Kreu Opinion Ballsor Hoxha: rituali i vetëmurosjes sonë

Ballsor Hoxha: rituali i vetëmurosjes sonë

Meditim ditën e shpalljes së Nobelit në letërsi

Sikur është një kalim tejet i thellë i njerëzimit sot, në diçka krejtësisht të panjohur, e me gjithë luftërat e egërsitë e vjetra. E në këtë mungimi, të bërit të munguar të letërsisë, derisa betonizohemi si njerëz e jetë në ndërtesat (fizike) që i banojmë vetë, vetë harrimi i letërsisë, ka të bëj disi me murimin e personazhit Zenebishta të Ura me tri harqe.

Çka ka të bëj preja, murimi në Urën me tri harqe si narrativ shqiptarë, me kognicionin dhe sjelljen tonë shqiptare? Apo, si është e mundur që vazhdimisht gjendemi në vorbullat më të thella më të rrëmbimshme të tragjedive globale, dhe më pas, pasi të kemi dalë jashtë tyre menjëherë gjejmë atë të radhës dhe fundosemi brenda saj/tyre? Në një fjalë kurrë nuk arrijmë të dalim jashtë tyre. Mos ndoshta ka një ritual të njëjtë të sjelljes sonë, në këto dy fenomene. Mos ndoshta sot gjenerata jonë jemi të murosurit e urës tonë të kalimit nëpër narrativin global, me një fjalë.

Në dekonstruktimin e legjendës së Urës me tri harqe të Ismail Kadaresë, kjo ndodhë mëpërmjet sakrifikimit të një pjesëtari të kolektivit dhe më tutje të tërë kolektivit simbolikisht, të një shoqërie nga dy shoqëri të tjera shumë më të mëdha, por, pikërisht kjo, në mes tjerash, me këtë edhe të mundësimit të një kalimi ndërmjet tyre dhe, ndër të tjera edhe të një fisnikërie të shoqërisë sonë në dhe për njerëzimin global.

Rrënimi i urës, dridhja e saj në ndërtim e sipër e në përhershmëri është vetë kalimi i njerëzimit, vetë shpërthimet e brendshme të njerëzimit me kalimin e tij nga një periudhë në tjetrën, nga një gjeneratë në tjetrën. Pra, dridhja dhe rrënimi i kohë pas kohshëm i njerëzimit, që është ai i kalimit të njerëzimt, le ta quajmë këtu metaforikisht, është e sotshmja, dhe e zotshmja, si urë, që po shpërthen në një botë rrënjësisht të re për njeriun, megjithëse e krijuar nga vetë njeriu, megjithëse e huaj për vetë njeriun. Dridhja/rrënimi i kognicionit tonë, sjelljes, e rrënimit të vlerave, sot, është në të vërtetë ajo që kërkon sakrificën e të sotshmes, të zotshmes. E, si duket, jemi vetë ne të gjithë së bashku preja e radhës së këtij murimi dhe të këtij kalimi të ri të njerëzimit. Por, më falni për guximin, pikërisht përmes murimit të letërsisë, asaj që është e pranuar dhe e njohur si përvojë e jona, shqiptare.

II

Mëngjes i pesë tetorit, Prishtinë. Jam nisur për në kafen e lagjes, dhe rrugës vazhdimisht jam i bartur nga njëlloj shqetësimi i të gjitha mbeturinave të “bukura” të atdheut tim, ngjyrat e mbështjellëseve të çokollatave, të patatinave e të rrobeve trendi. Të hedhura e të mbetura rrugëve, shumëngjyrëshe, nuk e di pse më bëjnë përshtypje tërë kohën. Nuk e di pse vuaj këtë hedhje të tyre, njëlloj shpërdorimi të tyre, njëlloj kalimi të tyre, nga të pas qenit, dje, apo ndoshta pikërisht sot pak më herët, çokollata tejet provokuese, dhe më tutje kalimit të tyre thjeshtë në mbeturina me ngjyra të të sotshmes, të zotshmes sonë të vështirë nën betonizimin e jetës sonë e vetë neve brenda tij. Është shqetësim, është diçka e brendshme që më të tërheqë vazhdimisht, don të më thotë diçka.

Letërsi, tregim, roman, poezi, mendoj derisa i shikoj këto ngjyra të “bukura” të atdheut tim (asnjëherë pa e harruar poezinë e Zhitit “Janë zbukuruar ngjyrat e adheut tim”); pastaj, e folura shqip, tregimi shqiptarë; pastaj dhembja, dhe me këtë shpirti i përvojës shqiptare, të gjitha, mendoj, të gjitha këto, a ishin ndonjëherë? A janë? A do të jenë? (Sigurisht, është dita e shpalljes së çmimit Nobel për letërsi, por edhepse e di që nga mëngjesi, i bartur nga e zotshmja e të sotshmes, e kam harruar këtë në tërësi).

Ora 11:26, 05 tetor Prishtinë, kafe e lagjes. Rrokulliset e tërë Prishtina në mikserët e betonierëve të ndërtimtarisë në qarkullim, mendoj. Nuk e di pse, por një shqetësim i madh është në tërë atë që më rrethon. Anash, furraxhiu i lagjes në tavolinën e tij paska problem me të kuptuarit e punëtorit të tij që nuk don të punojë. Jo, ky nuk është shqetësimi, them. Ndoshta të papunët e përhershëm mysafirë bashkë me mua, kanë ndonjë problem të pazgjidhshëm, janë tejet të zhurmshëm, mendoj, por menjëherë e kuptoj se janë të zënë me çmimin e lartë të shitjes së banesave në Prishtinë. Shikoj tutje, të gjithë njerëz të mbytur e përmbytur në mes të kësaj të sotshme, kësaj të zotshme me maune, autobusë, makina e njerëz që shtiren se jetojnë në këtë jetë, ndërsa në të vërtetë është po kjo e zotshmja, e sotshmja që i bartë, jo në cakun e tyre, por pikërisht në paparashikueshmërinë e kësaj shtjelle. Hapi rrjetet sociale dhe shoh, ExLibris ka vënë në profil të tij numërimin e shpalljes së çmimit për letërsi nga Komiteti i Akademisë së Suedisë – Nobel. Edhe më pak se një orë e gjysmë deri në shpallje.

Pse është ky shqetësim imi, qoftë i ndonjë shkrimtari mediokër diku në skajet e shoqërisë sonë që në deluzionet e tij ëndërron këtë çmim, apo ndonjë dashakeqi që ëndrron të mos fitojë ndonjë shqiptarë. E në të vërtetë ka vetëm një shkrimtar shqiptarë që ka “qenë” afër tij, dhe “është”? Apo, nuk është më?

Por, mendoj, është e saktë, e para gjë që të shkon në mendje që është e gjithmbarshme për të gjithë, për urrejtësit dhe për dashamirët, është: a ishte letërsia jonë diku në horizontin e pamjes së këtij çmimi? A është, në të vërtetë? A do të jetë ndonjëherë? Ndonjëherë, ndoshta, siç jemi dëshmitarë të gjithë, se “ndoshta” kishte qenë.

Pse ky hezitim imi, pyetem, ky lloj mungimi i një emri, një emri aq të rëndësishëm në rimëkëmbjen personale nga vështirësitë e katrahurat në jetën time me letërsinë e tij. Pse emri i tij me automatizëm, si një pasqyrë e përhershme në neutralitetin e saj shfaqë diçka të pabartshme, komplekse tanimë dhe të rrezikshme për t’u marrë i dyshimtë, sigurisht në qarqete kësaj ure të re të njerëzimit. Kësaj të sotmeje, të zotshmeje, që është duke krisur në një botë të re, duke lënë botën e “tejkaluar” prapa.

Aha, por, them në vete, pikërisht kjo është fjala: tejkaluar! Kadare?, pyetem. Jo, por, të jetë ndonjë humnerë edhe më e thellë, të jetë ndoshta vetë dhe tërë letërsia. Kalimi i saj në një ngjyrë të hedhur në asfalt tanimë, si mbështjellëse e bukur. Por, e shpirtit njerëzor? Hedhur si mbeturinë në skutat e librarive dhe shtëpive botuese që mezi mbijetojnë. Në bibliotekat, flas për ato shqiptare, të harruara sikur ndërtesat e ish komunizmit e botëve të kaluara pa njerëz, pa lexues, pa një rëndësi. Jo, jo, them, kjo është gjë e ditur, tanimë. Kjo – tejkaluar – është diçka tjetër! Diçka më e thellë, më serioze dhe më e madhe, aq e madhe sa “nuk mund të shihet mali nga drunjtë”. Është sikur këputje disi. Sikur ndërmjetësi mjegulle humnere ku është rrokullisur e ka rënë njerëzimi, në një mungesë, dhe ankth nga të bërit të vërejtshëm vetë të njëjtin “mal”.

Mali? Xhungla, drunjtë e saj, të tij! Ndoshta është vetëm kalim, vetëm një urë e re e njerzimit, por, se si, prapë, apo jam nën ndikim të leximeve të përhershme të Kadaresë, më ngjanë se ka të bëj prapë me ne! Me mosnjohësit e vetë narrativit tonë. Me harrimin e tij. Me moskuptimin dhe aq më paradoksalisht me mosinteresimin për të.

Atëherë, i kthehem vetes, nëse nuk ka, nuk do të ketë që nga nesër një letërsi, ku do të shpërfaqet gulfatja e njeriut prej dramës së përjetuar sot, do të përmbytemi nëpër psikiatri e burgje të krimeve të rënda. Do të mbetemi memec të vetë dramave tona.

Në këtë shpallet fituesi, i viti 2023 për letërsi nga Nobeli.

Në fund, si duket, mendoj, të gjitha janë në balansë, jo politikat, jo xhelozitë e egërsia e shpërfaqur në shoqërinë tonë që prej kohe, përbrenda e për së jashtmi, por në të vërtetë aftësia jonë për të bërë tregim, me të pranuarit e tij globalisht. Nuk mund të bëjmë tregim global, pa një vetëdije globale tonën. Nuk mund të tregojmë globalisht pa pasur aftësi globale për të rrëfyer. Dhe prapë hezitoj të përmend emra, të them kush e si dhe sa herë ishte afër!!

Dhe aq më shumë, po në këtë moment, në këtë ditë bota ende sillej, maunet e betonit nëpër tërë Prishtinën vazhdonin të murosnin tërë të sotshmen tonë, si një e zotshme, furraxhinjtë gatuanin bukën për ne, dhe të papunët, ndër të tjerë, kërkonin ndonjë vend pune diku në Gjermani apo edhe në Zvicër.

III

Kur The New Yorker, një prej revistave më të njohura globalisht për letërsi e mbante për favorit Ismail Kadarenë për çmimin Nobel për letërsi. Ndërsa shoqëria jonë ishte aq afër të fituarit të çmimit Nobel për letërsi, për shembull pas botimit të romanit “Pasardhësi” të Ismail Kadaresë, ndodhi një nga historitë më të çmendura shqiptare, ai u përfshi nga vetë ne në një nga incidentet më të neveritshme e më të fëlliqura tona, të shoqërisë sonë pikërisht në Suedi.

Kur shoqëria jonë kishte arritur të kishte një kandidat globalisht të mirënjohur shqiptarë për Nobelin në letërsi, (megjithëse prej dekadash të favorizuar për këtë çmim) që ecte shlirë në Kosovë, ai pikërisht këtu, në Kosovë, u akuzua njëjtë sikur në vendet e qarqet antagoniste të narrativit shqiptarë, për ndryshimin e përmbajtjes së romaneve të tij, nga profesorë e studentë të universitetit të Prishtinës.

Dy shembuj, e ka shumë të tjerë, e shumë më shumë edhe nga jashtë, që flasin për murimin e gjallë të një prej lindjeve më të thella, më serioze, më të përkushtuara, dhe aq më shumë më të përhapura në glob, të rrëfimit tonë, të shoqërisë sonë. Të një arritjeje të qëndrueshme në të ardhmen.

Kjo, për shkrimtarë, qoftë askushi, si unë, e qoftë mediokër, e mendjemëdhenj, e të arritur, është kristal e qartë se rrëfimi i një dhembjeje (nëse në jetë ka aq shumë dhembje, e nëse në jetë rrëfejmë për dhembjen sepse nuk dimë të rrëfejmë për lumturinë, etj) si kjo e jona është mundësia që rrëfimi ynë të arrijë të bëhet pjesë e narrativit/ve globale të dhembjes njerëzore, të të qeniesuarit të saj.

Asnjëherë nuk arritëm të dalim jashtë ritualit të shoqërisë sonë, përmes murosjes së vetes sonë, të lindjes sonë, ringjalljes sonë. Të vetmin që arriti tutje prej këtij izolimi të lindjes dhe ringjalljes sonë, ne e bëmë (tentuam ta bëjmë) pre në murin e kalimit tonë në globale. Kalimin tonë e kemi murosur (tentuam e tentojmë ta murosim) në pikërisht këtë urë të kalimit të rrëfimit tonë në rrëfim global, vetë ne, tanimë ky autor bërë pre e ikjes sonë sa më të shpejtë nga ky “ferr” prej shoqërisë sonë.

Ne, paradoksalisht tani hipur mbi këtë urë, mbi këtë pre, mbi këtë kalim të rrëfimit tonë, kemi edhe mundësinë të akuzojmë po të njëjtin, të njëjtën për të gjitha që përmban ajo. Paradoksalisht e quajmë të prapambetur këtë letërsi, duke harruar shpërblimin e po të njëjtës nga të gjitha letërsitë dhe çmimet globale (përpos Nobel) si e vetmja urë e jona, i vetmi kalim yni, e vetmja sakrificë jona për të shprehur dhe për të bërë të qëndrueshëm narrativin tonë, jo nga ne, ne ishim shumë, ne bëmë shumë (e thonë shembujt më lartë), por nga pranimi i tjetrit/të tjerëve të narrativit tonë.

Exit mobile version