Kreu Letërsi shqipe në përkthim Botohet në serbisht “Vera pa kthim”e shkrimtarit Besnik Mustafaj

Botohet në serbisht “Vera pa kthim”e shkrimtarit Besnik Mustafaj

Romani “Vera pa kthim” i shkrimtarit Besnik Mustafaj është botuar së fundmi në serbisht nga Qendra për Kulturë e Beogradit përmes entit të saj botues “Vraçar”, në përkthim të Sadik Idrizit, duke shënuar veprën e parë të këtij autori të “Onufrit”, që vjen në këtë gjuhë ballkanike.

Në mbulesën e pasme të librit, botuesi ka shkruar:

“Besnik Mustafaj është poet, shkrimtar dhe autor i disa librave për fëmijë. Politika dhe diplomacia kanë qënë gjithashtu pjesë e veprimtarisë së tij.

Është lindur në vitin 1958 në qytetin Bajram Curri, në Shqipëri. Ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi frënge në Universitetin e Tiranës, në vitin 1982. Nga viti 1992 deri në vitin 1997 ka qënë ambasador i Shqipërisë në Francë, ndërsa në vjeshtën e vitit 2005, është emëruar Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Ai hoqi dorë nga politika në vitin 2009 për t’iu përkushtuar me kohë të plotë krijimtarisë letrare. Vepra e tij letrare përfshin poezinë, prozën e shkurtër, esetë, skenarët e filmave, romanet. Besnik Mustafajn, kritikët shqiptarë dhe të huaj e lavdërojnë si njëri prej autorëve më përfaqësues të letërsisë moderne shqiptare.

Romani “Leto bez povratka” (Vera pa kthim) është shkruar në periudhën nga viti 1985 deri në 1991. Ka patur shumë botime në shqip dhe madje, sipas romanit është realizuar edhe një film artistik. Shkrimtari i njohur francez Alen Boske (Alain Bosque) mendon se ky është “roman postsimbolik, që mishëron një harmoni të mrekullueshme, ku ndjenjat elegjiake janë të lidhura shumë mirë me traditën, të cilën mund t’ia quajmë ilirike me thekse që vijnë nga Greqia antike”.

Më parë “Vera pa kthim” është përkthyer dhe botuar edhe në maqedonisht.

Exit mobile version