Kreu Intervista Faruk Shehiq: Kam qenë shumë herë pranë vdekjes, saqë mendoj se ajo...

Faruk Shehiq: Kam qenë shumë herë pranë vdekjes, saqë mendoj se ajo më ka mbajtur gjallë.

Bisedoi: Milena Selimi

S’mund të ikja nga Sarajeva pa u takuar me autorin Faruk Shehiq, me penën e fortë boshnjake që gjithmonë ka çfarë të shkruajë për Bosnjën dhe Hercegovinën, për Ballkanin e trazuar dhe njerëzit e tij. Vjen me vonesë, si çdo ballkanas, por justifikohet se sapo mbërriti nga Berlini dhe Baseli, ku prezantoi në gjuhën gjermane librin e tij me poezi “Moje rijeke / Lumenjtë e mi”.
Diskutuam për Sarajevën, për poetin që rrallë e kujton veten të tillë sepse proza i merr më shumë kohë. “Nëntë libra kam botuar,” më tha modestisht, ndërsa unë i kujtova se është përkthyer në 17 gjuhë. E bleva librin e tij “Cimetna pisma, dijamantna stvorenja/ Letra kanelle, krijesa prej diamanti” në Panairin e Librit të Sarajevës dhe fati deshi që të takohemi e të bisedojmë nga afër.
Folëm për luftën e tmerrshme, ku ai shërbeu në forcat boshnjake për katër vite në mbrojtje të Sarajevës, për agoninë e Ballkanit Perëndimor sot, për pakësimin e shpresës për një hyrje të denjë në Europë, për penën e tij si kolumnist në gazetën Osloboðenje, ku liria e mendimit dhe e shprehjes janë të shenjta. Për autorët shqiptarë që ka takuar dhe i vlerëson, si Ledia Dushi dhe Primo Shllaku, për Prishtinën ku janë përkthyer tri vepra të tij, për teatrin politik të Jeton Nezirajt, dhe për Traduki-n që përpiqet të afrojë letërsitëë tona.
E ndërsa ecim drejt librarisë Buybook pranë urës Skenderije, më tregon kodrat nga të cilat serbët qëllonin gjatë rrethimit të Sarajevës. Pauzë e gjatë. Fjalët nuk mjaftojnë. Në stacionin e tramvajit shoh disa vajza të reja dhe i them se boshnjaket e Sarajevës janë të bukura, “po aq të bukura edhe kosovaret”- ma kthen. “Eja të shohësh edhe Shqipërinë, edhe ne kemi vajza të bukura- e ftoj.” Pasi marr edhe dy libra të tjerë nga Faruku, në librarinë simpatike Buybook, ndahemi teksa një kalimtar i rastit i jep dorën dhe e pyet “Si je shkrimtar?!”
Sarajeva është e bukur, e dashur dhe e ngrohtë, me njerëz mikpritës që e duan librin, teatrin, muzikën dhe jetën. Diçka nga kultura nuk është fshirë nga kjo Sarajevë e bekuar para viteve ’90 — një trashëgimi e fortë dhe e gjallë që i reziston erozionit të kohës dhe trazirave.
Sapo lexova se pjesa teatrale “Brothers” -nga Ballkani ne Gaza u shfaq ne Teatro Trastevere, Romë, realizuar me tekste të autorit boshnjak Faruk Šehić dhe poetit palestinez Mahmoud Darwish. Bravo!
Në një rajon ku historia shpesh i ka përzier dhimbjet me gëzimet dhe ku kufijtë politikë kanë ndarë njerëzit, kultura mbetet ura më e fortë që i lidh dhe i bashkon. Letërsia muzika, teatri dhe dialogu artistik janë mjetet që na ndihmojnë të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë një të ardhme ku identitetet tona kulturore nuk janë pengesa, por pasuria më e madhe. Në Ballkan dhe më gjerë, arti dhe fjala e lirë janë hapësira ku krijojmë lidhje njerëzore, shprehim vlerat tona dhe ruajmë shpresën për një Europë më të hapur dhe më të bashkuar.
Me premtimin se një nga romanet e tij do të jetë puna ime e ardhshme, mendoj se ma bukur se kaq nuk do të mbyllej Sarajeva ime e rezidencës. Faleminderit Faruk, jo vetëm për urat e bashkëpunimit rajonal, por edhe përkujdesjen tënde të vazhdueshme që lumenjtë poshtë tyre të mos thahen!
Sarajevë, prill 2025


Nuk ka asnjë person apo vend në Ballkan që nuk e ka patur luftën e vet. Në gjuhën e Shekspirit apo të Virginia Woolf, lufta e vet bëhet edhe gjuha e vet. Si boshnjak, si quhet lufta jote dhe gjuha jote?

Lufta ime quhet “lufta jonë e vogël” apo “lufta jonë e parë”, siç e quaj në romanin fiction (me elemente autobiografike) Letra kanelle, krijesa prej diamanti. E quaj kështu në mënyrë ironike dhe auto-ironike, sepse lufta është personazh në romanin tim; është një qenie e lashtë dhe e pavdekshme që dëshiron të vdesë, sepse është bërë shumë e vjetër. Është ajo Lufta jonë e Parë që në realitet s’po vdes kurrë, sepse trashëgimia e saj — si ajo e çdo lufte tjetër — nuk mund të arkivohet përfundimisht. Pasojat e luftës nuk janë vetëm të vdekurit dhe të plagosurit, qytetet e djegura, apo vendi i shkatërruar, por pasoja kryesore është ajo dhimbja fantazmë – kur humbet një dorë por ndjen se të kruhet. Ashtu edhe ne të mbijetuarit kemi dhimbje fantazmë, ato janë në kujtimin tonë. Mendoj se lufta për të mbijetuarit mbaron vetëm kur ata nuk janë më gjallë. Lufta e çdokujt shkon në varr me atë që e ka përjetuar. Nëse ekziston një botë tjetër, atëherë edhe atje, në kokën e të vdekurit, vazhdon Lufta e tij e Parë. Ose ndoshta nuk ndodh kjo. Ndoshta fantazma e luftës e lëshon trupin e njeriut dhe shkon të parazitojë diku tjetër.

Mendoj se krijimtaria jote i përket Ballkanit por udhëton edhe drejt Europës dhe më tej si modus -shprehje e re letërsie. Si ndjehesh kur librat e tu përkthehen dhe botohen… a të jep botimi përtej kufijve edhe ndjenjën e lirisë?

Më vjen mirë që mendoni kështu. Sigurisht, librat e një shkrimtari u përkasin të gjithëve dhe duhet të udhëtojnë nëpër gjuhë të tjera – është një nder i madh dhe privilegj për një shkrimtar. Libri im bëhet trashëgimi shpirtërore e njerëzve që s’do t’i njoh kurrë në jetë. Libri jeton jetën e vet në përkthim – një jetë të re. Po, është ndjenjë e fuqishme lirie. Për mua, të jesh shkrimtar është ndjenjë e lirisë. Unë jam shkrimtar kozmopolit.

Në cilin qytet jashtë Bosnjës do të doje të jetoje? Ku ndihesh i lirë?

Mendoja se mund të ishte Berlini, por atje nuk ka shumë liri për momentin, nëse shikojmë mbështetjen gjermane për gjenocidin në Gaza. Gjithsesi e dua ende atë qytet dhe gjithmonë do të shkoja atje. Berlini është atdheu im shpirtëror, ndoshta në ndonjë jetë të kaluar, jam i sigurt që kam jetuar atje. Qyteti tjetër është, natyrisht, Stambolli – kërthiza e botës, qyteti më i gjallë në botë. Por me kalimin e kohës njeriu humbet dëshirën për të jetuar në qytete. Jeta pranë një lumi, apo liqeni në ndonjë gjysmë-dëbim më duket shumë më tërheqëse.

Koha – shpesh shkruan për të… thonë që Ballkani ka probleme me kohën. A ekziston një kohë ballkanike që mund të na bashkojë të gjithëve?

Na bashkon fakti që Ballkani është një kategori mendore. Sikur duam të mos i përkasim Europës, edhe pse e duam dhe e kemi zili në të njëjtën kohë. Ndihemi europianë, por e dimë që jemi thjesht një grup popujsh fshatarë, nomadë, me komplekse të thella ndaj Perëndimit të pasur dhe të zhvilluar. Megjithatë, ne jemi Lindja e Europës, dhe mua kjo më pëlqen, sepse shoh sa të ngjashëm jemi në shumë mënyra. Do të na bashkojë vetëm fakti që jemi bota e varfër e Europës, jashtë mureve të Kështjellës së re Europiane. Nga kjo periferi (që ne e mbiquajmë veten qendër), nga shpërbërja, zakonisht lindin gjëra të mira. Në rastin tonë, është arti – veçanërisht letërsia.

Lumi në Bosnjë-Hercegovinë që të fal ndjesinë më të mirë? Si quhet?

Në radhë të parë është Una – lumi i fëmijërisë dhe i njohjes së botës përmes tij. Kontakti im i parë ka qenë ai me ujin. Në vend të dytë është Neretva, ku shkoj shpesh për peshkim. Ndoshta një ditë do të shkruaj edhe një libër për të, ashtu siç kam shkruar për Unën.

“Atdheu im është prej uji të ëmbël…” – je shprehur. Mund t’a shpjegosh lidhjen tënde me ujin, me lumin? Pse janë gjithmonë të pranishëm në veprat tënde?

Sepse jam rritur pranë ujit, në një shtëpi nga dritarja e së cilës mund të prekje ujin (kur ishte niveli i lartë). Ndoshta sepse kemi ardhur nga uji dhe jemi të ndërtuar prej tij. Lumi Una është gdhendur brenda meje, ishte si një perëndeshë mbrojtëse për ne të dëbuarit nga qyteti ynë. Gjatë luftës, Una ishte kufiri, vija ndarëse mes nesh dhe armikut. Për mua personalisht, ishte burim shprese se do të ktheheshim në qytetin tonë dhe do të vazhdonim jetën e para-luftës. Noti në verë ishte një festë për ne që jetonim në brigjet e Unës.

Cili është qoshku yt i dashur në Sarajevë?

Këndi im i dashur është libraria Buybook, njëherësh edhe botuesi im. Për vite të tëra ka qenë tarraca e restorantit “Dva Ribara/ Dy Peshkatarët” dhe shumë vende të tjera – veçanërisht kafeneja dhe jazz club-i Clou, që nuk ekziston më.

Në librin tënd, tema e luftës në Bosnje del nga kujtesa dhe përpunohet. Faruk, mund të na shpjegosh procesin e shkrimit mes realitetit dhe shkrimit, dhe veçanërisht kuptimin e natyrës në poezinë dhe prozën tënde?

Në natyrë përfshihet edhe uji, marrëdhënia ime me lumin. Natyra është një ngushëllim i madh, shpëtim, të paktën për mua. Ajo është e përjetshme, ne jo – a nuk është kjo vetë harmonia? Filozofi amerikan Emerson dhe Whitman (dhe të tjerë) më kanë ndihmuar të vetëdijësohem për afërsinë time me natyrën. I gjithë romani “Libri për Unën” flet për këtë. Së shpejti pritet të dalë në Prishtinë në gjuhën shqipe. Kur kridheni në ujë – lumë, liqen apo det – ju bashkoheni me natyrën, bëheni një me ujin, ndoshta zgjat pak, por nëse jeni të vetëdijshëm për këtë teksa zhyteni, mund të përjetoni atë ndjesinë hyjnore të unitetit me ujin, natyrën, me gjërat që e tejkalojnë jetën njerëzore. Afërsia me natyrën fsheh sekretin e ekzistencës sonë. Ne jemi të pandashëm nga natyra, edhe kur kemi ndërtuar qytete për t’u ndarë nga origjina jonë shtazore. Biologjikisht, i përkasim mbretërisë së kafshëve.

Ku ndihesh më mirë – në poezi, prozë apo dramë?

Nuk e di, jam pak “transgjinor” në këtë aspekt. Nuk jam provuar në dramë, (por veprat e tij janë dramatizuar) por poezia dhe proza janë terreni im. Kritikët thonë se veçoria ime më e madhe është proza me një dozë të fuqishme poetike – pra jam një lloj kentauri letrar.

Gjithmonë themi: kurrë më… por ja ku jemi sërish me luftë – në Ukrainë, në Gaza e gjetkë . Ke qenë ushtar i mobilizuar dhe, si dikush që ka mbijetuar një lufte, pse bota sot ka humbur ekuilibrin? Pse Europa dhe Amerika nuk interesohen për shoqëritë njerëzore dhe për këtë luftë në Gaza?

Sepse themelet e Europës dhe Perëndimit janë kolonializmi, pushtimi i tokës së huaj, vrasja e vendasve, plaçkitja dhe lufta. SHBA-të, duke mbrojtur Izraelin, mbrojnë mënyrën si janë krijuar vetë – duke marrë tokën dhe duke vrarë masivisht. Kjo është një nga arsyet. Tjetri është ndoshta natyrë imagjinare dhe surrealiste: urrejtja ndaj Tjetrit. Në rastin konkret të Gazës, është islamofobia dhe arabofobia, urrejtja ndaj myslimanëve.

Si mund të shpëtosh nga lufta kur koha dhe hapësira janë lineare? Kush të shpëtoi në luftë?

Koha dhe hapësira nuk janë kurrë lineare, vetëm vetëdija jonë i paraqet kështu, për të përballuar më lehtë jetën. Nëse e kuptojmë jetën si një zgjatje neurotike në letër, jo si një vijë e drejtë nga pika A në B, do të na dukej e padurueshme. Në luftë më shpëtoi vullneti i fuqishëm për të jetuar, energjia e madhe që kisha, dhe, paradoksalisht edhe gatishmëria për të dhënë jetën çdo çast për idenë e Bosnjës së lirë dhe tokën e Bosnjes. Kam qenë shumë herë pranë vdekjes, saqë mendoj se pikërisht ajo më ka mbajtur gjallë.

Pas 30 vitesh, a ke shpjeguar ndonjëherë – “më dëbuan nga banesa, rruga dhe lagjja vetëm se kisha ngjyrë tjetër sysh?”

E di racionalisht pse ndodhi, por është e vështirë të jesh gjithmonë racional, sepse jemi qenie të imagjinatës për një botë më të mirë se kjo ku jetojmë. Është e vështirë të shpjegosh të keqen njerëzore kur ëndërron për një shoqëri më të mirë. Kurrë nuk duhet të ndalojmë së ëndërruari – përndryshe, jeta do të dukej e tmerrshme.

Kur flasin me ty, të gjithë duan të të kujtojnë luftën, luftëtarin, librat për luftën… më lejo një pyetje të thjeshtë: sa dashuri ka në jetën tënde?

Po, pyetje e mirë. Ka shumë dashuri – kishte edhe gjatë luftës. Dhe për t’iu kthyer pyetjes për atë që më shpëtoi gjatë luftës – ndër të tjera, më shpëtoi edhe dashuria për një person. Më dha vullnet për të mbijetuar. Edhe natyra është dashuri, si dhe dashuria për ujin dhe lumenjtë.

A është shkrimi misioni yt?

Disa njerëz thonë se po, por nuk do t’i jepja letërsisë fuqinë dhe rëndësinë që nuk e ka më sot.

Ke thënë: “Nuk më shqetëson dështimi i shoqërisë njerëzore. Më intereson apokalipsi që e jetoj çdo ditë”. Cili është mesazhi universal për lexuesin?

Që edhe në rrethana më të këqija të mbetesh qenie njerëzore – kjo është fitorja më e madhe. Gjyshi im dhe vëllai i tij kanë qenë në kampin e përqendrimit Jasenovac. Pas punës skllavëruese, ata pastronin rrobat e tyre – donin të ishin të rregullt edhe në kamp. Njeriu duhet të jetë më i fortë se rrethanat që e rrethojnë.

A je ti një shkrimtar dhe njeri i suksesshëm?

Mendoj se jam i realizuar si shkrimtar dhe çdo ditë realizohem më shumë. Por, që të jem i suksesshëm në Sarajevë – kjo jo. Jam një qiramarrës dhe nuk kam sigurim shëndetësor apo pension. Asnjëherë nuk kam marrë ndonjë nderim nga shteti ku jetoj. Pra, si shkrimtar, jam i suksesshëm vetëm jashtë vendit. Në vendin tim jam emigrant.

Dikur Ballkani mund të krenohej me territorin e vet kulturor; sot është vetëm një shenjë, një valixhe. A është kjo ura për në Europë?

Po, ne jemi tranzit – apo thjesht hapësira jashtë mureve të kështjellës së re të djathtë europiane. Dhe do të jemi për shumë kohë.

Ndonjëherë kjo nuk është vetëm nevojë, por edhe zgjedhje – zgjedhja për të qenë fqinj i mirë, për të mos shembur atë që është e shenjtë për një komb: Zoti, Identiteti, Politika, Kultura. Duhet të harrojmë apo të kujtojmë për të ecur përpara?

Nëse shohim ku po shkon bota – është në drejtimin e gabuar. Një nga figurat udhëheqëse të Amerikës së Trump-it ka tatuazh me thirrje kryqtare. Nuk është ajo Amerikë që kam dashur dhe respektuar – kultura e të cilës më ka formuar. Kjo epidemi po përhapet gjithkund. Të gjithë duan të jenë fashistë. Fashizmi është në modë. Në këtë kuptim, edhe identiteti, politika, kultura – të gjitha bëhen armë që do të përdoren kundër atyre që nuk ndajnë këto qëndrime ekstreme.

Si është Traduki si shembull bashkëpunimi dhe mirëkuptimi letrar në Ballkan? A njihni letërsinë dhe shkrimtarët shqiptarë?

Njoh veprat e Shpëtim Selmanit, Arben Idrizit, Ali Podrimjes dhe disa shkrimtarë të tjerë nga Kosova. Nga Shqipëria njoh Kadarenë, siç e njohin të gjithë. Kam takuar disa poetë dhe poete në një festival në Prishtinë. Por, për fat të keq, nuk njoh shumë shkrimtarë shqiptarë. Ajo urë letrare duhet ndërtuar më mirë – dhe kjo është edhe puna juaj si përkthyes.

Çfarë po ndodh sot me Bosnjën, nisur nga përvoja jote?

Është pyetje e vështirë. Shkurt: Kroacia dhe Serbia duan të arrijnë objektivat e tyre të luftës përmes mjeteve politike – një ndarje e qetë e vendit tonë. Kanë ambicie të pangopura për zgjerimin territorial. Po përfitojnë nga momenti kur islamofobia është popullore në Perëndim dhe në SHBA. Me ardhjen e Trump-it, edhe kufijtë mund të ndryshojnë. Bosnja është një tortë që Serbia dhe Kroacia duan ta ndajnë. Ne, boshnjakët, nuk do të lejojmë këtë – ashtu siç nuk e lejuam gjatë luftës. Nuk do të bëhemi kurrë palestinezët e Ballkanit – njerëz pa atdhe, mbi të cilët ushtrohet terror prej 70 vitesh që tani ka kulmuar në gjenocid.

Çfarë do të doje të ndodhte në vendet tona si ballkanas?

Do të ishte mirë të hynim në BE, por jo në këtë version të djathtë e kripto-fashist, por në një BE normale. Por kjo nuk do të ndodhë në kohën tonë. Do të dëshiroja që politikat nacionaliste të pushojnë së qeni dominues në vendet dhe shoqëritë tona.

Të premtova që do të përkthej një nga veprat e tua. Cila do të doje të të përfaqësojë Shqipëri?

Ndoshta “Libri për Unën”, por ai po botohet në Kosovë, ndaj ndoshta të përkthehej “Nën presion” ose romani i fundit “Letra kanelle, krijesa prej diamanti”. Ose ndoshta të përkthehen të dyja – pastaj edhe të tjerat.

Faleminderit, Faruk !

Shënim: Vëllimi poetik “Libri mbi Unën” u botua në Kosovë gjatë realizimit të kësaj interviste. Mirënjohje përkthyesit Fadil Bajraj, që  disa poezi nga krijimtaria e autori Faruk Shehiq, botohen për herë të parë në Ex Libris dhe në Shqipëri.

Parfumet e Orientit

Ndërsa kthehem me trenin Nantes – Luarë,
dikush në Gaza jep frymën e fundit.
Ndërsa shoh Hënën që shfaqet në largësi,
mbi hekurudhën drejt Angers Saint-Laud dhe foto bëj
ta hedh në instagram,
flokët e dikujt po digjen në Gaza, në Libanin jugor.
Instinkti i shtyn njerëzit në harresë, e lehtë është
të harrosh dhe të vazhdosh, i paprekur
nga foto e trupit të dikujt mbështjellë me pëlhurë.
Shumica asnjë ngrohtësi s’kanë
për ç’është njerëzore,
Jam në urën e gjatë mbi Luarë,
hëna ngadalë ngrihet nga lumi, ngjitet
e qashtër në sfondin e orës blu.

Atëhere ndërgjegjësohem se imazhet e fëmijës së copëtuar,
zhyten ndër ne si lumenjtë nëntokësorë karstikë.
Hëna është e fuqishme, e madhe, plot jetë,
Ora blu është këtu, mbi Angers Saint-Laudit,
përhapet kah vendi ku po jetoj tani.
Nuk shkruaj, por ec nëpër Nantes,
ndiej parfumet e Nices,
dyshoj mes Musc Ravageur të Frederic Malle,
dhe Chergui të Serge Lutens.
I njoh mirë përbërësit e tyre:
bergamot, tuberoz dehës, qelibar, aromë duhani,
Pi kafe në Bistro de Cours,
dhe lexoj lajme në celular,
kalimtarët, pamje e ngadaltë.
Kafeja është e mirë, dopio ekspres, 3.6 euro,
Drita e diellit ngroh edhe njerëzit në Gaza,
por atyre, dielli i njerëzimit shpinën u ka kthyer.
Çdo euro ka një pikë gjaku të pafajshëm,
të gjithë jemi fajtorë, Tadeusz dikur thoshte.
Hëna e artë mbi Luarë, derdhet e plotë
Hëna ngrihet mbi shinat që shkojnë për në Angers,
dhe përtej…
Shpejt u mësuam me gjenocidin, si me shiun e verës,
(pasi edhe atë lart e mënjanuam)
më shpejt se sa të gjerbet një kafe
në Bistro de Cours.
Hëna krijon
një shirit të artë prej shine
që shtrihet poshtë Luarës,
ndërsa qëndroj në urë,
shirit i artë më kalon përmes,
dhe shkon drejt Atlantikut,
thyhet nëpër planet, e pamposhtur, forcë hëne,
bukuri e natyrës, gëzim që përjetoj këtu,
parfum që thahet në pëllëmbë, myshk dhe oud,
dhe fajin që do të bartim shekujve,
asnjë Luarë e universit nuk do ta lajë dot.
Hëna do të shkëlqejë dhe qeshë mbi varrezat e qyteteve tona.

Tetor 21, 2024
Përktheu: Milena Selimi

Miss Sarajevo

Ne, të lëçiturit nga autoritetet e Sarajevës, të shqetësuar
me trupat tanë
duke u kthyer nga vija e frontit të cilën po e mbrojmë vetë
në kafenenë ‘Ferari’ shikojmë MTV-në
kjo është dritarja jonë magjike për në Rrugën e Qumështit
sepse për të gjitha jashtë Qarkut të Bihaçit
është Rrugë e Qumështit, ekzotike dhe areale bile edhe në ëndrra

ngjyrat në ekran janë më të gjalla se kostumet tona civile
i kemi lëshuar flokët, jemi të rinj dhe dëgjojmë grunge
Nirvana, Pearl Jam, Soundgarden, Alice in Chains
shikojmë CNN se si zhduket Mostari në shtyllat e tymit
dhe se si Juka Prazina u hedh bukë banorëve të Dobrinjes
derisa spikeri flet: the man called Juka…
na duket se jemi njerëzit më të vetmuar në tokë

atëherë ende nuk i dallonim fjalët: trishtimi apo vetmia
kemi sall emocione të çiltra dhe fuqinë e muskujve në natën e trazuar
që godet dritaret e kafenesë si shpend pa mend
kjo është elegji për gjeneratën që do të dale nga lufta

e çliruar nga çfarëdo idealizmi valëvitës

në ekran janë Bono Vox dhe Luciano Pavarotti
këndojnë Miss Sarajevo në koncert në Modenë
vashat në kostumet e larjes mbajnë transparentin:
DON’T LET THEM KILL US
një vajzë bëhet gati të kalojë me vrap shtegkalimin e snajperit
gjithçka është e ngadalësuar, ajo kthehet dhe shikon në kamerë
buzëqeshjen e saj diellore do ta mbaj mend deri në vdekje
si dhe lotët që rridhnin teposhtë faqeve
kur për herë të parë pamë Sarajevën e rrethuar.

Kur herën e parë pashë një copë të kafkës së njeriut

Isha njëzet e dy vjeç
sapo patëm mbërritur në linjë
dhjetori solli një dimër të thatë
gjethet e mveshura me ngricë
kërcitnin përfundi çizmeve
në një dhiare pashë
disa pika gjaku
një copë të kafkës së njeriut:
nga ana e jashtme një tufë flokësh
nga ana e brendshme, një sipërfaqe e vrazhdë
mukozë e ngjashme me të hënës
kjo ishte krejt çfarë kishte mbetur në tokë
prej Shariq Seduanit.

Shëtitja nëpër Srebrenicë

Kur isha në Srebrenicë për herë të parë
Duke depërtuar nëpër ajër për shkak të lebetisë i dendur si xhelatinë
Ecja nëpër qytet që është zhvendosur nën dhe
Në të më shumë kishte qen endacakë sesa njerëz në rrugë
Gjithçka që shihja shndërrohej në diçka tjetër
Shtëpia këtu nuk është shtëpi si kudo tjetër
Rentieri i saj është vdekja
Flora për mua ishte diçka e huaj, edhe pse ngado që shkoj së pari i njoh
bimët
Ama gjithçka që shihja më tregonte se këtu kisha qenë goxha moti
Aq shumë fotografitë dhe imazhet televizive m’u kishin ngulitur në kujtesë
Forca e gravitetit ngadalëson hapat dhe gjuhën
Çdo vizitë në këtë qytet është e barabartë me pelegrinazh, sidomos kur je
në të për herë të parë, atëherë je i mahnitur dhe i pagojë
Me t’u kthyer në Sarajevë më është dashur të jepja gjak
Pulsi i natës të lodrojë në trup dhe që të pashisë dhimbjen
Mospajtimin midis forcës fizike dhe trishtimit të humbjes njerëzore, sall aty
e kam kuptuar

Kur isha në Srebrenicë
Një herë pata shkuar nga drejtimi i kundërt, nga Beogradi
Më pat kapur një sulm alergjik në fillim të rrugës
Dhe një frikë paniku se do të vdisja nga zënia e frymës
Pastaj natën shëtisja rrugëve të Srebrenicës i shëruar
U ktheva në shtëpi në zemrën më të zezë të errësirës
Përgjatë bahçes së Mësuesit dhe Reuf Selmanagiqit të Ziut
Dritaret ishin pasqyra të errëta
Nga oxhaku shpërthen vetmia në vend të litarit të tymit
Këtu mbizotëron një heshtje e tmerrshme, elementi i pestë, gjuha e
atyre që nuk janë më
Shtëpitë i kam imagjinuar si qenie të gjalla
Që në kokën time këtë hapësirë ta popullëzoj me jetë
Përroi gurgullonte midis vendbanimeve të errëta
Në anën tjetër të perdes errësira lëshonte miceliet e veta
Shkëlqenin si argjend shpirtrat e të vdekurve
Shtëpitë pa fasadë të vringëlluara thellë në natë
Shkallët e betonit në të cilat një mace ishte kruspullosur – rrokë e
ngrohtë gëzofi
Dhe një ftua i lënë në shkallë për t’u pjekur

Shëtitja gjatë natës në Srebrenicë më mbush me shpresë
Më afron te yjet e shpëtimit
Dhe ia kthen dinjitenin qenies sime

Kur isha në Srebrenicë
E ndieja rrëmujën kolosale të kozmosit pa zot
Peshën e trupit tim, të cilin, këtu, thuajse e bartja sipas dënimit
Po, ndjenja e fajita është ajri që e thithim
Asnjë poezi për Srebrenicën kurrë nuk do të arrijë fundin e vet
Trishtim i pafund është muzika e saj
Trashëgimi e shpirtrave tanë

2013

PAS KATAKLIZMËS QË DO TË VIJË NJË DITË

Temat e tyre janë më të rëndësishme
Ata shkruajnë në gjuhë të madhe
Temat tona janë të parëndësishme
Ne shkruajmë në një gjuhë të padukshme

Gjithçka e tyre është më e madhe nga gjithçka jona
Penisi i tyre është më i madh, edhe vaginën e kanë më të madhe
Edhe bombat e tyre janë më të mëdha, varret e tyre janë XXL
Varret tona, përsëri, të gjitha janë të vockëla, të padëgjueshme deri
në pikën e dhimbjes

Gjuhën e kemi sistem të ndërlikuar zërash me brirë
Të vështirë për t’u shqiptuar, edhe temat i kemi të rënda, librat
të rënda plumb
Gjithçka e jona e parëndësishme, jemi hapësirë fantazie, arabeskë
Gjithçka e tyre më e madhe, e jona gjithnjë e vocërr dhe më e vocërr

Kurrë nuk do të bëhesh i famshëm si ata
Nuk e ke emrin bombastik, i yti është bezdisës për vesh
Ti nuk shkruan sipas diktatit të tregut as të epokës
Çfarë janë idhujt e tyre për ta për ty janë polakët

Me lojëra fjalësh jashtëzakonisht të rëndësishme hipsterësh
Me finesë në gjuhë, ndërsa gjuha jonë çjerrë qiellin
Ne shprehemi me vetëtima dhe bubullima
Ne nuk jemi të aftë për mendime të rëndësishme filozofike

Emri yt nuk është as River as Oqean
Nuk ke vuajtje që është ikonike, dhe e përshtatshme
Shpina jote e djegur nuk e ka parë ballinën e Time-it
Edhe lufta është jote hiçasgjë, krejt ç’është e jotja është e paktë,
një mostër e AND-së i nxen

Betejat e tyre janë të mëdha
Poetët e tyre dolën nga frymëzimi që ua ka dhënë zoti
Mendimi, ideja, gjithçka mbufatet nga forca
Aty ku ne kemi parë një vijë të thjeshtë, ata kanë parë labirinte

Derisa ne ndanim para në delirin e epokave
Qerasnim muzikantët e zjarrit flakërues dhe të pastrimit
Ata i kursenin monedhat, i ruanin për brezat e ardhshëm
Për këtë arsye s’na nxen kund vendi vend, nomadë pa busullë

Na pret i njëjti fat, e njëjta fatkeqësi jofilmike
Këngët tona janë më të mira se tuajat, të pagëzuara me gjak
Sinqerisht, ngado që ia mbajmë,
Një ditë ju do të na admironi si ne Homerin.

2018.

Jetoj në shtetin ku nxjerrja e kufomave nga varri është lajmi kryesor në tv

Lulëzon atdheu prej eshtrave të ushtarëve
liria na ka ardhur si rrebesh stuhie
pas bubullimave të zgjatura dhe reve të dendura
toka po avullonte nga era therëse e kalbjes

lulëzon atdheu prej eshtrave të ushtarëve
tufat e formave njerëzore
që shkojnë në treg, në funerale dhe koncerte
u ngjajnë skulpturave të Henry Moore-it

lulëzon atdheu prej eshtrave të ushtarëve
e ka ngjyrën e fosforit të djegur, buzëqeshjen e pehlivanit
në herbariumin e kujtesës thahen fytyrat e të vdekurve
të gjitha varrezat e luftës janë turke sepse pranë tyre kalohet në heshtje

lulëzon atdheu prej eshtrave të ushtarëve
përbindëshi i zëshëm që premton zbritjen e mitit në realitet
sidoqoftë, miti është, bash sikur secili rrugë deziluzion
farë e padukshme nga e cila piqen varrezat masive

Përktheu: Fadil Bajraj


Faruk Shehiq (lindur në vitin 1970 në Bihaq) është një nga zërat më të fuqishëm të brezit letrar të formuar nga përvojat e luftës në ish-Jugosllavi. Ish-komandant njësie gjatë luftës në Bosnje, pas përfundimit të saj iu kthye letërsisë dhe u bë autor i njohur për prozën dhe poezinë e tij që ndërthur kujtesën, traumën dhe natyrën si forca kundërshtuese ndaj shkatërrimit. Kritikët letrarë e kanë vlerësuar Shehiq-in si zërin kryesor të brezit të shkrimtarëve të lindur në Jugosllavinë e viteve 1970, dhe librat e tij fituan lexues në të gjithë rajonin dhe e kanë bërë atë një emër të njohur në Europë. Jeton në Sarajevë, ku punon si kolumnist dhe gazetar në gazetën Oslobodjenje’

Ka fituar disa çmime të rëndësishme si : Çmimi Skender Kulenović (Letra me kanellë, krijesa prej diamanti); Çmimi Ndërkombëtar Letrar i Camaiore- Francesco Belluomini (Rikthim në natyrë), Çmimi Risto Ratković (Lumenjtë e mi) ;Çmimi Vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës (Lumenjtë e mi) ; Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë EUPL (Libri për Unën); Çmimi Meša Selimovic (Libri për Unën)’; Çmimi Zoro Verlag për koleksionin më të mirë të pabotuar të tregimeve të shkurtra (Nën presion); Çmimi Oslobođenje për tregimin më të mirë të pabotuar të shkurtër

Librat e tij janë përkthyer në 17 gjuhë, në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, bullgarisht, rumanisht, spanjisht, holandisht, maqedonisht, polonisht, turqisht, sllovenisht, italisht, shqip, ukrainisht, arabisht dhe hungarisht.

Foto e autorit: Xhenat Drekoviq

Exit mobile version