Kreu Forumi mbi përkthimin Aristotel Spiro: Përkthimi objektiv dhe shqipërimi si çështje të normës përkthimore

Aristotel Spiro: Përkthimi objektiv dhe shqipërimi si çështje të normës përkthimore

Aristotel Spiro

Që kur përkthimi si problematikë u shkëput nga diskutimi filologjik e letrar, përkthimtaria mëtoi një vend ndër shkencat moderne. Nuk është ende e qartë se sa ia ka arritur, përderisa bëhet fjalë për shumë teori të përkthimit dhe jo për një. Nga njëra anë pushteti i fjalës dhe i gjuhës rëndon mbi shumë interpretime përkthimore (një fakt domethënës është edhe vetë ky tubim shkencor, ku shumica dërrmuese, në mos të gjithë, jemi gjuhëtarë), nga ana tjetër refuzimi i faktorëve gjuhësorë ka çuar në kahun e kundërt të nënvleftësimit të rolit të fjalës.

Titulli i kumtesës sonë nënkupton implikimin e tre termave themelorë të teorisë dhe praktikës së përkthimit: normën përkthimore, shqipërimin dhe përkthimin objektiv. Ndër ta, termi më i njohur është norma përkthimore, dhe ligjet përkatëse të përkthimit, që, sipas G. Toury-t (1995: 55) përkufizohen si «Përkthimi i vlerave dhe ideve të përgjithshme që ndan një bashkësi – në çka është e mirë apo e keqe, e mjaftueshme apo e pamjaftueshme – në udhëzime zbatuese të përshtatshme dhe të realizueshme në situata konkrete». Toury dallon vijimisht dy lloje normash: normat përgatitëse (58), që kanë të bëjnë me «politikat përkthimore» (përzgjedhje e teksteve që do të përkthehen) dhe pandërmjetësinë e përkthimit, si dhe normat përpunuese (58-59), që kanë të bëjnë me shprehjen gjuhësore të elementëve kulturorë në tekstin mbërritës dhe janë edhe ato dy llojesh: a) normat matricë, që lidhen me kuptueshmërinë e kontekstit kulturor në gjuhën mbërritëse dhe b) normat gjuhësore të thurjes së tekstit.

Normat përkthimore zbatohen nëpërmjet ligjeve përkthimore të a) standardizimit në rritje (267-264), përmes organizimit të tekstit me mjetet që ofron gjuha mbërritëse dhe b) ndërhyrjes (274-279) përmes huazimeve, kalkeve etj.

Siç shihet, koncepti i normave nuk është aq neutral, sesa tërësi sjelljesh proceduriale në shërbim të një qëllimi përfundimtar të tekstit të synuar, të cilin Shkolla e Manipulimit (Hermans 1985: 10) e shpreh në mënyrë më të qartë.

Në këto kushte, koncepte të tilla themelore të përkthimtarisë si «njëvlershmëria» (Äquivalenz) apo «përkatësia kuptimore gramatikore» (Korrespondenz) (khs. teorinë e Skopos-it) rrezikojnë të bëhen të pasigurta, përderisa normat përkthimore vendosen në mënyrë subjektive.

Normat e përkthimit janë pjesë e teorive përshkruese përkthimore dhe i referohen një praktike rrjedhëse të ndjekur zakonisht, me synimin që përkthyesi të orientohet përkah zgjedhjeve përkthimore që janë në pajtim me standardet kulturore dhe gjuhësore të pranuara.

Parë në këtë prizëm, fjala ose termi «shqipërim», që përdoret gjerësisht në përkthimet nga gjuha e huaj në shqip bëhen subjekt i një polisemie diakronikisht interesante.

Përdorimi ose përhapja e saj e tij i detyrohet Fan S. Nolit, i cili solli në gjuhën shqipe disa nga kryeveprat e letërsisë botërore. Pavarësisht nga mungesa e një politike përkthimore në kuptimin shtetëror, përkthimi i këtyre veprave letrare mund të konceptohet në kuadrin e një norme përgatitëse (preliminary norm), që impononte një përzgjedhje temash, zhanresh, llojesh dhe autorësh për të cilët kishin nevojë si letërsia e brishtë shqiptare, ashtu edhe lexuesi shqiptar. Nga ana tjetër, normat përpunuese tek Fan S. Noli u zbatuan nëpërmjet përzgjedhjesh gjuhësore të orientuara jo vetëm përkah sistemit gjuhësor të shqipes, por edhe atij kulturor. Ai u ndie i lirë dhe përktheu në një mënyrë të tillë, që origjinalin e kundroi si një tekst referues, të cilit i mbetej besnik përderisa plotësoheshin pritshmëritë e tij estetiko-letrare dhe politike. I orientuar përkah lexuesit shqiptar, pra, përkah kompetencës së tij gjuhësore dhe kulturore shqipe, u detyrua që t’i përshtaste tekstet e huaja brenda kontekstit gjuhësor dhe kulturor shqiptar me atë mënyrë të natyrshme, saqë të dukeshin thuajse si tekste të shkruara në shqip.

Për këtë ai përdori foljen «shqipëroj», d.m.th. «kthej një tekst të huaj në shqip». Është e qartë se ajo përbënte një metaforë në vend të fjalës «përkthim», e cila sot përdoret gjerësisht për të shënuar veprimin e rishprehjes semiologjike gjuhësore të mesazhit nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Ishte njëkohësisht një kalk i krijuar mbi fjalë me përdorim të ngjashëm në gjuhë të tjera të Evropës (p.sh. gjerm. endeutschen, it. italianizzare, gr. εξελληνίζω, αποδίδω στα ελληνικά etj.), të cilat F. S. Noli i njihte (Spiro 2012:316).

Nuk ka asnjë të dhënë që F. S. Noli ta ketë përdorur fjalën «shqipëroj» apo «shqipërim» me ndonjë nëntekst vetëvlerësues. Por përfundimi i tij i shkëlqyer përkthimor, ose më mirë perceptimi shumë pozitiv në mendjen e lexuesve shqiptarë, bëri që kjo fjalë e idiolektit të tij të mbisemantizohej me konotacionin e përkthimit të arrirë.

Sot emri «shqipërim» dhe folja «shqipëroj» përdoren gjerësisht për të përshkruar atë veprimtari përkthimore letrare, e cila mëton të përshtatë tekstin e huaj letrar në një shqipe të kulluar, të qëruar dhe jep përshtypjen sikur teksti i përkthyer është shkruar në origjinal. Është njësoj sikur autori i huaj të dinte shqip dhe ta (ri)shkruante në gjuhën shqipe.

Këta terma nuk përdoren për tekste joletrare.

Mirëpo, në përkthimet letrare përdoret po aq shpesh, në mos më shumë, edhe termi «përkthim». Ai nuk është i ngarkuar me ndonjë nënkuptim nënvleftësues apo mbivlerësues të përfundimit përkthimor. Kështu, ndër dy termat që shënojnë veprimtarinë përkthimore letrare («përkthim» dhe «shqipërim») shqipja e përdor këtë të fundit me ngarkesë emocionale. Në përdorimin e zakonshëm ai perceptohet si diçka më shumë se përkthim,si përkthim i bukur a si përkthim ideal. Por a është e vërtetë kjo? A ka përkthim «ideal» (Eco 2006: 62)?
Përvoja dëshmon se përkthimet apo shqipërimet kryhen nga njerëz konkretë me një kompetencë të caktuar gjuhësore, letrare dhe përkthimore. Por kompetenca gjuhësore, letrare dhe ajo përkthimore nuk janë e njëjta gjë. Na ndodh shpesh që të lexojmë një përkthim të pëlqyeshëm, por nuk jemi të sigurt nëse është përkthimi ideal. Nuk jemi të sigurt nëse nuk është thurja gjuhësore me përzgjedhjet e idiolektit të përkthyesit. Disa raste shumë të njohura na bëjnë që të mos jemi dhe aq optimistë për ekzistencën e përkthimit «ideal» ose «objektiv». Kështu, «Fabulat» e La Fontenit në përkthimin e Andon Zako Çajupit shumë pak sugjerojnë një përkthim nga frëngjishtja. Ato duken sikur janë krijime origjinale të autorit, prandaj justifikohet përfshirja e tyre në vëllimin e tij poetik «Baba Tomorri» (1902). Të shkruara në shqipen e fillimit të shek. XX, sot një shekull e ca më vonë e përforcojnë më shumë ndjesinë e origjinalitetit.

Le të përmendim edhe përkthimin e poezive të Bërnsit nga Dritëro Agolli. Në të vërtetë, ato mund të shijohen si poezi origjinale të D. Agollit, të cilat kanë të gjitha veçoritë stilistike të pjesës tjetër të krijimtarisë së tij poetike.

Atëherë çfarë kërkohet? Një përkthyes që nuk njihet si autor origjinal, i cili do të kryejë përkthime jo aq të bukura, por do të na sigurojë për mosidentifikimin e teksteve të përkthyera me ato të ndonjë autori të njohur? Një përkthyes dhe jo një shqipërues? Le të na lejohet që të mos e japim përgjigjen menjëherë. 

Eksperimentimet përkthimore, edhe pse të pakta, nuk janë të panjohura për përkthimtarinë shqiptare. Raste tipike përbëjnë përkthimet e poezive të Gëtes «Mbreti i Tulës», «Gërmuesi i thesarit», «Perëndia dhe Bajadera» etj. nga disa përkthyes të ndryshëm (N. Mjeda, S. Malëshova, L. Poradeci, S. Luarasi, V. Bala, J. Bllaci, P. Kruja).

Një rast tjetër i ngjashëm është edhe përkthimi i poezive të A. Pushkinit nga disa përkthyes të rinj në vitet 1960 të shek XX (Ismail Kadare, Jorgo Bllaci, Ll. Siliqi etj.). Si në rastin e Gëtes, ashtu edhe në atë të Pushkinit, edhe pse bëhet fjalë për të njëjtën poezi, tekstet e përkthyera ngjajnë sikur janë krijime të ndryshme.

Tri fragmentet e teksteve të mëposhtme në shqip mund të thuhet se janë të një autori, po aq sa mund të thuhet që Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci dhe Fan S. Noli janë i njëjti person.

E t’ksaj t’kandshmes jetë dëshirin

Piu ma t’mbramin e lumnoj

Pijsi plak. Mandej putirin

Ndër val’ t’detit e flakroj.

Tuj u zhyt’ e pa n’fund t’zallit,

Tuj këcye nalt, tuj hupë me turr;

E n’at ças i ranë prej ballit

Fikun syt’ e s’piu ma kurr!

«Mbreti i Tulës» përkthyer nga N. Mjeda

Dhe ajo zë një valle e godet me çapare,

Dhe dridhet, përdridhet në qark ledhatare,

……………………………………………

Do shërbime skllavërore,

Po m’e qeshur ajo flet;

Bëhen lajkat vajzërore

Ca nga ca duf i vërtet.

Kështu lulja e lulëzuar

Pjek dhe pemën shpejt a vonë;

Për një zemër të kushtuar,

Dashuria nuk vonon.

«Perëndia dhe Bajadera» përkthyer nga L. Poradeci

Rrëkeja dhe thëllima,

Dëbora, vetëtima

Vërsulen që përpjetë

Përmbysen tatëpjetë,

Tërbuar po kalojnë,

Dhe gur mbi gur dërrmojnë.

Kështu kësmet’ i mirë

Gjezdis në hapësirë,

Bekon një çilimi

Me një gërshet prej ëngjëlli

Dhe rrall’ e tek një plak

Me kungull dhe me djall kallpak.

«Të perëndishmët» përkthyer nga F. S. Noli

E megjithatë, tri tekstet e mësipërme janë përkthime poezish të të njëjtit autor: të J. V. Gëtes.

Duket qartë që teksti original shërben këtu si një mesazh referimi, si një kryetekst i organizuar gjuhësisht në gjermanishten e autorit. Objektiviteti i përkthimit qëndron pikërisht në këtë ecejake semiologjike nga kryeteksti (origjinali) nëpër realizimet e ndryshme përkthimore në të njëjtën gjuhë a në gjuhë të ndryshme, në të njëjtën periudhë a në periudha të ndryshme. Ky ballafaqim midis versioneve të ndryshme përkthimore nxjerr në pah ato anë të përbashkëta midis të gjitha këtyre realizimeve tekstore, domethënë në morinë e të gjitha këtyre teksteve ekziston jo vetëm idealisht, por edhe gjuhësisht një tekst i njëjtë i barasvlefshëm me kryetekstin. Teksti i përbashkët ndihet i pranishëm në çdo çast të rishprehjes së ndryshme gjuhësore, si një garanci e rikonfirmimit të vërtetueshmërisë, si një dëshmi e pranisë së mbishtresave ose nënshtresave të tepërta semiologjike, të cilat inventarizimi i thjeshtë gjuhësore i klasifikon si «tradhti përkthimore».

«Tradhti» të tilla janë të lokalizueshme shumë lehtë jo vetëm kur ballafaqohen me origjinalin, por edhe disa përkthime të të njëjtit tekst në gjuhën mbërritëse. Le të krahasojmë për shembull përkthimin në shqip të katër vargjeve të para të sonetit 81 të Shekspirit:

Origjinali:

Or I shall live your epitaph to make,

Or you survive when I in earth am rotten,

From hence your memory death cannot take,

Although in me each part will be forgotten.

Po rrojta unë të t’bëj në varr mbishkrimin,

Po mbete gjallë ti kur dheu të më tresë,

Vdekja tashmë s’ta shuan dot kujtimin,

Pa sa për mua do zhytem krejt n’harresë.

William Shakespeare, Sonetet.

Përktheu: Napolon Tasi. Tiranë, Plejad, 2004, f. 87

Nga ne të dy vallë kush do vdesë i pari

Unë apo ti, s’e di; por një gjë di:

Kujtimin tënd ty nuk ta mbulon varri

I kalbur kur të jem në dhenë e zi.

Uiliam Shekspir, Sonete.

Shqipëruar nga Vedat Kokona. Tiranë, Kokona, 2001, f. 45

O do ta bëj mbi varr ty përkushtimin,

O rron ti kur me dhé të jem mbuluar.

S’ta zhduk nga vargjet vdekja ty kujtimin,

Sidoqë unë do të jem harruar.

William Shakespeare, Sonete.

Shqipëroi: Çezar Kurti. Tiranë, Kurti Publishing, 2004, f. 93

S’e di, o miku im, se kush nga ne,

Sho-shokun do ta kallë në varr më shpejt;

Kujtimi yt s’do tretet përmbi dhé,

Kur mua fara do më shuhet krejt.

William Shakespeare, Sonete.

Shqipëruar nga Kristaq Traja. Tiranë, Erik, 2002, f. 83

Ngjajnë si variacione të ndryshme poetike mbi një temë të njëjtë, por kurrsesi si përkthime të së njëjtës strofë. Tronditëse apo zhgënjyese, kjo është e vërteta.

Por mund të ndodhë edhe e kundërta: Tekste autorësh të ndryshëm, të përkthyer nga një përkthyes i vetëm ngjajnë sikur i takojnë një autori. Një rast domethënës vjen nga antologjia «Poezi gjermane dhe austriake» (Tiranë: «Naim Frashëri», 1987), përkthyer nga Petraq Kolevica, të cilat në gjuhën shqipe japin përshtypjen sikur janë poezi të një autori të vetëm: 

M’u desh të nis shtegtimin

Mes natës nëpër terr,

Por sytë para nisjes

I mbylla dhe një herë (20).

Un’ eci përmes lulesh

Dhe vetë lulëzoj.

Un’ eci si në ëndërr

Aq sa mezi qëndroj (168).

O mars, o mars i bukur,

Ç’na erdhe kështu kot!

Nëntori le të vijë

Se do të mbjellim sot… (62)

Atdheu im i dashur,

Të mundja të t’i shoh

Liqenet e qeshur,

Luginat kudo (29).

Në të vërtetë, janë fragmente nga pesë poezi pesë autorësh të ndryshëm (!).

Është për këtë arsye që në përgatitjen e antologjive poetike të përkthyera këshillohet pjesëmarrja e shumë përkthyesve, meqenëse krijon imazhin e diversitetit stilistik të autorëve të ndryshëm. Gjithsesi, ky diversitet përfaqëson një përkatësi të shpërpjesëtuar, meqenëse pamja e vërtetë e origjinalit ndryshon krejtësisht nga ana stilistike.

Një përkthim i bukur nuk është doemos përkthimi ideal. Nuk është mandej as përkthim objektiv, përderisa elementi subjektiv si në vlerësimin e normave matricë, ashtu edhe në zbatimin e normave të thurjes gjuhësore të tekstit mbërritës ndryshojnë nga njëri përkthyes tek tjetri.

Kjo do të thotë se kompetenca përkthimore nuk mund të jetë e barabartë me kompetencën gjuhësore ose letrare të një përkthyesi.

Kompetenca përkthimore është aftësia për të shmangur përzgjedhjet gjuhësore idiolektike të përkthyesit dhe për ta përshtatur ligjërimin letrar të gjuhës mbërritëse në përputhje me përzgjedhjet stilistike të tekstit burimor.

Një kompetencë përkthimore çon më pranë një përkthimi objektiv. Me përkthim objektiv ne nënkuptojmë një optimum zgjedhjesh gjuhësore e stilistike të cilat respektojnë marrëdhëniet formale e semantike të tekstit burimor, që përsëriten tek teksti mbërritës. Sa e vërtetë është kjo në praktikë? Mund të thuhet që përkthimi objektiv është potencialisht i mundshëm, por realisht i paarritshëm. Prandaj ai shfaqet përherë si një përpjekje drejt ideales,  e cila nuk është gjë tjetër veç origjinalit. Në këtë kuptim mund të thuhet që përkthimi objektiv jo vetëm që nuk mund të arrihet, por as ka kuptim të diskutohet i shkëputur nga origjinali.

Përkthimi është veprimtari e ndërgjegjshme analitiko-sintetike gjuhësore, e kryer nëpër një kontekst të gjerë kulturor, që nënkupton aftësi (kompetencë) të zhvilluar përkthimore. Kompetenca përkthimore synon përkthimin objektiv, i cili fokusohet nga zbulimi i raporteve formale, semantike në tekstin origjinal, të cilat rindërtohen në gjuhën mbërritëse me mjetet gjuhësore që ajo disponon. Normat gjuhësore të thurjes së tekstit imponojnë shfrytëzimin e përkatësve ekzistues kulturorë të shprehur me mjete leksikore e gramatikore, ndërsa elementet munguese e konfirmojnë praninë e tyre në formë huazimesh apo sajimesh leksikore kalkuese apo perifrastike me mjetet gjuhësore të gjuhës mbërritëse. Teksti përfundimtar (translatumi ose, më shqip, përkthesa) do të ndikohet gjithsesi nga idiolekti letrar i përkthyesit / shqipëruesit.

Si përkthimi ashtu edhe shqipërimi bëjnë pjesë në normat përpunuese. Por ndërsa shqipërimi lidhet më shumë me normat matricë, përkthimi lidhet më shumë me normat gjuhësore të thurjes së tekstit.

Nëse u bëhet një vlerësim shembujve të sjellë më sipër, menjëherë vërehet se ato janë kryesisht nga poezia. Nevojat teknike të organizimit të vargut e detyrojnë përkthyesin që t’u drejtohet paradigmave të gjuhës mbërritëse, të cilat e largojnë pa dashur e pa kuptuar nga elementet formësuese të origjinalit. Në pamundësi për të përdorur përkatësin leksikor të sigurtë, meqenëse kufizimet estetike nuk e lejojnë, përkthyesi përdor sinonime, shfrytëzon apo sajon metafora që të arrijë të njëjtin përfundim komunikativ sikundër në gjuhën ardhëse, megjithëse ndërkohë ka flijuar në heshtje një pjesë të mesazhit kuptimor ose estetik.

Ndryshe qëndron puna në prozë. Këtu përkthyesi nuk është i kufizuar nga faktorë metrikë ose poetikë në kuptimin e ngushtë. Është i lirë të zgjedhë nga inventari i gjuhës mbërritëse elemente leksikore dhe gramatikore i/e pakushtëzuar nga ritme e rima të rrepta. Kësisoj, mund të thuhet se shqipërimi dhe përkthimi varen edhe nga zhanri por më shumë nga llojet letrare: nëse teksti është i organizuar në vargje, ka më shumë gjasa që përkthyesi të përdorë metodën e shqipërimit, pra të birësojë normat matricë, ndërsa nëse teksti është i organizuar në prozë, ka më shumë gjasa që të përdorë metodën e përkthimit, pra, thjesht të birësojë normat gjuhësore të thurjes së tekstit.

REFERENCA BIBLIOGRAFIKE:

Eco, U. 2006. Të thuash gati të njëjtën gjë. Përvoja përkthimi. Përkthyen: Mariana Ymeri & Alketa Ylli. Tiranë: Dituria (Titulli i origjinalit: Dire quasi la stessa cosa. Esperienze di traduzione, Milan, Bompiani, 2003).

Gëte, J. V. 1988. Vepra të zgjedhura. 2. Red. Gj. Zheji, M. Xhaxhiu, A. Plasari. Tiranë: «Naim Frashëri».

Spiro, A. 2012. Fan S. Noli dhe shqipërimi si antinomi terminologjike. Në: Fan S. Noli 130-vjetorin e lindjes (1882-2012). Konferenca shkencore ndërkombëtare (Përmbledhja e materialeve të konferencës kushtuar Fan S. Nolit në 130-vjetorin e lindjes) Korçë: Universiteti «Fan S. Noli», Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë. 314-319.

Toury, G. 1980. In Search of a Theory of Translation. Amsterdam and Philadelphia. PA: John Benjamins. 

Toury, G. 1995. Descriptive Translation Studies – and beyond. Amsterdam and Philadelphia. PA: John Benjamins. 

Botuar në:

Albanologji 7: Punime nga aktiviteti shkencor Java e Albanologjisë i mbajtur më 23-27 maj 2016. Vëll. I. Prishtinë: Instituti Albanologjik.

Exit mobile version