Kreu Letërsi Shënime mbi libra Behar Gjoka: “Shtëpia e verdhë”, simbolika e një marrëzie totale

Behar Gjoka: “Shtëpia e verdhë”, simbolika e një marrëzie totale

Romani më i ri i Bashkim Hoxhës, me titullin Shtëpia e verdhë, lëvrues i disa romaneve, me formë dhe ngjyresa të larme, menjëherë teksa e merr në duar, të ndërmend dhe përbashkëson dy gjendje të pazakonta:

A – Shtëpia e verdhë, si një topos politiko-gjeografik, i shpikur kaq trashë, prej marrëzisë serbe, gjithsesi për të akuzuar Shqipërinë dhe shqiptarët, një guxim absurd dhe çmendurak, ku madje as serbët nuk e besojnë. Megjithatë, edhe në këtë rast, sikur në gjithëherët në historinë e shpikur, filozofia e marrëzisë, më shumë se sa kolektive, ka bartur psikologjinë e tyre hegjemoniste dhe shovene, si dhe atmosferën e humanizmit, si një atavizëm identifikues në gjithë rajonin, e sidomos në dhëniemarrje me shqiptarët.

B – “Shtëpia e verdhë”, tanimë si topos letrar, i hapësirës së gjerë të romanit, ku qartësisht ëndrra dhe zhgjëndrra e marrë, afrohet dhe largohet në faqet e librit, sikur në një film që po realizohet pikërisht në këto çaste, ndërsa po shfletojmë tekstin e ngjarjeve romanore.

Bashkëlidhja rastësore dhe hipotetike në mes toposit të sajuar dhe toposit letrar, pra i marrë hua nga konkretja e verbërisë, ndërkaq e vë në zgrip realitetin, kinse të shpikur, ndonëse nga ana e shpikësve, është e ditur dhe menduar fundi i marrëzisë, ndonëse fluturimet e kundërvënies pa logjikë, do të enden edhe për ca kohë në viset e gadishullit krenar, që gjellin kredhur në kthetrat e asgjësimit të qenies, që është i ndryshëm nga ata. Edhe në këtë rast vlen pohimii Zh. P. Sartri se: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide.”[1], çka e afirmon edhe teksti i këtij romani.

Një trillim real, në një realitet fiktiv

Teksti i romanit Shtëpia e verdhë, endet si frymë tërësore dhe strukturohet enkas në dy gjendje letrare dhe joletrare, si një ndërlikim qëllimor estetik, jo kaq të shpeshta në letrat shqipe.

Nga njëra anë, përballë lexuesit është “historia” e frikshme me shtëpinë e verdhë, kuptohet se kemi të bëjmë me një fantazi të trilluar, nëpër ethet dhe rrathët e urrejtjes të fqinjëve serbë, një imagjinatë “fantastike” dhe e përndezur, që ka të shkrirë në thelbin e vet linçimin dhe asgjësimin e shqiptarëve, mjerisht tanimë duke e shpikur atë, sikur në një ekstazë haluçinante një “fiksion”, ndonëse të pangjarë kurrë në shtëpinë e verdhë.

Në anën tjetër, gjë që vlen si shenjë estetike, ndarjet e shumta të materies letrare, në pjesë, në kapituj dhe episode, në një kuptim po ashtu edhe figurimi në evoluim të habitshëm i personazheve, si figura më tepër të trilluara, e materializon dhe shënon thelbësoren e realitetit fiksional të tekstit romanor, si një rast më vete, që ndërlidh realen dhe imagjinaren.

Bashkëshkrimi i këtyre gjendjeve, gati përjashtuese ndërmjet tyre, madje të pranëvënia dhe përballëvënia e këtyre dy realiteteve, pra e situatës konkrete, krejt të sajuar, mbi bëmat e pangjara në shtëpinë e verdhë, me lëndën e trilluar mirëfilli të hapësirës së tekstit, ndërkaq ka mundësuar thurjen e një atmosfere jo pak të ndërlikuar, megjithëse mishërohet në mënyrë paradoksale dhe me bazament të një trilli të dyfishtë dhe po kaq të dyzuar, pra të trillit real dhe të shpikur, tanimë të dekoduar dhe shqiptuar si një tekst fiksional, që vjen te lexuesi si befasi, me rrjedhën e ngjarjeve dhe plazmimin e protagonistëve. Sa i përket natyrës së romanit, po citojmë një parashtresë të zgjeruar për këtë zhanër: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…“[2]. Pra, romani Shtëpia e verdhë, padashtas dhe rastësisht kalon nëpër kalvarin e një “fantazie”, pothuajse të marrë, po kaq të shprehur në një trillim konkret dhe të paimagjinueshëm, e mbi të gjitha, derdhur nëpër përthyerjet autoriale, të një fiksioni të përveçëm, ku mbivendosen realja me trillimin autorial.

Libër që ngërthen skenarin e filmit

Një aspekt tjetër, me rëndësi brendastrukturor dhe artistik, i tekstit romanor Shtëpia e verdhë, është edhe prania e dy situimeve shkrimore, mbase e dy hapësirave ligjërimore, tekembramja me gjasë e dy mënyrave thënëse:

E para, kuptohet që pjesa më thelbësore e materies tekstologjike të librit, përcillet dhe formësohet nga prania totale e narratorit, e tipit të rrëfimtarit të gjithpranishëm, që përpos tjerash, mbulon klimën e larmishme të botës romanore, episodet dhe sekuencat e shumta, shprehësinë dhe heshtjen, si dhe realizon konfigurimin tërësor të personazheve, në kohë-hapësirën e sugjeruar, të cilët përveç fjalës së narratorit, skicohen edhe me anë të dialogut të ndërmjetëm që shkëmbejnë, pra të replikave të shpejta dhe qesendisëse. Universi letrar i prozëshkrimit, kuptohet se ngjizet dhe shpalohet, duke patur si epiqendër ligjërimore, rolin parësor të rrëfimtarit të gjithdijes, që me gjithpraninë, e dinamizon dhe shkartis, rrjedhën e ngjarjeve, të cilat pavarësisht sfondit real, burojnë nga përpunimi imagjinar.

E dyta, në faqet e librit më të ri të autorit, lehtësisht vihet re, se krahas gjuhës romanore, pra të formësuar dhe përcjellur si poetikë e prozës, në tekstin e gjerë të prozëshkrimit, shpesh ndeshim ligjërimin me anë të gjuhës filmike, më specifike dhe me adresë të tjetërsojshme, e cila zgjeron kumtet dhe pasuron pentagramin shprehës të tekstit të romanit Shtëpia e verdhë. Madje, duhet qartësuar dhe theksuar, pavarësisht afrive në mes narrativës së prozës dhe të përshkrimit, dhe atmosferës së pasurimit të tekstit filmik, ndërkaq në mes tyre, kanë nuanca dhe ndryshime të rrokshme, varësisht tipologjisë shkrimore që sendërtojnë.

Të kuptohemi, filmi si zhanër sinkretik, ku përfshihen shumë elementë, ndonëse parësor ka pamjen, të mjediseve të ndryshme, ku edhe luhen ngjarjet, si dhe të personazheve, e këta të fundit e kanë, gati të pashmangshme fjalën, replikat e ndërmjetme, që ndihmojnë në formimin dhe shpalimin e karaktereve. Në faqet romani, mund të flitet për një prani mjaft të përfillshme, të sekuencave filmike, të cilat gjenden të shpërndara në materien e romanit. Teksti i skenarit, me gjasë i një sinopsi të shkurtër, ndërkaq shpalohet në dy forma:

– Teksti i mëvetësuar, pra i shkëputur nga lënda e prozës romanore, siç ngjet në faqet 39-40, ku madje plasohet për herë të parë teksti filmik, që dukshëm sendërtohet me një formësim shprehës të dallueshëm dhe specifik.

–  Prani e integruar në hapësirën e tekstit të romanit, të kapitujve të ndryshëm të prozëshkrimit. Kështu, në fundin e faqes 44 – 45, një situatë e rimarrë edhe në faqet 47 – 49, kemi të shqiptuar elementë të tekstit filmik, që ka për adresë dhe pikësynim tjetër, për dallim nga teksti letrar në shkrimin e prozës. Teksti me ngjyresa të prozës filmike, rishfaqet në mesin e faqes 79 – 80. Situimi i një proze të pastër filmike, përsëri shpërfaqet në faqet 89 – 91, pra deri në fund të faqes. Në krye të faqes 121 – 122, në fillim kemi stilemat e prozës filmike, si për ta krijuar klimën e kumteve të zhanrit filmik. Situata e ligjërimit filmik, ndërkohë rishfaqet në faqet 127 – 128 (më pak se një faqe). Për të ardhur në mesin e faqes 132 – 135 (deri në mesin e faqes së fundit). Edhe në faqen 162, ka një hapësirë të tekstit të librit, shkruar si prozë filmike, gjë që mundëson përtheksimin e nuancave ligjërimore të natyrës filmike, të këtyre sekuencave ligjërimore. Përsëri në faqen 168-169, kemi një gjendje të përveçme letrare, gjithnjë të paraqitur si tekst filmik. Në fundin e faqes 199 – në mesin e faqes 200, po ashtu kemi të përfshirë një parashtrim tekstor të këtillë.

Pra, dukshëm jemi në një rrethanë të përfillshme të lëvrimit të tekstit të prozës filmike, që shkon në rreth njëzet e dy faqe tekst gjithsej, të përfshirë në hapësirën romanore. Pjesë e ndërfutur në tekstin e romanit Shtëpia e verdhë, janë edhe dy pasazhe të natyrave të tjera ligjërimore:

– Histori e futur brenda rrëfimit, e parahistorisë me Cubin e Destanit, pra të zotit të shtëpisë së famshme, shtëpisë së verdhë, të cilës më shumë i ka dalë syri se sa nami, kur befas në këtë rrethanë përqaset ferri me ferrat, e cila vjen e përfaqësiar me një faqe tekst, duke zgjeruar spektrin e kumtit letrar.

– Paradoksi i fatit të Prometeut, se kush e luan rolin: “…ah, Prometeun, ky është kulmi: rolin e tij e luan Arditi, fuksi i kursit…” (2024: 70), si një përkujtesë e hapur e dashurisë së autorit për dramën, të cilën po ashtu e ka lëvruar kaq gjerësisht.

Në atmosferën ligjërimore të librit, bëhet fjalë për një situatë tekstologjike, krejt të ndryshme nga proza romanore, e cila realisht në këtë situim ligjërimor, formëson skicën e një filmi, ndonëse gjendet e integruar në tekstin e romanit, duke krijuar gjasat e skicë – idesë së filmit mbi shtëpinë e verdhë, të përfshirë në tekstin romanor, e me të drejtë, të dyja format e ligjërimit, nga ana e autorit titullohen, Shtëpia e verdhë, që përfaqëson epiqendrën e universit të romanit. Nga Roland Barthes, më herët kemi përcaktimin: “Romani është Vdekje; ai nga jeta bën një fat, nga kujtimi një akt të dobishëm, e nga zgjatja një kohë të drejtura dhe domethënëse. Por ky shndërrim mund të përmbushet vetëm në sy të shoqërisë. Është shoqëria ajo që imponon Romanin…”[3]. Ekzistenca e romanit si zhanër, varësisht kontekstit të ndikimit të shoqërisë, është një nga idetë vizionare, që ndihmon për të kuptuar vijimësinë e tij, si dhe të qenit si zhanër i hapur, njëherit.

Struktura kompozicionale e shkapërderdhur 

Romani Shtëpia e verdhë, përveçohet edhe në aspektin e sendërgjimit strukturor kompozicional, të materies letrare. Vështruar, në tërësinë e hapësirës tekstologjike, libri realizohet me disa ndarje të mëdha, po ashtu edhe me ndarje në kapituj, si dhe me nëndarje më të vogla, të natyrës së teksteve filmike. Duke kundruar kompozicionin e librit, le të themi me kaq shumë copëtime strukturore, ku do të përveçonim ndarjet e mëdha:

Pjesa e Parë, e cila emërtohet Ëndrra, ndërkaq përndahet në shtatë kapituj relativisht të shkurtër, ku projektohet ëndrra e Feliksit dhe Viktorit, për tu bërë kineastë të mëdhej dhe me famë. Krahas tekstit të prozës romanore, në lëndën e gjerë romanore, ndeshim edhe situatën e përfshirjes së tekstit filmik, ku madje kapitulli gjashtë, pothuajse përkon me ngjyrat e prozës filmike, kurse kapitulli shtatë, paraqet një situmi letrar të gërshetimit të tekstit në prozë me tekstin filmik.

–  Pjesa e Dytë, e titulluar Lufta, që përbëhet nga tetë kapituj, të cilët janë relativisht më të gjatë se sa ato të pjesës së parë. Në episodet e kësaj pjese, ngjet kthimi në kohën e luftës, e cila në një kohë jo kaq të largët, pati përfshirë gjithë gadishullin e trazuar. Në fillim fare, teksti në prozën dinamike të shpalosura në roman të shpie në Banja Luka. Pastaj vjen “historia” e shpikur nga Losho Vujeviçi. Marrëzia e historianit se Kosova është djep i Serbisë. Për të mbërritur gjer te paradoksi që të besosh gënjeshtrën e shkruar: “Lufta në Kosovë ka qenë një mizori e patreguar. “(f. 75) Në kapitullin e tretë, si e integruar në tekstin e prozës, gjendet e shkruar një sekuencë e pastër filmike, f. 79 – 80. Po ashtu, një ndërthurje të tekstit letrar si shkrim proze, tanimë edhe me tekst filmik, ndeshim në faqet 89 – 91.

Pjesa e Tretë, e cila ndërkaq përcillet me titullin e romanit Shtëpia e verdhë, ku përsëri ashtu si në pjesën e dytë, janë përfshirë tetë kapituj. Në këtë pjesë, realisht jemi në pikëtakimin e të dy teksteve përbërës të romanit, pra e dy teksteve libror dhe filmik. Kapitulli i parë i kësaj pjese hapet me një sekuencë të qartë shkruar filmike, në faqet 121 – 122. Situata e ligjërimit të brendashkruar, pra si tekst proze dhe tekst filmik, rimerret edhe në faqet 127 – 128. Prania bashkëshkrimit të këtillë, përsëritet edhe në kapitullim e dytë, përkatësisht në faqet 132 – 135, pra duket se kemi të bëjmë me një hapësirë të zgjeruar të tekstit filmik. Në fund të kapitullit të katërtë, në faqen 162, kemi përsëri një situatë teksti filmik. Edhe në kapitullin pasardhës, madje më saktësisht në faqet 168 – 169, sërish kemi një situim të tekstit filmik.

Pjesa e Katërt, që madje titullohet Filmi, e cila përbëhet nga tre kapituj shkurtimor, ku te i fundit, në faqen 199 – 200, ndeshet edhe një sekuencë e tekstit filmik.

Pra, struktura e romanit Shtëpia e verdhë, është e përbërë nga katër ndarje të mëdha, konceptuar si pjesët kryesore të librit. Brenda hapësirës së këtyre pjesëve, autori ka realizuar ndarje më të vogla, të cilat shkojnë në njëzet e gjashtë kapituj gjithsej. Pjesë e strukturës romanore është edhe përkushtimi paraprirës, ku shkruhet: Luftën e fillojnë disa njerëz të palumtur atje lart për të bërë të palumtur shumë të tjerë këtu poshtë. Po ashtu, episodi i fundit, titulluar Shënim i autorit, përveçse element strukturor, ndërkaq në sytë e lexuesit, merr vlerën e një truku të gjetur estetik, që autorë të tjerë e vendosin në fillim të librit, që bashkë me “implikimin”, shërben si një referencë me depërtu më në thellësi të materies letrare.

Parahistoria si rrëfim fiksional

Ngrehina letrare e romanit Shtëpia e verdhë, shqiptuar përmes narratorit të gjithdijes, si prani e plotë në tekstin e prozës, por edhe si prani e tërthortë në sekuencat e tekstit filmic, përbën një fakt letrar, që kërkon vëmendje të shtuar, për të hyrë realisht në rrjetat narrative dhe strukturore. Bota romanore e derdhur në hapësirën tekstologjike, sendërtohet duke ndëshkuar e përthyer nëpërmjet narrativës autoriale, si gjithprani:

Së pari: Skicimi i ëndrrës së kineastëve për tu bërë të suksesshëm, me anë të filmit që ka në qendër shtëpinë e verdhë, një shpikje e paimagjinueshme e haluçinacioneve serbe. Për kineastët, të kuptohemi ka fare pak rëndësi e vërteta reale, thelbësore në këtë rast është trajtimi i temës së luftës, sidomos i misterit të saj, ku madje Shtëpia e verdhë, përcillet si një kryemister, krejt i pagjasshëm, me gjasat e ndodhive makabër.

Së dyti: Endja e një “historie” të pandodhur kurrë, sikur në Shtëpia e verdhë, ndonëse e lyer me gjineshtër, si pëlqesë e zotërueseve të shtëposë, ku me gjasme kryeheshin operacione të marrjes së organeve jetike, të ushtarëve serbë, gjë që as shpikësit serbë nuk e besonin. Pikërisht kjo “histori” e marrë, gati kozmike në çmendurinë e shpallur, e trilluar kaq trashë, shërben si parahistori letrare, që e treguar në distancë kohore, pra duke shpaluar ngjyresat postmoderne, të ironizimit te diçkaje të pangjarë.

Së treti: Ëndrra e kineastëve, lufta dhe detaji i shtëpisë së verdhë, tanimë si topos aventuresk, pra më tepër letrar dhe filmik, mundësojnë plasimin e realitetit artistik të dyfishtë:

–  Teksti i sendërgjimit të atmosferës romanore, ku madje përplasen kohët dhe hapësirat, zbulojnë dhe magjenë konturuese të personazheve, përthyer në rrafshet e imagjinares autoriale.

–  Teksti filmik, që më tepër vjen i brendashkruar në tekstin e romanit, ndonëse bart dhe përçon tipologjinë e shkrimit të tekstit filmik, të ndryshëm në formësim dhe adresim, më përtej tekstit letrar të romanit.

Pra, parahistoria e pangjarë, në hapësirën e gjerë tekstologjike, varësisht larmisë narrative, ka përftuar “mbrapahistorinë” letrare, mbi ekzistencën dhe rolin e shtëpisë së verdhë, anipse fillesa lidhet me një shpikje të marrëzisë serbe. Për letërsinë e shkruar në shekullin e njëzet e një, ndihmon sugjerimi: “Entuziazmi ideologjik nuk prodhon as shkrimtarë e as lexues të mirë-përkundrazi, shkakton keqformimin e tyre.”[4], e cila e bën të pashmangshëm pjesëmarrjen e lexuesit, nëse arrihet gjer te prania e lexuesit model, do ishte fatmirësi për shenjat letrare. Një thirrje e pazakontë që në letërsinë shqipe, aq më tepër në mendimin kritik dhe studimor, as që është dukur ende, të paktën të pranohej si mendësi, e jo të debatohej për të liruar energjinë e fjalës, si dhe energjitë dhe magjinë e shkrimit letrar, që ndërkaq ekziston në larmi shprehëse, që e ngërthen në ngrehinën e vetë, vlerat gjithkohore dhe gjithhapësinore.

Roman i personazheve

Rrjedha e përmbysur, pranëvënia e tekstit romanor, me sekuencat e tekstit filmik, ka mundësuar rrethanat që, Shtëpia e verdhë, të përftohet si roman personazhesh që ekzistencën, e kanë të lidhur me shenjëzimin e shtëpisë së verdhë, topos i shpikur, që shndërrohet në artefakt letrar. Gërshetimi i reales me imagjinaren, prozës romanore me tekstet filmike, vjen përmes dy figurave, Feliksit dhe Viktorit, përpjekjes që të bëhen të famshëm, po kaq edhe serbët, që shpikin dhe të pavërtetat i shprëndajnë si vërtetësi.  Lidhja si e tillë, ka larmi mundësish, me gjasë lidhje jetike, të rastësishme dhe tërthore. Personazh i tipologjisë jetësore, pra jetik në skocimin e tyre, si dhe mbi të gjitha të lidhur me fatin e shtëpisë së verdhë, vetiu kuptohet që është i zoti i shtëpisë. Në faqet e romanit prezantohet me emrin Destan, ku përshkrimi autorial: …duke hapur derën e një prej dhomave mbushur me tym duhani, shfaqet silueta e errët e një njeriu kthyer me shpinë…(f. 130), pra i zoti i shtëpisë, mbytur në gjemitë e turpit, e të pabëmes, e njollës së rëndë që ia vunë përsipër me pa të drejtë. Fjala e autorit narrator: Jeta e Destanit ka ngrirë dhe ndoshta edhe lotu në sy ka ngrirë që atë ditë…(f. 150). Pesha e hidhur e shpifjes kozmike dhe të papërballueshme, ka rënë mbi bashkëshorten, Meremen, e cila në kulmin e dëshpërimit niset për të takuara Karla Del Ponten. Një peshë mali ka rënë mbi të birin, Naimin, që edhe në këtë humnerë ku në mënyrën me mizore, i kanë kredhur padrejtësisht, luan rolin e ndërmjetësit me botën përqark. Prania e Besnikut, që dikur, në kohën e diktaturës, kishte ardhur në fshat si i internuar apo historia e largët me Cubin, befasisht e përngjyros romanin me ngjyresa postmoderne, të kalimit në të dikurshmen, jo kaq të largët, sillet e përsillet nëpër ditët e sotme dhe të ardhmërisë. Fjala e personazhit: – Mendoje që je duke folur me një të vdekur. Burrin e vdes turpi. Atë ditë unë vdiqa. (f. 163, kur të merr e pambajma, që është me zi se flama, kur shpifja shitet për të vërtete, supet rrëzohen e shpirti shkrumbohet.


[1]  Zhan Pol Sartri:Çështë letërsia?, Tiranë, sh. b. elite 1998, f. 238.

[2]  Gjergj Llukash: Teoria e romanit, Prishtinë, shb Rilindja, 1983, f. 127.

[3] Roland Barthes: Aventura semiologjike, Pejë, shtëpia botuese Dukagjini, 2008, f. 98.

[4]  Harold Bloom: Si dhe përse shkruajmë, Tiranë, Botime Dudaj, 2000, f. 170.

Exit mobile version