Kreu Opinion Anton Papleka: Eksperimentimi i parë futurist në Shqipëri

Anton Papleka: Eksperimentimi i parë futurist në Shqipëri

1. Në pragun e një enigme. Hulumtimet rreth poezisë gojore më çuan te libri Burbuqet e pranverës, përgatitur e botuar nga Nazif Mamaqi1). Veç teksteve folklorike, në të ishin përfshirë edhe poezi që mbanin firma fillestarësh, por edhe firma autorësh nga më të përmendurit. Vjershat që i përkisnin letërsisë së shkruar, krijonin një mozaik të çuditshëm, së paku për mua. Një pjesë e madhe e tyre ishin vargëzime të rëndomta ku gërshetoheshin patriotizmi me akademizmin bajat, paseizmi me tradicionalizmin estetik, të cilit i dukeshin sheshit rrudhat dhe rrëgjimi i pleqërisë.

Për disa nga ata autorë që merrnin pjesë në atë banket poetik, ishin përdorur apo do të përdoreshin më vonë epitete të tilla si «kryepoet», «kryemjeshtër», «sovran», madje dhe «Homer». Papritur, midis këtyre emrave që koha, ashtu si bronzit të statujave, u ka dhënë një shkëlqim të veçantë, një hije të rëndë, një kumbim solemn, gati-gati sakral, hasa një emër të padëgjuar, të thjeshtë dhe enigmatik: LELE GJINI, autor i poezisë Shqipëri!. Në fillim, emri “Lele” për pak sa nuk ma nxori gazin, por leximi i poezisë së tij më befasoi. Ai tekst ishte si një lule e gjallë, e njomë, e ndodhur gand në fletët e një herbariumi me lule të thara prej motesh. Dukej sikur qe shkruar ditën që e mora në dorë atë përmbledhje. Ishte e kërthinjtë, e druajtur, si një fëmijë. Ose më saktë: në të kishte diçka nga fëmijëria e poezisë. E poezisë së vërtetë që gjithmonë ruan brenda vetes diçka të njomësht e trillore, ashtu si poeti i vërtetë që e ruan brenda vetes fëmijën deri në fund të jetës.

Para se të flas për vjershën Shqipëri!, po ndalem pak tek autori i saj. Për mua, ai është enigmatik në shumë pikëpamje. Unë nuk e di, nëse emri Lele Gjini është antroponim i njëmendtë apo heteronim. Nëse quhej vërtetë kështu, ku ka lindur dhe ku ka jetuar ky njeri? Cila ka qenë karriera e jetës së tij? Ç’bindje politike ka pasur? A ka vdekur i ri apo ka rrojtur gjatë? A ka shkruar dhe a ka botuar gjëkundi poezi të tjera? A është marrë edhe me prozë? Apo thjesht: Çfarë i ka ndodhur në jetë këtij njeriu?….

Jam krejt i pazoti t’u përgjigjem pyetjeve të mësipërme. Me një fjalë, për mua ato janë enigma. Por, në fund të fundit, ato janë të parëndësishme. Vetëm një gjë ka rëndësi: në aksh vend, në aksh vit, ka lindur një njeri me emrin (a heteronimin) Lele Gjini. Dhe një ditë prej ditësh, atij ia ka dhënë truri të ulet pranë një flete të bardhë e të thurë vargje – mbase shqipja është e vetmja gjuhë indoevropiane që e përdor fjalën «thur» për krijimin e poezisë, çka të çon tek agu i letërsisë gojore, te koha mitike kur arti magjik i fjalës krahasohej me artin magjik të Aknesë dhe të Minervës. Por le të mos shmangem nga tema: vërtet sot për sot Lele Gjini është një enigmë për mua, çka mund të mos jetë kështu edhe për të tjerët. Me siguri, do të gjendet një hulumtues që merret me historiografi letrare, i cili do të anketojë kush ka qenë Lele Gjini, autori enigmatik i një poezie enigmatike, befasuese, moderne, i një poezie-sinor që shënon mbarimin e një epoke të gjatë poetike në letërsinë shqipe, epokën e tradicionalizmit, dhe në të njëjtën kohë përuron epokën e modernitetit, me të gjitha ato trajta poetike që ka marrë e do të marrë në ardhmëri. Në veprën e tij Shkalla zero e shkrimit, Roland Barthes-i e përcakton kështu këtë ndryshim që ka ndodhur në mbarë poezinë europiane: «Në të vërtetë, poezia moderne, meqë duhet t’ia kundërvëmë poezisë klasike dhe çdo proze, shkatërron natyrën spontaneisht funksionale të ligjërimit dhe mban prej tij vetëm bazat leksikore.»2)

2. Pse eksperimentim? Së pari, sepse ky tekst është mbëltimi i një përvoje të re poetike, krejtësisht të panjohur, në truallin e letërsisë sonë. Poezia Shqipëri! është botuar në përmbledhjen Burbuqet e pranverës, më 1933. Vetëkuptohet se ajo do të jetë shkruar më parë. Ka gjasa që, para kësaj date, të jetë botuar në ndonjë gazetë, revistë a libër tjetër. Po ku dhe kur? Edhe kjo çështje mbetet që ta sqarojë në të ardhmen ndonjë ekzegjet. Them se mund të jetë botuar diku tjetër, sepse te përmbledhja në fjalë, janë ribotuar vjersha nga më të njohurat. Burbuqet e pranverës është një florilezh (a do të shkonte, po ta shqipëroja lulnajë?); pra, vështirë që përmbledhësi të ketë futur në të një tekst në dorëshkrim.

Dhe më tej: eksperimentim, për arsye se dhe në Europën Perëndimore, moderniteti ende ishte në stadin e përpjekjeve për t’u vënë zjarrin rekuizitave të ronitura e të mykura, vjetërsirave të retorikës dhe të prozodisë klasikegjante. Aq më tepër në Shqipëri, futurizmi ishte eksperimentim, kokëshkrepje, aventurë Kolombi në kërkim të kontinentit të ri të Poezisë Moderne…

Vetë autori e di se po eksperimenton. Madje më shumë se kaq: po imiton. (Mos u kreshpëroni, puritanë të artit!) Ai nuk vuan nga kompleksi i origjinalitetit absolut, të rremë. Si ta parandiente se dhjetëra vjet më vonë, Borges-i do të fliste për palimpsestin, ndërsa Gerard Genette-i do të fuste në përdorim termin «letërsi palimpsestike», ai nuk ka drojë të shkruajë në fund të vjershës këtë frazë sfiduese: «Ujdisur sipas italishtes».3) Vetëm një njeri i emancipuar mund të bënte një gjë të tillë. Dhe pikërisht pse qe i tillë, ai e pranoi futurizmin, i bëri të tijat risitë e kësaj shkolle letrare. Fare mirë, ai mund të vishte togën e ndritshme të zbulimtarit hyjnor. Kjo gjë do të ishte tepër e lehtë në një vend si Shqipëria ku edhe sot, disa dhjetëvjeçarë pas botimit (a ribotimit) të poezisë së tij, jo vetëm lexuesit, por edhe shumica e letrarëve nuk e njohin aq sa duhet futurizmin.

Vjersha moderne Shqipëri! trajton një temë tradicionale në poezinë shqipe: patriotizmin, dashurinë për dheun e të parëve. Një minierë e shfrytëzuar deri në shterrim. Një temë e stërpërdorur dhe e keqpërdorur nga mediokrit. Pa i bërë beft syri, Lele Gjini vjen në agoranë e poezisë shqipe e thotë: «Daleni pak, poetë të shuguruar, të himnizuar e të hyjnizuar! Unë kam ardhur këtu të them fjalën time, të flas si ma do zemra mua, të flas me ligjërimin e kohës sime. Pra, unë do të flas si futurist!»

Pa u druajtur se mund ta presin me të qeshura a me shpoti, Lele Gjini shkruan, siç i pëlqen atij, i bie ndesh tradicionalizmit estetik, me besimin e krijuesit novator që thellë më vete është i bindur se qoftë konfirmimin, qoftë duartrokitjet do t’ia japë e nesërmja. Ndoshta edhe një e nesërme kur ai nuk do të bënte më hije mbi dhe. Por më shumë ka të ngjarë që ai nuk e ka vrarë mendjen fare për këso gjërash. Sepse: a nuk qe fu-tu-rist?!

Titulli dhe magma e kësaj poezie të sjellin në mendje një dukuri tjetër: për të hyrë në Shqipëri, futurizmit i është dashur të shtjerë në punë pasaportën e patriotizmit. Këtë gjë, në një kontekst jo vetëm shqiptar, por edhe ballkanik e më gjerë, e kishte bërë edhe romantizmi. Në studimin Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, E. Çabej nënvizon: «Ideja nacionale, e cila atje ku, si në Itali, një popull rronte në robëri, arriti në një zhvillim të veçantë, në Europën lindore e juglindore u bë një nga cilësitë kryesore të çdo poezie romantike.»4)

Në qoftë se për romantizmin, kjo ka qenë e shpjegueshme dhe e detyrueshme (imperativi historik), në rastin e futurizmit mund të kenë ndikuar më shumë shkaqet kulturore: autori ka menduar se një art i ri do të hidhte rrënjë më lehtë në Shqipëri, do të ishte më i kapshëm, pra, më i pranueshëm, duke u mishëruar në një krijim që do të kishte në qendër figurën ikonike të shumë poezive paradigmatike të deriatëhershme, mëmëdheun. Ma do mendja se, si futurist, si artist modern, në radhë të parë atij i ka interesuar forma, risia stilistike, ndërsa brendia ka qenë dytësore.

Në krahasim me krijimet e tjera, poezia e Lele Gjinit më katapultoi në një truall tjetër, mbase nuk do ta teproja, edhe po të thosha «në një planet tjetër», ku kishte një tjetër ligj rëndese, një atmosferë, një klimë e një reliev tjetër. Qysh në fillim, autori e quan Shqipërinë «fjalë e kaltërtë». Ndoshta ky është i pari epitet syrealist që ka shkruar dora e një shqiptari. Disa dekada më parë, poeti francez Arthur Rimbaud kishte botuar sonetin Zanoret, ku thoshte: «A e zezë, E e bardhë, I e kuqe» etj.5) Bashkëkohësi i tij, Paul Verlaine, do të botonte poezinë Këngë e hirtë, ndërsa poeti modern nikaraguajan Ruben Dario do të përdorte sintagmën «Vargu i kaltër». Librin e tij të parë me poezi, Borges-i do ta titullonte Ritmet e Kuqe.6) Në një poemë të Marinettit, themeluesit të futurizmit, flitet për “… legjenda kaçurrele si koka negrish, / të plasaritura nga të qeshura të bardha.” Sigurisht, Lele Gjini mund të mos i ketë ditur të gjitha këto gjëra, por ai ka qenë i mbushur me vlagën e futurizmit.7)

Kultura jonë nderon vetveten, duke ia njohur meritën e veçantë këtij avanguardisti, i cili ka dashur dhe ka ndihmuar që letërsia shqiptare të ecte me hapin e letërsisë moderne europiane.

Kjo meritë spikat më tepër, po të kemi parasysh se do të duhej të kalonin dekada për t’u lidhur filli i këputur e për ta dëgjuar prapë një ligjërim të tillë në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur Ismail Kadareja do të shkruante: «Fishkëllimat bojë portokalli të raketave», apo: «Gjëmim gri i motit të largët»8); ndërsa Fatos Arapi do të shprehej me natyrshmërinë më të madhe: «Hapat e patrullës godasin trupin e metaltë të natës», apo «Unë isha i vogël, kërthi, para krimeve të thinjura».9) Madje edhe paskëtaj epitete të tilla do të shfaqeshin si ata zogjtë që fektojnë midis gjethnajave dhe do të gjuheshin me gurë nga redaktorët trukokallarë (të falem, o Lasgush!), nga kritizerët shijendryshkur,

Në sekuencën e dytë të vjershës së tij, Lele Gjini e quan Shqipërinë «paraverë syllabesh» (=rrokjesh). Kjo sintagmë mendjetrazuese për lexuesin dhe vargjebërësit e atëhershëm ka qenë paralajmërimi i një pranvere të re në poezinë shqipe ku një burbuqe a më mirë një luleborë do të ishte pikërisht lirika futuriste Shqipëri! Shndërrimet konceptuale janë të pandara nga risitë stilistike e gjuhësore. Si një demijurg i lashtë, – i tillë është çdo poet i vërtetë, – poeti futurist fut në qarkullim epitetet «ylluar» për kopshtet arbërore dhe «blu, të çkufizuar» për harqet, me të cilat janë bërë «flotat qiellore». E gjetur e kuptimplotë është metafora «çerdhe e shkundërmuar e mendimevet» për Shqipërinë. Në qoftë se sintagma «çerdhe e mendimevet» është më pranë traditës, epiteti «e shkundërmuar» është plotësisht modern. Një cilësi e luleve apo e ndonjë sendi tjetër konkret që kundërmon, i vishet një gjëje abstrakte, mendimit. Në këtë atmosferë moderniteti, të shpie edhe metafora «puthje». Merret me mend ç’thyerje është bërë në kodin poetik shqiptar: e përqasur me sende hijerënda, të stërmëdha, inerte si kështjellë, shkëmb, mal; e përfytyruar si zonjë kryelartë, si amazonë: «Shqipëri, moj pallëlarë!…» etj., mëmëdheu shndërrohet në diçka fluide e qiellore, siç është puthja…

3. Sqarim i shkurtër për titullin. Duke e titulluar shkrimin tim «Eksperimentimi i parë futurist në Shqipëri», e kuptoj se ky formulim është kategorik. E vërteta është se ai nuk mëton aspak të jetë i tillë. Ai synon diçka tjetër: të jetë provokues. Domethënë, të nxitë ndonjë ekzegjet, ndonjë historiograf të letërsisë sonë ta hedhë poshtë me argumenta; pra, të gjejë krijime të tjera të kësaj natyre, të cilat do të jenë botuar më parë. Do të kënaqesha, sikur dikush të më përgënjeshtronte e të vërtetonte se poezia jonë kurrënjëherë s’e ka prerë kërthizën me poezinë europiane, se prej saj ka vazhduar t’i vijë edhe në periudha të shkuara ai gjak jetik që quhet qytetërim perëndimor, në rastin tonë – modernitet.

Pavarësisht nga zgjidhja e kësaj çështjeje: a është apo nuk është vërtet i pari tekst futurist i botuar në vendin tonë, poezia Shqipëri! e Lele Gjinit (në mos pastë emër tjetër), e meriton të përfshihet në antologjinë shkollore si dhe në çdo antologji panoramike. Me risitë që sjell, me shtegun e ri që hap, për të vazhduar pushtimin estetik të botës, ajo është pjesë e traditës sonë të gjallë e jetëgjatë. Margaritar i humbur në një bodrum, e pavënëre nga syri i historiografëve të letërsisë, i antologjistëve, i kritikëve, kjo lirikë nuk është fosil apo relike. Në një kohë kur plot vjersha që botohen aktualisht në organe shtypi a në libra, mbajnë në ballë gjurmët e llahtarshme të vdekjes, poezia Shqipëri! ka mbijetuar, për të na mahnitur me risinë, njomësinë dhe aktualitetin e saj.

Rizbulimi dhe rivlerësimi i kësaj lirike më shtyn të mendoj për një çështje që e pezmaton jo pak jetën tonë letrare: vlera e vërtetë estetike mund të mënjanohet për njëfarë kohe, mund të lihet në harresë nga padituria ose në mënyrë të qëllimshme, por vjen një ditë kur kjo vlerë e mënjanuar, e harruar, del në dritë dhe integrohet në trashëgiminë e breznisë a të periudhës letrare përkatëse. Dhe atëherë për poetin që nuk rron më fizikisht, në vend të formulës rituale: «I ndrittë shpirti!», duhet thënë: «I ndrittë fjala!», çka fundja është e njëjta gjë…

Për të bindur lexuesit që besojnë lehtë, por sidomos ata që janë skeptikë, se gjithë ç’thashë deri tani, nuk është panegjirizëm i pathemeltë, po u vë përpara tekstin integral, të cilit i kam hequr vetëm apostrofin te dy pronorë.

LELE GJINI

 SHQIPËRI

(Lyrismë futuriste)

Shqipëri:

Fjalë e kaltërtë

E pëshpëritur n’Apir

Nga kjo racë jetike,

Që ka gjithëmonë

Një poezi të re për të krijuar,

Një lavdi të re për të fituar!

 Shqipëri:

Paraverë syllabesh

Të lulëzuara si trëndafilë

Në kopshtet arbërore,

Ylluar si fllotat qiellore

Të bëra me harqe blu të çkufizuar!

 Shqipëri:

Emër i ynë dhe i bijvet tonë

Rrugë e vetëme e dashurisë sonë

Çerdhe e shkundërmuar e mendimevet

Puthje e fundit mbi sytë tona

Në ditën kur vdekja

Do vijë ngadalë!

(Ujdisur nga Italishtja)

Referenca bibliografike

1. Nazif Mamaqi, Burbuqet e Pranverës, Tiranë 1933

2. Roland Barthes, Le degré zéro de l’écriture, 1972, f.37

3. N. Mamaqi, vep. e cit.

4. Eqrem Çabej, Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes, Tiranë 1994, f.79

5. Arthur Rimbaud, Poésie, Paris 1993, f.88

6. Borhes, Poezi, Tiranë 2000, f.194

7. La poésie moderniste, Paris 1992, f.32

8. Ismail Kadare, Shekulli im, Tiranë 1961

9. Fatos Arapi, Shtigje poetike, Tiranë 1962

Exit mobile version