Gjykata kishte marrë vendim që ta dënonte me vdekje. Nuk është e rëndësishme se ç’faj kishte bërë, e rëndësishme ishte se ai nuk do të jetonte më. E ngërthyen për krahësh gjersa një tjetër ia prangosi duart dhe e nisën për në qelinë e tij. Ah se desh harrova! Kur trupi gjykues mori vendimin, gruaja e tij lëshoi një tip klithme dhe ra pa ndenja në tokë.
Ekzistonte një ligj me një stil të veçantë sa i përket dënimit me vdekje: asnjë i dënuar nuk do ta dijë se kur do të jetë dita e tij e fundit. Ata do të qëndrojnë në qelitë e tyre gjersa lajmi i madh t’u vije papritmas. Kishte edhe raste të tjera ku i burgosuri vritej teksa ishte në gjumë, raste kur u helmohej ushqimi, raste kur i jepnin ilaçe kinse analgjetike dhe raste tejet të rralla kur i burgosuri mund të zgjidhte vetë formën e vdekjes së tij.
Të nesërmen gruaja e të burgosurit, zotit D., u shfaq në repart dhe pyeti njërin nga policët:
“Më falni, a mund të vizitoj tim shoq?”
Polici nxori bllokun dhe kërkoi emrin në listën e të burgosurve e duke mos ndarë sytë nga lista tha:
“Po zonjë, akoma s’paska vdekur.”
“Desha ta vizitoja fare pak të lutem, se mbase nesër …”
Gruaja hyri në dhomën e takimeve, u çmall me burrin e saj dhe biseduan gjerë e gjatë. Më pas doli. U kthye sërish sikur të kishte harruar diçka. Mbaroi punë dhe e mbylli derën e dhomës së vizitave. Eci disa hapa tutje dhe sërish ktheu shikimin me brengën se a do ta shihte sërish të gjallë burrin e saj apo jo. U mat të shkonte prapë tek i shoqi, por polici trupmadh e fytyrëdhjamosur që rrinte përbri derës i dha një shikim jo fort të këndshëm saqë ajo u kthye kah dera e daljes dhe pa bërë zë iku që aty.
*
Të nesërmen, fare pak kohë pas lindjes së diellit, ajo doli vrap në rrugë e veshur vetëm me një triko të hollë bojëkafe sa për t’u mbrojtur nga i ftohti i mëngjesit, paçka se në veten e saj ishte e ftohur thellësisht nga përditshmëria dhe jeta normale si shkak i situatës së rëndë që po kalonte.
Dy blloqe më poshtë, në po të njëjtën lagje, shiteshin gazetat e ditës.
Kioska e gazetave nuk qe hapur akoma. Ajo priste teksa endej rreth e çark kioskës derisa rioshi që punonte aty erdhi me një tubë gazetash në krah.
“Shpjet! Nxito!” – tha zonja duke ia hapur krahët rioshit që të shtinte në dorë sa më parë një numër të gazetës së asaj dite.
Rioshi nxori briskun nga xhepi i pasmë, këputi lidhësen e gazetave dhe sakaq preu gishtin jo edhe pak. Mirëpo zonja nuk i dha fort çehre për gishtin e tij, e shikoi pak si të mos kishte ndodhur gjë dhe mori gazetën e iku drejtë një stoli aty afër. E ktheu përmbys, i shfletonte faqet me të shpejtë, hidhte sytë në të katër cepat e letrës dhe ja më në fund kronika e kërkuar ku shkruheshin emrat e të dënuarve me vdekje. I lëshoi një sy listës nga lartë poshtë, pastaj nga poshtë lartë, më pas lexoi vetëm emrat, pas kësaj lexoi vetëm mbiemrat, u sigurua që të lexonte mirë shkronjat e para të emrave se mos vallë ishte ajo shkronjë me të cilën fillonte emri i së shoqit; por jo.
“Oh! Nuk qenka… fal Zotit!” – nxori një të shfryrë lehtësimi.
Përmblodhi veten, gjithashtu edhe faqet e shkapërderdhura të gazetës, drejtoi pak flokët dhe u ngrit që të kthehej për në apartamentin e saj.
Për t’u mos u zgjatur: veprimet e tilla filluan të bëheshin të përditshme dhe të zakonshme për zonjën në fjalë, saqë hera-herës ndoshta bëheshin edhe të bezdisshme apo ndryshe thënë monotone, ndodhte t’i dukej normale që i shoqi ishte gjallë – ama këto mendime ishin të rralla. Gjithmonë kur kuptonte se i shoqi nuk ishte ekzekutuar, një ndjenjë lehtësimi dhe kënaqësie e kaplonte edhe pse pak çaste më vonë ky gëzim shndërrohej në një brengë të moçme duke menduar se mos vallë të nesërmen do ta lexojë emrin e tij në mes gjithë atyre emrave tjerë.
**
Për shtatë muaj burgim ata qenë takuar me dhjetëra herë. Ndodhte që kur ajo i çonte ushqimet e preferuara të shoqit, si shkak i vizitave të shpeshta dhe familjarizimit me punonjësit e burgut, u linte atyre ndonjë pjesë nga ëmbëlsirat apo gatimet e saj. Kushedi, ndoshta edhe mendonte se nëse do të krijonte një raport të mirë me ta, ata do të kujdeseshin më shumë për të shoqin apo thjesht ndoshta do ta kishin në konsideratë më tepër sesa të burgosurit e tjerë. Edhe pse pak rëndësi ka kjo.
Gjatë gjithë kësaj periudhe ajo qe dobësuar, qe zverdhur dhe mërzia e ankthi i shtoheshin vazhdimisht. Ulej në karrigen e saj në ballkon dhe me duar të kryqëzuara, me vetullat e rëna nën sy dhe me fytyrë të pajetë shikonte kundruall qytetin pa mendje, duke e ditur se nuk mund të shpëtonte nga dita kur do të kuptonte për ekzekutimin e të shoqit.
***
Ndërkaq jeta në burg ishte si jetë në burg. Çfarë të them më shumë.
Njëri nga gardianët po ecte korridoreve thatike. I dëgjoheshin këpucët ndër shumë anë të burgut. U afrua te njëra derë dhe e hapi atë. Nuk hyri brenda. Burri që qe shtrirë në shtratin e tij u ngrit menjëherë në këmbë. Zemra filloi t’i rrihte më fortë, duart nisën përnjëherë t’i djersiteshin, fyti iu tha dhe përbihej më shpesh sesa zakonisht. Zgjati dorën për t’u mbajtur për shufrën metalike të shtratit se kishte frikë mos e lëshonin këmbët. Shumë kishte frikë nga vdekja, dhe pale se çfarë ekzekutimi do të përdornin.
Mirëpo gardiani i zgjati një letër mbi të cilën shkruhej “Zyra e gjendjes civile”, më poshtë ishte teksti që ai nuk e priste:
“I nderuar zoti D.
Me keqardhje ju njoftojmë se bashkëshortja juaj ka ndërruar jetë.
Është gjetur e vdekur në shtratin e saj të gjumit disa ditë më parë. Rastin e kanë denoncuar fqinjët. Të gjitha mendimet aludojnë se kjo ka qenë një vdekje normale pa asnjë indikacion të panjohur.
Ngushëllime!”
Me t’u mbyllur dera, zoti D. u ul në shtratin e tij, mbeti i heshtur, pa asnjë lëvizje në fytyrë sikur të mos e kuptonte se çfarë kishte lexuar. Mendja iu bllokua, shikimi i thatë i mbeti tutje në dysheme dhe qëndroi ashtu për një kohë të gjatë.
Interesante se si ishte ajo e cila priste vdekjen e të shoqit, duke harruar se vdekja e saj do t’i vinte pa e menduar shumë gjatë. Mirëpo kjo është natyra e vdekjes: ne e presim, por me shumë gjasë është ajo e cila na pret neve.
Prishtinë – gusht 2026



