Para pak vitesh, kur komunikova me Mario Sabaton, birin e Ernesto Sabatos, për t’i kërkuar të drejtën e autorit për romanin Mbi heronjtë dhe varret, ai, tejet i entuziazmuar, më thotë: «Oh, sa mirë që vepra letrare e babait do të botohet në shqip. Ishte ëndrra e tij. Sa qe gjallë, në shqip u botua vetëm romani Tuneli»
Dhe ja, më në fund, lexuesi shqiptar do të ketë në dorë romanin më të rëndësishëm të shekullit XX, kështu e kanë cilësuar mjaft figura të shquara botërore të letërsisë dhe artit, dhe, më pas, me siguri, do të vijë në shqip edhe romani i tretë dhe i fundit i Sabatos, Abadoni, engjëlli i skëterrës.
Përkthimin e romanit Mbi heronjtë dhe varret, sado i vështirë që ishte, e kam pasur një detyrim, jo vetëm për origjinën shqiptare të autorit, por edhe për përjetimet e mia në mjediset e Grand Buenos Airesit, këtij metropoli gjigand, me një mënyrë jetese dhe kulturë, sa latinoamerikane aq edhe europiane, mjedise ku jetojnë dhe veprojnë personazhet e këtij romani. Kam ecur në rrugët ku ecin personazhet e këtij romani, kam shëtitur në parqet ku shëtisin ata, kam pirë kafe në lokalet ku pinë kafe ata…
Kur lexova romanin Mbi heronjtë dhe varret, u binda se për të përkthyer Sabaton (romanet e tij), duhet të kesh jetuar ca vite në Buenos Aires, pasi personazhet e tij flasin kastejanon (spanjishten) që quhet portenjo, e folmja e Grand Buenos Airesit, dhe, për më tepër, gjuhën e rrugës së këtij qyteti gjigand, që është e përzier me italianizma, pasi aty, qysh në shek. XIX u vendosën mijëra e mijëra emigrantë italianë, përfshi edhe prindërit e Sabatos.
Aty nga mesi i dhjetorit të vitit 2000, po ecja përgjatë Avenidës Corrientes, në Buenos Aires, në kërkim të ndonjë bukinisti, për të blerë romanet e Ernesto Sabatos. Dihet se në këto lloj librarish të vjetra mund të gjesh libra interesantë dhe me çmim të arsyeshëm. Hyra në një të tillë dhe po këqyrja librat në rafte. Për çudi, vështrimi im kapi shpinën e disa të ashtuquajturave vepra të Enver Hoxhës: Me Stalinin dhe Rreziku angloamerikan për Shqipërinë. Natyrisht, në spanjisht. Për të shuar kureshtjen pyes pronarin, një burrë i moshuar, se si kishin mbërritur ata libra në dyqanin e tij. Ka 15 apo 20 vjet, më thotë, m’i sollën nja dy persona, ndoshta të ambasadës së Shqipërisë. Kur u thashë se nuk më duheshin, më thanë se nuk do të m’i shisnin, përkundrazi, do të më paguanin për to. Natyrisht, pranova. Më thanë t’i vendosja në vitrinë se donin t’i fotografonin. I fotografuan, më paguan dhe ikën. Pastaj unë i vendosa në raft dhe ja ku janë.
Paradoksi: të gjesh në Argjentinë librat e diktatorit të Shqipërisë të përkthyera në spanjisht, ndërkohë që Ernesto Sabatos, këtij fizikani, dijetari dhe shkrimtari gjigant, i cili mburrej se kishte gjak shqiptar, të mos i kishe dëgjuar as emrin e jo më ta kishe lexuar në shqip. A nuk është për të vënë duart në kokë?!
Vetëm barbaria komuniste mund të bënte gjëma të tilla që, gjatë gjysmë shekulli, të ndalonte autorë të tillë dhe, aq më tepër, libra të tillë, ku lexuesi shqiptar do të gjente fragmente me lëvdata dhe hyjnizime për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë komunizmit ai jo vetëm nuk u ftua, por nuk mund të pranohej të vinte në Shqipëri. Diktatori Enver Hoxha nuk i donte personalitete të tillë. Ata i prishnin punë.
Por, më në fund, në qershor 1996, Sabato, vjen në Shqipërinë e ëndërruar. Iniciatore për ftesën dhe pritjen e shkrimtarit Sabato, në vendin aq të ëndërruar prej tij, ishte shkrimtarja dhe përkthyesja jonë Mira Meksi, e cila ka edhe meritën se qe e para që e solli atë nga origjinali në shqip, me përkthimin e romanit e tij të parë, Tuneli.
Ja ç’thotë pasi bëri këtë vizitë të shumëpritur:
«Jam kthyer nga Shqipëria, ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.
Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé, që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.
Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.»
Në një intervistë, botuar në një revistë në Kalabri, para shumë vjetësh, Sábatoja thotë:
«Jam tepër krenar për çfarë unë kam prej shqiptari. Gjithmonë më është dukur e habitshme që një bir italiani, si unë, të ketë të tillë vetëdije për vdekjen».
Tek «Engjëlli i skëterrës» (Abaddón, el exterminador), romani i tretë i tij, Sábatoja tregon se, kur ai vetë ndodhej në Paris, kërkonte një gramatikë të shqipes. Shpesh për të përligjur temperamentin e vet, Sábatoja përmend fjalët e Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) për popullin shqiptar:
«Energji mbinjerëzore dhe prirje për vetëvrasje. Duket gjë e papajtueshme? Sipas meje, kjo është karakteristikë race».
Në kujtimet e Ernesto Sabatos përmendet edhe Ernesto Toçi, stërgjyshja e të cilit ishte kushërira e parë e gjyshes nga nëna e Ernesto Sábatos. Toçi, si një nga mbrojtësit më të mirë të rrënjëve kulturore të komunitetit shqiptar, për të treguar forcën shpirtërore të atij populli vital, tregon historinë tejet emocionuese të një profesori shqiptar të lindur në Kalabri, fëmijët e të cilit flisnin shumë mirë shqip, italisht, anglisht dhe frëngjisht. Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë (shekullit XX) ky profesor jetonte në Paris ku jepte kurse të gjuhës dhe letërsisë italiane. Një mbrëmje, kur u kthye nga universiteti, dëgjoi që bijtë e tij bisedonin frëngjisht me njëri-tjetrin. Atëherë, mblodhi familjen dhe duke treguar derën e shtëpisë tha:
«Kjo derë mbyllet jo vetëm për të mos hyrë qentë dhe furtunat, por edhe për të mos dalë prej këtej ajo çka na përket vetëm neve. Nën këtë çati do të flitet vetëm gjuha jonë shqipe. Kurrë mos harroni se jemi shqiptarë».
Këto ndjenja dhe kujtime të Ernesto Sabatos për kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe qenë edhe një arsye më shumë për ta bërë Sabaton tonë të flasë shqip.
Romanin Abadoni, engjëlli i skëterrës e përktheu Erioni, im bir, i cili e njeh shumë më mirë se unë të folmen portenjo, pasi kaloi adoleshencën atje. Edhe romani Mbi heronjtë dhe varret, nëse doli një përkthim i mirë, është merita e Erionit që e redaktoi dhe korrigjoi mjaft gabime.