Kreu Intervista Basil Schader: Më vjen keq nganjëherë, për njohuritë pak të kufizuara të...

Basil Schader: Më vjen keq nganjëherë, për njohuritë pak të kufizuara të gjuhës standarde shqipe të brezit të dytë a të tretë të mërgimit shqiptar

Basil Schader

Intervistë dhënë gazetares Mimoza Hasani Pllana

Duke qenë se Zvicra është një nga shtetet europiane me numër të madh emigrantësh nga vendet e ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë, botërisht është e njohur për shumëgjuhësinë dhe tolerancën ndërkulturore. Zvicra është edhe një nga vendet ku është përqëndruar një pjesë e madhe e mërgatës shqiptare, në veçanti nga Kosova, të cilët zgjodhën këtë vend miqësor dhe demokratik pas përkeqësimit të situatës socio-politike në Kosovë. Përveç se Zvcira pranoi mijëra shqiptarë duke u ofruar siguri dhe kushte të mira jetese, në përmasa të kufizuara përkrahu edhe Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër‚ ”Naim Frashëri”, për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, si gjuhë amtare për fëmijët shqiptarë. Programet dhe sidomos, tekstet (librat shkollorë) për mësimin plotësues në gjuhën shqipe gjetën përkrahje edhe nga profesorë zviceranë. Të cilët me përkushtim dhe vullnet orientuan punën e tyre për zhvillimin e programve të reja, implementimin e atyre që ishin hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë. Kur kërkojmë për mësimet dygjuhëshe, është mbresëlënëse puna disa vjeçare e profesorit dhe albanologut Basil Schader në lidhje me përkrahjen e mësimit plotësues shqip. Më vonë profesor Schader, përveç mësimdhënjes dhe studimit të gjuhës shqipe, u përkushtua edhe për përkthimin e letërsisë shqipe nga autorë të Kosovës e Shqipërisë.

Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Schader, keni doktoruar për gjermanistikë në Universitetin e Cyrihut dhe për albanologji në Universitetin e Tiranës, çfarë ju ka shtyrë ju që të studioni gjuhën shqipe krahas asaj gjermane?

Basil Schader: Që prej vitit 1990 fillova të merrem me pedagogjinë ndërkulturore dhe planifikova të botoj një tekst shkollor për klasat e shumta shumëgjuhësore që i kemi në Zvicër, ku përafërsisht 1/3 të nxënës/eve është me prejardhje jozvicerane. Meqenëse a) shqiptarët përfaqësojnë grupin më të madh të imigrimit të ri në Zvicër , b) të paktën në vitet 1990 nuk kishin një lobi si p. sh. italianët dhe c) unë personalisht kisha dëshirën të mësoj një gjuhë të re, të rëndësishme në kontekstin ndërkulturor të Zvicrër, zgjodha gjuhën e bukur shqipe. Në fillim e mësova si autodidakt me një libër mësimi, pastaj – sa për përdorimin me gojë – me një shqiptar nga komuna ime dhe më në fund i kreva studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës, nën udhëheqjen e profesorit, Akademikut dr Gjovalin Shkurtaj, të cilin, ndërkohë, e kam mik të ngushtë dhe shumë të çmuar.

M.: Keni një përvojë të gjatë si profesor i gjuhës gjermane në shkollën e lartë pedagogjike të Cyrihut, a ju kujtohet nëse keni pasur studentë shqiptarë të interesuar për studime pedagogjike dhe gjuhë gjermane?

B.S.: Patjetër kisha studente dhe studentë shqiptarë në seminaret e mia dhe mund të them se ato/ata kanë qenë pjesë të studentë/eve të mi të motivuar dhe me angazhim të jashtëzakonshëm. Ky fakt më gëzoj sidomos për dy arsye: së pari, sepse ai dëshmon që edhe shqiptarë/e bëjnë gjithnjë e më shumë karriera të bukura në profesione me kërkesa të larta në Zvicër, së dyti, sepse jam shumë i lumtur që do të kemi mësimdhënës/e me prejardhje shqiptare në shkollat tona – mësimdhënës/e të cilët/at janë tepër të rëndësishëm e të dobishëm jo vetëm për sa u përket nxënëseve shqipfolës të tyre, por edhe si ndërmjetës kulturorë me përvojë autentike në shkollat tona shumëkulturore dhe shumëgjuhësore. Çka më vjen keq nganjëherë, janë njohuritë pak të kufizuara të gjuhës standarde shqipe të brezit të dytë a të tretë të mërgimit shqiptar.

M.: Zvicra është nga shtetet më të fuqishme që ka mbështetur hartimin dhe zhvillimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe si gjuhë e origjinës së qytetarëve të saj, shqiptarë. Kontributi juaj në këtë fushë është i jashtëzakonshëm, sa është sfiduese kjo punë e madhe që keni bërë dhe bëni për të përkrahur mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë?

B.S: Patjetër kjo ka qenë një punë sfiduese, mirëpo po ashtu shumë e kënaqshme. Koordinimi dhe udhëheqja e grupeve të autorëve që kanë bashkëpunuar në këto projekte nuk ishte gjithmonë i kollajtë, mirëpo të gjitha diskutimet dhe debatet u zhvilluan, gjithmonë, në një klimë dashamirëse dhe jopolemike. Përveç kësaj, nuk isha vetëm në udhëheqjen e projekteve përkatëse: kisha si bashkëudhëheqës nga ana e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, miqtë e mi të mirë Nuhi Gashin dhe të ndjerin Arif Demolli; të dy tepër të angazhuar, me disiplinë e etikë tepër të lartë të punës. Ky bashkëpunim me siguri ka qenë edhe një parakusht i rëndësishëm për suksesin e projekteve tona shumëvjeçare.

 M.: Keni realizuar shumë hulumtime në lidhje me mësimdhënien e gjuhës shqipe si gjuhë e origjinës si dhe krahasimet e dialekteve me gjuhën standarde shqipe. Si i vlerësoni këto dallime, sa e vështirësojnë ato mësimin dhe përdorimin e gjuhës standarde?

B.S.: Dallimet mes gjuhës letrare shqipe dhe dialekteve të ndryshme mund të përfaqësojnë një vështirësi të konsiderueshme sidomos për ata fëmijë shqiptarë në mërgim të cilët nuk shkojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Meqenëse ata – sidomos ata fëmijë që vijnë nga familje pa shumë arsim – e zotërojnë gjuhën amtare vetëm në dialekt, në trajtën e folur dhe nganjëherë me një fjalor të kufizuar në tema familjare, rreziku nuk është i vogël që ata të mbeten analfabetë në gjuhën e tyre amtare dhe që ta humbasin gjuhën amtare pas 2-3 brezash. Me rëndësi të parë do të ishte, pra, që sa më shumë nxënës/e shqiptarë në mërgim të shkonin në mësimin plotësues të shqipes. Fatkeqësisht, shumë prindër nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe fatkeqësisht mësimi plotësues në shumë vende (edhe në Zvicër) nuk është integruar si duhet në sistemin shkollor të rregullt. Për sa u përket “dygjuhësisë së brendshme”, pra me dialekte dhe gjuhën letrare, ne kemi të njëjtin fenomen edhe në Zvicrën gjermanishtfolëse, ku ekzistojnë njëkohësisht dhe paralelisht dialektet zvicerane dhe gjuha letrare gjermane, të cilat dallojnë mjaft në mes tyre. Si autodidakt i gjuhës jam i ndërgjegjshëm për këtë problematikë dhe kam zhvilluar edhe një fletore didaktike, e cila merret veçanërisht me këtë fushë, duke u dhënë mësuesve impulse si mund ta trajtojnë këtë tematikë në mësimin e tyre (shih https://myheritagelanguage.com/sq/, fletorja “Rreth përdorimit të dialektit dhe gjuhës standard”).

M.: Një pjesë e studimeve tuja janë të bazuara në kontaktet mes gjuhës shqipe dhe gjuhës gjermane, a mund të përmendim disa rezultate rreth kontaktit, bashkëveprimit midis këtyre dy gjuhëve?

B.S.: Kontakti gjuhësor midis gjuhës amtare dhe gjuhës së vendit të imigrimit ndodhet kudo, qoftë midis shqipes dhe gjermanishtes në vende gjermanishtfolëse, qoftë midis shqipes dhe italishtes në Itali etj. Si pasojë mund të rezultojnë përzierje të gjuhëve në përmasa të ndryshme, të quajtura në linguistikë “code-suitching” ose “code-mixing”. Është një dukuri e natyrshme dhe pa rrezik – nëqoftëse të dy gjuhët ruhen dhe kultivohen edhe veç e veç (p. sh. në mësimin plotësues të gjuhës shqipe). Përndryshe përzierja e gjuhëve mund të kontribuojë në humbjen e gjuhës amtare. Sidoqoftë, besoj se duhet të tregohemi tolerantë ndaj code-suitchingut, sepse ai i korrespondon 100% situatës së rritjes së fëmijëve në mërgim në një ambient dygjuhësor. Shpesh herë ky fenomen edhe zhduket pas disa viteve. Në vend të ndalimeve dhe qortimeve më shumë duhet t’i stimulojmë fëmijët që ta kultivojnë gjuhën amtare të tyre edhe në mënyrë jo të përzier.

M.: Përveç se jeni autor i librave shkencorë dhe atyre didaktikë, gjatë karrierës suaj keni përkthyer edhe autorë të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, a mund të na thoni cilët janë autorët tuaj të pëlqyer të kësaj letërsie?

B.S.: Kam përkthyer gjermanisht kujtimet e mrekullueshme të Arif Demollit me titull “Të gjallët e të vdekurit e një fëmijëri” (gjermanisht: Es war ein Dorf in Kosova. Die Lebenden und die Toten meiner Kindheit), romanin “Një grua nga Tirana” të Elena Kadaresë, dhe librin “Emi-, Immi-, Remigrant” të Mahir Mustafës. Ndër autorët dhe autoret shqiptarë ka shumë që më pëlqejnë fort; më mirë mos të filloj fare me përpilimin e një liste përkatëse! Desha vetëm të përmend që, përveç autorëve të letërsisë artistike, ka edhe autorë shkencorë shqiptarë të shkëlqyeshëm.

M.: Sipas mendimit tuaj, sa është e njohur letërsia (shqipe) e Kosovës dhe Shqipërisë nga lexuesi zviceran, apo cilët autorë pëlqehen?

B.S.: Janë përkthyer mjaft autorë dhe autore shqiptare gjermanisht, ndër të cilët/at Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Besa Myftiu, Lindita Arapi, Ornela Vorpsi, Arif Demolli etj. Më i njohuri shkrimtar shqiptar është Ismail Kadare, ndër shkrimtaret ndoshta Elvira Dones. Shumica e librave kanë dalë në shtëpi botuese më shumë të vogla e të specializuara, të cilat për fat të keq as nuk kanë buxhete të majme për ta bërë të njohur letërsinë shqiptare sa duhet.

M.: Tani, në shumë kantone zvicerane është organizuar shumë mirë mësimi i gjuhës shqipe në nivelin e arsimit parauniversitar, po në arsimin e lartë?

B.S.: Në arsimin e lartë mbetet akoma shumë për t’u bërë (mirëpo po ashtu në mësimin parauniversitar, për fat të keq). Mirë do të ishin kurse për gjuhën letrare shqipe për studentë/e me prejardhje shqiptare (sepse ata/ato nganjëherë nuk e zotërojnë shqipen letrare si duhet); më mirë do të ishte instalimi i një katedre për gjuhën shqipe në njërin prej universiteteve zvicerane. Të paktën kanë filluar disa projekte shkencore rreth suksesit shkollor të fëmijëve shqiptarë dhe për aspekte të ndryshme të diasporës shqiptare në Zvicër.

M.: A mund të na thoni çfarë jeni duke lexuar apo punuar aktualisht në lidhje me albanologjinë, përkthimet letrare apo tekstet didaktike në gjuhën shqipe?

B.S.: Në radhë të parë, momentalisht, merrem me serinë e teksteve didaktike për mësimin plotësues dhe me uebfaqen përkatëse (https://myheritagelanguage.com/sq/), e cila, me sa shpresoj, do t’i përkrahë mësimdhënës/e në punën e tyre kërkuese. Përveç kësaj, jam në kontakt të vazhdueshëm me mikun tim të madh, Akademikun prof. dr Gjovalin Shkurtaj në Tiranë, me miqtë e mi shqiptarë në Kosovë dhe në Zvicër. Libri shqip që jam duke lexuar është romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” të Stefan Çapalikut.


Basil SCHADER, u lind më 1951 në Cyrih. Më 1971-73 ndoqi studimete latinishtes e të greqishtes në Tybingen dhe Cyrih, të cilat nuk i mbaroi. Pastaj, vazhdoi studimet për mësuesi në Cyrih. Më 1976-81 punoi mësues në ciklin e ulët në fshatin Hinwil të Cyrihut dhe paralelisht ndoqi studime të gjermanistikës dhe pedagogjisë në universitetin e Cyrihut, të cilat i mbaroi deri në nivelin master. Nga viti 1982 deri më 2016 punoi si profesor i gjuhës amtare në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut (themelues i degës ‘gjermanishtja si gjuhë e dytë’). Më 1985 mbaroi studimet doktorale në fushën e gjermanistikës. Më 1989 mbaroi masterin e dytë në fushën e etnologjisë europiane. Më 1996 botoi tekstin shkollor ‘Shqip!’ së bashku me Femzi Brahën. Nga viti 2000-2005 ndoqi studime (me korrespondencë) të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës. Më 2005 doktoroi me temën ‘Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër’ nën udhëheqjen e Akademik Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj. Prej vitit 2017 është pensionuar, por vazhdon me punë në projekte të ndryshme dhe me përkthime. Është anëtar i shumë komisioneve zvicerane dhe ndërkombëtare, udhëheqës i projekteve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, është autor i librave didaktike, hulumtimeve shkencore, teksteve shkollore, përkthimeve nga gjuha shqipe etj. Po ashtu, për veprën e tij të çmuar është zgjedhur anëtar nderi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër ‘Naim Frashëri’ dhe qytetar nderi i komunës së Balldrenit. Prej vitit 1996, së bashku me bashkëshorten Erica janë të angazhuar në projekte për renovimin dhe ndërtimin e shkollave në rrethin e Lezhës.

Exit mobile version