Atë Pjetër Meshkalla, emri i të cilit është skalitur në shtegun ku kalojnë tërë guximtarët shqiptarë, ishte një poet i mrekullueshëm, me një thellësi domethënëse ku arrihet nëpërmjet një përvoje estetike, filozofike e panteiste krejt të veçantë. Prandaj, për të drejtuar lexuesin në këto hapësira që bashkë me kënaqësinë e leximi nxisin edhe procesin e mendimit, përzgjodha këto pesë poezi, si një derë e sigurt para se të gjindesh në universin e brishtësisë emocionale të një njeriu aq të fortë sa Meshkalla, emër tanimë edhe i lidhur, prej tre dekadash, me shkollën jezuite në Shkodër.
(A.D)
Kanga e Aristotelit
Në mes dy skajeve ekstreme,
materje pa formë, pa akt,
dhe Ent Suprem, akt i pastër infinit,
qëndron Natyra.
Krejt një botë në lëvizje,
krejt një shkallë hjerarkike,
ku qenia e ulët pushon
në gji të qenjes ma të naltë.
Asht parimi i shkakut jashtë – veprues,
që të çon te shkaku i Parë,
universal, etern, i pashkaktuem,
te qëllimi i sendeve,
te forma e botës,
te principi i jetës së saj,
te shuma e proçeseve jetike të saja,
te kushti inherent i rritjes së saj,
te arritja e përsosmënisë naturale
që i jep gjallëni Gjithësisë
dhe zgjon tërheqjen e mbrendësis së Natyrës,
kah ajo Mendje,
“Mendim i mendimit”,
mendim etern – infinit!
Natyra ndien thellësisht
këtë tërheqje nga Aj,
bota asht krejt e përshkueme
prej dishirit ndaj Perëndisë,
si dashnorja për dashnorin e vet.
Çdo gja në natyrë ka diçka hyjnore,
kjo asht forma e sendeve
që burimin tek Aj e ka
dhe tek Aj priret…
Kanga e Isaisë
Zgjohu, zgjohu ti, o fisi i Jakobit,
harpën tande ban sot që të tingëllojë,
ngrehnju të gjitha, o ju bija të Sionit,
kanga juej deri në qiell le të ushtojë!
Nga një Virgjin e trollit të Davidit,
një Fëmi do t’u lindka në këtë dhe,
emni i tij: “Engjull këshilli e misteri”,
emni i tij: “Perëndia me ne!”
I përfoluni, i pritun ndër shekuj, që po vjen,
si ma i miri ndër bijë,
ka mbi supet fuqinë e sundimin,
drejtësia edhe paqa i kanë prijë.
Rrufe s’ka, s’asht i rrebtë si duhia,
por a’ i kandshëm si vesa në agime,
urdhni i tij: sillni shpatat në parmenda,
ktheni shtizat për kosa, në punime!
Nën gjurmë të tij burojnë ujnat në shkretina,
me freski, me lulëzim shpërthen jeta,
ky asht Bariu, kullotë delet në bar të njomë,
të vogël kingjin e mba ndër duer të veta.
Nga njaj Fëmi paska dritën i verbti,
ndigjon shurdhi, po flitka memeci,
si kaprolli sakati vrapueka,
që deri dje me tërfurça veç eci!
Mali i shenjtë, përmbi malet ma të naltat,
ngrehu sot!
Qe vegoi drita jote, vegoi rrezja mbi bijtë e premtimit:
eni të ecim në këtë dritë gazmendplote!
Ti Lajmëtar, që bje “Lajmin e Mirë”,
Lësho pa frikë me fuqi zanin tand,
thuej: “Një Bir Shpëtimtar na kje dhanë”
dhe jehona të marrë dhenë anëkand!
Popujt mbarë vrapojnë e thërrasin:
të vemi “Malit të Shenjtë së bashku përpjetë,
të ecim, të ecim në shkëlqimin prarues,
neve sot na dha Lajmin e Mirë fletë!”
Mos t’i ndahemi dritës, të vrapojmë,
qe, po çfaqet e Zotit lavdia,
rruga e tij asht mëshira e shërimi,
ligji i ri: vllazënimi e dashnia.
Jeta
Q’atë ditë që ti na u linde,
me ty u lind vdekja, o djalë,
e jeta u shkep
prej teje kinde – kinde
porsi shkrep
që deti gërryer me valë
pa u ndalë…
U gëzove
në puhinë e prandverës,
mbas erës
kërkove
n’për hije gjelbërore,
këngësore,
dhe u ule
me zogj e me lule,
plot shend
me ngrehun kuvend,
dhe i pëvetë:
“sa gëzohet në këtë jetë?”
Një lule po të vyshket përbri…
po çelet një tjetër në njomësi…
një tjetër porsa veç ka mbijë…
Zogjët në çerdhe kah jeta cicërojnë,
pa pupla shtrijnë qafën, t’u kojë
shujtë nana, në sa puplat këtë e lëshojnë.
Hapat shpejton, nuk rri udhëtari,
shpejton dorën
për të mbledhun nëpër shteg
tufa visari,
për të pamartë kunorën,
pse në atë breg,
që synë ia ka tërhjekë,
ku do me prekë,
e di, se e vërtetë jeta e pret,
se vdekja ma s’e vret:
as rininë, as pasuninë,
tenja as ndryshku
ma s’ e grijnë!
Harroj
Porsi e Drinit binjake rrjedh vala,
herë e turbullt, rrëmbyese, e kaluesit
i kërcënohet me ushtimë, e s’njeh fala
kah me gjire përpijse e rrethon.
Hera këthiellët, e kandshëm vështuesit
i pëshpëritë, tue lëmue bregun, si të thotë:
“Tash kalo në pasqyrë time… pse kote?”
njashtu jeta, tue ndrumun, kalon.
Por njeriu, kur të zezë morden tue u hjedhun,
nëpër shkumbë heton ngjatas, i mjeri
të mbramen frymë, me duer nalt, di me mbledhun
ndihmë nga Qielli kërkon, me premtim…
Këthiellët uji… tue kënduemun kësiheri
po kalueka, shpërvjelë, nëpër va…
balli i qeshka, rrezikun s’dro ma…
harroi Zotin, që thirri në ngushtim!
Jetë e re
shpirti asht mbushun me dëshirë,
më ndriti mendjen e vërteta,
vuejtjet më duken gurrë me hire.
Lindi Krishti në zemrën time,
më pruni pagje e dashuni,
më veshi forcë e ngushëllime,
zhduku errësinë e burgut të zi.
Unë dikur me mburrje shkojshe
për pusina, kurtha e leqe,
krime në terr unë farkëtojshe,
hodha vrapin për rrugë të keqe…
Epshi e faji janë veriga
që tue të lëmue, të skllavërojnë,
shpirti s’ka qetësi në punë të liga
që veç rrathët më fort shtërngojnë.
Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pre,
u thyen prangat, këthej liria,
shtegu u hap për jetë të re!
Shën Injacit
Grigjë shenjte, fatlume
e Krishtit, qëndro,
asht dora hyjnore
që të ruen, s’ke pse dro.
E ferrit kur mënia
mbi ty randë gjëmoi,
Lojolën Jezusi
për ndihmë t’a dërgoi.
Të kjoftë lumënia,
të kjoftë lumënia,
o Zot, ma e nalta,
o Zot, ma e nalta!
Në ballë emnin e Jezus
njaj të zgjedhnes ushtri,
Injaci tue i primun,
i sjellë fesë lavdi.
Me vuejtje e fitore,
si Krishti në Kalvarë,
ushtria e fatosit
ka dyndë botën mbarë!
Të kjoftë lumënia,
të kjoftë lumënia,
o Zot, ma e nalta,
o Zot, ma e nalta!
Rrëmbime…
Sa të kënaqë vetmia
e një bote në qetësi,
të rrëmben shoqënia
e kthiellët e pa mashtri.
Me vjollca e zymyla,
dallëndysha e bylbyla,
nëpër lëndina,
nëpër çetina,
në madhështinë magjepsore
të natyrës virgjinore!
Kroni lehtas shqit
nëpër hijet e pyllit,
gjethi fëshfërit
tue sjellë jonet e fyellit;
tufat blegëruese
dhe oxhaqet tymuese,
bigat e kreshtat,
shkëmbijtë e breshtat,
bashkasi ligjërojnë
në atë gjuhë që ata e kuptojnë.
Në gjire i patrandshëm,
dielli rreh kandshëm,
terrin shëtitë,
hana në dritë.
Hyjet vezullojsa,
zogjët cicërojsa,
shpirtin ngacmojnë
dhe e naltësojnë.
Ju, o lisa mali,
gurra kristali,
në rreze përshkohi,
e njomësohi…
Vala mbas vale,
o det, ku u ndale?
mendja zatetë,
e shpirti tretë…
E shpirti tretë,
me fletë rrëmbimi,
lart, në një tjetër jetë
lart, ke ai ded përfundimi,
ke ma i pari Burim,
pranë Jetës pa fillim!
Këndoj (Shën Mërisë)
Përmbi lila e karajfila,
jesemina e felsigena,
mbi hieshinë e drandofillit,
që s’ia del në lule kurrnjena.
Më ngreh plot andje Lulja e Qiellit,
që më vegoi tek sytë i çila
edhe u vuna për shtegtim.
Shoqe s’kanë në lëndina të blerta,
bimët e njoma lloj – lloj fara,
ke i ndritë vesa prej agimi,
thue se engjujt me duer të mbara,
i kanë veshë me ngjyra am’shimi,
me njom’sinat e përherta,
si ata vetë ndër vëllaj të Tenzot.
Flladi lehtas tue lëmue barin,
tue përkundun landët e zgjueme,
balsam hapë, kënaqësi përtrise,
bashkë me harmoninë e gëzueme
të zogjve, që me kangla grise
nëpër çuba e lisa daren
fluturim prej gembi në gemb.
Gurgulloni përroje, këceni,
tue lodrue për krepa e curre,
e të kulluet si argjandi udhëtoni,
nëpër bare e nëpër shkurre.
Por, ndër fusha teksa të shkoni,
leni atë turr, në kristal që keni,
të pasqyroni çka u rrethon…
Leni atë turr, e më gjegjni, u luta:
në ato pyje prej kah vini,
në atë kupë qielle vezullore,
pse ma ngjatas atje i bini?
A thue patë mbi ndoj terthore,
këso visaresh, që ma e buta
stinë ndër fusha derdhi këtu?…
Ju po heshtni, pse nuk bëzani,
në këtë heshtje diçka më thoni,
se visaret bashkë qëndisni,
se kangë të madhe bashkë këndoni,
për Njatë që Hyji e bani
Zojë Gjithësije pa kund cak.
Folni, folni! Merr pre’ Empirit,
në hapësi të Zotit madhni plote,
mbushë me vizëllime prej djamanti,
në bjeshkë e biga që s’dronë mote,
prej kah u darët, o përroje argjanti,
mje në këto logje të njomë dëshirit,
Kunorë Zojës Natyra i rri!
Lart nga diellat brohoria,
derdhet brigjeve anembanë,
e u përgjigjet fusha e mali,
ke i këndojnë Virgjinës Nanë,
që madhëni e njomësi u falë:
pa njatë dritë që i jep Maria,
s’qesh natyra, vyshket në terr!
Vyshket edhe zemra e shkretë,
porsi bari për nën kosë,
kur i ambli syni i së Lumes,
rrezet mbi krye tim i sosë…
Por kur fëtyra i qeshë së Bekuemes,
ngjallem, e me tokë e me dete,
lavdinë Nanës ia këndoj!
O kujtime!
Sa e përvëloni zemrën time!
Më këputi malli për me ndie
prej organi ‘i melodie…
tretun bote, për kaq mote,
vdekë, e pa venomë *
bjeri fort njatij metali,
që mbi retë e bardha të vijë,
në burgun tim ai za harmonije,
dhe të shprazet si tallazet,
brenda të errtës dhomë!
Bjeri, bjeri,
der’sa të hapet përnjëheri,
njeky varr që më ndryen për së gjalli,
e në Kishë festën vetë ta shpalli,
dhe si ‘i herë në gëzim pranvere,
kangës bashkë të ia thomë!
