Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. dr. Hysen Matoshi: Arbëreshët – krahu i shqiptarisë

Prof. dr. Hysen Matoshi: Arbëreshët – krahu i shqiptarisë

Arbëreshët përbëjnë ngulimin më të rëndësishëm dhe më me ndikim në botën shqiptare. Të shkëputur fizikisht nga trungu i Atdheut, arbëreshët përgjatë shekujve mbetën të lidhur shpirtërisht, mendërisht, kulturalisht dhe historikisht e rrënjët e tyre, me Arbërinë e djeshme dhe me Shqipërinë e sotme në kuptimin e saj etnik. Ata u bënë urë lidhëse, dykahëshe, ndërmjet bashkëkombësve të tyre dhe pjesës perëndimore të Evropës. Veçoritë linguistike, etnopsikologjike, kulturore, qytetëruese të kombit tonë, qofshin ato të periudhës kombëtare, qofshin të asaj parakombëtare, u bënë të njohura në një pjesë të madhe të Evropës dhe veçmas në vendin pritës në saje të ngulimeve shqiptare që i themeluan arbëreshët tanë në krahina të ndryshme të Italisë. E, megjithatë, roli i arbëreshëve nuk përmbyllet në këtë dimension, ngaqë, sikundër e dimë, ata u bënë përçuesit e ideve të zhvillimit tonë shoqëror e kulturor, ide të cilat, në formate të ndryshme, kishin lëshuar rrënjë te kombet e përparuara të Evropës; kombëtarizimi i letërsisë shqipe nuk mund të merret me mend pa kontributin e arbëreshëve tanë, sikundër që edhe Rilindja jonë Kombëtare nuk mund të ishte e tillë pa idetë e mëdha kombformuese të Risorxhimentos Italiane. Arbëreshët, përveçse për bashkimin e Italisë dhe rilindjen e saj dhanë ndihmesë të madhe ideologjike edhe për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Për këtë fakt, pra për ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve, për zhvillimin e kulturës shqiptare, për përparimin e gjithmbarshëm kombëtar, arbëreshët janë faktor i rëndësishëm i historisë dhe i kulturës shqiptare, faktor dinamik dhe kreativ i saj. Historia shekullore e trojeve autoktone etnike të shqiptarëve pa këtë ngulim, por edhe pa ngulimin tjetër në veri, pa arbëneshët e Zarës, asnjëherë nuk do të jetë e plotë.

Si pjesë organike e korpusit shqiptar, arbëreshët ishin dhe mbeten preokupim i madh i studiuesve dhe i autorëve tanë. Sot kemi kënaqësinë të prezantojmë punën disavjeçare kërkimore të Fatmir Toçit, autor dhe botues i njohur shqiptar. Monografia Arbëreshët midis realitetit dhe mitit – vështrim i shkurtër socio-kulturor përbën një vepër me interes për njohjen më të plotë shkencore të arbëreshëve në disa plane. Është fjala për një kontribut historiografik, kulturologjik, enciklopedik dhe bibliografik. Marrë parasysh këtë materie studimore, dokumentare, burimore dhe referenciale, kjo monografi rreth 500-faqëshe do të jetë literaturë e nevojshme për studiuesit, por edhe për lexuesit e zakonshëm, të cilët duan të dinë më shumë për këtë krah të rëndësishëm të botës shqiptare, për shtrirjen e arbëreshëve në krahina të ndryshme të Italisë, për rolin që kanë luajtur ata gjatë historisë, për familjet e mëdha arbëreshe, për Skënderbeun, rolin e tij historik dhe për relacionet e tij me faktorët e rëndësishëm të kësaj hapësire, për rolin e kishës bizantine në ruajtjen e identitetit arbëresh, për kulturën tradicionale, për letërsinë arbëreshe dhe kryeautorin e saj Jeronim de Radën etj. Ndonëse pjesa e parë është titulluar Arbëreshët – një histori mbijetese, shpreh bindjen se informacioni i ofruar, analizimi i tij dhe sintetizimi i gjetjeve janë dëshmi të rëndësisë së një procesi zhvillimor në përmasën e gjerë, një histori orientuese në rrugëtimin e kronologjisë sonë kombëtare.

Pjesa e dytë e monografisë më shumë shfaqet me përbërës enciklopedikë dhe është një bazë e mirë të dhënash mbi ngulimet arbëreshe në krahina të ndryshme të Italisë, historikun e formimit dhe aktualitetin e tyre, pa lënë anash veçanti të caktuara kulturore. Kjo pjesë, krahas dedikimit shkencor, mund të shërbejë edhe si një udhërrëfim aq i nevojshëm për identifikimin e shtrirjes së arbëreshëve gjithandej Italisë. Bazuar në punën e Fatmir Toçit, del se harta e identifikimit të shtrirjes së tyre është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, duke tejkaluar stereotipin e kërkimit të arbëreshëve vetëm në krahinat e Sicilisë dhe të Kalabrisë. Një kontribut tjetër i rëndësishëm studimor lidhet me trajtimin e kishës arbëreshe, e cila i përket ritit lindor ose bizantin, gjë që përbën një raritet kulturor e besimor edhe për vetë Italinë. Natyrisht të dhënat për kishat më të rëndësishme arbëreshe dhe plotësimi  i tyre edhe me fotografi, në mjaft raste, krijon një perceptim më të plotë për jetën fetare, për këtë dimension të rëndësishëm të mbijetesës së arbëreshëve, ndonëse ka pasur edhe komunitete arbëreshësh që, në rrjedhën historike, e kanë ndryshuar ritin e tyre të besimit, duke iu ekspozuar më shumë mundësisë së asimilimit kombëtar.

Monografia përmban edhe shumë të dhëna të tjera me interes të veçantë, sikundër është një regjistër i plotë i vendbanimeve arbëreshe në Itali, të dhëna mbi emigracionin, mbi jetën dhe strukturën e organizuar fetare etj.

Kjo vepër që po e prezantojmë sot është rrjedhojë e një pune të gjatë me burime të shkruara, me literaturë dhe me vëzhgime në terrenin arbëresh, por gjithashtu është edhe një bazë e mirë e të dhënave bibliografike dhe uebografike, një ndihmesë në planin referencial për kërkime të mëtejme në këtë fushë.

Në përfundim të kësaj fjale, dua ta përgëzoj autorin Fatmir Toçi për punën e madhe në fushën e studimeve arbëreshe, për shqyrtimet shteruese e për përfundimet e argumentuara. Kjo monografi, pa asnjë dyshim, është produkt i dashurisë, i pasionit gati misionar, por edhe i qasjes objektive shkencore që aq shumë i mungon jetës sonë.

Prishtinë, 21.4.2022

Exit mobile version