Kreu Letërsi Shënime mbi libra Romani i fundit i Gabriel García Márquez-it, është një dëshmi prekëse e...

Romani i fundit i Gabriel García Márquez-it, është një dëshmi prekëse e gjenisë së tij

Gabriel Garcia Ochoa

Përktheu: David Hudhri

Gabriel García Márquez (1927-2014), njohur ndryshe si “Gabo”, e nisi karrierën e tij si gazetar, por famën e mori prej romaneve dhe tregimeve të shkurtra të cilat i dhanë Çmimin Nobel për letërsi në vitin 1982.

Midis shkrimtarit peruan, Mario Vargas Llosa, dhe atij meksikan, Carlos Fuentes, ai ishte anëtari më i njohur i triumviratit që nisi bumin në letërsinë amerikano-latine në fund të viteve ’60. Marquez popullarizoi stilin që u bë i njohur si “realizmi magjik”, duke ndikuar te shkrimtarët e mëvonshëm si Isabel Allende dhe Salman Rushdie.

Romani i tij, “Njëqind vjet vetmi”, ka shitur mbi 30 milionë kopje dhe është përkthyer në 37 gjuhë. Ai është një prej shkrimtarëve më të përkthyer në botë të gjuhës spanjolle, së bashku me Allende-n, Jorge Luis Borges-in, dhe autorin e Don Kishotit, Miguel de Cervantes.

Lajmet për romanin e pabotuar të Márquez-it kanë bërë bujë për gati një vit. Romanet e botuara pas vdekjes mund të shkaktojnë polemika. Zakonisht futen në katër kategori.

Disa janë të papërfunduara ose të paplota. Ato janë ose vepra fragmentare, si për shembull “The Original of Laura”, e Vladimir Nabokov-it, ose vepra të rëndësishme të cilat nuk janë rishikuar plotësisht siç do autori. Disa shembuj të famshëm të romaneve të papërfunduara e të botuara pas vdekjes së autorit, janë veprat e Franz Kafka-s, “Amerika”, “Procesi”, dhe “Kështjella”.

Disa janë pjesërisht të përfunduara. Në këtë rast, kemi pjesë të cilat janë rishikuar krejtësisht nga autori, sipas pëlqimit të tij ose të saj, por që drafti nuk është i plotë. Romani i fundit i Charles Dickens-it, “Misteri i Edvin Drudit”, bie në këtë kategori. Kur Dickens ndërroi jetë në vitin 1870, kishte përfunduar dhe rishikuar plotësisht gjashtë nga dymbëdhjetë kapituj.

Ka raste që librat e botuar pas vdekjes së autorit janë të përfunduar dhe të rishikuar. Në vitin 1914, E. M. Forster shkroi romanin “Maurice”, i cili flet për dashurinë homoseksuale. Ai e rishikoi, por vendosi të mos e botonte. Kishte frikë nga pasojat ligjore prej qëndrimeve kundrejt homoseksualitetit gjatë asaj kohë. Romani u botua në vitin 1971, një vit pas vdekjes së tij.

Pastaj kemi romanet e përfunduara, por të parishikuara. Drafti i plotë ekziston, por dimë se duhej një rishikim i mëtejshëm prej autorit. Për shembull, vepra “The Silmarillion” e J. R. R. Tolkien-it, u shkrua pas romanit “Hobit”, por fillimisht u refuzua. Kjo bëri që Tolkien të shkruante trilogjinë e “Kryezotit të unazave”. Si përfundim, “The Silmarillion” u rishikua, u redaktua dhe u botua prej djalit të Tolkien-it, Christopher Tolkien, katër vite pas vdekjes së babait të tij.

Romani “Shihemi në gusht” i Márquez-it bie në këtë kategori të fundit. Është një vepër e përfunduar, por që Márquez nuk arriti ta rishikonte. Romani u redaktua prej Cristóbal Pera-s, i cili redaktoi gjithashtu librin me kujtime të Márquez-it, “Jeto për ta treguar”. Versioni i botuar bazohet në draftin e pestë dhe të fundit të Márquez-it, duke përfshirë disa fragmente prej drafteve të mëparshme.

Është e rëndësishme që ta kemi parasysh këtë teksa lexojmë romanin, së bashku me arsyet se përse nuk u rishikua plotësisht.

Thashetheme letrare

Thashethemet për ekzistencën e një romani të pabotuar nga Márquez janë dëgjuar që prej marsit të vitit 1999, kur autori lexoi një kapitull të romanit “Shihemi në gusht” në qendrën kulturore Casa América në Madrid, gjatë forumit të atij viti për Shoqatën Spanjolle të Shkrimtarëve dhe Botuesve. Tre ditë më pas, gazeta spanjolle El País botoi kapitullin, i cili më pas u përkthye në anglisht për revistën The New Yorker.

Në vitin 2003, u zbulua një tjetër fragment i këtij romani. U botua si tregim i shkurtër në revistën kolumbiane Cambio (e cila zotërohej nga Márquez-i), me titullin “Mbrëmja e eklipsit”.

Pas kësaj, heshtje. Për një kohë të gjatë, u duk se këto thashetheme ishin veçse të tilla, deri në gushtin e vitit 2023, kur botuesi Penguin Random House konfirmoi ekzistencën e këtij romani dhe datën e botimit të tij në vitin 2024, dhjetë vjetori i vdekjes së Márquez-it. Data e botimit është dyfish e rëndësishme: në spanjisht, libri u botua në 6 mars, për ditëlindjen e tij.

Márquez ishte perfeksionist. Ai i rishikonte romanet e tij me përpikëri, i rishkruante vazhdimisht. Kryevepra e tij e padiskutueshme, “Vjeshta e patriarkut”, deshi 17 vite të përfundohej.

Prandaj fëmijët e tij, Rodrigo dhe Gonzalo García Barcha, tashmë në zotërim të trashëgimisë letrare të babait të tyre, fillimisht nuk deshën ta botonin “Shihemi në gusht”. Në parathënien e romanit, ata ndajnë mendimin e babait të tyre për këtë roman: “Ky libër nuk bën. Duhet shkatërruar”.

Megjithatë, siç vëllezërit vënë në dukje, “Shihemi në gusht” ishte “përpjekja e fundit e babait të tyre për të vazhduar krijimtarinë”. Në vitin 1999, Márquez u diagnostifikua me kancer limfatik, dhe pas pak vitesh, në 2002-shin, me demencë. Përkeqësimi i shëndetit, i ndikoi tek e shkruara. Romani “Shihemi në gusht” u shkrua gjatë kësaj periudhe.

Ky “roman” është më shumë një novelë, diku te 100 faqe i gjatë, i ndarë në gjashtë kapituj të cilët organizohen rreth personazhit kryesor, Ana Magdalena Bach. Ana Magdalena është 46 vjeç. Emri i është vënë pas gruas së dytë të Johann Sebastian Bach-ut dhe, ashtu si adashi i saj, edhe kjo është martuar me një muzikant. Domenico Amarís, bashkëshorti i saj prej 27 vitesh, është drejtori i shkollës së muzikës.

Nëna e Ana Magdalena-s ndërroi jetë tetë vite përpara. Dëshira e saj e fundit ishte të varrosej në një ishull të Karaibeve. Çdo vit në datën 16 gusht, në përvjetorin e vdekjes së mamasë së saj, Ana Magdalena niset për një udhëtim njëditor, për të çuar lule te varri i saj.

Në udhëtimin e tetë për në ishull, Ana Magdalena takohet me një burrë dhe bën seks me të. Në këtë pikë, është tunduese të mendosh se libri do të flasë për marrëdhënien e Magdalena-s me këtë burrë, për gjetjen e dashurisë së vërtetë, për dëshirën e zjarrtë përgjatë vitit për ta takuar atë në gusht. Por nuk është kjo tematika.

Pas këtij takimi të parë, Ana Magdalena vë synim që çdo vit të gjejë një burrë tjetër me të cilin të kalojë natën në 16 gusht.

Megjithatë, libri nuk flet as për lirinë e saj seksuale. Na bëhet e qartë se pas gati tre dekadash bashkë, Ana Magdalena dhe bashkëshorti i saj gëzojnë ende një martesë të shëndetshme, si dhe një jetë seksuale të nxehtë që përfshin çdo lloj aventure erotike, të cilat i bëjnë çiftet më të reja në moshë.

Anonimiteti i ishullit nxit elemente të tjera të identitetit të Ana Magdalena-s që të dalin në pah dhe ta ndryshojnë atë në lloj-lloj mënyrash. Përvojat e saj seksuale janë të larmishme. Njëri nga takimet është me një burrë i cili supozon se ajo është prostitutë, dhe në kopjen e saj të librit “Drakula” të Bram Stoker-it, ai i lë njëzet dollarë, duke e zemëruar.

Çuditërisht, asnjëri prej burrave me të cilët Ana Magdalena fle, nuk ka emër. Ata janë anonim, duke e bërë Ana Magdalena-n protagonisten e vetme të këtyre takimeve.

Të shkruash mes vështirësive

“Shihemi në gusht” shkëlqen nga gjenia e Márquez-it. E shkruara është magjepsëse, subjekti është tejet kreativ. Personazhet janë të ndërlikuar, kontradiktor dhe tërheqës.

Nuk është një roman i realizmit magjik, ndaj mos prisni diçka të tillë. Megjithatë është një libër që të rrëmben dhe një dëshmi e sfidave që Márquez po luftonte për t’i kapërcyer, teksa e shkruante. Librat nuk ekzistojnë në vakum, por janë produkt i rrethanave në të cilat shkruhen. Si rrjedhojë, “Shihemi në gusht” nuk është vepra më e mirë e Márquez-it. Subjekti ka disa kontradikta të vogla, përsëritje të panevojshme dhe një mungesë qartësie në ca paragrafë. Fundi i romanit është i papritur.

E megjithatë është një libër i mrekullueshëm, veçanërisht kur marrim parasysh se në mënyrë metaforike, Márquez e shkroi me një dorë të lidhur pas shpine.

Në leksionin e saj për Nobelin të titulluar “Të shkruarit dhe të qenit”, autorja afrikano-jugore, Nadine Gordimer, përmend përkushtimin politik të Márquez-it ndaj të shkruarës. Ajo përmbledh këndvështrimet e tij në një fjali: “Detyra e shkrimtarit, ose detyra e tij revolucionare, është të shkruajë mirë”.

Përballë betejës, shkrimtari shkruan. Edhe Márquez, përballë sëmundjes, shkroi. “Shihemi në gusht” është fryti i kësaj pune përballë vështirësisë, një dëshmi prekëse e dashurisë dhe e përkushtimit të Márquez-it ndaj letërsisë.

Exit mobile version