Kreu Letërsi Bibliotekë “Aura”, tregime nga Esmeralda Shpata

“Aura”, tregime nga Esmeralda Shpata

AURA

Në atë llohë dëbore mendimet më trazonin, sikur dridheshin në një fushë të bardhë, të paanë. Qerpikët më rëndonin nga një ngricë e lehtë që më së shumti vinte nga brenda sesa nga jashtë.

Doja ta nxirrja një cigare nga kutia metalike, ajo ka një mbishkrimin të çuditshëm që nuk e kam deshifruar dot, por natyra nuk donte ta prishte ngricën qoftë dhe me një flakë shkrepseje.

Ndejta gjatë afër drurëve që nuk po mund t’ua përcaktoja  llojin ashtu si i kishte zhveshur dimri.  Lloha e lehtë me qiellin e zbrazur nga çfarëdolloj rrezeje, ajri i ftohtë me drurët e zhveshur nga të gjitha petkat dhe përfytyrimet e mia të vjetra, të ikura bashkë me të, po më pëlqenin.

Kishte kaluar gati një vit dhe  nuk i dihej si kisha mbijetuar për të mbërritur në këtë palcë dimri, për të parë këtë pamje që më së shumti më ka mbledhur në një qark të brendshëm për t’më treguar sa i dobët jam.

Po prisni një histori me gra, një histori të dhimbshme dashurie, ku tradhtia, ndarja e vdekja ma kanë mpikur zemrën e ma kanë dimëruar trupin. Asnjëra nga këto të lartpërmendurat s’është, nuk ka si të jetë. Sado tragjike të jetë ajo lloj humbje, sado e thellë të jetë  humnera ku të ka hedhur, njeriu e ka gjetur shpikjen; vë plloça të mëdhenj mbi plagë, ngre shkallare që të kalojë në majë të gishtave dhe ikën disi. S’harron të hajë, nis të pijë ndonjë gotë për ta platitur sadopak dhimbjen dhe u kacavirret me thonj ditëve.

Halli im  qe ndryshe. Kishte një  vit që e kisha  minuar zemrën.

Aura quhej.

E pashë një vit më parë, në mes të kësaj toke e këtyre pemëve, në mes të kësaj zbrazëtie të lagësht e me temperatura nën zero.  

Kishte veshur një pallto të rëndë të dalë mode, çizme me qepje  të trashë anash, kishte lidhur një shall të thurur me dorë, dukej si një masë  e madhe leckash mbi borë, sikur e kishte lëshuar nga asgjëja një re e kolme gri. 

Iu afrova për t’i dhënë ndihmë në mes të atij acari, por u shtanga.

Një grua surreale nxjerr veten nga dengu i rrobave, me një daltë të vogël në dorë erdhi drejt meje, më pa thellë në sy, hyri brenda trurit  tim dhe rrëmoi  për të gjetur nuk di çfarë.  M’i shkallmoi neuronet, ua hoqi atë bigorr që kishin zënë, i shkundi fort, aq sa u ra poshtë çdo grimcë a pluhur që përbënte një kuptim. U ul këmbëkryq në hipofizë dhe me dorë kontrolloi  e hoqi ato tumore që kishin mbirë si kërpudha në atë gjendër të vogël. I shtrydhi ndër duar sa asgjë e frikshme s’mbeti prej tyre.

Si i kontrolloi të gjitha shqisat, rregulloi, lau e pastroi çdo gjë, imthi e thërrimthi, vuri veshin e po dëgjonte atë gurgullimë të paqtë të venave, që pa alegori e shpinin gjakun te zemra si ujin në një mulli bloje. Së fundimi, hetoi së brendshmi  çdo gjë me sy dhe vuri buzën në gaz.

O Zot, ç›punë të hollë kishte bërë!

Vuaj!  Që nga ajo ditë që e takova Aurën time, ndiej praninë jashtëndijore të një dimri, gruaje të veshur keq apo një fati që nuk di pse më ka zgjedhur.

GAJA

Nuk dua të takoj asnjërin. Kini mirësinë të mos më dilni para, se përndryshe; do t’ju jap dorën dhe do t’ju pyes për shëndetin, punët e jetën në përgjithësi.

Gruaja që më përshëndeti ishte Gaja. As nuk e mendoi ç›po kuturiste kjo mendja ime, m’u afrua dhe me një buzëqeshje në dukje të çiltër, filloi të më pyeste për shëndetin, punët e jetën në përgjithësi. Për të ma lëshuar dorën m’u desh një copë herë përpëlitje mes pëllëmbës së saj, ca djersë të imta mes gishtave dhe së fundmi një dorëzim e lëshim muskujsh.

As nuk e vrau mendjen ç›po më ndodhte dhe si me fuqi të marra nga pëllëmba ime hapi gojën  dhe me një ton të prerë më tha:

“E di unë si të rregulloj ty, më kanë dëgjuar veshët plot çudira këto kohë, por kjo është tjetër gjë.”

Me një të qeshur ironike në buzë belbëzova pa pikë turpi:

“Si?”

“Ruaj shëndetin, kujdesu për veten dhe prit.”

Me kaq fjalë, u largua duke më lënë si statujë mes rrugës. Ika dhe unë duke u ia mbathur me tërsëllëmë nga skena e rastit se kushedi ç›dorë tjetër më zgjatej dhe në ç›favore më futte.

Ditët fironin dhe unë s’pata ndonjë qëllim konkret ta takoja atë fatën time, por, ikja nga ikja dhe këmbët po atje më çonin, atje  ku kisha ndier një farë trazimi. Nuk doja ta jepja veten dhe sapo i afrohesha vendit ku u takova me të shikoja egër dhe me inat. A thua do t’i vija pikat mbi i me ato reagime naive.

Gaja ishte egoja ime. Unë jam një asgjë pa Gajan, ky mendimi i të qenit pa gjë më buis si një pikël në tru, me ca dridhma si brisk.

Gaja është e paarsyeshme, ka marrë një sharrë dhe një pozicion prerës.

M’i pret mendimet sikur të ishin krahët dhe këmbët e mia. M’i bën masë para syve si një lëndë drusore që s’bën punë për mobilje, e shumta që mund të bësh me të është ta djegësh e të ngrohesh kur të hyn i ftohti në palcë.

Gaja më ka gjymtuar, kështu sakat si jam më flet për punët që s’i ndreq dot, shëndetin që po më lëshon çdo ditë dhe për jetën. Qëllimi i saj ka qenë gjithmonë  të ma kalojë dhe unë të mos ndiej shije për asgjë.

Për të më torturuar më puth dhe gudulis gjithë trupin. Unë  jam cung, nuk ia kthej dot, nuk kam as duar ta përkëdhel, as këmbë që t’i zhdukem nga sytë.

NË QETËSI ME JURËN

Jura u martua.  Shumë syresh u çuditën, por beqare ta harrojnë, nuk e kthejnë dot më. Si çdo nuseje  të re i hipi një nur i cili nuk zgjat vetëm një muaj, po ta shohësh dhe tani e ruan një sjellje të hollë në fytyrë, nga ato që e kanë të vetën gratë e sapomartuara. Megjithëse çfarë po flas kot, mendoj se ajo dhe për të gjitha kohët që do të vijnë do ta ruaj atë shkëlqim që vjen nga zbulimet dhe gjërat e ndryshme që të sjell jeta. 

Jura mbeti e ve ca ditë pas dasme, sesi i hyri vdekja në krevat dhe ia mori të shoqin aq shpejt nuk e di. Asnjë parandjenjë nuk pati, ndodh ndonjëherë që leh qeni duke qarë dhe të zotët e shtëpisë tremben  për vdekjen që u vjen rrotull, por jo. Qeni i tyre qeshte, sapo shihte çiftin e ri u afrohej te këmbët, tundte bishtin dhe i ndritnin sytë e kuq.  Dhe shtrati bashkëshortor nuk dha asnjë erëmim të çuditshëm për çiftin, aty nënkresat dhe rrobat e linjta të gjumit gëzonin sikur të ishin me flatra. As ndonjë zog nuk iu përplas te xhamat e dritares së madhe dhe të binte i ngordhur në parvaz, asgjë nga këto, asgjë.

Nuk di ç›t›ju them jo, Jura  ishte vajzë e rritur mirë, njohje për martesën e për burrin nuk kishte, por me pak intuitë dhe me përkujdesje nga edukimi i së ëmës ia doli ato pak ditë ta bënte të lumtur martesën e saj.

Një ditë të diele, pa gdhirë mirë, kur drita sapo kishte filluar ta plasaritte errësirën Junës i kaloi një e dridhur kur kujtoi ç›kishte ndodhur, si pati fjetur vetëm në atë gropë të madhe, ashtu i dukej shtrati bashkëshortor tani që i shoqi kishte ikur përgjithmonë. Mendime të tmerrshme i kërcenin në krevat, herë shtriheshin njëri mbi tjetrin, herë qëndronin mbi kokën dhe gjoksin e Jurës.

Nuk duhet të vdesësh nga dëshpërimi, nuk duhet. E ulur në gjunjë vështroi për së fundmi atë shtrat të përmortshëm. Atë, fatin e saj vetjak dhe… Një kambanë e vogël i vezulloi në mendje. Sytë e saj ndritën. U bë gati dhe u nis për rrugë.

       Ajo grua shet shpirtin për t’i hedhur një grusht të ftohtë fytyrës, për ta gjetur dhe një herë atë freski të harruar diku në fusha, larg njerëzve.

E pashë të ulur mbi një valixhe të drunjtë, me dy-tre fustane të linjta brenda dhe me një bllok shënimesh me disa faqe të shkruara.

Treni mbërriti, zgjaten drejt saj disa duar njëherësh ajo me një të kërcyer të shpejtë hipën në vagonin e klasit të parë. Afrohet te dritarja dhe me sjellje tepër elegante bën avuj për ta fshirë atë pamje nga sytë.

Mendoi se shpëtoi nga duhma e nxehtë e rrugës dhe syve të panjohur, por jo, mirazhi i tij  i ishte ngulur në tru dhe po e shoqëronte në udhëtim të gjatë. Një njollë e mavijosur në të zezë i kishte mbetur rrëzë qafës, askush nuk e shihte ç›emocione të fshehta ruante ai shall i lidhur me një fjongo të lehtë në anën e majtë.

Kujtimi i tij me sytë e mbyllur njëherë e mirë, nuk guxoi ta mendonte me sytë e hapur, e përndiqte dhe i qëndronte mes dy lotëve që nuk e shkëpusnin pikën e të rridhnin faqeve.

“Mos ik të lutem, -tha ajo, – si ike?!  Nuk  kam asnjë forcë të të kthej veç dashurisë sime, rri, rri me mua të lutem!”

Është koha për të ikur, të gjithë ikin, dhe ditët, të gjitha kthehen në një masë të madhe kujtimesh që nuk i nxë dot një kokë.

Jura sapo zbriti në një vend e kohë tjetër ndjeu një amzë të fort toke, iu dorëzua shijes së re dhe nuk  e kuptoi si u gjet e vetme mes pemësh dhe zogjsh që e shihnin të çuditur. Një burrë që i ngjante shumë të ndjerit e priste krahëhapur duke luajtur me një qen që i përkëdhelej te këmbët. Të dy sapo e vunë re Jurën s’u hiqej e s’u hiqej e qeshura nga fytyra.

“Erdhe, -i tha, -unë e dija se ti do ta gjeje rrugën, nuk jam aq i mirë sa mund të mos shpresoja, të dorëzohesha e të ikja pa ty. Eja!”

Burri duke kapërdirë spërkën e lumturisë në stomak, shtriu duart drejt Jurës dhe hyri në qetësinë e përjetshme.

NE TË TJERËT

Nata mbuloi qytetin. Gruaja vazhdoi të ecte pa e prishur fare terezinë. Këmbët e çuan në pjesën më të paqme të atij vendi me një arkitekturë të përsosur.  Gjeti me një orientim të qartë anën  veriore të sheshit dhe u drejtua për atje me hapa të lehtë dhe  të sigurt. Kishte pak ftohtë nga duart, por me një lëvizje të beftë gëzimi e harroi fare të ftohtin.

Burri  që i qe shfaqur ndryshe mes mijëra të tjerëve, sot i kishte shprehur ndjenjat e tij. Zemra po i ngrihej peshë, ndaj zgjodhi atë vend.

Ajri që i vinte nga pemët aty pranë ia mbushte mushkëritë tejpërtej. Me një logjikë të thjeshtë sot kishte për çfarë të gëzonte. Historia që kishte ëndërruar prej kohësh sapo kishte nisur. Sa shumë raste kishte refuzuar, sa shumë mundësive të tjera nuk u dha asnjë shans për ta kapërcyer pragun e njohjes. Sa shumë djem e burra në atë qytet nuk do ta kenë kurrë mundësinë të jenë pjesë e jetës së saj. Sa shumë të tjerë që s’kanë pasur fatin ta njohin s’do të munden kurrë të japin një mendim seç grua e mirë u ka rrëshkitur nga sytë në këtë jetë. Sa lumturi!

Me këto mendime në kokë, në atë shesh të mbushur me njerëz të panjohur,  për herë të parë u tremb për dashurinë e saj.  Për herë të parë më pa në sy mua që kisha qenë gjithmonë i pranishëm.

Isha përfshirë shumë në jetën e tyre. Aq shumë sa nuk e di në do t’më mbetet ndonjëherë ndonjë copëz e mendjes jashtë.

Nuk e di ku e gjeja guximin të gjendesha mes bisedave, mes vështrimeve, në prekje dhe në kuptimet e fshehta që merrte çdo gjest gati i padukshëm. 

Kam bindjen se ata e dinë  që unë e di të gjithën. Pëshpërisin fjalë të ngrohta me njëri-tjetrin, më shumë e bëjnë  për t’i dëgjuar unë. Me siguri duan  të më kapin pulsin, këtë e bëjnë  për të testuar dhe veten nëpërmjet rrahjeve të mia. Unë jam pak emocional, mbaj shqetësimet e të gjithëve ne, ndaj nuk është i rehatshëm këndi nga ku shoh. Tekembramja le të vuajmë, se mos na detyroi njeri të bëhemi  pjesë e një lidhjeje të tillë.  Ata janë  të pakënaqur me praninë time, më fshehin  mua dhe të dridhurat kur u afrohet dikush.  Mua më rrëshqet frika në mes të këmbëve, mirë që e humbas mendjen me debatet që ndodhin  mes tyre, sepse po të qe ndryshe nuk do të mundem  dot kurrë të tregoj çfarë pashë.

Pashë një grua që pa asnjë lloj mëdyshje iu ankua fatit dhe më gjuajti drejt e në zemër. Pashë një burrë që për lumturinë e tij  nuk ngurroi të më fshinte nga faqja e dheut. Pashë dhe një shpellë mu në mes të gjoksit tim që më përpiu dhe më nxori nga nata, çifti i ri dhe qyteti.

Exit mobile version