Artemisia Gentileschi i ktheu makthet e jetës së saj – shtypjen, padrejtësinë, përdhunimin – në piktura brutale biblike të cilat ishin gjithashtu një kushtrim për gratë e shtypura.
Pse është anashkaluar gjenia e saj?
Nga Jonathan Jones
The Guardian
Dy gra po mbajnë me forcë një burrë në krevat. Njëra shtyn grushtin e saj kundrejt kokës së tij, që të mos e ngrejë dot nga dysheku, ndërsa shoqëruesja e saj i mban torson në vend. Kanë trup të fortë me krahë të fuqishëm, por gjithsesi duhet forca e të dyjave për ta mbajtur pa lëvizur viktimën teksa njëra i pret fytin me një shpatë të ndritshme. Gjaku buron nga gejzerë të kuq të thellë ndërkohë që ajo sharron. Sytë e viktimës janë të hapur. Ai e di saktësisht se çfarë po i ndodh.
Burri që po jep shpirt është Holofernes, një armik i izraelitëve në Testamentin e Vjetër, dhe gruaja e re që po i pret kokën është Judith, vrasësja e caktuar nga hyjnitë. Por në të njëjtën kohë ai është edhe një piktor italian i quajtur Agostino Tassi, ndërsa gruaja me shpatë është Artemisia Gentileschi, e cila e pikturoi. Pra, është një autoportret.
Dy piktura të mëdha, të përlyera me gjak të Judith-it dhe Holofernes-it nga Gentileschi mbijetojnë ende, njëra në Capodimonte në Napoli, tjetra në Uffizi në Firence. Janë thuajse identike përveç disa detajeve të vogla – në Judith-in e Napolit fustani është blu, në Firence i verdhë – sikur ky imazh të ishte një makth që e shihte vazhdimisht, akti final i një tragjedie që luhej pambarimisht në kokën e saj.
“Kjo është unaza që më dhé e këto janë premtimet e tua!” – bërtiti Gentileschi teksa e torturonin në një sallë gjyqi në Romë më 1612. Gishtat ia kishin mbështjellë me litarë të shtrënguar fort. Gjykatësi kishte udhëzuar përdorim të zbutur të sibille,siç quhej kjo torturë, pasi ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Përtej gjykatës qëndronte burri i cili e përdhunoi. Asnjë nuk mendoi ta torturonte atë. Sfiduese, Gentileschi i tha se vidat e gishtit ishin unaza e martesës që ai i premtoj. Vazhdimisht ajo përsëriste se dëshmia e saj për përdhunimin ishte e besueshme: “Është e vërtetë, është e vërtetë, është e vërtetë.”
Gentileschi ishte artistja më e madhe e periudhës baroke dhe një nga ndjekëset më brilante të artistit zjarrvënës Caravaggio, dhe u frymëzua nga piktura e tij tmerruese e Judith-it dhe Holofernes-it. Me fjalë dhe imazhe, ajo luftoi kundër dhunës mashkullore që sundonte botën ku jetonte.
Gentileschi arriti diçka kaq të pangjashme, kaq afër së pamundshmes, sa meriton të jetë një nga artistet më të famshme në botë. Jo vetëm se u bë një artiste e suksesshme në një epokë kur shoqëria dhe akademitë u mbyllën dyert grave. Ajo gjithashtu bëri atë që asnjë grua e Rilindjes apo barokut nuk mundi ta arrinte: ajo komunikoi një vizion të fuqishëm personal. Pikturat e saj janë dukshëm autobiografike. Si Frida Kahlo, Louise Bourgeois apo Tracey Emin, ajo e vendosi jetën e saj në art.
Dhe sa jetë mizorisht e dëmtuar ishte. Në botën e egër të artit në Romën e Caravaggio-s, artistët ishin të pasur, arrogantë dhe mund të bënin çfarë të donin për sa kohë që e kishin mirë me papën. Gentileschi duhet ta ketë takuar disa herë Caravaggio-n kur ka qenë fëmijë: ai ndoshta dhe e ka inkurajuar që të pikturojë. Babai i saj, Orazio, gjithashtu artist i talentuar, ishte mik i ngushtë i Caravaggio-s. Më 1603, Orazio dhe Caravaggio ishin në gjykatë së bashku pasi shkarravitën shpifje për një artist armik në rrugët e Romës. Gjatë dëshmisë, Orazio rastësisht përmendi Caravaggio-n që erdhi në shtëpinë e tij për t’i marrë borxh një palë krahë engjëlli.
Kjo na jep një pamje të këndshme të fëmijërisë së Gentileschi-t: i madhi Caravaggio i cili u vjen në shtëpi për të marrë objekte skene. Lindur më 1593, ajo ishte 10 vjeçe kur kjo ndodhi. Kur ishte 13 vjeçe, katastrofa goditi rrethin e Caravaggio-s. Ai ishte gjithmonë në kufijtë e rrezikut – mbante një shpatë dhe ishte i gatshëm ta përdorte – por më 1606 vrau një burrë i cili kishte miq te gjykata e papatit. U arratis. Orazio dhe e bija nuk do ta shihnin më kurrë frymëzimin e tyre.
Duke qenë vajzë artisti, ishte e vetmja mënyrë që një grua e re mund të shpresonte të mësonte aftësitë e ndërlikuara që duheshin për të pikturuar profesionalisht në epokën baroke. Duket sikur Orazio kishte ambicie për bijën e tij – në fund të fundit, i vuri një emër klasik goditës. Teksa iu zhvilluan aftësitë, ai punësoi një artist të ardhshëm, Agostino Tassi, që t’i jepte mësime. Më pas, më 1612, Orazio e akuzoi Tassi-n se i kishte përdhunuar të bijën, si dhe ia kishte hedhur për një pikturë te studioja e tij.
Gjyqi rezultues zgjati për shtatë muaj dhe tronditi Romën. E bëri të famshme Gentileschi-n – në mënyrën më të keqe të mundshme. Çuditërisht, çdo fjalë e kësaj çështjeje gjyqësore mbijeton në një transkriptim i cili na hap një dritare drejt jetës së artistëve në epokën e Caravaggio-s. Gentileschi na flet nga ky dokument 400-vjeçar me një zë elokuent, të guximshëm dhe bindës. Është shembull i rrallë i një gruaje në epokën paramoderne e cila po mban qëndrim kundër shtypjes që ishte thjesht pjesë e jetës së përditshme.
Tassi hyri me hile në dhomën e saj dhe filloi t’i bënte oferta të padëshiruara për seks, dëshmoi ajo. “Më pas më hodhi në cepin e krevatit, më shtyu me një dorë mbi gjoksin tim dhe vuri një gju mes kofshëve të mia që të më ndalonte t’i mbyllja. Duke më ngritur rrobat, vendosi një dorë me shami në gojën time që të mos bërtisja”.
Ajo iu kundërvu. “I gërvishta fytyrën, – i tha jurisë, – dhe i shkula flokët, dhe para se të më penetronte sërish, ia kapa penisin aq fort sa madje i shkula një copë mish”. Por nuk arriti ta ndalte. Më pas nxitoi për te një sirtar dhe nxori një thikë. “Do të doja të të vrisja me këtë thikë, sepse më ke çnderuar”, – bërtiti ajo. Ai hapi pallton e i tha: “Ja ku jam.” Gentileschi hodhi thikën, por ai e mbrojti veten. “Në të kundërt, – tha ajo, – mund ta kisha vrarë”.
Gjyqi gjithashtu spikati me muaj të tërë marrjesh në pyetje të dëshmitarëve. Miq, qiraxhinj, artistë e të afërm ndërtuan një imazh të shtëpisë së Gentileschi-t. Ajo u portretizua si një adoleshente e cila e kalonte gjithë kohën duke pikturuar, duke dalë rrallë. Nga ana tjetër, përdhunuesi i saj doli si një personazh akoma më i keq nga sa dukej në fillim. Disa dëshmitarë deklaruan se ai kishte vrarë gruan e tij – dhe ai nuk dinte si të mbrohej.
Sidoqoftë, Gentileschi u torturua dhe Tassi u lirua. Pse? Ai ishte i mbrojtur nga papa, sepse arti i tij – tashmë i harruar – ishte i vlerësuar në atë kohë. Të gjithë e dinin se ai ishte horr. “Tassi është i vetmi nga këta artistë i cili nuk më ka zhgënjyer”, – tha Papa Innocent X. Artistë të tjerë pretendojnë të jenë burra të ndershëm, shpjegoi, por e zhgënjenin. Me Tassi-n e pandreqshëm, ai e dinte se ku qëndronte.
Gentileschi, ende adoleshente në përfundim të gjyqit, u turpërua në një kulturë ku nderi ishte gjithçka. Gjithashtu, i ofroi një publicitet monstruoz. Në vitet 1620 ajo ishte artiste e suksesshme e cila po punonte sa më larg Romës të ishte e mundur. Po hakmerrej me të vetmen armë që kishte: penelin. Nuk mund ta shkruante historinë e saj sepse, siç zbuloi në gjyq, ajo ishte pak a shumë analfabete. Mund ta pikturonte ama, dhe të ndryshonte përfundimin – siç tregojnë pikturat e Judith-it dhe Holofernes-it.
Gentileschi, sidoqoftë, sjell një element të historisë biblike të cilën asnjë burrë nuk ka arritur ta mendojë. Në shumicën e pikturave, duke përfshirë prodhimin halucinant të Caravaggio-s, Judith ka një shërbëtore e cila pret të marrë kokën e prerë. Por Gentileschi e bën shërbëtoren një grua të fortë e cila merr pjesë në vrasje. Kjo bën dy gjëra. Shton një realizëm të egër që as Caravaggio nuk e ka menduar – do të duhen dy gra për ta vrarë këtë bishë. Por edhe i jep skenës një nënkuptim revolucionar. “Po sikur, – pyet veten Gentileschi, – gratë të bashkoheshin? A mund t’i kundërvihemi kësaj bote të sunduar nga burrat?”
Në pikturën e saj Susannah and the Elders të vitit 1622 përdor sërish një histori biblike për të dramatizuar se si është të jesh grua në shekullin XVII. Dy të moshuar po përgjojnë një grua të re që po lahet, por Gentileschi e lartëson rrëqethjen duke i bërë burrat t’i ngulin sytë dukshëm, ndërkohë që artistët e tjerë i fshehin larg. Pse i tregon soditësit fare të paturp, pa u përpjekur të fshehin epshin e tyre dhe duke hyrë në hapësirën e Susannah-s?
Është një efekt shqetësues, i cili çuditërisht të kujton persekutimin e saj. Në gjyq doli se Tassi gjithashtu kishte një bashkëpunëtor i cili e ndiqte nga pas. Të dy i vinin rrotull, e bezdisnin, e shihnin, si soditësit që shqetësonin Susannah-n. Trauma e përdhunimit të Gentileschi-t dhe gjyqi që nuk i dha drejtësi përndjekin artin e saj. Sidoqoftë, nuk u shtyp nga vuajtja e saj. Përkundrazi, fuqia e brendshme e pikturave të saj e bëri një nga artistet më të famshme në Europë. Edhe gjykata e largët britanike kishte dëgjuar për të. Në vitin 1638, Charles I e ftoi personalisht në Londër që të punonte për të. Aty Gentileschi pikturoi veprën e saj më origjinale e më të rëndësishme. Në Autoportreti si alegori e pikturës ajo e shfaq veten si personazh muskulor, të fortë, si gratë që mbajnë të shtrirë Holofernes-in. Në vend të shpatës, ajo është armatosur me penel. Shekuj para feminizmit, Gentileschi lëviz përmes hapësirës me rrjedhshmëri të jashtëzakonshme, krijuesja e imazhit të saj, heroinë e jetës së saj.
Përktheu Enxhi Hudhri