyetjen për versionet shqip: a janë vjetruar këto përkthime? Nga njëri variant në tjetrin a kemi përmirësim? Apo, për nevoja të tregut, ka pasur ngutje dhe kemi bërë hapa pas? Kjo është një detyrë që do të kërkonte shumë mund, kohë dhe hapësirë për një gazetë, ndaj në këtë shkrim, pa hyrë fare në brendësi të përkthimit të kësaj vepre rreth 1000-faqëshe, do të përqendrohemi nëse janë përkthyer saktë dy elementet më të rëndësishme që gjenden në krye të romanit, menjëherë pas titullit “Ana Karenina”: epigrafi dhe  fjalia e parë e romanit.

    1. EPIGRAFI I ROMANIT

    Në përkthimin e Zavalanit nuk ekziston asnjë epigraf. Në fondin e Bibliotekës Kombëtare, ku gjendet përkthimi i tij, shohim që romani shoqërohet me një parathënie të përkthyesit dhe direkt fillon pjesa e parë. Pra, është e pamundur (besoj) që kjo fletë të jetë e shkëputur nga libri.

    Në variantin e Kokonës kemi këtë përkthim të epigrafit:

    “Mua më përket shpagimi dhe unë do të shpaguhem.”

    Krejt ndryshe e përkthen Doksani 40 vjet më vonë:

     “Ndëshkimi bie mbi mua, unë do të shpaguaj.”

    Sikundër mund të shihet, kemi këto dallime:

    Kokona emrin në rusisht отмщение e përkthen korrekt shpagim, ndërsa Doksani po këtë emër e përkthen pasaktësisht ndëshkim. Kokona foljen në rusisht воздам e përkthen pasaktësisht në trajtën joveprore shpaguhem, ndërsa Doksani po këtë folje e përkthen korrekt në trajtën veprore shpaguaj.

    Duke i analizuar të gjitha dallimet që vërejtëm më sipër,

    mendoj se as Kokona dhe as Doksani nuk e kanë përkthyer saktë epigrafin.

    Në origjinal, teksti i epigrafit është:

      «(1) Мне (2) отмщение (3) и (4) аз (5) воздам».

    (1) Мне”, përemri “unë” në rasën dhanore. Gjuhëtarët thonë që kjo formë e përemrit vetor “unë” në gjuhën e vjetër kishtare sllave përkon sot  me kuptimin e përkatësisë. [imja, imi].

    (2)  “отмщение” në shqip përkthehet “hakmarrje / shpagim”.

    (3) Lidhëza и përkthehet në shqip[dhe]

    (4)«Аз» -është përemri vetor “unë” në rusishten e vjetër, sepse në rusishten e sotme ky përemër vetor është «я» [unë].

    (5) воздам në shqip ka kuptimin:  “shpaguaj, marr hak, hakmerrem, ia kthej dikujt me të njëjtën mënyrë.”

    Si përfundim, mendoj se epigrafi mund përkthehet kështu:

    “Imja është hakmarrja dhe unë do të hakmerrem/do të shpaguaj”.

    Në pjesën e tretë të “Historisë së letërsisë ruse të shek. XIX” mësohet se nga buron ky citat: Romani [Ana Karenina] hapet me një epigraf të marrë nga Bibla: «Мне отмщение, и аз воздам». Kuptimi krejtësisht i qartë i thënies biblike bëhet shumëkuptimësh kur përpiqen ta trajtojnë në lidhje me përmbajtjen e romanit. Në këtë epigraf duken gjykimi i autorit për heroinën dhe po ashtu mbrojtja e saj prej autorit. Epigrafi perceptohet edhe si një kujtesë për shoqërinë, se si asaj nuk i takon e drejta për të gjykuar njeriun. Shumë vjet më vonë Tolstoi e pranoi se e zgjodhi këtë epigraf që “të shprehte mendimin që ajo e keqe që njeriu kryen, ka si pasojë gjithçka të hidhur, që i vjen jo nga njerëzit, por nga Zoti dhe këtë e provoi mbi vete edhe Ana Karenina.

     (История русской литературы XIX века. В 3 ч. Ч. 3 (1870—1890).Автор: Ауэр Александр Петрович, Вершинина Наталья Леонидовна , Капитанова Людмила Анатольевна)

    Epigrafi, pra, është marrë nga Dhiata e Re, letra e apostullit Pal drejtuar romakëve, 12:19. Sikurse mund të vihet re, këtij teksti kanonik Tolstoi i ka shtuar lidhëzën “dhe” [союз И]. Sipas studiuesve, Tolstoi e ka bërë që t’i largohet paksa shkrimit të shenjtë dhe t’i afrohet gjuhës së përditshme. 

    Përkthimi i këtij epigrafi gjendet në variantin shqip të biblës, në letrën e apostullit Pal drejtuar romakëve:12:19. “Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar’, thotë Zoti“.

    Krahasuar me citatin e mësipërm të biblës, mund të argumentojmë pse Kokona dhe Doksani kanë gabuar:

    1.Kokona e përkthen: “Mua më përket shpagimi dhe unë do të shpaguhem”. Meqenëse këto janë fjalë të Zotit, atëherë nuk mund të jenë në vetvetore, “shpaguhem”, se Zoti nuk merr hak për veten e tij (SHPAGUHEM vetv. 1. Marr hakun, hakmerrem për një të keqe që më kanë bërë. Fjalori i gjuhës shqipe, 2020), por marr hak për të tjerët (SHPAGUAJ 1.  E ndëshkoj dikë në shenjë hakmarrjeje, i marr hakun. Fjalori i gjuhës shqipe, 2020).

    2. Doksani e përkthen: “Ndëshkimi bie mbi mua, unë do të shpaguaj”. Meqenëse këto janë fjalë të Zotit, nuk mund të bjerë “ndëshkimi” mbi Zotin, sepse askush mund ta ndëshkojë atë, por Zotit i përket “shpagimi” (SHPAGIM m.1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve SHPAGUAJ, SHPAGUHEM. Fjalori i gjuhës shqipe, 2020). 

    2. Fjalia e parë e romanit

    Fjalia hyrëse e romanit për çdo shkrimtar serioz është vendimtare, sepse ajo mund ta afrojë, por edhe mund ta largojë lexuesin. Ky është rasti kur ndeshen të tre për herë të parëD .he shkrimtari s’mund ta humbë assesi këtë takim. Ka autorë, si Marquez, Stephen King, që mund të harxhojnë muaj, disa herë vite, për të gjetur fjalinë e parë më të përshtatshme. Ka plot shembuj nga letërsia botërore ku fjalitë e para të nguliten në kujtesë, edhe pse mund ta kesh harruar apo mund edhe të mos e kesh lexuar romanin, sepse tashmë këto janë bërë ikonike.

    Dhe një ndër më të bukurat fjali të para në letërsinë botërore është, pa dyshim, në romanin “Ana Karenina”:

    Все счастливые семьи похожи друг на друга, каждая несчастливая семья несчастлива по-своему

    Kjo fjali është në kohën e tashme, ndërkohë që i gjithë libri është shkruar në kohën e shkuar. Tolstoi ka dashur që kjo fjali të jetë si një kornizë, përmes së cilës lexuesit mund të rrokin të gjithë romanin, shkruan një nga studiuesit e tij.   

    LE TË SHOHIM SE SI ËSHTË SJELLË NË SHQIP NGA TRE PËRKTHYESIT

    1. Tajar Zavalani

    “Të gjitha familjet e lumtura  janë njësoj, kurse çdo familje fatkeqe ndryshon nga të tjerat.”

    E ndajmë fjalinë në dy pjesë për ta analizuar:

    a)Pjesa e parë e fjalisë “Të gjitha familjet e lumtura  janë njësoj”

     nuk është përkthyer saktë,

    sepse Tolstoi nuk ka shkruar se familjet e lumtura janë njësoj (në këtë rast do të ishte odinakovye=одинаковые) [njësój ndajfolje; në po atë mënyrë, pa dallim; në po atë masë, barabar (sipas: Fjalor i gjuhës shqipe), por janë të ngjashme (pokhozhi drug na druga= похожи друг на друга) [ngjásh/ëm (i), -me (e) mbiemër; që ngjan shumë me një tjetër (sipas: Fjalor i gjuhës shqipe).

    b) Edhe pjesa e dytë e fjalisë: “kurse çdo familje fatkeqe ndryshon nga të tjerat.”

    nuk është përkthyer saktë,

    sepse mungon togfjalëshi [është fatkeqe]: Tolstoi përdor figurën stilistikore të përsëritjes për të theksuar, apo për të vënë në pah, mbiemrin fatkeq për familjet. Nuk mund të lejohet një shkurtim i tillë i tekstit, sepse përkthyesi nuk mund ta zëvendësojë autorin, por vjen pas tij.

    2) Përkthimet e Vedat Kokonës dhe Jorgji Doksanit janë pothuaj identike:

    Të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njëra-tjetrës, çdo familje fatkeqe është fatkeqe ndryshe nga të tjerat. 

    (Vedat Kokona, 1961)

    Të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njëra-tjetrës, çdo familje fatkeqe është fatkeqe në mënyrën e vet.

    (Jorgji Doksani, 2000)

    PASAKTËSIA E TRI VARIANTEVE NË SHQIP

    Në variantet e përkthimit në shqip (Zavalani, Kokona, Doksani) vërehet se në pjesën e dytë të saj, mbiemri несчастливая sipas tyre përkthehet fatkeqe.

    Pse mendoj se nuk është përkthyer saktë?

    Sepse Tolstoi në fjalinë e parë ka krijuar një çift antonimik të mbiemrave

    [: счастливaя – несчастливая / i lumtur-i palumtur].

    Në gjuhën ruse mbiemri счастливaя /e lumtur me ndihmën e parashtesës [не]bëhet  несчастливая  /e palumtur, sepse (parashtesa не=приставка не)[ashtu sikundër në gjuhën shqipe] përdoret për formimin e emrave dhe mbiemrave dhe shënon kundërshtinë e plotë të asaj që shpreh fjala pa këtë parashtesë): në këtë rast, mbiemri счастливые, duke marrë parashtesën не, bëhet të palumtura dhe jo fatkeqe!

    Mbiemri në shqip [fatkeq] është një fjalë e përbërë dhe nuk formon çift antonimik me mbiemrin e nyjshëm [e lumtur], por me [fatlum]. Duke e krahasuar këtë fjali me përkthimet në gjuhët e tjera mendoj se kjo fjali e parë e romanit duket sikur të jetë përkthyer nga frëngjishtja.

    Ja varianti frëngjisht:

    “Toutes les familles heureuses se ressemblent, mais chaque famille malheureuse l’est à sa façon.»

     Mbiemri [malheureuse] përkthehet në shqip fatkeq dhe është një fjalë e përbërë. Arsye tjetër pse mendoj se vjen nga varianti frëngjisht është sepse Tajar Zavalani ka mbaruar kolegjin francez në Korçë, Selanik, Francë. Një njohës i shkëlqyer i frëngjishtes, ai mund të përkthente nga rusishtja në frëngjisht. Po ashtu, edhe përkthyesi i njohur Vedat Kokona ka qenë një njohës i shkëlqyer i frëngjishtes.  

      Për dy versionet e para (Zavalani, Kokona) mund të jemi mirëkuptues deri diku, përderisa mbiemri i palumtur haset për herë të parë në fjalorin e gjuhës shqipe më 1980 (megjithëse ishte shumë e lehtë të krijohej ky neologjizëm si kalk nga gjuhët e tjera).

    Në rastin e përkthimit të vitit 2000 nga Doksani, i cili ka studiuar në Moskë për gjuhë ruse dhe gjithë jetën është marrë me rusishten, do të ishte normale që kjo pasaktësi të shmangej. Shto këtu që ai ka përkthyer pas vitit 1990 mijëra faqe nga shkrimtarët më të rëndësishëm rusë, madje edhe në kolana. E theksoj këtë posaçërisht, sepse çdo përkthim pasardhës duhet të jetë patjetër më i saktë, ndryshe ç’kuptim ka pse bëhet. 

    E krahasojmë këtë fjali edhe me përkthimet në gjuhët kryesore europiane:

    1. Happy families are all alike; every unhappy family is unhappy in its own way.

    2. Alle glücklichen Familien sind einander ähnlich; jede unglückliche Familie jedoch ist auf ihre besondere Weise unglücklich.

    3. Toutes les familles heureuses se ressemblent, mais chaque famille malheureuse l’est à sa façon.

    4. Las familias felices son todas iguales; cada familia infeliz es infeliz a su manera.

    5.  Le famiglie felici sono tutte uguali; ogni famiglia infelice è infelice a modo suo.

    6. As famílias felizes são todas iguais; toda família infeliz é infeliz à sua maneira.

    Sikundër mund të vihet re, mbiemri несчастливая me ndihmën e mbiemrave të formuar me parashtesën mohuese [pa] në shqip; [un] në anglisht;  [un]- në gjermanisht; [in]- në spanjisht, italisht dhe portugalisht, përkthehet saktë nga rusishtja. 

    Ndërsa në të tria përkthimet në gjuhën shqipe nuk është gjendur fjala e duhur. 

     Do të përmendja me këtë rast një thënie të Mark Tueinit:

    “Ndryshimi midis fjalës së duhur dhe pothuajse të duhur është shumë i madh. Sikundër një xixëllojë ndryshon nga vetëtima.”

    A KA NDIKUAR KJO FJALI E PARË E “ANA KARENINËS” NË HARTIMIN E FJALORËVE SHQIP-GJUHË E HUAJ DHE ANASJELLTAS?

    Në pamje të parë duket sikur kjo pyetje është pa kuptim, vërtet. Por do të theksoja në këtë rast (pa kaluar në temë tjetër, shpresoj) se pikërisht kjo fjali e parë (e përkthyer nga Zavalani, Kokona, Doksani) ka ndikuar që në fjalorët dygjuhësh (shqip-gjuhë e huaj; gjuhë e huaj-shqip).

    Ja konkretisht:

    1. Në fjalorin rusisht-shqip, me autorë M. Mançe, L. Dhimitri, Xh. Zykaj, N. Malo (EDFA, 2005), nuk e kanë përfshirë mbiemrin НЕСЧАСТЛИ́ВЫЙ, -ая, -ое; -ли́в, -а, -о. [i palumtur] që gjendet në fjalinë e romanit “Ana Karenina” (1878), ndërsa gjendet mbiemri НЕСЧА́СТНЫЙ, -ая, -ое; -тен, -тна, -тно.- që përkthehet si 1. fatkeq; 2. i kobshëm. Vetëm me këtë shembull mund të konludojmë se tri variantet shqip janë përkthyer pasaktësisht, sepse automatikisht НЕСЧАСТЛИ́ВЫЙ i bie të jetë [i palumtur].

    2. Këtë dilemë të mospërballjes me mbiemrin i palumtur mendoj se e kanë pasur edhe dy hartuesit e fjalorëve gjermanisht-shqip; shqip-gjermanisht dhe anglisht-shqip; shqip-anglisht. 

    a) Fjalor shqip-gjermanisht (50.000 fjalë) i Ali Dhrimos

    Mbiemri në shqip i palumtur përkthehet gjermanisht unglücklich (faqe 905).

    Pas dy vjetësh, po ky mbiemër në gjermanisht unglücklich përkthehet në shqip fatkeq, fatzi, fatlig, orëzi, ditëzi, derëzi. [Fjalor gjermanisht-shqip (61.000 fjalë) i Ali Dhrimos]

    b) Fjalor shqip-anglisht (me 45.500 fjalë) i Pavli Qeskut

    Mbiemri në shqip i palumtur përkthehet në anglisht unhappy. (faqe 517)

    Pas dy vjetësh, po ky mbiemër në anglisht unhappy përkthehet në shqip fatkeq, fatzi. (faqe 1861)

         [Fjalori i madh anglisht-shqip (me 126.000 fjalë) i Pavli Qeskut]     

    c) Fjalori italisht-shqip (50.000 fjalë) i F. Lekës dhe Z. Simonit. felice– përkthehet –i lum, i lumtur, ndërsa infelicemb. fatkeq, fatzi (faqe 561)

    d) Fjalori spanjisht-shqip (50.000 fjalë) i Kristofor Ndreut. feliz– përkthehet –i lum, i lumtur ndërsa  infelizmb. fatkeq, fatzi, 

    MBIEMRI I PALUMTUR ËSHTË HEQUR NGA FJALORI I GJUHËS SHQIPE 2020

    Nëse do të konsultoheshim me këta fjalorë,për çudi, mbiemri i nyjshëm i/e palumtur gjendet në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980), Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (2006), por është zhdukur në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (?!) në botimin e vitit 2020.

     Shkrimtarët dhe studiuesit që e përdorin këtë mbiemër janë të shumtë. Mbase gjuhëtarët tanë nuk po lexojnë shumë letërsi artistike, sepse si mund të justifikohet përjashtimi i këtij mbiemri nga fjalori më i fundit i gjuhës sonë?

    Mendimi im është se, nëse në variantin e përkthimit të këtij romani qysh në vitin 1961 (V. Kokona) do të ishte krijuar dhe përdorur mbiemri i palumtur, nuk do të ishin vërejtur anomalitë e mëvonshme që i përshkruam më sipër.

    Duke qenë fjalia e parë e një kryevepre botërore, e cila ka pasur disa breza lexuesish, shumë prej të cilëve  e dinë përmendësh,  ky mbiemër do të ishte ngulitur fare lehtë jo vetëm në gjuhën librore, por edhe në gjuhën e përditshme.

    Do të sillja si shembull vargun e parë të poezisë së Migjenit “Na, të birtë e shekullit të ri”.  Përemri vetor “Na”, është ngulitur në memorien tonë kulturore, megjithëse të gjithë respektojmë standardin e gjuhës shqipe për vetën e parë shumës që është përemri “ne”.

    PËRFUNDIM

    Një variant i katërt në shqip i romanit “Ana Karenina”, sikur të isha unë përkthyesi, do të kishte këtë fillim:

    Epigrafi:

    “Imja është hakmarrja dhe unë do të shpaguaj”.

    Fjalia e parë e romanit:

    Të gjitha familjet e lumtura i përngjajnë njëra-tjetrës, çdo familje e palumtur, është e palumtur ndryshe.

    I ndodhur përballë tre përkthyesve të njohur dhe një kryevepre botërore, nuk mund të mos pranoj, modestisht, se dikush, dikur, në të ardhmen, do të na e sjellë edhe më mirë këtë përkthim, sepse, sikundër thotë me të drejtë filologu dhe papirologu i shquar italian, Marcello Gigante: “Homeri mbetet, ndërsa përkthyesit e tij shkojnë e vijnë… Përkthimi është një vepër e papërkryer, e paplotë, një vepër e hapur… Nesër është një ditë tjetër: Fillon jeta e re e klasikes antike.”

    Exit mobile version